Lëvizja\UÇK

Prend Buzhala: MARSI shqiptar i Kosovës

(Me pak përqasje për ngjarjet në gjimnazin e Kijevës, aso kohe paralele e gjimnazit “Luigj Gurakuqi” të Klinës, ku punoja profesor i Gjuhës e letërsisë shqipe)

Gjithçka nis me marsin shqiptar të Kosovës. Cili është ky mars? Dhe përse Marsi? Sa e sa kulte qëndrese e luftarake janë ngritur që nga epoka ilire e deri te lufta e fundit çlirimtare në Kosovë. Marsi, kjo perëndi e luftës, shfaqet si SHENJË SHQIPTARE e historisë moderne. Ky mars nisi shembjen e një perandorie të quajtur Jugosllavi. E nisi pa asnjë armë në duar, po vetëm me armën mbi të gjitha armët, atë armën e pamposhtur që është shpirti liridashës i ideve liridashëse dhe të vetëflijimit shqiptar. Shtigje që rrugëtuan deri te kryengritja paqësore e viteve ‘90 dhe që kulmoi me luftën e popullit shqiptar në krye me UÇK-në. Është një mars që nisi një epokë dhe bëri një epokë… që u shtri nëpër qytete e fshatra, nëpër shkolla e vendpunishte e fabrika, sidomos nëpër shkolla, pothuajse kudo nëpër familjet shqiptare. KOSOVA PO PËRJETONTE NJË Rilindje, nga njëra anë: me hapjen e shkollave të mesme, më themelimin e Universitetit të Prishtinës, me zhvillimin e rrjetit rrugor, të industrisë, të punësimit, të krijimit e ndërtimit të qyteteve etj. Lidhjet me Shqipërinë ishin vënë në lëmin e arsimit e të kulturës. Mendohej që vetëqeverisja jugosllave do të shembte regjimin stalinist në Shqipëri, ose regjimi komunist shqiptar do ta demaskonte regjimin komunist jugosllav, që ishin në armiqësi ideologjike. Mirëpo, në Kosovë triumfoi LËVIZJA KOMBËTARE, e cila e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, e ktheu vëmendjen e Evropës edhe kah Kosova edhe Shqipëria e Jugosllavia, e demaskoi parajsën jugosllave të rrejshme të vetëqeverisjes për barazinë midis kombeve. Evropa që atëherë i vlerësoi demonstratat me objektivitet, ndërsa Rusia komuniste dhe Kina komuniste e shtetet tjera komunsite, sikur edhe sot, ishte nën anën e Serbisë. Atëbotë, Jugosllavia ishte si vendi më i hapët e më i liberalizuar nga vendet ish-komuniste. Ishin mijëra punëtorë shqiptarë që punonin në mërgim, si sot, dhe prej andej sillnin modelet e jetës, të zhvillimit e të kulturës, si sot, investimet për familje e për Kosovën, si sot… dhe një model tjetër nga parajsa komuniste e socialiste, atë demokratik, si sot… Kosova ishte e para që po e evropianizonte kombin shqiptar. Sepse ish të përndjekurit nuk strehoheshin në vendet e parajsës së rrejshme komuniste – as në Moskë, as në Beograd, as në Kinë, po në Evropën perëndimore e demokratike, si sot… e cila gjithmonë iu ka bërë konak shqiptarëve, me strehim e punësim…

  1. Ç’është e vërteta, gjatë viteve ’80 nuk ekzistonte komuna e Malishevës, dhe pjesë të tëra të kësaj komune i takonin Klinës. Ndërkaq, qendra e të tëra lëvizjeve në këtë rajon, ka qenë Kijeva e sotme, më saktësisht, shkolla e mesme “Luigj Gurakuqi” e Kijevës, si paralele e ndarë e shkollës së mesme të Klinës. Klinës. Mjafton të përmendet fakti se janë 38 emra dëshmorësh të UÇK-së, që kanë qenë nxënës të kësaj shkolle. Nga kjo shkollë dolën figura atdhetare, që më vonë ishin drejtues të UÇK-së. Ky rajon kishte pesë drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, apo figura të dalluara komandantë e dëshmorë, si Xhevë Lladrovci, Mujë Krasniqi Mirush Dakaj e qindra të tjerë të rënë e të martirizuar. Të rralla janë shkollat, si kjo e Kijevës (aso kohe e komunës së Klinës), që ruajnë në historinë e saj më të re, kaq shumë emra krenarie dëshmorësh, qofshin ata emra mësimdhënësish që kanë punuar në këtë shkollë apo nxënësish që kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle, sikundër janë: Xhevë Lladrovci, Mujë Krasniqi Mirush Dakaj, Beqir Sefë Gashi, Mentor Gashi, Rasim Maloku, Mehedin Morina, Muhamet Haxhaj, Ahmet Pantina, Nazmi Bashota, Gani Paqarizi, Adem Morina, Bajram Gashi, Ramadan Brahim Morina, Tahir Kryeziu Liman Gegaj, Hazir Kryeziu, Aziz Gashi, Kadri Gashi, Agim Hasanaj. Sefer Morina, Ramadan Halil Morina, Shefqet Hasanaj, Riza Salihaj, Rexhep Morina, Islam Manaj, Hysen Pantina, Sylë Balaj, Milazim Balaj, Selman Gashi, Remzi Veseli, Gani Zogaj, Qaush Dakaj, Refki Salihaj, Bajram Rexhepaj, Sinan Morina dhe Ymer Daut Krasniqi, pa i përmendur, këtu, edhe dhjetëra të Tjerë, të martirizuar apo edhe të vrarë nga soldateska serbe në ushtritë okupuese të APJ-së. Të burgosur e të vrarë, nxënës të kësaj shkolle, janë edhe Ismet Sefë Gashi (i burgosur e i vrarë gjatë viteve ; 80), si dhe Agim Shala nga Ujëmiri (i rënë dëshmore i UÇK-së).2.Nuk ishte e rastit, kur në verën e vitit 1998, vetë Holburk, nga kreu u SHBA-ve, thoshte se Kijeva ishte vendi më i rrezikshëm në Evropë. Por kështu e tillë Kijeva ishte edhe më 1981! Sepse këtu, ishte paralajmëruar një rrugë e gjatë dhe e mundimshme për lirinë e Kosovës. Në mars-prillin 1981, kur regjimi jugosllav menduan se e shuan lëvizjen e demonstratave e të protestave studentore e shqiptare, pikërisht më 20 maj 1981 u dëshmua diçka tjetër pikërisht në Kijevë; ishin javë të tëra që u deshën për t’u përgatitur ato demonstrata. dhe barrën kryesore e morën vetë nxënësit, ani se aty nuk mungonte as angazhimi i mësimdhënësve. Më 20 maj 1981 shpërthyen demonstratat në Kijevë. Menjëherë filluan edhe arrestimet e para: u arrestua profesori Azem Syla dhe nxënësit Haki Morina (organizatori kryesor i demonstratës), Servete Krasniqi (motër e Xhevë Krasniqit – Lladrovcit), Sabrije Krasniqi, Nurie Foniqi, Tafil Morina dhe Hajdar Morina. Ishin rreth 60 nxënës të tjerë që morën masa dënimi për largim nga shkolla, si dhe dënime të tjera, marrje në pyetje në polici, arrestime etj. apo me mohimin e të drejtës për të mos u shkolluar më. Edhe gjatë ditëve në vazhdim, ka pasur gjithnjë protesta e grumbullime protestuesve kundër burgosjeve e përjashtimeve nga shkolla. Protestonin së bashku edhe nxënës e prindër. Në shenjë solidarësie me demonstruesit e burgosur e me kërkesat politike, disa herë gjatë muajve në vazhdim nxënësit organizonin marshe nëpër rrugët e kësaj qendre. Protestat pati edhe gjatë marsit të vitit 1982, që ishin edhe më masive se ato të përparshmet e që zgjatën më ditë të tëra, që bëheshin me rastin e burgosjes së mësimdhënësve të izoluar e të arrestuar. Por në shkollën e mesme të Kijevës, rezistenca e nxënësve dhe arsimtarëve nuk pushoi asnjëherë dhe ajo zgjati me muaj e me vite, zgjati me tubime të tjera të protestave, me aksione ilegale, me grupime të reja, dhe, gjithsesi, edhe me burgosje të reja. Brenda një viti burgosen, arrestohen e mbahen në izolim edhe profesorët tjerë të kësaj shkolle, si Bilall Kryeziu, Mehmet Kryeziu, Prend Buzhala, Sokol Kryeziu, Hamit Dobruna, mjeku Shaqir Sela referenti i shkollës së mesme këtu, Miftar Bogiqi, pastaj nxënësit, Halit Krasniqi, Haki Morina (disa herë i burgosur), Habib Morina, Tafil Morina, Bashkim Kryeziu, Fitore Kryeziu, Vezire Maloku, Rexhep Krasniqi, Sahit Morina, Zymer Krasniqi, Vllaznim Kryeziu Servete Krasniqi, Sabrie Krasniqi, Lulëzim Krasniqi, Hamëz Kryeziu, Kajtaz Kransiqi, Shaban Shala, Hysen Kryeziu, Fetah Kryeziu, Bajram Kryeziu, Adem Kryeziu, Ali Foniqi, Sefedin Foniqi, Azem Dukolli, Sali Dakaj, Nexhmi Kelmendi, Mustafë Krasniqi, Hamëz Morina, Hysni Hoti, pastaj studentët dhe të rinjtë e organizuar të fshatit Gllarevë, Sheremet Pantina e Sejdi Haxhaj. Po ashtu, drejtori i kësaj shkolle, Hamit Krasniqi, ishte kidnapuar nga forcat policore serbe dhe qe mbajtur në arrest për disa ditë (kurse në mars 1999, gjatë luftës, ai arrestohet dhe vritet nga forcat militare serbiane). Ndërkaq, ish-nxënës të kësaj shkolle, më tutje studentë të universitetit të Prishtinës, nuk ishte e habitshme që ishin në radhët e para të demonstratave studentore në Prishtinë dhe dhjetëra ndër ta të burgosur… si Nexhmi Kelmendi, Elmi Zeka, Sheremet Zeka, Milaim Zeka e shumë të tjerë. Këtu po shënojmë edhe emrat e të burgosurve tjerë, Hajdin Morina, Ramë Bashota, Sokol Bashota, Agim Rr. Shala (dëshmor i UÇK-së), Musë Buzhala etj. Do përmendur se kjo shkollë veprimtarinë atdhetare e kishte nisur që nga fillimi, kur ishte krijuar, më 1971; ndërkohë që më 1974 qenë burgosur edhe arimtarët e parë, si Lazim Kaba, që u burgos së bashku me Rexhë Krasniqin, Kajtaz Ramadanin, Muharrem Gashin e Haki Kurtishajn.

Postimet e fundit !