Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Loja e historisë (prozë poetike) 4

Sa herë të kam parë me sytë e shpirtit, o Atdheu Im! Të kam parë e përfytyruar me mijëra trajta të gjakimeve. Te ti i blatuam kalvaret tona, , vuajtjet, peshën e mendimeve.S’ka rrugë që nuk na shpie te ti,s’ka rrugë që nuk i ka pikat e gjakut të plagëve tona,s’ka lumë, det a oqean që nuk e ndien trandjen që ua shkakton ti, me dhembjet tona, të shpërndara nëpër të gjitha limanet e pritjes nëpër botë,s’ka shteg që nuk i bart plagomat tona të shpirtit nëpër stacionet e aeroportet e rruzullimit.1. Ndalem te ky gur.Ndalem për ta kërkuar dëlirësinë që ke në qenien tënde. Kërkoj e kërkoj. Dhe atë e gjej të strehuar nëpër shtëpitë e dhimbjes, nëpër vorbullat e të pikëlluarve, nëpër shtjellat e të të braktisurve, të të pafuqishmëve, që e bëjnë historinë. Po! E tha ai disidenti çek: të pafuqishmit e bëjnë historinë! Janë grishjet e thellësisë së shekujve që vijnë drejt nesh. Dhe detyrohesh të hysh në Lojën e Historisë. Ta hedhësh zarin e fatit, si kafshë noprane. Dhe ec e del tash prej kësaj Loje.Së paku, del me anë iluzionesh: ja bregu, ja mali, ja shtëpia.Ja edhe humbja! 2. Eh, sa herë nëpër këto vorbulla kohësh më ka sfilitë dyshimi, deri në mohim të vetvetes. Dyshimet therëse e sfilitëse. Cilës kohë t’i besojmë:A vlen t’i besojmë të kaluarës e me të jetojmë?A vlen t’ i besojmë të ardhmes e me të të ëndërrojmë duke jetuar?A mund të jetojmë në të tashmen, duke jetuar në të kaluarën dhe në të ardhmen?Apo t’i besojmë religjionit që na e shtoi edhe një kohë: amshimin?!Ç’të bëjmë me amshimin ?Por edhe dhimbjet, edhe dyshimet, edhe pikëllimet mposhten, kur Atdheun e zgjedhim për Diell tonin. Dardaninë si atdhe shpirti. (24 qershor 2021)