Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Kulti i nderit në traditën shqiptare

(Trajtesë e lexuar në manifestimin DITA E PLISIT, edicioni VIII, në Stankaj – Rugovë, më 26 qershor 2021)

Fizionominë e shpirtit të tij etnik e nacional, gjatë shekujve të pushtimit otoman e të atij sllav, populli ynë e cilësonte në bazë të vlerave që kishte krijuar nëpërmes Kanunit: besës e fjalës, burrnisë dhe nderit. Aty ngërthehen edhe vlera tjera siç janë mikpritja apo pleqnia. Mbështetej në rrëfimet gojore mbi bëmat dhe historinë, dhe, sidomos, në këngën proverbiale epike e kreshnike mbi trimërinë shqiptare. Ishte lahutari shqiptar, ajo figurë e spikatur etnike ndër shekuj e mileniume, që i mësonte përmendësh mijëra vargje dhe i këndonte bëmat epike, sepse, siç thuhet, ai këndonte Kangën e Kombit. Aty thadrohe lavdi i të parëve, i heronjve, i burrave pleqnarë e të urtë. Të gjitha këto vlera janë kultivuar në kullën shqiptare, e cila ishte vatër formimi, edukimi, kuvendimi, kënge, ekzistence e esence e qenies sonë. Kur flet për Fishtën e “Lahutën e Malcis”, At Daniel Gjeçaj thotë: “Me ketë biná gurët e themelit apo elementet, që me ta përbâjnë qoshet e kësaj kulle, fortesë ilire, janë: burri shqiptár, grueja shqiptare sokoleshë, besa shqiptare, ndera, mikpritja, urtia kanunore, mitologjia etj.”

  1. Rrezatimet semantike të nderit

Në kuadrin e këtyre cilësive, spikatet edhe një vlerë etiko-morale, tipike shqiptare, siç është kodi i nderit. Nëse, sipas Fjalorit tonë, nderi përkufizohet si “Tërësia e vetive a e tipareve morale të njeriut, që burojnë nga parime të caktuara, që çmohen nga shoqëria dhe që shfaqen në sjelljet e në veprimet e tij në rrugë të drejtë; cipa e njeriut në shoqëri, që ai e ruan me krenari dhe që nuk lejon t’ia cenojnë”: ky kod edhe sot nënkupton pastërtinë morale, “qëndrimin e sjelljen e virtytshme, ndershmërinë dhe besnikërinë (zakonisht për gratë)” (Fjalori), duke mbitheksuar, nga ana tjetër një etikë të marrëdhënieve patriarkale.

Të gjitha kombet mburren me këtë kod, porse ndër shqiptarë ai merr një vlerë të veçantë jetike, ekzistenciale e esenciale, duke i identifikuar aty të vërtetën, sinqeritetin, dhe, mbi të gjitha, atë që mund të quhet e mira e përbashkët dhe më e madhja, që nga antika aristoteliane te vepra e tij “Etika e Nikomahut”. E pra, është ai kod që lufton mashtrimin e vesin e keq dhe angazhohet për triumfin e vlerave etike-shoqërore.

Se Kodi i nderit është rrënjosur thellë në jetën shqiptare, i gurëzuar ndër shekuj; se këtij kodi ai i ka kushtuar rëndësi e vëmendje të veçantë, dëshmon edhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, ku libri i tij i tetë quhet “Ndera”. Populli shprehet: Burri ka nder e burrni; ato nuk ndahen. Apo: Për erz e nderë t’ shqiptarëve, njerëzit kanë dhânë jetën; apo:

Ja edhe disa fjalë të urta popullore:

Çilet dera, rritet ndera.

Trimi nderon trimin, i mençmi të mençmin, i ligu të ligun.

Po nuk nderove veten, s’të nderon njeri.

Nderi vjen e ikën, por turpi vjen e nuk ikën.

Bëj nder e gjej qeder.

Çika pa nder, si lulja pa erë.

Madje, te etika e fortë e etnive në shoqëritë aristokratike e patriarkale, thuhej se nderi është i barabartë njësoj si për atë që braktis fushën e betejës, si për atë që tradhton dashurinë. Kështu reflektonte dikur Pier Kornej, shkrimtar frëng i shek. XVII. Ndër ne sinjifative nga mendësia e së kaluarës së fortë të shoqërisë së fisnikërisë, në këtë drejtim, janë thëniet shqiptare: “Nderi i grues, âsht nderi i burrit.”, apo vargu i himnit kombëtar: “Prej lufte veç ai largohet/ që është lindur tradhëtor.”

Kjo do të thotë që vlera të paprekshme janë Gruaja dhe Atdheu. Në shoqëritë tradicionale arma barazohej me nderin. “Nderi i kombit është një pushkë e mbushur.”Alain (Emile Auguste Chartier). Dritëro Agolli te një poezi e tij këndon: “Për gruan dhe tokën lë kokën”, me tokëln duke eprsonifikuar Atdheun, tokën që e mban gjallë a që ia siguron jetesën e lirinë, më vonë, në një shtet të lirë e të organizuar. Kështu, shqiptarin nuk mund ta për fytyroje pa armën në brez apo në krah.

Kësisoj, sot do të mund të përktheje, si: askush mbi ligjin; apo siç do të thoshte Mahatma Gandi: “Në çështjet e ndërgjegjes e të nderit, ligji i shumicës nuk vlen.” Madje, Kanuni e shqipton qartë këtë gjë:

“§.596. Nderen seicilli e kà per vedi e nuk mùnd t’i perzihet kush kuej as me e rrethue me pê(n)gje e me pleq.”

Nderi është personifikim për mikpritjen:

“Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

Së këndejmi, nderi ishte edhe personifikim për atdhedashurinë. Që nderimet e nënshtrimit ishin të huaja për këtë kod etik, e dëshmon edhe thënia shqipatre: “Mos me i bâ kurr tungiatjeta anmikut”. Me armikun nuk ke si të biesh në godi a marrëveshje. Nëpër këngët shqiptare të trimërisë, i dëgjojmë thirrjet e shokëve e të luftëtarëve, siç thuhet: “me i a këthye nderën Shqipnís.” Jo më kot, te “Lahuta e Malcis”, rënia dëshmor për Atdheun, personifikohej me lumturinë më të lartë e me nderimin më të lartë:

O ata t’ lumt, qi dhane jeten,

O ata t’ lumt, qi shkrîne veten,

Qi per Mberet e vend të t’ Parve,

Qi per erz e nderë t’ Shqyptarve

Derdhen gjakun tuj luftue,

Porsi t’ Parët u pa’ n punue!

Personifikimet e tilla zgjerohen gjithnjë e më shumë te këto vargje fishtiane:

Trima n’ zâ, burra me nderë,

Larg t’ permendun per urtí,

Larg te lypun per pleqní:

  1. Kodi i nderit te Kanuni i Lekë Dukagjinit

Në fakt, është përpjekje e secilit prej nesh veç e veç, po edhe e tërë shoqërisë, në përgjithësi, që përpiqemi për të qenë njerëz të shkëlqyer, të mirë, njerëz të ndershëm. Janë edhe dy aspekte që ndërlidhen me këtë kod: a) raportet në mes atyre që kanë dhe të të varfërve” dhe b) a duhet të jesh i ndershëm vetëm për shkak të frikës për t’u përmbajtur nga veprimet kriminale apo të dënueshme, apo do ta përqafosh ndershmërinë për shkak të ndërgjegjes së formuar si njeri? Gjatë shekujve njeriu ka shfaqur prirjet e tij lakmitare, dhe, sigurisht, që edhe librat e shenjtë, edhe kanunet a ligjet kushtetuese, ndër shekuj, formulojnë kërkesa të rrepta, për ta frenuar këtë lakmi me anë sanksionesh dhe për ta formuar njeriun si personalitet i lirë e i ndërgjegjshëm. Nëse te jo pak libra të shenjët lexojmë versete frikësuese (siç është bjerrja e parajsës apo e xhenetit); Kanuni e shikon praktikën etike në kuadër të ndërgjegjes shoqërore. Ja si e formulon te nja dy paragrafë:

  • .598. “Ndera e mârrun nuk shperblehet me gjâ, por a me të derdhun të gjakut, a me të falun fisnikisht (permbas ndermjetsis së dashamirve të mirë).
  • .599. I korituni kà deren çilë perkah ndera: peng s’shtron, pleq smêrr, gjygj slypë; giobë s’mêrr. Burri i fôrt mêrr gioben vetë.”

Kurse më tutje jepen edhe formulime në trajtën e ndonjë frazeologjizme a urtie etike: “Dy gisht nderë në lule të ballit na i njiti Zoti i Madh.”

A duhet të shpërblehesh, po qe se tregohesh i ndërgjegjshëm e i ndershëm? A duhet të shpërblehesh veçan të tjerëve, po qe se ke luftuar për atdhe dhe ke ndihmuar të varfërit, bie fjala, si Nëna Tereze?

Etika e së kaluarës na thotë: ai që kërkon shpërblime të tilla, ai e shet nderin e tij. Janë guximi e mençuria që meritojnë mirënjohje e dekorime.

Ndërkaq, për etikën e fortë tradicionale shqiptare, humbja e nderit është e barabartë me vdekjen:

“§.600. Aj, të cillit i u muer ndera, xêhet i dekun kah kanûj a.”

Ndërkaq, te populli ynë ekziston edhe thënia: “Burri gjithçka fal për hatër të mikut e të dashamirit.

Në këtë aspekt, te Kanuni një tjetër kapitull formulohet si “Ndera shoqnore” e ku më shumë flitet për etikën e mikpritjes, mikut dhe bukës. Madje, në Kanun theksohet ky kult i nderit: se asht burrni dhe nder, kush e pret dhe respekton mikun:

“§.618. Mikut i lshohet kryet e vendit si per nderë, si edhè qi të jét mâ në të pâm e në shêj si edhè të mos të perzihet nder robët e shpis.”

Mbrojta e nderit përbën kapitull më vete te shoqëria tradicionale shqiptare, me formulime që qëndrojnë edhe sot, si:

“§ 593. Kanuni i Maleve te Shqypnise, nuk e veçon njeriun prej njeriut. Shpirt për shpirt, se dukjen e fal Zoti”

Nëse në Kanun thuhet: “Per dy punë e ka fishekun në shpinë grueja e per nji punë i pritet theku e lëshohet: a) per kurvni; b) per mik të prem.”

Ishte E Drejta Zakonore Shqiptare që e pajiste gruan me një fishek në pajë. Dhe nuk ka ndodhur që ky fishek të jetë përdorur. Sipas ritualit tardicional, burri, kur hynte në shtëpi, e çel derëne shtëpisë, me një trokitje, pastaj, në hapin e dytë me një goditje ndonjë kusie a gjëje tjetër në oborr, dhe së treti, pa hyrë brenda, duhej të kollitej. Nëse jarani i gruas nuk kishte ikur, atëherë i lihej e drejta t’i vriste të dy.

  1. Thelbi i pastërtisë së nderit në etikën tradicionale shqiptare

Nga ana tjetër, pastërtia etike gjithnjë ndërlidhej me nderin e gruas më shumë se sa të burrit. Kësisoj krijohet përshtypja sikur Kanunet shqiptare e kanë keqtrajtuar gruan historikisht. Nëse në jo pak shoqëri tjera gruaja konsiderohej mall, objekt; ndër ne, siç na e thonë edhe këngët epike a baladat shqiptare, ngjashëm me Penelopën e Odisesë; femra shqiptare lartësohet; e ku femra i mbetet besnike burrit luftëtar, për të mos e prishur kurorën a besën e dhënë. Ishte traditë në shumicën e hapësirës shqiptare, që gruaja e martuar njëherë, po qe se do t’i ndodhte fatkeqësi burrit të saj në luftë a gjetiu, ajo të mos martohej më askund; kurse gjatë luftërave, siç dëshmohet, femra ishte e barabartë me mashkullin, duke e marrë edhe rolin e ushtrueses së detyrave të parit të familjes, meqë burrat e të rinjtë gjendeshin në luftë. Ndryshe, gruaja është personifikim i Kodit të nderit shqiptar.

Studiuesi e albanologu gjerman George Hanns, shkruan se bareshat shqiptare,. Nën sundimin otoman, janë të lira e nderi i gruas së krishterë nuk preket, e po qe se preket, atëherë keqbërësi ndëshkohej, siç dëshmon edhe Bajroni: kush e prek atë, e paguan me kokë. Ky poet diku tjetër poetizon: “Femra shqiptare vetëm njërit ia fal trupin dhe zemrën.”

Nuk janë të rastit edhe emërtimet kategorizuese shoqërore-familjare, si: zot i shtëpisë, dhe zojë shtëpie.

Por, siç dëshmon Çajupi, në Shqipëri janë gratë që punojnë. Gratë udhëtojnë të sigurta. Nëse një grua ka një fëmijë të paligjshëm, nëna ka nderin e humbur e fëmija quhet kopil. Ishte kësisoj, sepse ndryshe nuk kishte si të frenohej prostitucioni.

Nga ana tjetër, Kulti i familjes e i solidarësisë brenda familjes, te shqiptarët është shumë i fortë.

Çka do të thotë cenimi i nderit?

Të mos harrohet: në të kaluarën (në mungesë të institucioneve, ligjeve dhe shtetit), kur një trimi shqiptar ia kanë sulmuar identitetin e tij, Skënderbeun, flamurin apo historinë), ka ndodhur, si në rregullat e kanunit… dmth ta ketë nxjerrë shpatën ose armën dhe e ka goditur sfiduesin! Mu si në fushën e mejdanit, si ndodh tek Gjergj Elez Alia. E këta bajlozë kanë qenë pushtues, qeveritarë të huaj, të ardhur nga Lindja apo nga Perëndimi. Edhe hyzmeqarë vendas, nga politika a shtresat shoqërore. Bajlozët pushtojnë tokat e kreshnikëve, imponojnë rregullat, haraçin e mizori tjera, si:

M’ke lypë motrën para se mejdanin,

m’ ke lypë berret para se çobanin,

e jam dredhë n’ket log për me të kallzue,

se ne t’parët një kanu na kanë lanë

armët me dhanë përpara e mandej gjanë,

kurr bajlozit motrën me ia dhanë

përpa u pre n’at fushën e mejdanit.

Gjergji, me nëntë plagë në trup, vret bajlozin.

Por, fatkeqësisht, sot, lejohen njollosje masive edhe të nderit kombëtar. Por PSE ndodh kështu me njollosjen e poshtërimin e së kaluarës sonë nga albanofobë të brendshëm e të jashtëm?

Studiuesi Lutfi Alia, në punimet e tij kushtuar Kanunit, thekson: “Nderi përbën një ndër institutet kulmore të Kanunit të Leka Dukagjinit dhe si koncept ka funksion të dyfishtë: nga një anë është normë morale fondamentale, që përfaqëson kultin e nderit, në të cilin mbështetet shoqëria shqiptare dhe nga ana tjetër, shpreh kodin e nderit, me ligje e norma etiko- morale, te detyrueshme të respektohen nga individët dhe nga komunitetet (nderi i familjes, nderi i fisit, nderi i fshatit, i krahinës dhe i atdheut) (Libri 8°, kreu 17° dhe kreu 18°).”

Nderi dhe burrëria karakterizojnë figurën e shqiptarit.

  1. Në përfundim

Është e natyrshme, që, ashtu sikundër vetë shoqëria që pëson ndryshme, këso ndryshimesh të pësojë edhe vetë kjo kategori tradicionale, siç është kodi i nderit. Le t’i kemi si dëshmi fejesat dje e sot, apo martesat dje e sot: kur dje ishte e dënueshme dashuria mes dy të rinjsh, dhe ata duhej të fejoheshin me shkuesi.

Te këngët epike kreshnuikët e luftëtarët jepen në kërkim të lavdisë dhe ta shtojnë nderin, kurse Kanuni kudo e lartëson në kult këtë kod etik, me norma, qëndrime e mënyra të sjelljes, ashtu sikundër që ka edhe norma se si mbrohet nderi, sidomos nderi vetjak. Edhe vetë shoqëria moderne sot, me anë ligjesh garanton dhe mbron nderin e dinjitetin e njeriut.

(26) Qershor 2021)