Lëvizja\UÇK

Pal Ndrecaj: Në 22 vjetorin e rënies së Dëshmorit të Atdheut – Gaspër Karaqi

Sot eshte pervjetori i 22-te i renies se deshmorit Gaspër Karaqi. Po e kujtoj me keto vargje, qe i kam shkruar pak dite pas renies se tij.

Poezi për mikun tim dëshmor Gaspër Karaqi

I. (Ndarja – takimi)

Të nisem dhe Ty atje ku shkuar kanë kaherë burrat
kohëve kur na u turbullohen rrjedhat t`ua kthjelloni gurrat
a beson kur shkruaj për Ty më mbyt loti 
ç`i thuani atje kësaj – ç`i thotë Zoti

Atje ku rri sa janë të drejtë lisat
ç`mendje ua ngre majat ç`ajër ua frymon gjethet
kur të shihemi lartë a do t`i këmbejmë plisat
apo nga hidhërimi në ne zënë e ju kapin ethet

Si e quajnë atje Gjakun e Lirisë
a është kelk shëlbimi
a është fjalë urate
kur ndodh t`i zihet dielli gjithësisë
a është yll i ndezur në qiell t`asaj nate

Më thuaj pash sytë si është atje Drita
rrathëve të ferrit më poshtë kush bie
kur ndërrohet synimi që lind e pjek Rrita
vdekjes së burrit ç`shkak i ka më hije

Gota e kelkut për meshë përjetësie
a mbushet ndryshe a pos tue zbrazë veten
se kështu miku im pasha të vërtetën
do na mbetet e zbrazët ashtu si s`na ka hije

E ndjej se na thua e gëzofshi lirinë
lirinë që piu në damarin tënd të nxehtë
po gëzimi është turp i madh për njerinë
kur e pi me gotën që s`e mbush dhe vetë

II.(Brenga – shpresa)

Ç`na i thua Zotit të na i thotë motit
kur lotët e djeshëm u bien faqeve te sotit
sin a mëson moti të lutemi ke Zoti
kur grinden vëllezërit për mite koti

Pse kemi dy fe veç një atdhe
dhe vetëm një kokë për të bërë be –
kokën e trimit

Po edhe nga një kokë
për secilën bokë
me nga një rremb truri
si rrënjë druri
që e bën bukën
edhe kur s`është gruri

III. (Dhe sërish takimi)

Po i mbledh frutat të vij me shportë plot
kur t`i shijoni a do më pranoni
ç`nuk i poqa vetë a m`i pjek ndonjë mot
e po s`qenë të pjekura ku do m`i vendo`ni

Do shihemi lum vëllau si shihen të përmalluarit
të ta urojmë lirinë atje në pavdekësi
ku s`ka gjarpërinj e bolla t`na mashtrojnë me molla
ku Bajram e Pashkë në një sofër hanë bashkë

Do shihemi lum trimi besoj me plotëni
në parajsën tënde gjatë udhës tonë tranzit
për stacionin tonë
se kush s`vdiq për atdhenë
a s`rrahu një këmbonë
në rrethin e nëntë do ta bëjë folenë
një orë më heret a një ditë më vonë