Lëvizja\UÇK

Organizata e Dëshmorëve: Nëntori i trimave, Nëntori i fitoreve

NËNTORI I TRIMAVE, NËNTORI I FITOREVE!
Perdja e këtij muaji, ngadalë po mbyll ditët e tij edhe për këtë vit, por kjo mbyllje nuk është një fikje, nuk është një lamtumirë, por ishte një mbyllje dinjitoze e përkujtimeve dhe festimeve të mëdha, nga ngjarjet historike të popullit tonë, dhe veçanërisht në LANÇ.
Gati – gati, i gjithë shekulli i kaluar, ishte një nga më të ngjeshurit me ngjarje të ndryshme, të forta, të ashpra, me zhvillime dramatike, por dhe të kurorëzuara me sukses, falë njerëzve të ndritur të kombit, të cilët me zgjuarsi e mprehtësi, ishin në vendin e duhur në kohën e duhur, dhe pa dyshim, mbështetja masive popullore e tyre, ishte rezultat i mirë-organizimit, dhe përkushtimit ndaj kombit, që jo rastësisht sollën edhe fitoret.
Shekulli i kaluar kurorëzon shtetin e ri shqiptar, pas një sundimi të gjatë osman, dhe këtë ngjarje të madhe, mbarë kombi e festoi më 28 nëntor.
Pas tridhjetë e dy vitesh, më 29 nëntor 1944, në sajë të një fuqie hyjnore, populli shqiptar i bashkuar me Lëvizjen Antifashiste Nacional Çlirimtare, arriti një tjetër fitore të madhe, në mbrojtje dhe arritje të lirisë, kundër dy fuqive më të mëdha ushtarake evropiane të kohës.
Çdo luftë ka heronjtë dhe dëshmorët e saj, dhe pa dyshim, LANÇ, përbën shifrën më të lartë përgjatë historisë sonë kombëtare, nderimi për të cilët, do të jetë gjithmonë detyrim i pamohueshëm, dhe një borxh gjithnjë i pa shlyer ndaj jetëve të reja, sakrificës së tyre dhe vendosmërisë së jashtëzakonshme të tyre.
Është pak, kur përmendim se pjesa më e madhe e partizanëve, luftuan në moshë fare të re, në kushtet më të vështira atmosferike, në dimër të egër dhe në vapën e nxehtë, dhe në çdo hap apo betejë, vdekja ishte aty me ta, gati për të marrë me kënaqësi të zezë, jetët e tyre.
Edhe pse kjo dramë jetësore ishte aty, këmbëkryq, ajo u sfidua me shpërfillje, sepse ideali i lirisë, betimi për çlirimin e Shqipërisë, i kalonte përmasat e jetës dhe të vdekjes. Pikërisht, ky moral i lartë shpirtëror, por dhe prej gjenezës së pastër shqiptare, i ka lartësuar ata në përjetësinë e historisë, me vlerësimet më të larta, sepse vërtetë ata e meritojnë.
Nëntori i vitit 1944, pothuajse gjysmën e Shqipërisë e gjen të çliruar, falë qëndresës dhe vetëmohimit të djemve që dolën partizanë, por sfida më e madhe, ku luhej fati i pesë viteve e ca luftë, ishte çlirimi i kryeqytetit, Tiranës.
Peshën kryesore të kësaj sfide, e mbajti Brigada XVII Sulmuese, ku luftimet arritën deri trup me trup. Pavarësisht raportit të zhdrejtë në numër, në armatime, në veshje, në teknologji etj., partizanët e të gjitha formacioneve të caktuar në aksin Elbasan – Tiranë, të përqendruar në Bërzhitë, ia dolën që ta pengojnë deri në fund, dhe pothuajse ta shkatërrojnë plotësisht autokolonën gjermane, që shkonte në mbështetje të trupave të tyre, për të mbajtur me çdo kusht Tiranën.
Veç shumë partizanëve të tjerë, në formacionet që luftonin në këtë betejë, ishin edhe elbasanasit Ali Mustafa Jolldashi, Eqerem Ritvan Halimi, Ramazan Hasan Sina dhe Spiro Vasil Sula.
Ali Jolldashi ka lindur më 3 prill 1924, në Elbasan. Në qershor 1943, lidhet me LANÇ, dhe në shtator 1944, inkuadrohet partizan në Brigadën XVII Sulmuese.
Ramazan Sina lindur në vitin 1923, në Elbasan, bashkohet me LANÇ në shkurt të vitit 1943, dhe në qershor po të këtij viti, inkuadrohet partizan në batalionin e Çermenikës, dhe më 26 shtator 1944, në Brigadën XVII Sulmuese.
Eqerem Halimi, i lindur më 29 qershor të vitit 1924, në Elbasan, merr pjesë në LANÇ në mars të vitit 1943. Në maj të vitit 1943 del partizan në çetën e Çermenikës, dhe më 26 shtator 1944, në Brigadën XVII Sulmuese.
Të tre djemtë elbasanas, ishin në betejën e Bërzhitës, dhe më 16 nëntor 1944, emrat e tyre u përjetësuan në përmendoren e pavdekësisë historike. Emrat e tyre bashkohen me atë të bashkëluftëtarit tjetër, Spiro Sula, i lindur më 17 mars 1922, në fshatin Bujaras të Elbasanit. Ai bashkohet me LANÇ në qershor 1943, inkuadrohet në batalionin e Shpatit, dhe më pas në Brigadën XVII Sulmuese, përjetësia e të cilit lindi tri javë më parë, po në këtë vend ku ranë dhe këta trima.
Liria gjithmonë është e shtrenjtë, por për popullin tonë, kjo është shumë herë më e shtrenjtë, sepse, ai u organizua nga hiçi, dhe arriti të ketë ushtri të rregullt. Doli maleve për liri pothuajse i zhveshur, dhe kurrë nuk u ankua. I dhuroi jetën Shqipërisë, dhe kurrë nuk kërkoi diçka në këmbim të saj. Iu dogjën shtëpitë, dhe kurrë nuk e kthyen kokën nga e ashtuquajtura pronë, sepse para vetes kishte qëllimin e lartë dhe fisnik të lirisë së vendit.
Lavdi Dëshmorëve të Atdheut, Lavdi heroizmit popullor, që luftoi në frontin e zjarrit për lirinë e vendit!