Portreti/intervista

Organizata Dëshmorëve i uron Nasho Jorgaqit 90 – vjetorin e lindjes

Shekulli i ri, tashmë në moshë 21 vjeçare, i mbushur me ngjarje nga më të ndryshmet, sot na ndal me respekt, të urojmë 90 vjetorin e lindjes së studiuesit, shkrimtarit, skenaristit, përkthyesit, Doktor i Shkencave dhe Mjeshtër i Madh i Punës, Nasho Jorgaqi.
Me rrënjë familjare në Elbasanin djep i arsimit, kulturës, mikpritjes dhe dijes, Nasho Jorgaqi eci po në këto gjurmë trashëgime, ndërsa në fushë të letrave, letërsisë kombëtare i ka lënë pasuri të vyera dhe të rëndësishme, nga të cilat brezat kanë referenca të çmuara për atë çka kemi prej tij.
Si pasues besnik i idealit të atyre që hynë pa kompromise në luftën më të egër të njerëzimit deri sot, siç ishte Lufta e Dytë Botërore, Nasho Jorgaqi edhe sot, me këmbëngulje intelektuale, vazhdon të mbrojë ato ideale të martirëve të LANÇ, si vlerë e çmuar e historisë sonë kombëtare.
Është autori i vetëm që ka shkruar në mënyrë pothuajse shteruese, monografinë e Heroit të Popullit Qemal Stafa, duke e sjellë pranë nesh këtë hero, si figurë të kompletuar. Kështu nga ndodhur me studimet e gjata të jetës dhe veprës së Fan Nolit, për të cilin, falë ngulmimit të studiuesit Jorgaqi, tashmë kemi një vepër të plotësuar pothuajse me detaje.
Në jetën e tij, brenda vetes, ai ka ruajtur të paprekur dashurinë për qytetin e rrënjëve të tij familjare, Elbasanin.
Në vitin 2007, eruditi ynë, bën vizitë në Shkollën që deri atëherë mbante emrin Qemal Stafa, vendos lule në bustin e Heroit, viziton muzeun, dhe më pas merr pjesë në një veprimtari të pasur në vlera, e zhvilluar në teatrin Skampa Elbasan.
Më 5 maj 2018, Nasho Jorgaqi bën një vizitë domethënëse në shtëpinë ku lindi Qemal Stafa, për të takuar pasardhësit e Heroit, i shoqëruar nga Kryetari i Përgjithshëm i OKDA, Gjergji Velo dhe jo vetëm, si nga disa anëtarë të kryesisë së OFDA Dega Elbasan…
Më 14 dhjetor 2018, Këshilli i Qarkut Elbasan, për vlerat intelektuale shumëplanëshe, i jep titullin “Nderi i Qarkut Elbasan”…
Kryesia e OFDA Dega Elbasan, në 90 vjetorin e lindjes, i uron shëndet të plotë dhe jetë të gjatë, anëtarit të kryesisë së përgjithshme të OKDA, intelektualit me vlera të mëdha, që mbron me fakte dhe këmbëngulje idealin e Dëshmorëve të Atdheut, mikut të rrallë Nasho Jorgaqi, si vlerë e pazëvendësueshme në rrugën tonë të përbashkët, në nderim të të gjithë Dëshmorëve të Atdheut!

Postimet e fundit !