Histori

Organizata Dëshmorëve: Heroi Avni Rrustemi

AVNI RUSTEMI
Pavdekësia u përket trimave, sepse trimat janë krenaria e kombit. Është nderim të kesh në anëtarët atdhetarë të kombit, trima dhe njerëz si Avni Rustemi. Edhe pse mendja antikombëtare dhe dora e tradhtisë, ia morën jetën para kohe, Avni Rustemi është nga ata emra që nuk shuhen nga kujtesa e brezave, dhe kjo nuk është aspak një rastësi.
I lindur më 22 shtator 1895 në Libohovë, që në vogëli e shikonte të vërtetën me ngjyrat e saj ashtu siç ishte.
Në dokumentarin Avni Rustemi, “…Të bëjmë shoqëri, për të bërë Shqipëri…” me skenar nga Kolec Traboini, regjisor Ilo Pando dhe konsulent Lefter Dilo, prodhim nga “Kinostudioja Shqipëria e Re”, Tiranë 1981, ndër të tjera bëhet fjalë edhe për disa shënime të Mihal Gramenos, i cili shkruan: “Në pranverën e vitit 1908, kur ndodheshim maleve, një djalosh katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vjeçar, kish ikur fshehur nga shkolla e Janinës, duke ecur në këmbë e duke pyetur për ne. Ne na dinin gjëkundi. Arrin në Gjirokastër. Aty pyeti vëllezërit e të pavdekurit Çerçiz Topulli. Ata duke parë moshën e tij nuk i treguan, por e këshilluan të kthehej në shkollë.”
Është ky një nga faktet më kokëfortë që tregon një ndjenjë të fortë atdhetarie të lindur, tek Avniu, karakteristikë që nuk u zbeh, por u bë më e fortë me rritjen e tij në moshë, pa u ndarë nga pjesa tjetër dhe e rëndësishme e jetës, siç është mësimi dhe mësimdhënia. Po në dokumentarin e sipërpërmendur thuhet: “Viti 1909 e gjen Avniun nxënës në shkollën Normale të Elbasanit.”
Elbasani për Avni Rustemin do të bëhej një simbol dhe domethënie në vazhdim. Në Kolegjin e famshëm të “Shën Mitër Koronës” në Itali, kësaj shkolle që i përkasin emra nxënësish, mësuesish, shkrimtarësh si Jeronim de Rada, Zef Serembe, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani e të tjerë, në këtë shkollë ku jepej një kulturë e gjerë dhe e shëndoshë, më 1915 dhe më 1919 erdhën edhe dy studentë të rinj nga Shqipëria, dy ish normalistë: Ahmet Burburia dhe Avni Rustemi, thekson në kumtesën e saj, Xhuljeta Graceni, kryetare e OKDA Elbasan, në një veprimtari kushtuar atdhetarit Ahmet Burburia, dhe vazhdon: Ahmet Burburia do të ishte krahu i djathtë i Avni Rustemit, duke ecur në shtigjet e vështira dhe të dhimbjes ndaj atdheut të dalë në treg sipas tekave të matrapazëve.
Ahmet Burburia ishte një shkollë sprove, vuajtjesh, dhimbje, por edhe modeli më i fortë i mbijetesës. “Ishin vite të turbullta. Edhe pas shpalljes së Pamvarësië, idetë dhe pasionet anadollake nxirrnin vazhdimisht krye për shkak të obskurantizmit… Kështu në verën e vitit 1914 filloi kryengritja fshatare e Haxhi Qamilit. Normalistët si dhe shumë qytetarë të tjerë u ngritën me armë, për t’i bërë ballë ortekut të injorancës edhe në qytetin e Elbasanit… Edhe Ahmet Burburinë, sëbashku me disa shokë e kapën dhe e futën në burg. Patriotit Beqir Plangarica i dogjën edhe shtëpinë. Ahmeti doli nga burgu. Vala e urrejtjes në zemër të patriotit të ri qe e madhe dhe përcëlluese. Kjo u shtua më tepër se mbas daljes nga burgu ai s’i kishte më dy vatrat e tij më të dashura, shtëpinë ku kishte futur kokën dhe shkollën e tij të dashur. Jeta e vështirë e poqi para kohe, e burrëroi. Ajo i hapi portën për t’u armatos me një botëkuptim të fuqishëm të drejtësisë. Dhe falë intelektit të tij ai diti të armatosej. Ndaj jeta e Ahmet Burburisë është rezistencë, sfidë dhe kurajo. Ky është mesazhi më i fuqishëm që ai i përcjell brezave.”…“Ishin kohë plot trazira. Italia pushton Vlorën. Të rinjtë shqiptarë nga kjo situatë nuk e kanë më mendjen tek mësimet. Mblidhen kokë më kokë bisedojnë, rrahin mendime. Gjaku i të parëve u rrjedh ndër deje. Të dy u bënë shumë shpejt drejtues të mirë dhe me autoritet të lëvizjes studentore të kolegjit dhe më gjerë. Emrat e tyre janë të lidhur ngushtë me krijimin e “Lidhjes së djelmoshave shqiptarë”, që u formua më 1 maj 1919, shoqëri kjo që u bë e njohur në të gjithë Italinë. Kryetar i saj u zgjosh Avni Rustemi dhe sekretar Ahmet Burburia, familja e të cilit edhe sot ruan disa dokumente të kësaj shoqërie. Në kujtimet e tij Ahmeti shkruan edhe për mbledhjen tepër sekrete të Lidhjes, që mori vendim ekzekutimin e tradhtarit Esat Pashë Toptani, vepër që Avniu e kreu në Paris. Atje shkoi me financim që u bë nga buxheti i Lidhjes. Më 1919 kjo shoqëri botoi në italisht një memorandum, ku mbrohej çështja kombëtare shqiptare dhe demaskoheshin qëllimet ekspansioniste të shteteve të huaja kapitaliste ndaj trojeve shqiptare.
Aktiviteti i “Lidhjes së djelmoshave shqiptarë” qe i gjallë dhe shumë planesh, dhe elbasanasi Ahmet Burburia qe në krye si krahu i djathtë i kryetarit Avni Rustemi. Kjo lidhje pati dhe himnin e vet luftarak që këndohej si këngë barrikadash. Autori i tekstit të kësaj marsejeze të studentëve shqiptarë qe poeti Ahmet Burburia.”… “Tetë ditë pas fillimit të Luftës së Vlorës për çlirimin e saj nga ushtria pushtuese italiane, në Paris, Avni Rustemi, pasi më parë kishte studjuar vendqëndrimin dhe kohën e lëvizjes së Esat Pashës, më 13 qershor, në orën 13. 00, djaloshi sypatrembur nxori revolen dhe qëlloi dy herë. Me njërin plumb e goditi tradhtarin në zemër dhe me tjetrin në mushkëri. Pasi hedh revolverin kapet nga policia. Në gjyqin e zhvilluar në Paris ai u mbrojt nga avokati i njohur Anatol De Mondi. Në mbrojtje të tij, gjykatës së Parisit ju dërguan mijëra telegrame dhe letra nga gjithë Shqipëria, nga emigrantët shqiptarë në SHBA, nga ato të Egjyptit, nga Kosova e shumë vende të tjera. Në këtë rast po përmend vetëm disa nga protestat e personaliteteve më të shquar të kombit.” … “Kur Avniu u kthye në Vlorë, në Skelë dhe gjatë gjithë sheshit e pritën me mijëra patriotë dhe dashamirës të tij. Pas kësaj ngjarje ai i përkushtohet me shpirt organizimit të demokratëve përparimtarë revolucionarë. Me iniciativën e tij u krijua më 1921 “Federata Atdheu” me program antifeudal, por Ahmet Zogu sapo u bë kryeministër urdhëroi shpërndarjen e saj.”… “Avniu gjatë aktivitetit të tij atdhetar, kishte krijuar lidhje edhe me Bajram Currin. Më 16 dhjetor 1921 nga Shkodra ai i dërgon një letër, të cilën po e japim tekstualisht: “Erdha shumë mirë këtu në Shkodër, nga shtëpia mirë janë, mos kini merak. Kabina e Hasan Bej Prishtinës ra, dhe Idhomen Kosturi formoi kabinën e re deri sa këto ditë të mblidhet parlamenti që do të formojë kabinën qendrore. Ka bashkim në çdo anë. Populli ka marrë vesh që lëvizjet krahinore nuk duhet të përsëriten dhe se kur del ndonjë galje Shqipërisë duhet që të gjithë anët të merren vesh vëllazërisht midis tyre për t’i bërë ballë rrezikut”.
Nga letra e Avni Rustemit kuptojmë jo vetëm lidhjet e ngushta që ishin vendosur midis tyre, por në të njëjtën kohë hasim dhe një ide madhore të tijën…
Më 20 prill 1924 Avniu arrin në Tiranë për të sigurue pasaportën për jashtë shtetit. Duke ecur sëbashku me Hoxhë Kadrinë në rrugën e xhamisë së vjetër në Tiranë, në krye të sheshit që quhej “Varreza e Pashës”, atje ku rruga ndahet dysh, një person i lartë nga shtati (Isuf Reçi), me kobure malazeze në dorë, qëlloi kundër Avniut prapa krahëve. Ai e goditi vetëm një herë, por fare nga afër dhe iku me të shpejtë.”… “Avniu edhe pse i plagosur nxjerr revolverin dhe qëllon tre-katër herë, por nuk e vrau dot. Edhe pse shokët e dërguan në spital dhe hynin e dilnin shumë të shqetësuar për gjendjen e tij, Avniu nuk arriti t’i shpëtojë vdekjes.”
Avni Rustemi përcillet në banesën e fundit, ashtu siç trimave u ka hije, duke u kthyer në një simbol qëndrese të fortë, dhe paraprijës i Revolucionit të Qershorit.
Trimat të tillë nuk kanë vdekje!
(Foto e marrë nga intereneti)