Lëvizja\UÇK

Mehmet Hajrizi: Veprimtari atdhetar i një jete njeriu

VEPRIMTARI ATDHETAR I NJË JETE NJERIU

Fjalë në Akademinë Mirënjohëse për kryetarin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, Fazli Veliun

Shkup, më 23 prill 2023

Motra dhe vëllezër

Fillimisht dua të shpreh mirënjohje për organizatorin e Akademisë, Shoqërinë Lëvizja dhe përfaqësuesin e saj, veprimtarin Xhevat Bislimi që po na e mbajnë të freskët kujtesën historike për zhvillimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të brezave, sidomos të shekullit të kaluar.

Janë të njohura në histori kuvendet tradicionale të bashkimit shqiptar, sa herë janë rrezikuar shqiptarët dhe atdheu i tyre. Konteksti historik i fillimit të viteve tetëdhjetë, stadi i zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që kulmoi me kryengritjen e vitit 1981, shtroi para organizatave çlirimtare të kësaj lëvizjeje nevojën dhe detyrën e një fronti të përbashkët të çështjes shqiptare. Ideja, programi dhe realiteti i bashkimit të  potencialit të LKSH në një front të vetëm dhe të përbashkët qe njëra nga fitoret historike të kryengritjes së vitit 1981. Ky bashkim i filluar në veprim dhe në sheshet e kryengritjes, u arrit më 1982, pas shumë përpjekjesh dhe sakrificash supreme, me themelimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila fillimisht u quajt Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi.

Lëvizja Popullore e Kosovës është organizata e bashkuar çlirimtare me jetën dhe veprimtarinë 20-vjeçare,  më të gjatën në historinë e lëvizjes sonë kombëtare, e cila arriti majat e organizimit politik dhe ushtarak.

Si dje edhe sot na bën krenar Fazli Veliu, veprimtari dhe drejtuesi i kësaj organizate për njëmbëdhjetë vjet rresht, nga viti 1987 deri më 1998, atëherë kur quhej Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës.

Fazli Veliu, i biri i Osmanit dhe Fekrijes i lindur këtu e 78 vjet më parë, nuk mund ta dijë as vetë ç’drejtim do të merrte jeta e tij, po të mos edukohej ashtu siç u edukua që fëmijë në familjen e tij patriotike, po të mos ndiqte  gjurmët gjyshit Azemit, xhaxhait Mehmetit, si dhe të stërgjyshit Veliut, luftëtarëve të pushkës për liri.

I riu Fazli Veliu mësoi shumë në gjimnaz, në akademi e në universitet, por ai e bëri jetën në nxënie të vazhdueshme, në formim dhe edukim të pandërprerë patriotik e revolucionar që nga i ri dhe deri në moshën që ka, në universitetin e madh të lëvizjes çlirimtare, të ngritjes e të kalitjes, jo vetëm intelektuale multidisiplinare, por edhe morale, njerëzore,  kulturore e luftarake. Aty militanti përmbushte jetën e tij, duke i dhënë kuptimin dhe lumturinë e vërtetë. Veprimtari i aderuar në organizim çlirimtar, sigurisht i vë vetes obligim ta zhvillojë e përparojë atë, por edhe vetë jeta e organizuar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare i zhvillonte, i edukonte dhe i formonte veprimtarët në një dialektikë të llojit të vet. Fazli Veliu prandaj jep dhe merr virtyte e vlera, prandaj duket shumë më i ri e vital nga mosha që ka, sepse nuk bën jetë amull, por në lëvizje.

Më 1963 Fazliu organizohet në veprimtari klandestine çlirimtare për ta vazhduar plot gjashtëdhjetë vjet, deri në vitin që jemi. Ai u ndoq e u arrestua, madje u detyrua që më  1981, pas kryengritjes në Kosovë, të largohej nga vendlindja dhe të vazhdonte veprimtarinë çlirimtare në mërgim. Por veprimtari i vendosur në idealin e tij, kalitet në vështirësi, në privacione e sakrifica, në ndjekje policore e madje edhe në burg.

Fazli Veliu, me veprimtari sa një jetë njeriu, me kohë të gjatë në udhëheqje të LPK-së e çoi atë bashkë me shokë drejt zhvillimit, zgjerimit e intensifikimit të  veprimtarisë dhe më në fund edhe të luftës së armatosur çlirimtare. Ai ishte dhe mbetet përbashkues i të gjitha vlerave në shërbim e funksion të çlirimit e të lirisë dhe jo ekskluzivist e sektar brenda Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Fazliu e vazhdon jetën aktive, tani si autor i disa veprave me vlera të shkruara dhe aktualisht kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ai nuk i jep vetes pushim, sepse veprimtaria është jeta e tij.

Zonja dhe zotërinj

Epiqendra e patriotizmit shqiptar ka lëvizur gjatë historisë nga krahina në krahinë në gjeografinë shqiptare që nga Kuqi i Zenel Gjolekës dhe deri në Boletinin e Isës Fatos të maleve të Kosovës. Vetë Kosova e tij, për shkaqet e njohura të historisë së dhembshme dhe epike, ka qenë disa herë kjo epiqendër.

Por mund të thuhet pa hamendje se aktualisht flamurin e atdhedashurisë shqiptare e mbani pikërisht ju shqiptarët në  Maqedoninë e Veriut.

Mirënjohje dhe urime personalitetit të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, vëllait dhe bashkëveprimtarit Fazliut tonë të dashur për jetë të gjatë, shëndet dhe angazhim vijues në shërbim të  paqes, zhvillimit, përparimit e mirëqenies së kombit tonë.