Histori

Oficeri britanik, Reginald Hiberti, për LANÇ, Enver Hoxhën dhe Shqipërinë

Oficer i zbulimit britanik, me mision ushtarak organizimin dhe mbeshtetjen me efikasitet të forcave rezistente në Shqipëri ishte edhe Reginald Hibbert, i cili ndenji në Shqipëri nga fundi i vitit 1943 deri në fund të verës 1944.
Një retorikë mjaft e fortë nga ana e misionarit anglez në librin e tij  “Fitorja e hidhur”:
“Do të ishte një pikëpyetje: a do të kishte qenë Shqipëria kaq e pavarur, e sigurt dhe e pacenuar nga ana territoriale, siç është sot, nëse Enver Hoxha do të ishte rrëzuar gjatë luftës ose menjëherë pas saj?” (Faqja 370).
Në fazën e ofensivës verore që Ushtria Nacionalçlirimtare kishte ndërmarrë në Shqipërinë e Mesme e të Veriut ku gjermanët, bashkë me kuislingët po shpartalloheshin, Reginald Hibberti në librin e tij, bën edhe një konstatim të dyfishtë:
“Aleatët, nga ana e tyre, duhet të kishin qenë më të shpejtë për të njohur që në mes të vitit 1944 se vetëm partizanët ishin në gjendje për të dhënë ato grushte ushtarake që kërkoheshin kundër gjermanëve, dhe se qëllimi politik i fshehtë për ta mbajtur në këmbë Abaz Kupin ishte i papajtueshëm me kërkesat e situatës ushtarake. Vendimi për ta lënë Kupin e për të pranuar faktin e pushtetit të partizanëve, duhet të ishte një pikë kthese në marrëdhëniet anglo-shqiptare. Për fat të keq vendimi u mor shumë me vonesë, u mjegullua dhe u bë pa qejf. Operacionet e SOE britanike në Shqipëri faktikisht përfunduan në këtë pikë dhe nisën marrëdhëniet e pasluftës të Britanisë me Shqipërinë. Si përfundimi dhe fillimi ishin të varfra”.
Edhe gjeneral brigade Ficroi Maklin, që erdhi në këmbë të Dejvisit dhe që u dallua shumë për marrëdhëniet e afërta me Abaz Kupin e bajraktarët e tjerë, në një raport të firmosur bashkë me majorin Smajli, thoshte:
“Asnjë nga nacionalistët që përbëjnë shumicën në Shqipërinë e Veriut, nuk duket i prirur për të luftuar kundër gjermanëve. Në të vërtetë ata bashkëpunojnë me ta”. (Faqja 200)
Dy muaj më vonë, nënkoloneli Norman Uiler, i raportonte qendrës thuajse ato që raportonte edhe Dejvisi. Në raportin e tij ai thoshte:
“Është provuar përtej çdo hijeje dyshimi se qeveria e Tiranës dhe Ballkomi janë duke bashkëvepruar aktivisht me gjermanin, ndërsa pjesa tjetër e vendit, duke ndenjur si soditës, bashkëpunon pasivisht. Prandaj mund të çmohet se është jashtëzakonisht e vështirë që t’u shpjegosh partizanëve arsyen përse aleatët jo vetëm nuk i denoncojnë këta bashkëpunëtorë, por u japin furnizime…”
(Faqja 215).