Në jetë të jetëve nderim e lavdi Heronjve të UÇK-së e të Shqipërisë: Zahirit, Edmondit e Hakifit!
Tre burra – tre luftëtarë shqiptarë, që kishin marrë përsipër të ndryshonin kohën, që Kosovës e viseve tjera shqiptare t’u jepnin frymë lirie, po hapnin një Epokë të Re, Epokën e Luftës Çlirimtare. Atë që e kishin mbjellur brezat e mëhershëm dhe atë që kishin ëndërruar shumë nga veprimtarët e Lëvizjes për liri, këta djemë po e bënin realitet. Të armatosur e të vendosur për të çuar rrugën deri në fund, ata po e nisnin një epokë të re me rënien e tyre, epokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha do të jenë orgnaizatorët më të mirë që ka pasur populli ynë. Zahiri, i përkushtuar deri në fund, Hakifi fjalë pak, por i vendosur në rrugën e tij dhe Edmondi një i ri që nuk e donte jetën më shumë se lirinë, u gjenden bashkë rrugës për të takuar shokët e Drenicës. Ata e kishin llogaritur se një ditë mund të vriteshin, por ata ishin të vendosur që më parë të ndodhte kjo se të dorëzoheshin të gjallë. Ishin dëshmorët e parë të UÇK-së, e cila kishte lindur si nevojë e kohës, por edhe si pjekuri e organizimit. Atë natë janari u shuan tre yje të Kosovës, tre burra që i dhanë zjarr luftës, tre heronj të stolisur me një emblemë që kishte tri shkronja: UÇK. Sot, ne kujtojmë me respektin më të madh Ata. Ne përkulemi me nderim të thellë para veprës, luftës dhe heroizmit të Tyre. U jemi mirënjohës deri në pafundësi për jetën e tyre të denjë, për luftën e tyre dhe për flijimin e tyre në Altarin e Atdheut. Lavdi e përjetshme Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës! (A.B.)