Uncategorised

Mehmet Bislimi: Petro Nini Luarasi 1865 – 1911

PETRO NINI LAURASI
(përkujtojmë të ndriturit!)
Jeta dhe vepra e Petro Nini Luarasit
(1865 – 1911)
Petro Nini Luarasi u lind më 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës. Petro është i biri i
Nin Petro Kostallarit, veprimtar i madh i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog – Mësues i
Popullit. Ishte nxënës në shkollën e Qestoratit të Koto Hoxhit. Pasi mbaroi shkollimin, Petro
punoi mësues i gjuhës greke në fshatrat e Kolonjës. Më vonë ai filloi t’u mësonte fshehurazi
fëmijëve të shkruarit e gjuhës sonë të bukur shqipe. Ai me punën e vet atdhedashëse e të
palodhur, nën udhëheqjen e Komitetit të fshehtë Patriotik të Korçës, përgatiti për mësues një
grup shokësh dhe kështu, si rezultat i punës së tij me shokë, më 7 mars1887 hapen shkollën e
parë shqipe në Korçës, mësues i parë i së cilës u emërua Pandeli Sotiri. Shkolla e parë shqipe
e Korçës ka rëndësi të veçantë historike, kulturore dhe politike për të kaluarën dhe të sotmen e
popullit shqiptar, rrugë kjo plot me sakrifica deri tek ditët e sotme.
Hysni Myzyri në veprën e tij “Shkolla e parë kombëtare shqiptare, ” thotë:  “Hapja e shkollës
ishte njëkohësisht kurorë e përpjekjeve të përbashkëta  të shoqërive patriotike të Kolonisë
Shqiptare të Bukureshtit, pa dyshim të shoqërisë qendrore të Stambollit”. E gjithë kjo peshë,
organizimi dhe realizimi, kishte rënë mbi supet e patriotëve të Korçës, pa dallim feje e
krahine, për një shkollë laike që nuk do të varej as nga kisha e as nga xhamia. Kjo shkollë
njëkohësisht ishte lajmëtare e një epoke të re për kombin tonë, ishte ngritje e ndërgjegjes për
një bashkim të mirëfilltë kombëtar kundër tendencave të pareshtura përçarëse të qarqeve
greke dhe turkomane, të cilat bënin trysni të hapur kundër përhapjes së gjuhës shqipe.
Duke e gjurmuar hap pas hapi veprimtarinë e Petro Nininit,  mitroploi Grigori i Kosturit, i cili
kishte dërguar qarkore në Eparhinë e Kolonjës dhe Vakëf që të mos e pranonin Petron si
mësues në ato anë, madje duke i kërcënuar ata me shkishërim, ai edhe vetë Petron e kishte
anatemuar e shkishëruar. Mirëpo Petron nuk e zmbrapsën këto kërcime. Ç’është e vërteta ai
vetëm sa e zgjeroi aktivitetin e tij, duke e hapur madje një shkollë edhe në Ersekë. Një nga
detyrat e rëndësisë së veçantë të Petros me bashkëveprimtarët e tij ishte mbrojtja e këtyre
shkollave nga armiqtë dhe kisha greke, si dhe nga organet e pushtuesit Otoman, por edhe
furnizimin e tyre me libra shqip, si dhe mbajtja e tyre me mjete materiale. Për konkretizimin e
tërë kësaj pune, atdhetari i denjë i asaj kohe Hysni Myzyri thotë:
“Lufta për shkollën e shkrimin shqip ishte një luftë për vetë ekzistimin e kombit shqiptar”.
Mbi këtë bazë kisha greke ishte kundërshtarja kryesore e shkollës shqipe në Shqipëri, ajo
përçonte politiken shoviniste të borgjezisë së Athinës, duke bartur urrejtjen kundër popullit
tonë dhe gjuhës sonë shqipe. Do përmendur rasti më eklatant i vrasjes më mizore që është
bërë qysh atë kohë, djegien në zjarr për së gjalli(!), të Gjokë Shqiptarit nga Pleshishti i
Potkozhanit të Mokrës për shkak se gjatë një kontrolli që i bënë në shtëpinë e tij, i kishin
gjetur një arkë me libra shqipe që i kishte sjellë nga Bukureshti.
Dhespoti i Korçës, Filiothesos Konstandinidhis, po bënte plane për zhdukjen e Petros. Diku
në fund të viti 1891 Petro mori rrugë për Stamboll, Rumani e Bullgari për të mbledhur atje
ndihma për mbajtjen e shkollës nga ana materiale. Atje takoi krerët e vatrave kombëtare si
vëllezërit Frashëri, Nikollë Naçon etj. Petro nuk kishte lënë gur pa lëvizur në mënyrë që
shkolla shqipe të ishte shembulli më i mirë i një fitoreje të plotë mbi errësirën që po
pretendonin ta mbanin grekomanët mbi qiellin shqiptarë. Shkolla shqipe i vuri themelet e

kalasë së madhe të diturisë shqiptare. Më pas, duke parë suksesin e kësaj nisme të mbarë,
shkollat shqipe u hapën edhe në Pogradec, në Tresekë, Polenë, Luaras, Hereskë, Leskovik,
Elbasan etj. Petro Luarasi kishte bërë një punë të Veçantë për hapjen e këtyre shkollave,
madje ai mbante tërë barrën e furnizimit të këtyre shkollave me libra shqip të cilat i sillte nga
Bukureshti. Ai nuk pushonte së renduri për sigurimin e mjeteve materiale në mënyrë që
shkollat shqipet të mbijetonin katrahurat e asaj kohe.
Propagandës shoviniste të grekomanëve Petro Nini Luarasi iu përgjigj në veprën e tij
“Mallkimi i shkronjave shqipe e ç’përfolja e shqiptarit”, në të cilën ai pasqyron në mënyrë
argumentuese, dhe me dokumente konkrete mbi abuzimet që bëheshin në emër të fesë.
Duke u ndeshur me realitetin, Petro shkruante: “E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën…,
ta dashurojmë dhe ta përparojmë gjuhën dhe kombin tonë, si të vetmen rrugë dhe shpëtim që
na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë. Kush është frikacak
kundrejt së drejtës bëhet tradhtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij”- (P.N.Luarasi: Mallkimi i
shkronjave shqipe…). Kjo vepër bëri që fundi i tij të ishte tragjik. Atë e helmuan qarqet
shoviniste grekomane. Kjo vdekje atëbotë  i trazoi shpirtrat përparimtarë e liridashës të kohës,
për këtë rast të shëmtuar e kriminal, shkroi shtypi shqiptarë, por edhe ai angleze e amerikan.
Me futjen e psalmeve shqip në kishën e Luarasit, kuptohet në bashkëpunim me papa Stefan
Luarasin, Petro polemizoi vendosur dhe në mënyrë argumentuese edhe me dhespotin e
Korçës, Grigorin, duke e vu atë para sprovës së madhe të realitetit ku secili popull ka të
drejtën e vet për të jetuar i lirë, të ushtroi lirshëm gjuhën dhe kulturën e vet, të kultivoi
historinë dhe vlerat e veta. Petro gëzonte përkrahjen e pa kursyer të patriotëve të kohës, në
lidhjet e tij me rrethet patriotike dhe përkitazi me zbatimin e platformës kombëtare, Luarasi
bashkëpunoi me parinë bektashiane -moderatorë të myslimanizmit dhe me protestantët anglo-
amerikanë, përfaqësuesi shqiptar i të cilëve ishte Gjerasim Qiriazi.
Për veprimtarinë e tij kombëtare Perandoria Osmane, e nxitur edhe nga qarqet ortodokse
greke, atij i kishin bërë shantazhe të ndryshme. Mirëpo, kërcënimet nuk po e lëkundnin
vendosmërinë e Petro Ninit në misionin e tij kombëtar për përhapjen e gjuhës hyjnore shqipe.
Ata provuan që Petron ta blejnë edhe me para, por ai nuk u shit. Si i vetmi opsion mbeti
eliminimi i tij fizik. Fillimisht e burgosën, duke menduar se tani e kanë në dorë dhe do ta
kushtëzonin me jetë. Mirëpo Petro, diku në prill 1904, u arratis nga burgu ku e kishte mbyllur
qeveria turke, për një kohë u strehua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si emigrant politik.
Petro Nini Luarasi në Amerikë zhvilloi një aktivitet të gjerë. Krijoi shoqëritë e para patriotike
shqiptaro-amerikane : “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin
e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e
kishës autoqefale shqiptare në Amerikë. Ai themeloi librarinë e parë me libra shqip e anglisht,
bashkëpunoi ngushtë me Kristo Dakon, udhëheqës i protestantëve shqiptarë atje, për të futur
frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët nga reaksioni shovinist grek, ishin
të tërhequr e të frikësuar për ndonjë pasojë të mundshme të familjeve të tyre në atdhe.
Petro Nini Luarasi përçoi kudo frymën atdhetare me moton: “Kombi mbi të gjitha!”.
Më 1908 Petro Nini u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e patriotë të kohës për të
luftuar si komitë për çlirimin e vendit. Në atë kohë u shpall Hyrieti, dhe ai filloi veprimtarinë
e tij patriotike legale duke u lidhur ngushtë me misionarët protestantë amerikanë. Andartë
grekë, duke parë se atë nuk e ndal gjë nga rruga e tij e shenjtë në shërbim të përhapjes së
gjuhës shqipe, vendosën ta helmonin Petron!

Petro Nini vdiq më 17 gusht 1911, por vepra dhe puna e tij nuk do të vdesin kurrë, ai u
përjetësua me veprat e tij të pavdekshme për hapjen e shkollës shqipe kudo në tokën
shqiptare, ai mbeti i pavdekshëm me punën dhe porosinë e tij të vendosur:
– “Ruamani gjakun, se do t’ju duhet për shkrimin e gjuhës shqipe…”, dhe “Edhe 99 herë po të
rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi !”. Shovinistet grekë bënë çmos për të ndaluar vrullin e
lëvizjes sonë kombëtare për zhvillim dhe përparimin e arsimit shqip. Ata shkuan deri në atë
pikë sa shkishëruan patriotët ortodoksë si Papa Kristo Negovanin, Pandeli Sotirin, Petro Nini
Luarasin, Papa Totasin, madje me dorën e tyre të përgjakur ata vranë në mënyrën me
çnjerëzore këta burra dhe dijetarë të mëdhenj të atdheut tonë. Andartë grekë më parë patën
vrarë edhe Dhaskal Todhrin, patën helmuar Naum Veqilharxhin, Papa Totasin etj. Por armiqtë
e kombit tonë nuk arritën kurrë, as sot e gjithë ditën, të vrasin dëshirën e shqiptarëve për
shkollim, liri, bërjen e shtetit dhe përparim të vërtetë. Nuk kanë thënë së koti se:
– “Sa më shumë që shtyp një popull, aq më i madh do të jetë shpërthimi i tij për liri!”.
I tillë ishte atdhetari i devotshëm Petro Nini Luarasi, pishtar dhe margaritar i shkollës, arsimit
dhe gjuhës së bukur shqipe.
17 gusht, 2022