Kulturë\Letërsi

Margariti: Xhubleta shqiptare u bë trashëgimi e gjithë njerëzimit

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Në Pallatin e Brigadave u zhvillua sot mbrëmja e Xhubletës, tanimë pasuri e deklaruar e mbarë njerëzimit, nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Dijebërja e veshjes së xhubletës që daton 4 mijë vjet para, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.

Në ceremoninë e zhvilluar ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, studiues, gra dhe vajza nga Malësia e Madhe të veshura me xhubletë, etj.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në fjalën e saj tha se “ kjo veshje kaq magjike me kaq hijeshi e thjeshtësi i kthen këto gra në zana dhe këtë objekt në log bjeshkësh”.

“Për atë që jemi të gjithë krenarë sot dhe gëzojmë që tashmë xhubleta është e gjithë njerëzimit jo vetëm e jona është një gëzim i lidhur me mistiken që ky kostum madhështor mbart me vete. Sot e shikojmë këtë sallë të mbushur plot e përplot me dallgë  xhubletash, por dy vjet më parë u ndërgjegjësuam që nëse nuk do të lëviznim edhe xhubleta  rrezikonte të kthehej në një kujtim, në një  kornizë. Përballë këtij rreziku vrapuam ta kapnim kohën e humbur për ta kthyer shpëtimin e xhubletës në një mision”, nënvizoi Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se “ishte një mision që nuk do të arrinim ta bënim vetëm. Falënderoj të gjithë miqtë që na u bashkuan për përgatitjen e 4 dosjeve për në UNESCO”.

“Xhubleta nuk është thjesht një rend, është një kod ato e qepin me një harmoni përsosmëri me ato kallëpet që po mundohemi t’i zbulojmë se cilat janë ato magjitë e të gjitha formave perfekte e kësaj kambane që tingëllon bukur në trupin e tyre dhe lëviz ajri në mënyrë të magjishme”, tha Margariti.

Gjatë mbrëmjes së organizuar në ambientet e ministrisë vajza e gra treguan për të pranishmit teknikat e qepjes dhe qëndisjes së xhubletës.

Tole Lekaj Berisha, 96 vjeçarja nga Tuzi, rrëfeu për vlerat e xhubletës 400-vjeçare.

“Xhubletën e kam mësuar 70 vite më parë dhe nuk e kam lëshuar kurrë. Nuk e mendoja se do të vinte kjo ditë edhe pse e kam dashur me zemër. E kam punuar këtë veshje me qejf ditë e natë, që kjo kulturë të përhapet e mos të humbasë”, tha ajo.

E moshuara në formë mirënjohjeje i ka dhuruar Kryeministrit Edi Rama një xhubletë të punuar nga duart e saj, e cila iu dorëzua ministres së Kulturës.

Ministrja Margariti tha se “do të jetë pjesë e koleksionit të muzeut të dhuratave të çmuara në Kryeministri”.

Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor të këtij viti në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.

Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO vitin e kaluar, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste.

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e veshur nga gratë dhe vajzat në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar e ziles. Kryesisht e zeza me motive shumëngjyrëshe të qëndisura, procesi i përpunimit përfshin përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike. Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit. Ajo tregonte statusin social dhe ekonomik të mbajtësit. Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i saj ka qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike.

Politikat e reja të vendosura nga sistemi socialist në vitet 1960 ndryshuan modelet tradicionale kulturore duke sjellë ndryshime në jetën e përditshme të komuniteteve malore dhe përdorimin dhe prodhimin e xhubletës.

Duke qenë se gratë duhej të punonin në kooperativat socialiste bujqësore, xhubleta nuk ishte më praktike për jetën e përditshme. Për më tepër, kolektivizimi çoi në mungesën e lëndëve të para për prodhimin e tij. Sot, pak gra kanë njohuri për të gjithë procesin dhe transmetimi tradicional i bazuar në familje është i rrallë. Megjithatë, veshja ka ruajtur domethënien e saj shoqërore dhe shpirtërore dhe ende konsiderohet pjesë përbërëse e identitetit malësor.