Mërgatë

MALLI PËR SHQIPËRINË E DASHUR

Ky muaj Nëntori më ngjalli aq mall për Shqipërinë tonë, aq dëshirë për të prekur dheun e tokave tona, për të ndjerë ajrin që m’i ka mbushur mushkritë e shpirtin plot frymëzim për 16 vite të jetës time. Ashtu si në të gjitha trojet shqiptare edhe në vendlindjen time, në Tropojë, përgjatë këtij muaji shqiponja dykrenare mbulon çdo cep, nëpër shkolla ushtojnë këngët patriotike, mblidhen të rinj e të vjetër për të dëgjuar vjershat që burojnë nga dashuria për mëmëdhenë, lulëzojnë vizatime e piktura me motive shqiptare nga artistët e vegjël e të mëdhenj. Ky ambient të bën ta ndjesh veçantinë e të qenurit shqiptar.  

Është Nëntori i dytë që e kaloj në Francë, ku vazhdoj studimet. U bë një vit e ca muaj që Shqipërinë e gjej vetëm nëpër libra, nëpër fotografi, filma e mbi të gjitha nëpër kujtime, të cilat kam filluar t’i hedh ngapak në letér. Kur shkruaj, thuajse gjithmonë e gjej veten duke përmendur Shqipërinë, kur pikturoj frymëzohem më së shumti nga pamjet tona të mrekullueshme, pastaj kur flas me këdo biseda ime e gjen një mënyrë për ta bërë Shqipërinë pjesë të fjalëve të mija. Kur më pyesin nga jam dhe unë, sigurisht që përgjigjem me krenari, “nga Shqipëria”, ndonjëherë  ndodhë të ketë ngatërresa në njohuritë e disave rreth Shqipërisë.  

-«Ç’gjuhë flisni ju shqiptarët, më pyet ndonjëri: Turqisht? Arabisht? Apo greqisht?”  

Sërish me plot krenari u them se ne flasim gjuhën tonë të pastër shqipe. Pastaj, ju flas pak për historinë, se si janë munduar të huajt ta shuajnë shqipen nga rrënjët, se si ata janë përpjekur të deformojnë traditën, veshjen e legjendat tona ose, shkurt t’i viedhin dhe të përfaqësohen sot me to. U flas se si feja është përdorur kundër shqiptarëve për t’i zhdukur zakonet, kulturën dhe vet gjuhën tonë. “Shqipja është gjuhë e mallkuar” – thonin ata. “Mallkuar qoftë ai që e përhap dhe mbron atë”, mallkonte në kisha e xhamia kleri i huaj e mercenar! Por, kurrë nuk qenë të mallkuar nga populli ynë, por veç të nderuar ata, që e mbrojtën vlerën themelore të kombit tonë, gjuhën tonë të bukur e të lashtë. Mallkimet e tyre u tretën, si përherë, bashkë me përpjekjet për të na zbehur dashurinë për Atdheun.  

Vërtet nuk e kisha kuptuar mirë ç’vlerë paska gjuha dhe identiteti kombëtar për njeriun deri sivjet. Mësimi i gjuhëve të huaja ka qënë dhe mbetet një ndér pasionet e mija më të mëdha. Duke u unjohur me një  gjuhë të një kombi të caktuar, njihemi me vet kulturën, historinë, ç’ka qenë e ç’ është bërë ky vend.  

Duke qenë se këtë vit më është dashur që çdo çast të mendoj në dy gjuhë: shqip dhe frengjisht, kam krijuar një lidhje të ngushtë me fjalorët. Në biblotekë gjithnjë huazoj ndonjë fjalor njëgjuhësh. Para ca ditësh më zuri syri një libër në raftin e fjalorëve, “Les langages de l’humanité” (Gjuhët e njerëzimit), të Michel MALHERBE. Padyshim që e shfletova me plot kureshtje se ç’ishte shkruajtur për shqipen. Ato dy faqe të shkruara për shqipen në rreth 1 700 faqe gjithsej më zhgënjyen. Autori, përveç se kish thënë kaq pak për këtë gjuhë të lashtë e të larmishme, kishte filluar përshkrimin e tij për “këtë gjuhë të izoluar të gjuhëve indo-europiane”, duke e bërë lidhjen me izolimin e Shqipërisë përgjatë kohës së komunizmit…  një popull i izoluar gjuhësisht dhe politikisht”. Po prisja të kishte qënë e shkruar se si ky “izolim politiko-gjuhësor” zhduku analfabetizmin e mbjellur nga otomanët, por jo! Larg qoftë të përmenden arritjet e shtetit të Enver Hoxhës në ditët e sotme. Gjithsesi, ky krahasim edhe falet…

Kur mbrrina tek fjalët me prejardhje të huaj, pa mohuar aspak ekzistencën e disave prej tyre, autori ia doli të më habiste me shembujt e marrur. Fjala jonë, “atë”, sipas tij, me prejardhje nga turqishtja!? Të kishte thënë për sinonimin e fjalës Atë, pra “baba”, aty do isha dakort. Por “Atë” mbetet shqip dhe ekzistenca e fjalës “Ata” në turqisht mund të shpjegohet si fjalë me origjinë nga shqipja. Por jo anasjelltas. “Jug” fjalë sllave (Yougo-slave). Ndoshta. Por, pak paradoksale që sllavët po na emërtokan neve, thua se janë aq të lashtë në tokat ku ndodhen sot! Thua se ishim ne, ata që u vendosëm në jug të tokave të tyre dhe ata duhej të na vendosnin emra vendndodhjeje.  

Për sa i përket fjalës odë, besoj dhe shpresoj që përdorimi tek-tuk i saj nuk e zëvendëson fjalën “dhomë”. Edhe fjalën “tamam” rrallëkush e përdor sepse themi “në rregull”, etj.. Ndërsa për fjalën “xhami”, pajtohem që është me prejardhje turko-arabe se s’kishte nga të vinte tjetër.  

Gjithsesi, ky shkrim i shkurtër që lexova rastësisht nga ky autor, më zgjoi edhe më shumë dëshirën për t’u dhënë fund përzierjeve gjuhësore dhe përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja. Dëshirën për t’u dhënë fund përshkrimeve të tilla të bazuara mbi probaganda politike, që kanë për synim zbehjen kaq shumë të vlerave të shqipes në sytë e botës. Rrënjët ilire të shqipes sikur më thërrasin. Na thërrasin të gjithëve! Kërkojnë të përpiqemi e të sakrifikojmë për të vërtetuar ekzistencën e tyre. Autori i librit në fjalë thotë se rrënjët ilire të shqipes mbeten hipotezë!? Nuk  shqetësohem shumë, pasi çdo herë e më shumë po shtohet numri i atyre që po studjojnë sië duhet historinë tonë, gjuhën tonë, kulturën tonë. Çdo ditë e më shumë e ndjej etjen për të mësuar më shumë për Shqipërinë e për shqiptarët dhe shpesh mahnitem aq sa emocionohem me historinë, me larminë tonë kulturore, e mbi të gjitha, me gjuhën tonë.  

Nuk e paskam ditur mirë ç’do të thotë ta duash vendin tënd më shumë se gjithçka tjetër. As krenaria nuk e paskam ditur çfarë është. Nuk e dija vlerën që ka të vendosurit e emrave shqip, emërtimi i fëmijëve me emra shqip. S’më ishte rrënqethur trupi kaq shumë teksa dëgjoja këngët tona patriotike. Nuk e kam ditur as vlerën e të folurit të një shqipeje të pastër dhe pa këto fjalët si: “aksham, dynja, sabah, etj.” Nuk shqetësohesha kaq shumë kur shihja fëmijë shqiptarë të lindur jashtë Atdheut e që nuk flisnin shqip. Nuk e dija as që malli për tokën mëmë mund të jetë kaq i madh. Nuk e ndjeja si sot Himnin e flamurit. Nuk ua dija vlerën vargjeve të Naimit. Nuk e paramendoja që s’do kalonte as një ditë e vetme që unë të mos debatoj për Shqipërinë, për shqiptarët, për gjuhës dhe historinë tonë. Nuk mendoja të rrija me orë të tëra duke kërkuar në fjalorë e në internet rreth prejardhjes së ndonjë  fjale për t’u siguruar që është shqipe e pastër. Nuk e dija që pjesë e bisedave, por edhe e mendimeve të mija të përditshme do ishte Shqipëria dhe bashkimi i saj në një shtet e me një flamur.

Nuk e dija se do kisha këtë botëkuptim sot, por dashurinë për Shqipërinë e kam pasur gjithmonë, siç thash edhe më lartë, se më është ushqyer që kur isha fëmijë, sidomos në familje e në shkollë.

Prandaj, gjej rastin t’ju lutem gjithë prindërve dhe mësuesve, sidomos mësuesve të klasave fillore, të mos harrojnë sa mirnjohje ka për ta. Gjej rastin t’ju kujtoj arsimtarëve se Himni i flamurit, që këndohej dikur, e sot, vetëm në ndonjé shkollë aty-këtu, çdo mëngjes, nuk ishte pa qëllim. Gjej rastin t’ju kujtoj se 28 e 29 Nëntori duhet të jenë më të rëndësishëm se çdo datë tjetër, e sidomos më të rëndësishme se ditë “të shënuara”, si për shembull, ajo e Euopës. T’ju kujtoj se historia e Shqipërisë duhet të zërë kapitujt më të rëndësishëm në librat e historisë. Dua t’ju kujtoj prindërve shqiptarë, fëmijët e të cilëve, kanë lindur ose po rriten jashtë Shqipërisë, se e kanë për detyrim t’ua ushqejnë dashurinë për Atdheun e tyre të vërtetë, t’ua mësojnë shqipen para gjithçkaje, t’ju flasin për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, për Jeronom De Radën, Thimi Mitkon, Vëllezërit Frashëri e Ymer Prizrenin, për Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin e Isë Boletinin, për Çerçiz Topullin e Mihal Gramenon, për Shotë Galicën e Bije Vokshin, për Qemal Stafën e Margarita Tatulanin, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e Adem Jasharin, e për shumë e shumë figura e ngjarje të Historisë së Shqipërisë. Ju ftoj dhe ju, o bashkëmoshatarë të mi, ta duamë e ta ruajmë këtë gjuhë që mbijetoi përpos gjithçkaje dhe arriti deri në këto fjali të mijat. Të arsimohemi që të hapim sytë e t’i ruhemi gropës së padijes. Ju ftoj të sakrifikojmë për Shqipërinë tonë, siç na ka hije.  

Urime Kryedatën e Shqipërisë e të shqiptarëve, 28 Nëntorin tonë, o ju bashkëkombësit e mi! Me një bindje, që sa shkon e rritet, ju them se këto vite shkolle jashtë Shqipërisë, këto vite të mbushura me mall, do ia kthej vendit tim…  

Lion (Francë), Nëntor 2020                                                                                Edona Madani