]
Heroi i Popullit Ali Demi dhe vitet në gjimnazin e Gjirokastrës në vitet ’30 të shekullit XX. (100 vjetori i gjimnazit të Gjirokastrës të festuar këto ditë)
—-
Në qytetin e gurtë, në hapat e para të luftës
—
Në shtator të vitit 1932, pasi mbaroi ciklin e ulët me vlerësime të shkëlqyera, Aliu u nis për të vazhduar studimet në gjimnazin e Gjirokastrës, i cili ishte me emër në atë kohë dhe një nga gjimnazet më të mirë pas Liceut Francez të Korçës dhe gjimnazit të Tiranës. Ishte shumë i gëzuar. I ati, Ahmeti, bashkë me Nazon, e përcollën me krenari djalin e tyre që po ngjiste shkallët e dijes. Aliu u largua bashkë me vëllain e tij të madh, Vehbiun, i cili për disa vjet vazhdoi të punonte në punishten e duhanit në Filat. Ai do ta shoqëronte gjer në Gjirokastër dhe pastaj do të kthehej sërish në Filat. Ishte kohë e bukur. Hipur mbi një makinë të vjetër, pasi kapërcyen Qafën e Botës, ata përshkuan fushën e Drinos, anash së cilës shquheshin fshatrat e vegjël të minoritetit grek në Shqipëri… Gorancia, Derviçani, Jorgucati. Më së fundi iu afruan Gjirokastrës. Ishte hera e parë që Aliu shikonte këtë qytet, por ajo që i bëri më shumë përshtypje ishte kështjella që ngrihej lart atij shkëmbi që si një kryqëzor sundonte mbi qytet.
Gjimnazi ishte në qëndër të qytetit dhe ishin ata qindra nxënës që i jepnin një gjallëri të veçantë qytetit. Gjatë javës, nxënësit e internatit nuk dilnin shumë nëpër qytet por kur dilnin të shtunën e të djelën, i gjeje ata tek shëtisnin nga një lagje në tjetrën, nga Hazmurati në Cfaka, Palorto, Manalat dhe tutje në Dunavat, duke zbritur gjer poshtë në Varosh. Ata përshkonin rrugicat, ngjiteshin plot zhurmë e thirrje në Qafën e Pazarit, zbrisnin nga rrugët e kalldrëmta ku anash ngriheshin ato shtëpi të mëdha karakteristike prej guri. Tutje, si në cep të qytetit dukej teqeja. Kënaqësia më e madhe e Aliut ishte kështjella, për të cilën do t’i fliste gjatë babait. Ajo kështjellë madhështore dhe e lashtë e tërhiqte pa masë: arkadat, tunelet, vazhdimi i akuadukut të vjetër të Ali Pashës… Por brenda s’mund të hynte sepse në cep ishte një burg, ku mbaheshin të mbyllur kundërshtarët e Zogut.
Nga profesorët, Aliu kishte simpati të madhe për Thoma Papapanon dhe kjo ndoshta meqë ai ishte dhe miku i afërt i Musa Demit. Në këtë periudhë, Aliu u njoh dhe me mësuesin Siri Shapllon apo të rinjtë Shemsi Totozanin, Qibrie Ciun, Kadri Baboçi, etj. Aliu ishte në degën “reale”, si quhej atëherë dhe dëshira e tij ishte të bëhej mësues. Në këtë kohë jepnin mësim dhe profesorët Kristo Fundo, Fadil Rrepishti, Eqerem Çabej, Kristo Kono apo Eftim Qose. Madje në Gjirokastër kishin ardhur dhe disa mësues francezë që jepnin gjuhën frënge, siç kishte qenë më parë profesori Marchand. Sigurisht, qyteti kishte një veprimtari të gjallë: kishte klubet e ndryshme dhe gazetat e tij, kishat, xhaminë, teqenë e bektashinjve në cep të qytetit dhe punishtet e vogla zejtare.
Jeta e Aliut në Gjirokastër ishte shkolla dhe konvikti ku kalonte pasditen dhe natën, ishin shëtitjet me shokët në qytet dhe veçanërisht librat, të cilat i lexonte me etje të madhe. Një nga miqtë më të afërt ishte Themo Vasi, një vit më i madh se ai dhe që ishte nga Nivani i Zagorisë. Themua ishe pak i kërrusur, disi gungaç por me shpirt të ëmbël dhe mjaft i drejtë. Fjetorja e konviktorëve ishte një kapanon i madh i lënë nga ushtria italiane dhe që dukej si një lloj kazerme. Ishte e mbuluar me llamarinë dhe brenda kishte tavolina të mëdha për orët e studimit. Në çdo tavolinë uleshin rreth dhjetë nxënës njëherësh, kujtonte mësuesi Lame Xhama, i cili pas Sarandës u caktua në gjimnazin e Gjirokastrës. Në mëngjes e në darkë, shpesh fëmijët hanin bukë e çaj në ca gota alumini, ndërsa dreka zakonisht ishte makarona apo pilaf. Salla e ngrënies ishte më larg fjetores dhe për ca kohë, disa dhoma të shtëpisë së Angonatëve u përdorën si strehë për konviktorët.
Në Gjirokastër, bashkë me Aliun ishte dhe Njaziu, shoku i tij më i ngushtë. Por nga Çamëria erdhën dhe shumë çamë të tjerë. Mësuesit ishin të rreptë në kërkesat e tyre por Aliu studjonte me zell dhe siç kujtojnë shokët e tij, kur bëhej provimi i matematikës, ”Aliun profesori e nxirrte jashtë sepse nuk donte që ai tu tregonte të tjerëve zgjidhjen e ushtrimeve.”
“Më 1934, – kujtonte Vehbiu, i vëllai i Aliut, – para se të shkoja në Tiranë kalova në Gjirokastër të takoja Aliun. E gjeta tepër të gëzuar dhe sapo u përqafuam më tha: – “Eja të të tregoj monumentin e Çerçizit! – dhe ne zbritëm poshtë në sheshin e qytetit. Në fakt unë sapo e kisha parë në hyrje dhe vërtet monumenti ishte madhështor. Ishte një skulpturë e Odhise Paskalit. Aliu e kishte heroin e tij të preferuar dhe një moment këndoi këngën që ishte ngritur për të: “Të vranë bimbash të vranë / Çerçizi me Hito labnë…” Më tregoi se një muaj më parë, nga fundi i marsit, ditën e përurimit, i kishin sjellë gjithë nxënësit e gjimnazit. Madje kishte ruajtur dhe një faqe gazete me fotografinë e Çerçiz Topullit. Po kështu më tregoi dhe shtëpinë e Topullarëve, një shtëpi e madhe, ku kishin jetuar Çerçizi, Bajo e heronj të tjerë të kësaj familje patriote…”
Kështu do të kalonin dy vitet e para. Viti 1935 solli ngjarje të mëdha jo vetëm në Gjirokastër por dhe në Shqipëri. Pikërisht atë vit shpërtheu ajo që u quajt “Kryengritja e Fierit”. Kryengritësit, pjesa më e madhe ushtarakë, shkuan me armë deri në Lushnjë për të luftuar kundër trupave të mbretit Zog, por atje u thyen dhe shpejt kryengritja e Fierit mori fund me vrasjen e një gjenerali italian, Ghilardi. Shumë kryengritës u burgosën por dhe Gjirokastra ishte ngritur në këmbë. Vëllai i Aliut, Vehbiu, kujtonte bisedat me Aliun për këtë periudhë revolucionare në Gjirokastër kur Aliu i tregonte për revoltat anti-zogiste dhe trimërinë e vëllezërve Toto. “Aliu më fliste me shumë pasion për Kryengritjen e Fierit. Që atëherë Aliu shprehej kundër qeverisë të mbretit Zog. Ndoshta nga librat që lexonte. E megjithatë unë i flisja që të qëndronte i matur se një ditë do ta burgosnin dhe atë…. ”
Kjo ishte sprova e parë e kohës së Revolucionit që po afronte. Duke kujtuar këtë kohë, Mustafa Qilimi ka shkruar: “Drejtor i shkollës atë kohë ishte Safet Butka, djali i Sali Butkës. Ishte shumë i rreptë dhe kërcënues, duke krijuar një gjendje të rëndë midis nxënësve dhe atij. Një vit më vonë erdhi në gjimnaz dhe Hilmi Seiti e Adil Çarçani. Rrinim gjithmonë bashkë me Aliun. Me nismën e Aliut u krijua në fillim shoqëria “Skënderbeu”, e cila kishte në gjirin e saj një skuadër futbolli e një grup teatral. Më pas u krijua shoqëria patriotike “Qepa”. Aliu ishte kryetar i saj dhe kryeredaktor i gazetës me po të njëjtin titull. E quajti kështu pasi ishte një gazetë me shpoti e kritika, pra që “digjte” si qepa. Atëherë në shkollë u organizuan dhe revolta, të cilat nisën nga kushtet e këqia të jetesës dhe kontrolli i rreptë që u bëhej nxënësve. Në dimër, konviktorët shpesh detyroheshin të përballonin shirat dhe të ftohtit me veshje dhe mbulesa të pa mjaftueshme. Kjo solli dhe shpërthimin e pakënaqësive ku ndër të parët dalloheshin Aliu dhe Themo Vasi, apo Mali Llanaj nga Mallakastra. Si gjimnazistë të jashtëm shokë të tyre ishin Myzafer Asqeriu, Haki Toska, Skënder Hajro, Elmaz Xhango, etj. “Pakënaqësitë tona ne i shkruanim nëpër muret e konviktit, në banjot, etj, – kujtonte Mustafa Qilimi. – Midis nesh flitej për romanin Nëna e Gorkit, për artikujt e revistës Bota e Re, etj. Përhapës të tyre ishin Aliu dhe Themo Vasi dhe shokët e tyre të ngushtë Njazi Demi e Hilmi Seiti…”
Në gjimnazin e Gjirokastrës ishte dhe Xhafer Vokshi. Ai vinte nga Kosova, ishte vëllai i Asim Vokshit të vrarë në Spanjë. Xhaferi e njohu Aliun nga i vëllai, Myftari, i cili njihej që më parë me Aliun. Xhaferri kishte sjellë ca broshura të Grupit Komunist si Vlera dhe Mbivlera, Katër mësime themelore të Komunizmit, projektin e Engelsit Mbi Manifestin Komunist, etj. Në gjimnaz qarkullonte atëherë dhe broshura e Antonio Gramshit Lo Stato Operaio, (Shteti puntor) etj. “Më vonë, – vazhdon kujtimet Qilimi, – mësuesit tanë kujdestarë ishin Rexhep Krasniqi e Simon Deda. Ishin të rreptë, madje Rexhepi donte ta prishte shoqërinë “Skënderbeu”. Ai kërkoi që nxënësit që do të luanin futboll do t’i caktonte ai. Kur dënohej ndonjëri që të mos hante darkë, ne konviktorët, në shenjë proteste vendosëm të mos shkonim për të ngrënë.”
Në fund të dhjetorit të vitit 1935, gjimnazi ziente. Themo Vasi dhe Aliu ishin në krye të nxënësve duke kundërshtuar trajtimin e keq që u bënin kujdestarët. Protesta në fakt krijoi një rrëmujë të madhe në shkollë. Asnjëherë gjimnazi i Gjirokastrës nuk kishte njohur ngjarje të tilla. Nxënësit bërtisnin, dolën të gjithë në oborr dhe nuk donin të hynin nëpër klasa. Atëherë, e shqetësuar, drejtoria e shkollës thirri drejtuesit e protestuesve mes të cilëve dhe Aliun dhe Themo Vasin, por gjendja gjithnjë mbetej e tensionuar.
Ato ditë, Aliu dhe Themo Vasi filluan të bënin mbledhje pas ndërtesës së konviktit, nga ana e Kreudhës. Djemtë çamë i kërcënonin se do t’i kthehenin në Çamëri, pasi me këtë sjellje ata nuk e meritonin. Madje në konvikt erdhën dhe prefekti dhe komandanti i xhandarmërisë. Atëherë, u vendos që të bëhej një betim që të ishin të gjithë solidarë e të bashkuar. Pra u vendos të bëhej një betim me flamur, duke përgatitur dhe formulën që do të thuhej për betim. Atëherë, nxënësit u mblodhën brenda në dhomën e konviktit. Flamurin e nxorën nga valixhja e vëllezërve Feridun dhe Beqir Imshta dhe cepin e saj e mbante në dorë Themo Vasi. “Themo Vasi, – kujtonte Mustafa Qilimi, – u vendos në qoshe të portës së konviktit që ishte pas shkollës “Drita”, ndërsa Aliu qëndronte disa metra larg në qoshe të dhomës së krimbave të mëndafshit. Listën dhe rradhën e nxënësve që do të shkonin për në vendin e betimit e mbante Njazi Demi dhe ai që i lajmëronte ishte Hilmi Seiti apo “kaçiatori”, siç i thërrisnim. Ata kalonin nga Njaziu dhe shkonin tek Aliu, i cili u mësonte formulën e betimit dhe ai pastaj i niste drejt flamurit ku Themo Vasi qëndronte drejt e në këmbë, si një statujë…”
Të nesërmen u hap fjala se ishte vendosur që konvikti të mbyllej dhe se disa nga nxënësit do të përjashtoheshin. Madje morrën vesh se kishte ardhur dhe një i deleguar i Ministrisë së Arësimit. “Fill pas këtij lajmi nxënësit organizuan një mbledhje pas mencës, nga ana e malit, midis depozitës së ujit dhe aparatit që maste sasinë e rreshjeve të shiut. Aty u tha nga Aliu e të tjerët se fjala e dhënë duhej mbajtur…”
Ishte vendosur të përjashtoheshin nga shkolla dhe tu pritej bursa gjashtë nxënësve si Ali Demit, Themo Vasit, Mali Llanajt, Feridun e Beqir Imshta dhe Iliaz Ahmetit. Në orën një e gjysëm e drekës profesorët dolën nga mbledhja.
Menjëherë nxënësit organizuan një mbledhje tjetër prapa konviktit. Iljaz Ahmeti dhe ca të tjerë, të frikësuar, thanë se më mirë ishte ta prishnin betimin e dhënë, por menjëherë u hodhën Themo, Aliu dhe Njaziu që fjala e dhënë të mos kthehej. Pikërisht aty u vendos që nxënësit të merrnin batanije dhe të shkonin në fushën e sportit ku do të protestonin dhe do të ndiznin zjarre në mënyrë që t’i shikonte i gjithë qyteti.
Pas drekës, në korridorin e shkollës, drejtoria mblodhi nxënësit dhe filloi tu lexojë vendimin e ministrisë të firmosur nga vetë ministri Nush Bushati, i cili më 17 janar i kthente këtë përgjigje drejtorisë së gjimnazit të Gjirokastrës: “Përjashtohen për një vit nga gjimnazi, Gjirokastër dhe u pritet bursa Themo Vasit, Ali Demit, Njazi Demit… Njoftoni dhe nxënësit solidarë se në rast solidariteti antidisiplinor do të përjashtohen nga shkolla.”
Sytë e konviktorëve u mbushën me lotë.
Konviktorët e tjerë, pasi panë shokët e tyre të mblidhnin plaçkat dhe të largoheshin, nuk u ndanë nga ata por sëbashku i shoqëruan për nga sheshi kryesor i qytetit. Madje kësaj rradhe, sipas një vendimi të shpejtë ishin shtuar dhe dy emra të tjerë: Izet Pepi dhe Mustafa Qilimi.
Gjatë rrugës për tek sheshi hidheshin parulla kundër drejtorit e ministrisë, këndoheshin këngë patriotike. U bashkuan dhe nxënës të qytetit edhe pse xhandarmëria i largonte nxënësit e tjerë që të bashkoheshin me turmën e të dënuarve.
Për këtë ngjarje u vu menjëherë në dijeni dhe Ministria e Arësimit. Në shkresën që drejtoria e shkollës i dërgonte Ministrisë së Arësimit më 13 janar të atij viti, shkruhej ndër të tjera se “Këshilli i profesorëve pasi dëgjoi shpjegimet e dhëna prej profesorëve kujdestarë caktoi si fajtorë kryesorë: Themo Vasi, Ali Demi, Njazi Demi… dhe prandaj vendosi dënimin e tyre si vijon: 1) Themo Vasit t’i pritet bursa dhe të përjashtohet nga shkolla për një vit, për arësye se ka formuar grupe në konvikt duke shkaktuar krejt prishjen e disiplinës së Internatit dhe të Shkollës. 2) Ali Demit t’i pritet bursa e të përjashtohet nga Shkolla për një vit, për arësye se në prezencën e një grumbulli nxënësish ka folur me arrogancë e ashpërsi të madhe kundrejt personelit të konviktit duke mbajtur shumë herë një qëndrim të papërmbajtshëm me atë të një nxënësi…”
Një ditë më vonë, në një raport të datës 18 janar që drejtoria e gjimnazit i shkruante inspektoriatit të ministrisë mbi qëndrimin e nxënësve dhe masat e marra ndaj tyre, ndër të tjera shkruhej: “Nga përfundimi i hetimeve rezulton se pardje në mëngjes, para se të fillonte ora e mësimit, të përjashtuarit, Themo Vasi, Ali Demi… hynë në konvikt me pretekst për të marrë disa tesha të tyre dhe u thanë konviktorëve që do të largoheshin atë ditë nga Gjirokastra. Atëherë, këta kanë kërkuar nga profesori kujdestar i rradhës që t’u jepej leje të shkonin e t’i përcillnin… Mbi këtë, konviktorët shkuan në vendin e automobilave, ku të përjashtuarit, siç rezulton nga hetimet, u thanë se ishin prerë 20 bursa të tjera dhe i tërhoqnë në Prefekturë duke u thënë se do të venin të merrnin një ndihmë që u kishte premtuar z. Prefekt. Kështu shkuan në Prefekturë dhe nga sa duket, nga hetimet e bëra, janë paraqitur tek z. Prefekt… Këshilli i profesorëve si e rrahu çështjen për masat që duheshin marrë në dy konferenca rresht, vendosi me unanimitet t’i dënojë të 48 konviktorët që kishin marrë pjesë duke u zbritur një notë në sjellje secilit…”
Një ditë më vonë Aliu u nis drejt Filatit me zemër të thyer, por jo i mposhtur.
Një tjetër udhë do tê vazhdonte më pas, atë drejt gjimnazit të Tiranës, më pas të “universitetit” të burgut, arratisjes, të luftës nëpër male gjer në vrasjen e tij në Kaninë, në 20 dhjetor 1943.
add a comment