Portreti/intervista

LAJM I HIDHUR: Ka vdekur Sylë Kasumaj (29 shkurt 1956 – 3 dhjetor 2022

LAJM I HIDHUR
Sylë Kasumaj (29 shkurt 1956 – 3 dhjetor 2022)
Lajmi për vdekjen e hershme të Sylë Kasumajt ka shkaktuar dhimbje e pikëllim te anëtarët, dashamirët dhe drejtuesit e Shoqërisë LËVIZJA. Shoku dhe miku ynë, Sylë Kasumaj, ishte bashkëthemelues i Shoqërisë LËVIZJA dhe një nga veprimtarët dhe përkrahsit e saj të përkushtuar. Ai, që nga Mbledhja Themeluese e deri sa ra në spital ishte pjesë e veprimtarive të Shoqërisë LËVIZJA. Syla ndihmoi edhe në përgatitjen e Statutit të Shoqërisë dhe të dokumenteve tjera të saj. Ai ishte i dalluar edhe për përgatitjen dhe organizimin e simpoziumeve, përurimin e librave, akademive, tryezave dhe veprimtarive tjera të Shoqërisë në Prishtinë, Shkup, Prizren, Tiranë e qytete tjera shqiptare.
Sylë Kasumaj ishte njeri, shqiptar dhe atdhetar i mirë dhe i ditur. Kurdoher i dashur dhe mirëkuptues e bashkëpunues me kolegët e Institutit Albanologjik dhe me shokë e miq të Shoqërisë LËVIZJA. Të tillë do ta kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë ne anëtarët e Shoqërisë LËVIZJA.
Ngushëllimet tona të përzemërta familjes, farefisit, anëtarëve të Shoqërisë LËVIZJA, miqve dhe kolegëve!
I paharruar kujtimi dhe nderimi për mikun tonë të çmuar, Sylë Kasumajn! I qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore!
Prishtinë, më 3 dhjetor 2022                                                                                                                                       Kryetari i Shoqërisë LËVIZJA
DEGA E GJUHËSISË – INSTITUTI ALBANOLOGJIK I PRISHTINËS
Njoftim mortor
Date:03.12.2022
SYLË KASUMAJ
(29.2.1956 – 3.12.2022)
Sot, më 3 dhjetor 2022, u nda nga jeta Sylë Kasumaj, sekretar i Institutit Albanologjik, intelektual dhe veprimtar i përkushtuar i çështjes shqiptare.
Sylë Arif Kasumaj lindi në Shqiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës më 29 shkurt të vitit 1956. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjakovë, ndërsa u diplomua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës më 1979. Një kohë të shkurtër punoi si praktikant në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ndërsa nga viti 1979 punoi në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës deri në vitin 1987, kur punësohet sekretar i Institutit Albanologjik, ku qëndroi deri në pensionimin e tij më 2021. Sylë Kasumaj ishte ndër juristët që kontribuoi shumë për krijimin e legjislacionit të Republikës së Kosovës, pas krijimit të sistemit të pavarur në fushën e shkencës, arsimit e të kulturës, si hartues i akteve ligjore dhe anëtar i komisioneve përkatëse. Sylë Kasumaj, si njohës i mirë i çështjeve juridike, në vijimësi u mor me materie profesionale. Si rezultat i kësaj pune është edhe “Fjalori i termave të drejtësisë”, botim i Institutit Albanologjik prej 6000 njësish terminologjike, që njëherësh përbën kontributin e tij jetësor në sferën profesionale. Mbeti përherë mbështetës i përkushtuar i vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe i shoqatave që rrodhën nga struktura e trashëgimisë së saj.
Lajmi për vdekjen e Sylë Kasumajt i ka prekur të gjithë brezat e punonjësve të Institutit Albanologjik, të cilët gjithnjë do ta kujtojnë mirësinë, afërsinë, korrektësinë dhe profesionalizmin e tij shembullor. I afërt dhe bashkëpunues me komunitetin shkencor dhe veçmas me shoqatat atdhetare të Kosovës dhe gjithandej hapësirës shqiptare Sylë Kasumaj ka lënë mbresa të një njeriu të përkushtuar për të përkrahur veprimtaritë dhe asociacionet që kanë në fokus albanologjinë, kulturën, historinë dhe përgjithësisht vlerat mbarëkombëtare.
Familja Kasumaj, Instituti Albanologjik dhe përgjithësisht shoqëria jonë ka humbur një anëtar e pjesëtar shembullor, i cili, ndonëse do të lërë zbrazëti të madhe, do të kujtohet për të gjitha vlerat që përfaqësoi kudo që veproi.
Varrimi i Sylë Kasumajt do të bëhet më 4 dhjetor 2022, në orën 13 në fshatin e lindjes, në Shqiponjë, ndërsa Instituti Albanologjik do të mbajë një mbledhje komemorative në ambientet e tij më 8 dhjetor 2022, në orën 12.
Në emër të Institutit Albanologjik, familjes Kasumaj, miqve, dashamirëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur dhe vlerësuar Sylë Kasumajn, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.