Shqipëria/Aktualitet

Kryeministri Rama: Brenda pak muajsh, pagat për mësuesit mesatarisht 950 euro

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, pagat brenda pak muajsh për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro.

Në fjalën e tij në aktivitetin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, Rama tha se, “është një kohë kur ka filluar një luftë pa armë, por një luftë shumë e egër për kapitalin njerëzor. Vendet më të zhvilluara, të cilët sot po përballen me fenomenin e pandalshëm të plakjes dhe që janë në krye të trenit të Evropës, janë investuar dhe po investohen dhe do të investohen çdo vit e më shumë për të marrë kapital njerëzor nga të tjerët, ku të munden dhe sa të mundeshin, pa mëshirë, pa asnjë mëshirë”.

Natyrisht, shtoi Rama, “që fuqia tërheqëse e tyre për kapitalin tonë njerëzor dhe kapitalin njerëzor të vendeve si i yni mbetet shumë sfiduese për të gjithë ne. Oferta e tyre është shumë më e fortë sesa oferta jonë, por ne nuk mundet dot të mos reagojmë në një mënyrë jotradicionale për të mbrojtur sa të mundemi kapitalin tonë njerëzor dhe për të fuqizuar sa të mundemi cilësinë e kapitalit tonë njerëzor këtu në vendin tonë. Sepse përndryshe, në një kohë jo shumë të largët mund të gjendemi përpara një situate të pamundur”.

“Shqipëria është sot në një tjetër nivel. Shqipëria sot ka një portë tjetër të hapur për të ardhmen e saj në aspektin ekonomik dhe reflektim i këtij fakti janë edhe rritjet domethënëse të pagave, të cilat do të vazhdojnë”, u shpreh Rama.

“Por, ndërkohë që ne jemi sot në kushtet kur mund ta vëmë shumë më tepër se dje potencialin tonë, potencialin e vendit tonë në dispozicion të ekonomisë dhe familjeve shqiptare, përballemi me nevojën që çlirimi i këtij potenciali vë përpara të gjithëve ne nevojën për kapital njerëzor. Nevojën për njerëz të kualifikuar. Nevojën për forca pune në të gjitha nivelet. Dhe patjetër që ky nuk është një moment ku ka vetëm një zgjidhje, ky është një moment që kërkon shumë zgjidhje, në të gjitha drejtimet, jo vetëm në arsim. por ama fokusi tek arsimi është jetik, sepse fatmirësisht nuk jemi më në kohën që ishim jo para shumë vitesh kur mësuesit ishin tërësisht të braktisur dhe tërësisht të pambrojtur”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “pagat së shpejti brenda pak muajsh për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro, por nuk mjafton. Prandaj ne na duhet të reformojmë sistemin. Për shembull mekanizmin e asaj rritjes çdo pesë vjet të pagës si rezultat i rritjes së vjetërsisë në punë, ne duhet ta reformojmë komplet. Nga ana tjetër duhet të bëjmë të mundur dhe të gjejmë rrugën që përveç pagës uniforme, pra garancisë bazë për të gjithë të ketë nivele të ndryshme pagash sipas meritës, sipas kontributit dhe sipas kualifikimeve.

Për këtë ama, shtoi Rama, na duhet një sistem i besueshëm kualifikimesh, trajnimesh, kreditesh.

Postimet e fundit !