Lëvizja\UÇK

Komuna e Vushtrrisë ndër vatrat kryesore në demonstratat revolucionare gjithëpopullore të vitit 1981 në Kosovë

Xhemajl Pllana

Në pranverë të vitit 1981, shpërthyen demonstratat popullore me kërkesën dhe parullën kryesore, “Kosova Republikë”, e cila kishte për qëllim barazimin e Kosovës me gjashtë (6 ) republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Ndër shkaqet kryesore të shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, ishin:                                    

Pozita e pabarabartë e shqiptarëve në Jugosllavinë titiste, pasi që edhe numerikisht (nga pikëpamja demografike), shqiptarët ishin në vendin e tretë në RFSJ-së.

Shqiptarët, do të thotë komuniteti etnik shqiptar, ishte i ndarë copa-copa nën sundimin e republikave jugosllave: pjesa më e madhe në Kosovë, një pjesë në Serbi, pjesa tjetër në Maqedoni, dhe një pjesë në Mal të Zi.

Kudo që jetonin shqiptarët, shquheshin nga prapambetja ekonomike, kulturore dhe arsimore në krahasim me republikat tjera.

Varësia e Kosovës, në çdo aspekt ishte e dyfishtë: ndaj Serbisë dhe ndaj Jugosllavisë.

Diskriminimi politik, ekonomik, kulturor dhe sidomos diskriminimi gjuhësor i shqiptarëve, ishte në fokus të organeve dhe mekanizmave të ndryshëm politiko – shoqërore, policor, ushtarake etj.

Viset ku jetonin shqiptarët, sidomos Kosova, ishin vise të shquara me pasuri mbitokësore dhe nëntokësore, mirëpo pasuritë e shqiptarëve shfrytëzoheshin nga republikat e tjera dhe federata jugosllave.

Papunësia në Kosovë dhe në viset e tjera ku jetonin shqiptarët, ishte qindëramijëshe, ndonëse popullata shqiptare ishte në moshë të re, jo vetëm në Jugosllavi, por në gjithë Evropën. Në rrethanat e thella diskriminuese, shqiptarët ishin të detyruar që të punonin punë të ndryshme fizike në viset e ndryshme të Jugosllavisë, dhe në vendet perëndimore: Austri, Gjermani, Zvicër etj.  

Marrë parasysh gjendjen e vështirë, si dhe dhunën e terrorin që e ushtronin institucionet e ndryshme serbo jugosllave, sidomos ato të sigurisë, erdhi deri te pakënaqësitë e mëdha popullore. Demonstratat e para, u filluan nga studentët e Universitetit të Prishtinës, më 11 mars në Qendrën Studentore, si hapi i parë i një revolte të pa paparë gjithë popullore, e cila do të zhvillohet me 1,2 dhe 3 prill. Regjimi serbo jugosllav, ndaj këtyre demonstrimeve dhe kërkesave gjithë popullore politike, u përgjigj jo me veprime dhe mjete politike por, me terror të madh shtetëror. Demonstratat, Beogradi i shtypi me polici dhe me ushtri, duke vënë në lëvizje rrugëve dhe fushave të Kosovës edhe armatimin e rëndë. Për pasojë, u vranë dhjetëra, dhe u plagosën e  u burgosën me mijëra veta gjatë, dhe pas demonstratave.  

Organizimi dhe shpërthimi i demonstratave gjithëpopullore në Vushtrri

Demonstratat e pranverës së vitit 1981, neve, veprimtarëve të LNÇKVSHJ-së,të rrethit të Vushtrrisë (pas burgosjes dhe dënimit të Ramadan Pllanës me shokë), na kishin zënë në riorganizim e sipër, prandaj kontributi ynë në këto demonstrata ka qenë kryesisht nëpërmjet shpërndarjes së trakteve, pamfleteve, revistave, botimeve të ndryshme,shkrimi i parullave ishtin me ndikim prandaj edhe ne, pak a shumë ishim pjesë e organizimit dhe e pjesëmarrjes aktive.

Ilmi Muzaqi,militant i LNÇKVSHJ-së, organizator dhe udhëheqës i demonstratës së 2 prillit 1981, në komunën e Vushtrrisë                                                                   

Demonstratat studentore në Prishtinë kishin zgjuar ndjenjat e rinisë dhe të popullit shqiptar në Kosovë, dhe kudo në trojet shqiptare, prandaj duke e parë rrezikun e përhapjes së kësaj fryme në gjithë Kosovën dhe në trojet shqiptare, udhëheqja policore dhe ushtarake serbo sllave kishte organizuar bllokimin e Prishtinës nga viset tjera të Kosovës. Mirëpo, populli ishte shumë i revoltuar. Ai përpiqej të demonstronte kudo: në fshatra e qytete! Prandaj, individët dhe sidomos gupet e organizuara, do ta mirëpritnin gatishmërinë e popullit për demonstrata. Më 1, 2 dhe 3 Prill 1981, demonstratat më të mëdha janë mbajtur në Prishtinë, në Vushtrri dhe në Podujevë.                                                                                                                                                                        

Iniciativën për organizimin e demonstratave në komunën e Vushtrrisë më 2 prill,e ka marrë Ilmi Muzaqi,punëtor në NN “Kosova”. Ilmiu ishte shok dhe mik i yni,bashkëveprimtar në kuadër të LNÇKVSHJ-së.

I vetëdijshëm se ishte e domosdoshme përkrahja e studentëve dhe kërkesave të arsyeshme të tyre, Ilmiu i futet nismës për organizimin e një demonstrate në Vushtrri. Fillimisht bisedon me kolegun më të besueshëm, atdhetarin,Jakup Shyti, i cili,pa hezituar pranon dhe i bëhet krah në organizimin e demonstratës. Ata,në ora dymbëdhjetë nisen nga fsati Bukosh për në punishten e armaturës e cila ndodhej në Vushtrri,për të biseduar me shokët dhe kolegët që punonin atje. Kjo nismë u përkrah nga shumica e punëtorëve dhe u vendos që demonstrata të fillonte në ora 13,30. Ky organizim, është bërë fillimisht në mensën e punëtorëve të ndërmarrjes “Kosova” nga këta punëtorë: Ilmi Muzaqi, Jakup Shyti, Bajram Latifi,Nebih Sejdiu, Bislim Bajrami etj.

Ne kishim informata se në shkollë po mbahej një mbledhje e anëtarëve të kryesisë së Komitetit Krahinor,prandaj vazhduam rrugën deri te shkolla e Mesme “Muharrem Bekteshi”,me qëllim që t’iu drejtoheshim dhe atyre me kërkesat tona. Në oborrin e shkollës doli ish kryetari, tashmë i ndjerë Isak Merovci, i cili më njihte mirë, pasi ishte edhe mik i familjes sonë dhe mu drejtua me këto fjalë: “Ilmi ju lutem, ta ndërprisni demonstratën, sepse jemi në mbledhjen e partisë, me anëtarët e Komitetit Krahinor”.

Ndërsa përgjigjja jonë ishte: “Demonstratat nuk i ndalojmë për hatër të askujt, për këtë arsye kërkesat tona do të jenë edhe më të fuqishme si vërejtje komitetlinjëve se ç` po ndodh me popullin tonë”,shprehet Ilmi Muzaqi.

Derisa zgjati kjo bisedë nxënësit e vitit të katërtë, që mbanin gjuhë dhe letërsi shqipe, rrufeshëm hapin dyertë e mbyllura nga drejtoria e shkollës dhe iu bashkëngjitën demonstratës, bile-bile ata u treguan aq të shkathtë saqë,  në çdo pjesë të qytetit organizonin dhe mblidhnin njerëz në përkrahje të demonstratës që tashmë veç kishte filluar.Pas këtij vrulli, demonstruesit filluan marshimin drejt qendrës së qytetit. Policinë e zuri frika nga masa dhe nga organizimi ynë i fuqishëm. Ata ndërmorën masa të shpejta. Fillimisht u barrikaduan te posta duke hedhur bomba me gaz lotsjellës. Aty ishte një ngushticë që i shkonte në favor policisë,prandaj u detyruam të ndahemi në grupe dhe të shkonim në pjesë të tjera të qytetit.

Pas barrikadës së policisë, demonstruesit e revoltuar bllokuan rrugën Mitrovicë- Prishtinë, e më pas një pjesë e demonstruesve i drejtohet fabrikës së ngjyrës “Ekstra”, fabrikës së llamarinës së zinktuar “Llamkos” e më vonë edhe fabrikës së konfesionit “Polet”të Vushtrrisë.”Kështu që demonstratës iu bashkangjiteshin edhe punëtorët e këtyre ndërmarrjeve.

Duhet theksuar, se në mesin e punëtorëve të fabrikës së konfesionit “Polet” ishte një vajzë trimëreshë, e cila me trimërinë dhe guximin e saj, me oratorinë dhe zërin e zjarrtë, arriti që t’i fuste të gjithë punëtorët e organizatës së saj në demonstratë, pasi që edhe shumica ishin femra,ajo ishte Dinore Curri. Në këtë kohë Vushtrrinë rreth e përqark e mbuloi zëri i arsyes, zëri demonstruesve.

Polici,Enver Skoçnja më tha: “Kujdes! Ti je në shënjestër të policisë. Të jesh i sigurt se do t’iu arrestojnë”. Për fat të keq, në atë kohë nuk ishin vetëm uniformat e policisë dhe ushtrisë pushtuese që peshonin tepër rëndë mbi tokën dhe popullin shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, por edhe disa lugetër shqiptarë të zhytur në ndyrësinë e tradhtisë si p.sh. pedagogu Sylejmon Maxhuni, të cilët edhe i zinin frymën nënqiellit shqiptar. Ky njeri i shëmtuar me helmin e tradhtisë ishte njëri ndër më aktivët për spiunim, njëri ndër bashkëpunëtorët e UDB-ës, të cilin e vura re në gjykatore. Ai kishte ardhur si dëshmitar në procesin e gjykimit për të paraqitur sa më shumë të “dhëna”, në fakt për të shpifur e për t’na dënuar sa ma shumë në atë gjyq jugosllav,shprehet Ilmi Muzaqi.

Demonstrata e 3 Prillit ishte masovike dhe gjithpopullore

Demonstrata e 3 Prillit në Vushtrri është organizuar nga student,nxënës,punëtorë, dhe nga popullata e qytetit.Organizimi i grupeve ka filluar në lagjen e Varrezave të qytetit.Pastaj është marshuar drejt qendrës së qytetit, duke u bashkuar e masovizuar me punëtorët e ndërmarrjeve punuese dhe popullata e komunës së Vushtrrisë.Rol të rëndësishëm në organizimin e demonstratës së 3 prillit kanë luajtur:Bali Dervishi, Dinore Curri, Ruzhdi Hyseni, Ali Januzi, Xhevat Deliu, Afërdita Dervishi, Natyra Haziri, Fatmire Kutllovci, Vlora Pantina, Zeqir Murati, Xhevat Deliu etj.

                Bali Dervishi                                 Dinore Curri                                   Ali Januzi

Gjatë marshimit demonstruesit kishin thyer barrikadën e vënë nga njësitë speciale Jugosllave,dhe në përleshje e sipër ishin lënduar dhjetëra demonstrues dhe policë jugosllav.Demonstuesit pasi arrijnë në qendër të qytetit (te çesmja) marshuan drejt fabrikës së Llamarinës ku iu bashkangjitën dhe punëtorët e kësaj fabrike,pastaj u këthyen nëpër qendër të qytetit,nga qendra e qytetit marshuta e demonstruesëve ka vazhduar në drejtim të fabrikës së konfeksionit “Polet”,ku u bashkangjitën dhe punëtorët e kësaj fabrike.Nga “poleti” masa demonstruese ishte këthyer përsëri në qendër,ku iu kishin bashkëngjitur dhe nxënësit e shkollave të mesme të Vushtrrisë. Për të thyer demonstruesit,armiku kishte aktivizuar edhe helikopterë dhe kishte sjellur forca të mëdha policore speciale nga Beogradi.Duke parë se masa e demonstruesëve sypatrembur nuk po thehej me presione psiko-fizike,atëher policia gjakatare serbo-jugosllave fillon përdorimin e armëve vrasëse me plumba dum-dum,të cilët sipas normave ndërkombëtare janë të palejueshëm që të përdoren.Prandaj me këte rast janë vrarë këta demonstues: Ruzhdi (Abit) Hyseni dhe Salih (Ajet) Zeka, ndërsa Veli Abazi vdiq më vonë si pasojë e dhunës dhe plagëve të marra. Ndërsa, janë plagosur: Ali Jonuzi,Ajtene (Mehmet) Gorani, Sadete (Rushiti) Pllana, Mevlude Ademi, Myrvete Mulaku, Driton Grabanica, Ismet Pllana, Medo Ibroviqi, Shaip Rrustemi etj. Më 2 prill,në demonstratat e Prishtinës janë vrarë Naser Hajrizi dhe Salih Abazi nga komuna e Vushtrrisë. Parullat kryesore të cilat janë brohoritur me zë të lartë gjatë marshimit, kanë qenë: “Kosova Republikë”, “Vetëvendosje”, ”Trepça punon,  Beogradi ndërton”, “Lironi të burgosurit politik”,”Poshtë tradhtarët” etj.

Demonstratat heroike të vitit 1981 dhe kërkesat shumë të drejta, u dënuan nga regjimi serbo-jugosllav dhe u shpallën “kundërrevilucionare”. Kosova u shndërrua në një poligon të madh të ushtrisë dhe të policisë jugosllave, si dhe të shërbimit sekret jugosllav (UDB), formacione këto që ndiqnin dhe likuidonin fizikisht brenda dhe jashtë Kosovës figurat më të dalluara të lëvizjes kombëtare. Pos kësaj, me qëllim të nënshtrimit dhe të disiplinimit të shqiptarëve të Kosovës dhe jashtë saj, autoritetet jugosllave filluan një valë masive të diferencimit në çdo nivel të shoqërisë kosovare. Goditje më të rënda pësuan arsimi, kultura, shkenca dhe çdo gjë që ishte shqiptare dhe që kishte të bënte me shqiptarët. U organizua një fushtatë e paparë politike e mediatike për denigrimin dhe satanizimin e identitetit shqiptar. Demonstruesit etiketoheshin dhe akuzoheshin si iredentistë,nacionalistë,teroristë,racistë etj.Filloi largimi i kuadrave dhe punëtorëve shqiptarë nga puna.Edhe për incidentin më të vogël mes shqiptarëve dhe serbo- malazezëve, politikanët dhe mediat serbe fajsonin dhe dënonin shqiptarët,shpikeshin, trilloheshin dhe inskenoheshin llojlloj incidentesh të paqena gjëja se shqiptarët dhunonin femrat serbe,thenin gurët e varrezave,nxirrnin kufoma nga varret etj etj. E gjitha po bëhej me qëllimin e fundit rrënimin e autonomisë së Kosovës. Filluan arrestimet dhe dënimet masovike të demonstuesëve dhe intelegjencës shqiptare,linçimet,leçitjet e familjeve atdhetare,largimi dhe pamundësimi i regjistrimit të nxënësve dhe studentëve shqiptarë në shkolla dhe fakultete duke detyruar largimin e tyre nga vendlindja për të emigruar në vendet e ndryshme perendimore.Pavarësisht të gjithave rinia shqiptare nuk u thye asnjëher,por gjeti forcë,u organizua dhe arriti të mbante përvjetorët e këtyre demonstratave me kërkesa të njejta për lirimin e shokëve,për liri,barazi,demokraci e për Republikë.

Dënimet e organizatorëve dhe të pjesëmarrësve të demonstratave të vitit 1981 nga komuna e Vushtrrisë

Si në gjithë Kosovën, edhe në komunën e Vushtrrisë,  shërbimi i sigurimit jugosllav UDB, e filloi aksionin për zbulimin dhe dënimin e organizatorëve të këtyre demonstratave. E filloi gjuetinë e pamëshirshme antishqiptare, duke arrestuar dhe dënuar me qindra e me mijëra demonstrues të thjeshtë dhe organizatorë të saj. Vetëm në komunën e Vushtrrisë, ishin arrestuar dhe dënuar rreth 200 persona, kryesisht me dënime kundërvajtëse, ndërsa rreth 600 të tjerë, ishin listuar nga UDB si organizatorë ose si pjesëmarrës në këto demonstrata.  Pavarësisht të gjitha vuajtjeve dhe pasojave të popullit tonë duhet të thuhet e vërteta se pa lëvizjen dhe pa demonstratat e vitit 1981 nuk do t’i kishim as demonstratat e viteve 1982, 1983, 1988, 1989, 1990, dhe sidomos nuk do t’i kishim tri luftërat çlirimtare në fund të shekullit të kaluar,pra nuk do të kishim as Republikën e Pavarur të Kosovës dhe frymëmarrjen më të lirë të shqiptarëve në viset tjera nën Jogosllavi.                                                                                                                       

Nën akuzën penale si organizator të “Kundërrevolucionit…”, siç edhe u identifikuan këto ngjarje të Kosovës nga kreu më i lartë jugosllav, gjatë vitit 1981 në komunën e Vushtrrisë u burgosën dhe u dënuan:                                                                                                                      

Bali I. Dervishi, me 13 vjet burg, Dinore Curri, me 11 vjet burg, Ilmi A Muzaqi, me 10 vjet burg, Gani Maxhuni, me 8 vjet burg, Jakup N. Shyti, me 8 vjet burg, Zenun Gjocaj, me 7 vjet burg, Xhevat Deliu, me 6.6 vjet burg,Bislim H. Bajrami, me 5 vjet burg, Bajram Sh. Latifi, me 5 vjet burg,Nebih A. Sejdiu, me 5 vjet burg,Zeqir F. Murati, me 5 vjet burg,Nazmi Hyseni, me 4 vjet burg,Shemsedin J. Mustafa, me 2 vjet e 4 muaj burg,Tahir Z. Krasniqi, me 20 muaj burg,Shefqet Dushi, me 1,5 vjet burg,Vehbi H. Hyseni, me 105 ditë burg,Azem R. Hajdini, me 3 muaj burg,Selman M. Ferizi, me 2 muaj burg,Remzi M. Haradinaj, me 2 muaj burg,Fazli Jetullahu, me 2 muaj burg,Faik R. Morina, me 2 muaj burg,Brahim Rr. Delia, me 2 muaj burg,Abaz B. Hyseni, me 3 muaj burg,Afërdita B. Dervishi, me 2 muaj burg,Kahriman A. Aliu,2 muaj burg, Kamer Rrukiqi, me 40 ditë burg, Zeqir T.  Morina me 40 ditë burg,Ismet H. Makiqi, me 40 ditë burg,Shefki S. Dibrani, me 14 ditë burg,Lutfi S. Shyti, me 26 ditë burg,Skender U. Uka, 14 ditë burg, Ruzhdi H. Hyseni, me 14 ditë burg etj.                                                                                                              

Nxënës të burgosur si pjesëmarrës në demonstrata: 

Daut N. Rashani (1963) dënohet me 6 vjet burg, Afrim Zekolli, disa ditë burg, Hazir Maxhuni, disa ditë burg, Jeton I. Maxhuni, 2 javë burg, Shefki Xh Maxhuni, disa ditë burg, Ylber I. Zabërgja, disa ditë burg.                                                                                                                                    

Të “izoluar”të dënuar dhe të diferencuar: 

Zenun Gjocaj, 2 muaj burg, dhe largim nga puna, Xhemajl I. Pllana, mbi 2 muaj burg dhe largim nga puna,Kamer Rrukiqi, 2 muaj burg dhe largim nga puna,Behgjet Krasniqi, 2 muaj burg, Ferki Morina,1 muaj burg, Asllan Muharremi,1 muaj burg,Mustafë Shyti,1 muaj burg Ismet Saraqi,21 ditë, Çerkin Ismaili, disa ditë burg dhe suspendim nga puna etj.                           

Pjesëmarrja e vajzave dhe e grave në demonstrata

Vajzat dhe gratë e komunës së Vushtrrisë, janë dëshmuar në përpjekjet e tyre të mëdha për të drejta dhe çlirim kombëtar. Ato krahas burrave, djemve dhe prindërve, u rreshtuan në rrugën e lirisë së kombit tonë të shumëvuajtur. Në demonstratat e vitit 1981, vajzat tona iu kanë prirë demonstratave masive të 2 dhe 3 prillit. Prandaj, janë arrestuar, burgosur dhe dënuar me burgje të rënda, si për shembull Dinore Curri, Natyra Haziri, Afërdita Dervishi (nxënëse), Afërdita Berisha, Fatmire Kutllovci, Vlora Pantina,. Shumë vajza të tjera janë marrë në pyetje, janë hetuar dhe janë maltretuar me ditë të tëra.

Postimet e fundit !