Shqipëria/Aktualitet

LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS PËR LIRI DHE ÇLIRIM KOMBËTAR

Afërdita Dervishi, PhD

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund të përkufizohet në dy rrafshe: luftë për liri dhe luftë për çlirim kombëtar. Padrejtësitë e mëdha historike që i janë bërë kombit shqiptar, duke i përgjysmuar tokat e tij, duke pakësuar popullatën e tij, si dhe duke i hapur shumë fronte lufte, me luftën e UÇK-së, mund të thuhet, një pjesë e këtyre padrejtësive kanë zënë të hiqen edhe nga jeta historike e popullit shqiptar, por edhe nga kujtesa e tij kombëtare. Mirëpo, ka mbetur edhe sot e gjithë ditën ajo plaga e madhe e këtij populli pa u shëruar, ka mbetur pa u përmbushur ideali i të gjithë atyre që janë sakrifikuar për atdhe, në të gjitha periudhat kohore, kur populli shqiptar është dashur të përgjaket për të ruajtur tërësinë, apo pjesë të atdheut.

Vendimet e Fuqive të vendosjes evropiane për të copëtuar tokat e kombit shqiptar, kanë pamundësuar që edhe shqiptarët, si komb të bëhen komb normal, siç janë bërë kombet e tjerë evropian. Nuk është realizuar ky synim, për faktin se nuk mund të quhet komb normal, nëse është i përgjysmuar, siç është kombi shqiptar.

Prandaj, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e çliruar një pjesë të atdheut, e cila thuajse për një shekull ishte e pushtuar, ka hapur procesin e madh historik të bashkimit kombëtar. Do të thotë, kurdo që realizohet ky ideal i luftës për liri, mund të thuhet se është krijuar edhe tërësia e kombit shqiptar. Andaj, për këtë dhe arsye të tjera, Lufta e UÇK-së, është luftë e çlirimit kombëtar. 

Robëria e gjatë, thuajse shumë shekullore, prapambetja e madhe, në të gjitha planet e jetës, kanë mundësuar edhe krijimin e një mendësie, që është manifestuar në të dy anët e atdheut tonë, Shqipërisë.

Kjo mendësi, po vjen duke u shpaluar edhe tashti, kur Kosova është shpallur edhe shtet i pavarur, andaj sa po shihet, edhe Tiranës, edhe Prishtinës, po i mjaftojnë gjysmat që i kanë lënë Konferencat evropiane.

Këtu, nuk është vendi të shtrohet ndikimi i jashtëm në jetën kombëtare të popullit shqiptar, por disa ecuri karakteristike, dëshmojnë se ky përgjysmim i gjeografisë kombëtare, ka ndikuar edhe në përgjysmimin e vetëdijes së shqiptarëve, ose thënë më saktë, përgjysmimin e vetëdijes së politikës shqiptare të ditës.

Ndryshe, nuk mund të shpjegohen faktet, kur sa herë në Kosovë zhvillohej ndonjë ngjarje me rëndësi, në shtetin amë, ndodhnin ngjarje të papritura. Nuk po flasim për periudha të tjera kohore. Mjaftojnë vetëm ngjarjet që janë zhvilluar pas shpalljes së demokracisë në Shqipëri, dhe kur Kosova ishte në luftë të përgjakshme me armikun shekullor të popullit shqiptar, me Serbinë fashiste.

Në vitin kur në Kosovë, bëhej publike Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në Tiranë, rrënohej shteti, shkërmoqej ushtria shqiptare, merrnin drejtësinë në dorë rruga dhe shpërdoruesit e të mirave kombëtare.

Në jetën historike të popullit shqiptar, sa herë kanë ndodhur tragjedi të përmasave kombëtare, kombi shqiptar ka gjetur forcë për ta përballuar tragjedinë, siç ka gjetur forcë për të ju bërë krahë gjetjes së rrugëve për tejkalimin e krizave kombëtare.

Në vitin 1999, kur ushtria serbe po kryente pastrimin etnik të Kosovës, që është forma më e lartë e gjenocidit, i dënueshëm me të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës, shteti amë, Republika e Shqipërisë, me varfërinë e saj, pranon në gjirin e tij vëllezërit që pushtuesi i kishte lënë pa kulm mbi kokë.

Nëse shihen me vëmendje ndërhyrjet e ish-Jugosllavisë në politikën shqiptare, del se ato kanë ndodhur sa herë në Kosovë janë zhvilluar ngjarje me peshë kombëtare, siç ishin demonstratat e viteve 1968 dhe 1981, por edhe ngjarje të tjera, duke e akuzuar shtetin amë për ndërhyrje në punët e brendshme të ish-Jugosllavisë.

Lufta për liri dhe çlirim kombëtar moshën historike e ka sa të vetë shtetit shqiptar. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, më 1912, kishte filluar pushtimi i tokave shqiptare. Vendi sa ishte çliruar nga një pushtim shekullor nën Perandorinë Osmane, po përjetonte një pushtim tjetër, edhe më barbar, sidomos nga fqinjët tanë, të cilët të përkrahur nga Rusia dhe Fuqitë e mëdha evropiane, po përgjaknin të gjitha pjesët e atdheut tonë të ri.

Që në këto vite fillon edhe qëndresa e popullit shqiptar, për të ruajtur tërësinë e atdheut, përkundër faktit se ishte i rrethuar nga të gjitha anët. Kurse Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e kishte konsideruar Shqipërinë e pavarur tokë të pa zot, andaj e copëtonte, sipas kërkesave të fqinjëve tanë, pushtues, që i mbështeste Rusia cariste.

Mërgata shqiptare bënte të pamundurën që të ndihmonte atdheun. Krahas lëvizjeve të kësaj mërgate, kudo ku kishte shqiptar, bëhej qëndresë në të gjitha mënyrat e mundshme.

Shembulli më i mirë i kësaj qëndrese ishte lufta e Vlorës e vitit 1920, kur Italia nxirret në det dhe shporret nga tokat shqiptare.

Pas Luftës së Dytë Botërore, është organizata e Nacional Demokratike Shqiptare, ajo që ia kujtonte popullit se ishin të pushtuar, kurse tokat ishin të copëtuara.

Ata ndiqen, arrestohen, burgosen dhe pushkatohen. Mirëpo, përkundër mizorive të pushtuesve, pa marrë parasysh se si quheshin mbretëror, apo socialist, robëria e shqiptarëve të pushtuar bëhej përherë e më e rëndë.

Në vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë, Adem Demaçi formon organizatën e tij kombëtare, kur kërkonte bashkimin kombëtar. Falë qëndresës së këtillë, vijnë demonstratat e vitit 1968 dhe 1981, secila më e rëndësishme se tjetra për zgjimin e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar në viset e mbetura jashtë atdheut.

Në këto vite e pastaj, një rol të rëndësishëm ka luajtur mërgata shqiptare, kudo që ishte në Evropë dhe në SHBA, jo vetëm, duke bashkuar shqiptarët, por edhe duke ndikuar në administratat e shteteve të caktuara për padrejtësinë historike që i ishte bërë popullit shqiptar.

Kjo lëvizje, që nga Jusuf Gërvalla e të gjithë të tjerët, kishin bërë aq shumë, sa armiku shekullor i shqiptarëve, kishte vendosur t’i likuidonte, ngase ishin bërë të rrezikshëm për pushtetin e dhunës serbe.

Por, lufta nuk kryhej pa armë. Andaj, Lëvizja Popullore e Kosovës, kishte formuar edhe krahun ushtarak të saj.

Njëri nga këta veprimtar, duke qenë i vetëdijshëm se armiku nuk hiqet nga Kosova pa grykën e pushkës, sjellë armë që nga Zvicra e kudo që kishte mundësi t’i gjente. Ahmet Haxhiu dhe shtëpia e tij ishin bërë depo armësh për luftën për liri dhe çlirim kombëtar.

Prandaj, njësitet e para të UÇK-së, armatosen nga armët që kishte sjellë ai, sepse në veprimtarinë e tij kombëtare, e kishte të qartë se liria nuk vjen pa luftë të armatosur. E lufta, nuk bëhet pa armë.    

Lufta e UÇK-së, ka rëndësi historike, jo vetëm për përmasën  lirisë kombëtare, por edhe për përmasën  e çlirimit kombëtar. Roli dhe rëndësia e saj në jetën kombëtare, ka të bëjë, në radhë të parë me çlirimin e një pjese të atdheut, që konsiderohet si pjesa më gjallnore në kuptimin e vlerave jetësore që ka brenda vetes Kosova. Por, rëndësia e saj historike, ka të bëjë me faktin se ka hapur rrugën e mbyllur për më shumë se një shekull, të bashkimit kombëtar.

Lufta e UÇK-së, përkundër politikës së ditës në të dy shtetet shqiptare, ose thënë më thjeshtë, në Tiranë dhe në Prishtinë, përkundër mendësisë së kësaj politike, se u mjaftojnë gjysmat që ju ka lënë Londra e 1913-tës, kjo luftë çlirimtare pra, ka rëndësi historike, ngase tashti, as shqiptarët dhe as Evropa, nuk mund ta mbyllin më rrugën e hapur të bashkimit kombëtar, sepse një komb për të jetuar si kombet moderne, duhet të jetë i bashkuar.

Prishtinë, Nëntor 2020