Komenti

Idajet Beqiri: Ardit Bido i paguar nga taksat tona për të mbjellë farën e neofashizmit

Ardit Bido, drejtori aksidental i Arkivit Qëndror të Shtetit, paguhet nga taksat tona për të mbjellë farën e neofashizmit…

5 Maji është një ditë e shenjtë për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Kjo ditë e shënuar, e pranuar dhe e ligjëruar tashmë prej afro 80 vjet, simbolizon më të veçantën për një komb, për një vend dhe për një popull, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut. Në 30 vjetët post sistemit socialist, nuk ka mbetur asnjë vlerë kombëtare pa u baltosur dhe pa u përdhosur prej revanshistëve antishqiptarë. Goditjet më të rënda i janë bërë LANÇ-it. Fryma e vjetër kolaboracioniste, por edhe më egërsisht neokolaboracionistët e rinj të tipit Ardit Bido, bijtë e etërve të stampuar me vulën e turpit, si bashkëpunëtorë të nazifashizmit, për të justifikuar renditjen e tyre në krahun e turpit dhe të krimit kundër atdheut dhe popullit, nuk kanë lënë shpifje, fyerje, intriga dhe poshtërsi pa bërë për të fshirë dhe për të zvogëluar kryevlerën e shqiptarëve si antifashist, renditjen e Shqipërisë në anën më pozitive të historisë, në krahun e fituesëve të Luftës së Dytë Botërore. Kanë dashur të zvogëlojnë madhështinë e LANÇ, kanë hedhur helm duke e konsideruar LANÇ si “luftë civile”, kanë bërë “matematikën e dreqit” për të zvogëluar numrin e heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, kanë “lënë lesht” për të na lënë pa datë të çlirimit të Atdheut nga nazifashistët në Luftën e Dytë Botërore etj., etj.. Por, për hirë të së vërtetës, 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut, nuk e kanë anatemuar, nuk e kanë kontestuar, nuk kanë vjellë vrerë kundër kësaj dite simbol për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Si “rrufe në qiell të pastër”, në 5 Majin e këtij viti, del një çunak me emrin Ardit Bido, i cili për ironin e fatit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve është emëruar nga Kryeministri Edi Rama si drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit, dhe hedh disa “shashka” neokolaboracioniste dhe neofashiste për 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut dhe për simbolin e kësaj dite, Qemal Stafën. Përmes një fjalori shumë të varfër, përmes “argumentesh” absurde, pa nivelin minimal kulturor, e për fatin e keq, pa njohuritë minimale nga historia e LANÇ dhe e udhëheqësve të saj, hodhi baltë të pistë, me mendësinë e “pararendësit” të çbërjes së 5 Majit dhe të simbolit të saj. Sipas këtij çunaku të marrosur, në veprimtarinë e simbolit të dëshmorëve të atdheut Qemal Stafa, nuk ka asnjë meritë dhe vlerë që të përligj 5 Majin! Madje, me mendjen e tij jo vetëm foshnjarake, por edhe fare pa nivel trunor, arriti të bëjë paralelizma banale dhe qesharake të tipit: “Akti i Vasil Laçit ishte ku e ku me vrasjen e Qemal Stafës”! Në kohën që jetojmë, çfarë nuk po shikojmë dhe çfarë nuk po përjetojmë! Tipa si ky myteberi i papërgjegjshëm Ardit Bido, për t’u bërë “të besueshëm” si “antikomunistë”, te “shkolla e Mark Markut”, të persektuarit të çdo regjimi, ku ky Bidua e ka kokën dhe trurin, bëhen “më katolikë se Papa”!

Në gjuhën e lig të Ardit Bidos për poshtrimin që i bëri 5 Majit dhe posaçërisht simbolit të saj, mëshirohej jo vetëm frika nga neokolaboracionistët e sotëm, jo vetëm ndikimi poshtërues i “shkollës së Mark Markut”, me të cilin ky Bidua ushqehet në një çanak, por edhe injoranca e tejskajshme për simbolin e 5 Majit, Qemal Stafën, jeta dhe vepra e të cilit ka qenë, është dhe do të mbetet frymëzim dhe motiv për vepra të mëdha në interesin e Shqipërisë posaçërisht të rinisë shqiptare.

Qemal Stafa ishte dhe ka mbetur një “Çegevara” i Shqipërisë. Antifashizmi i tij brilant qysh në moshën 14 vjeçare, përballimi filozofik dhe tepër i guximshëm prej tij i gjyqit fashist të vitit 1939, kur ende nuk i kishte mbushur 18 vjetët dhe ku mori mbi shpinë 6 vite burg, organizimi dhe puna e tij kolosale dhe largpamëse për të krijuar në çdo anë e kënd të Shqipërisë organizatën e rinisë antifashiste, në krye të të cilës ishte ai, frymëzuan afro 60 mijë të rinjë e të reja të moshës deri në 26 vjeç, ose 90 përqind të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, të cilët çliruan Shqipërinë nga nazifashistët. Antifashizmi i Qemal Stafës dhe mendja e tij e ndritur në ngritjen dhe në mbrojtjen e një bote të re, pa fashizëm dhe fashistë, spikati dukshëm në Firence të Italisë, ku ai studionte. Profesor të shquar italianë në Venedik e vlerësonin dhe e dëgjonin me ëndje këtë intelektual antifashist mendjedritur të Shqipërisë.

Çeta Partizane e Myslym Pezës ishte e para çetë antifashiste në Europë, e cila nisi luftën Antifashiste. Komisari i parë politik i kësaj çete ishte pikërisht Qemal Stafa. A i di këto gjëra ky drejtori famëkeq i Arkivit Qëndror të Shtetit Shqiptar?! A e di ky dritëshkurtër se pas vrasjes së Qemal Stafës në 5 maj 1942 antifashizmi shqiptar u ngjit në majat më të larta të tij dhe heroizmi i rinisë antifashiste shqiptare shpërtheu me akte të paimagjinueshme heroike, deri në vetflijime dhe martirizim të tyre? Kryeministri Rama e ka emruar në këtë detyrë të lartë këtë çunak thjeshtë dhe vetëm se donte pjesën “e tepsisë” Idrizi i PDIU, ku aderonte ky farë Ardit Bido! Merita e vetme e tij është të qenurit anëtar i Partisë së Idrizit!Të shohësh në krye të institucionit më të rëndësishëm të shtetit shqiptar, siç është Arkivi Qendror i Shtetit, në vitin 2021, Ardit Bidon, në një kohë që ai institucion është drejtuar nga Zef Mala, Gaqo Peristeri, Veli Dedi, Dhimitër Kotini, Thoma Murzaka, Gazmend Shpuza, Zamir Shtylla, Shaban Sinani, Spiro Rusho, etj.m etj., është përdhosja më e rëndë haxhiqamilëse që i bëhet Arkivit Qëndror të Shtetit Shqiptar. Turp dhe faqezezë për ne, taksapaguesit shqiptarë, në gjak dhe veprimtari qytetëruese antifashiste, të paguajmë dhe mbajmë si drejtor të Arkivit Qëndror të Shtetit një spurdhjak neofashist që na prek rëndë në gjënë më të shenjtë që kemi, te Dëshmorët dhe heronjtë, te gjaku i tyre i derdhur për Atdhe!