Enver Hoxha për ngjarjet në Kosovë në periudhën prill-maj të vitit 1981 (Ditari politik)
E PREMTE 8 MAJ 1981
SI T’I ÇMONTOJMË E SI T’I SHPARTALLOJMË AKUZAT ANTISHQIPTARE TË TITISTËVE LIDHUR ME NGJARJET NË KOSOVË
I thashë sot Ramizit të jepte porosi që të mos më dërgohen më përkthimet e kopyraiteve të gazetave të huaja. Këtë kërkesë e bëra, se më është e pamundur të filloj të lexoj unë ç’kanë shkruar, që nga prilli, të gjitha gazetat e botës për ngjarjet në Kosovë etj. Por materiale të tilla, mendoj, është e nevojshme të mbahen në gatishmëri, në arkivat tanë, për t’i përdorur kur të na duhen. Pastaj Ramizit i thashë që të punojmë për përgatitjen e shpejtë të një artikullit mbi ngjarjet e zhvilluara në Kosovë gjatë muajve mars-prill 1981. Ç’kërkova? Të më grumbullojnë e të më dërgojnë të gjitha materialet e mbledhjes së Lidhjes së Komunistëve në Kosovë, të Komitetit Qendror të Lidhjes së Serbisë dhe të mbledhjes së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë që bënë mbrëmë. Këtu nuk kam parasysh fjalimet e plota që janë mbajtur në këto mbledhje, por të më dërgohen vetëm ato pjesë ku ngrihen çështje që na atakojnë ne. Pra, nuk më duhen as ato çështje me të cilat revizionistët jugosllavë të të gjitha niveleve shpjegojnë demonstratat, fajet e udhëheqësve. kryesorë etj., se tani ato nuk na shërbejnë për gjë. Prandaj mendoj se kjo punë mund të bëhet shpejt. Në këto materiale duhet të na nxirret konkretisht që filani tha kështu, ai tjetri deklaroi kështu etj.
Kjo është ana teknike e punës që duhet kryer, anë teknike, por e nevojshme që të mund të kemi të qarta akuzat që bëjnë jugosllavët kundër nesh. Ne, sigurisht, do të presim edhe ç’do të japë Tanjugu, por në qoftë se nuk gabohem, se nuk e di serbishten, dëgjova diçka që ka thënë Milosh Miniçi, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të JugosIlavisë dhe që përbën një provokacion të rrezikshëm në adresë të vendit tonë. Në diskutimin që bëri në mbledhjen e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, përveç të tjerave, Milosh Miniçi foli edhe për rolin e Shqipërisë në ngjarjet e Kosovës. Ai pak a shumë tha kështu: “Udhëheqja shqiptare, nëpërmjet veprimtarisë së organeve të saj të informacionit dhe të diplomacisë, duke përfshirë ambasadën e saj në Beograd, zbuloi vetë angazhimin dhe ndërlikimin e saj të plotë në ngjarjet që u zhvilluan në Kosovë”. Nga këto pohime të zotit Miniç mund të dalim në disa konkluzione: Thëniet e tij janë pa baza, janë gënjeshtra, të sajuara dhe kanë për qëllim të arsyetojnë kauzën e tyre të humbur. Por, përveç kësaj, duket qartë se nervat e këtij ish-ambasadori janë dobësuar aq shumë, sa nuk e kontrollon dot më veten. Kjo mungesë gjakftohtësie, përveç të tjerave, tregon se zoti Miniç ka vënë nën vëzhgim të shërbimit të sigurimit jugosllav të gjitha organet e informacionit dhe të diplomacisë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, kudo që janë në botë, në mënyrë të veçantë ambasadën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Beograd.
Mendoj se këto pohime nuk janë të qeverisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pse atëherë çështja do të ishte serioze, por janë mendimet e një personi të ashtuquajtur politikan. Por ky ish-diplomat duhet të dijë se, kur një person. një grup personash ose një ambasadë e tërë e një vendi tjetër vepron në mënyrë subversive dhe në kundërshtim me rregullat e njohura në vendin ku është akredituar, qeveria e këtij vendi kërkon largimin e këtij apo të atyre personave ose mbylljen e krejt përfaqësisë. Një gjë e tillë ndaj ambasadës sonë as është kërkuar, as është bërë nga qeveria jugosllave, pse nuk ka pasur arsye. Po kështu edhe nga Qeveria Shqiptare nuk është kërkuar dhe as që është bërë një gjë e tillë, qoftë edhe ndaj një funksionari të ambasadës jugosllave në Tiranë, pse nuk ka pasur arsye. Prandaj, të afirmosh gjëra të tilla, sikurse bëri Milosh Miniçi, do të thotë të provokosh, ose të paktën të kërkosh të dobësohen marrëdhëniet diplomatike dhe shtetërore në mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ne i themi zotit Miniç se Qeveria Shqiptare i ka nervat e fortë dhe nuk do të bjerë në këtë provokacion, por do të vazhdojë si kurdoherë të zhvillojë dhe të ruajë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, marrëdhënie diplomatike, marrëdhënie tregtare dhe marrëdhënie kulturore me Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë mbi bazën e parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit dhe pa konfonduar asnjëherë çështjen se këto marrëdhënie i pengojnë kundërshtimet ideologjike që ekzistojnë në mes dy partive tona.
Këtë qëndrim Partia e Punës e Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e kanë afirmuar në çdo kohë dhe qartë. Ato e afirmojnë atë edhe tani dhe deklarojnë se do të luftojnë që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, marrëdhëniet tregtare dhe ato kulturore të ecin në këtë rrugë, në interesin e të dy vendeve dhe të popujve tanë. Deklarata e bërë nga ana e zotit Miniç përbën një problem për ne, prandaj duhet diskutuar qëndrimi që duhet mbajtur. Gjatë bisedës Ramizi më tha se kjo deklaratë e Miniçit dhe deklaratat e bëra nga udhëheqës të tjerë jugosllavë kërkojnë reagim nga ana jonë. Drejt e tha ai, por unë nuk jam i mendimit të bëjmë as protestë publike zyrtare nga ana e Qeverisë sonë, as ndonjë deklaratë nga ana e ATSH-së. Kjo e dyta mund të ishte një variant për të shprehur publikisht pikëpamjen tonë. Megjithatë si mbrëmë, ashtu edhe sot, unë e kam menduar një çikë më thellë këtë çështje. Së pari, qëndrimi i mbajtur nga ana e udhëheqësve titistë të çdo niveli, nuk mund të mbetet pa një përgjigje nga ana jonë. Por, para se ta bëjmë këtë, përpara se të përgjigjemi, ne duhet të analizojmë përse veprojnë kështu udhëheqësit jugosllavë. Këtë veprim të tyre, që shoqërohet me gjithfarë akuzash kundër vendit tonë, unë e konsideroj një provokacion, të cilin ata e bëjnë që ne të biem në të dhe jo vetëm të largojmë ambasadorin tonë nga Jugosllavia, duke bërë këtë t’u japim atyre të drejtë për të gjitha ato që kanë deklaruar kundër nesh, por të shkojmë edhe më tej, të tërheqim ambasadën tonë nga Beogradi, sepse edhe Miniçi nuk tha ambasadori shqiptar, po ambasada shqiptare. Ky është një provokacion i madh, veç ata duan që pasojën që sjell ai, të mos e bëjnë vetë, por nxitin ta bëjmë ne. Kjo që bëjnë ata është e dënueshme. Bile ne e kemi dënuar, prandaj në këtë provokacion të tyre nuk biem.
Pra, pas asaj që kjo çështje nuk duhet lënë pa përgjigje, është edhe e dyta që ne s’duhet të biem në provokacionin e tyre, përkundrazi, të punojmë që këtë ngjarje ta kthejmë kundër tyre. Sigurisht në planin ndërkombëtar titistët jugosllavë kanë dështuar, ata janë demaskuar keq, se kudo në botë flitet që asnjë nga akuzat e tyre kundër Shqipërisë nuk. qëndron. Qëllimi i tyre, gjithashtu, është që, sa të jetë e mundur, të presin të gjitha marrëdhëniet me vendin tonë, ose të paktën t’i zvogëlojnë shumë këto marrëdhënie dhe atëherë do të përpiqen të gjejnë –“arsyet” dhe “argumentet” për të thënë që shqiptarët i prenë marrëdhëniet shtetërore, gjë që do të thotë se nuk ka më lidhje në mes dy vendeve. Kjo pastaj do shërbejë për të thënë se në qoftë se ata, domethënë ne shqiptarët, do të ndërhyjnë edhe në të ardhmen në çështjet tona të brendshme, domethënë të Jugosllavisë, kjo do të thotë se te ne (në Jugosllavi) kanë agjenturën e tyre, pra, se ndërhyjnë nëpërmjet kanaleve të tjera, prandaj janë në dijeni se çfarë bëhet në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Kjo është e papranueshme nga ana jonë. Tani si duhet bërë kjo punë, sepse këtë deklaratë e bëri një person si Milosh Miniçi, i cili nuk ka funksione qeveritare në Jugosllavi dhe marrëdhëniet në mes shteteve tona janë në kompetencat e Presidencës së Federatës së tyre dhe të qeverisë jugosllave. Në qoftë se Presidenca e Jugosllavisë dhe qeveria jugosllave, do të themi në artikull, pranon akuzën e një personi, cilido qoftë dhe me çfarëdo pozite që të jetë, atëherë edhe Qeveria Shqiptare dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë do të vendosin në bazë të akuzës dhe të kërkesave që bëhen.
Me fjalë të tjera, udhëheqësve jugosllavë u themi bëjeni po të doni, po akuzën tuaj ne e hedhim poshtë. Natyrisht, të gjitha ato që do të themi e që do të shkruajmë, do t’i formulojmë me terma diplomatikë, siç i kemi bërë edhe herë të tjera, që opinioni të na japë të drejtë. Pra: me arsye të plota ne e hedhim poshtë akuzën e Miniçit, se është shpifje dhe se asnjëherë ambasadat tona, në asnjë vend, nuk merren me veprimtari të tilla etj., etj. E këtillë mendoj unë të jetë përgjigjja jonë. Që të bëhet një protestë nga ana e Qeverisë, nuk është e kohës, sepse në këtë drejtim as nga qeveria jugosllave, as nga Presidenca e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë nuk është bërë akoma gjë. As Llazar Kolishevski nuk ka thënë një gjë të tillë kur ka folur, po titistët e bëjnë me shejtanllëk këtë provokacion. Pra, nga ana qeveritare – ne nuk mund të bëjmë protestë. Mendova një herë që ministri ynë i Punëve të Jashtme të thërriste ambasadorin jugosllav dhe t’i thoshte që ‘Milosh Miniçi, me këtë apo atë funksion, ka deklaruar një gjë të tillë. Ne duam të dimë: Eshtë ky edhe mendimi i qeverisë suaj apo jo’? Por edhe këtë’hap unë mendoj ta mënjanojmë, për arsye se ka mundësi dhe probabiliteti është që jugosllavët ta pranojnë këtë se me këtë marrim përsipër thënien që ambasada jonë në Beograd bën spiunazh. Atëherë ne duhet ta heqim ambasadën tonë nga Beogradi dhe të gjendemi në një situatë të pa dëshirueshme, pra të biem kështu në provokacionin e tyre, pavarësisht se ua lëmë atyre fajin. Mirëpo ne nuk kemi interes për një gjë të tillë. Atëherë ç’na mbetet të bëjmë? Mua më duket se në këto rrethana na mbetet të përgatitim një artikull.
Tani, c’përmbajtje duhet të ketë ky artikull? Ky artikull, kurdoherë me gjakftohtësi nga ana jonë, duhet të ketë përmbajtjen që thamë më lart dhe, pasi të mbarojnë të e gjitha këto, të sqarojmë edhe se si qëndron çështja e kërkesës së kosovarëve për “Republikë të Kosovës”. Ne do të theksojmë se me këtë artikull nuk kemi ndër mend të rikthehemi në ngjarjet e Kosovës, kush i shkaktoi ato, ku e kanë burimin dhe si duheshin zgjidhur. Këto çështje i kemi trajtuar në dy artikujt tanë të mëparshëm të “Zërit të popullit”, të datave 8 dhe 23 prill të këtij viti, prandaj nuk e shohim të nevojshme të zgjatemi, por me këtë rast dëshirojmë të vëmë në dukje histerinë e paparë kurrë të të gjitha organeve dhe organizatave të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë jo vetëm kundër shqiptarëve të Kosovës, por veçanërisht kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë së Punës të Shqipërisë, kundër politikës së tyre ndaj Jugosllavisë dhe politikës së tyre ndërkombëtare në përgjithësi. Dhe të përcaktojmë këtu akuzat që na bëjnë. Cilat janë akuzat që bëhen nga ana e tyre në drejtim të Shqipërisë dhe që ne i kemi nxjerrë? Prej tyre, pa u zgjatur në hollësi, ne duhet të nxjerrim esencën, të polemizojmë me argumente të qarta, të kuptueshme dhe të bazuara. Në mes të gjitha të tjerave duhet të vëmë në dukje edhe diçka që tha njëri prej tyre, që nuk e kuptova se ç’ishte, po e përsëritën më pas edhe shumë të tjerë një ide, sipas së cilës Jugosllavia mbron Shqipërinë.
Ne duhet t’u përgjigjemi se deri në njëfarë shkalle është e drejtë kjo ide, pse interesat për mbrojtjen e republikave tona janë të përafërta në drejtimin që, në qoftë se Jugosllavia sulmohet nga superfuqitë agresive, cilado qoftë kjo, dhe në qoftë se ajo e kundërshton agresionin, Shqipëria, sikurse e ka deklaruar botërisht, do të jetë krah për krah me Jugosllavinë. Dhe këtu puqen interesat e mbrojtjes së njëra-tjetrës. Në qoftë se nga ana e tyre vihet çështja që Jugosllavia mbron Shqipërinë, ne të themi të kundërtën, se është Shqipëria ajo që mbron Jugosllavinë dhe ta shpjegojmë këtë. Në rast se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë do të bënte një politikë të brendshme dhe të jashtme si ajo e Jugosllavisë, të vihet në dukje në artikull, kjo do të ishte një rrezik i madh për vetë Shqipërinë, për Jugosllavinë, për Ballkanin dhe për të gjithë Evropën. Pastaj i kuptojnë vetë ata të gjitha këto gjëra e bashkë me ta i kupton gjithë bota. Prandaj, të shtohet në artikull, Shqipëria për njerëzit politikanë të zgjuar bën një politikë shumë të drejtë, konsekuente e të palëkundshme, politikë që bëhet një faktor i tillë paqeje. Kjo politikë është në vazhdën e historisë shekullore të Shqipërisë për të gjithë ata që e duan dhe që e njohin historinë e vendit tonë, pa qenë nevoja të përmendet shprehimisht që Skënderbeu ka mbrojtur edhe Evropën. (Këtë të mos e themi ne, por idenë ta shprehim me mënyrën që thashë.)
Ne, të theksojmë në artikull, e kritikojmë dhe do të vazhdojmë ta kritikojmë politikën e brendshme dhe të jashtme të Jugosllavisë Federative, pse ajo është e mbarsur me rreziqe për atë vetë dhe për të gjitha vendet që u përmendën dhe ky qëndrim nuk mund të konsiderohet sikur Shqipëria kërkon të minojë Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Përkundrazi, e bën se kërkon ta mbrojë këtë Federatë, pse me këtë politikë të vetën Shqipëria mbron popullin shqiptar, mbron njëkohësisht popujt e Jugosllavisë, vendet e Ballkanit dhe Evropën. Ata që nuk e kuptojnë këtë politikë të drejtë, mund t’u vënë shqiptarëve çfarëdo epiteti denigrues, si “megalomanë” etj., etj., por realiteti kështu është. Në artikull të vëmë në dukje se Shqipëria socialiste nuk lëviz dhe nuk ka për të lëvizur kurrë nga rruga që ka vendosur të ndjekë. Që të lëvizë ajo nga kjo rrugë, duhet të kalohet mbi trupat e shqiptarëve nga forcat e agresorëve, por edhe atëherë agresorët prapë do të humbasin. Çështjen e Miniçit ne duhet ta shpjegojmë siç thamë: Njëfarë Milosh Miniçi, pavarësisht se çfarë funksioni ka, ruan të drejtën e vet të flasë edhe përçart në Komitetin Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, por Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk bie në provokacionin e tij, pse lidhjet e saj shtetërore dhe miqësore me popujt vëllezër të Jugosllavisë nuk i ka farkëtuar ai. Ato i kanë farkëtuar popujt e të dy vendeve tona, duke luftuar e duke derdhur gjak krah për krah njëri-tjetrit.
Me atë që bëri Milosh Miniçi kërkon që ne të presim marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë për të na bërë fajtorë ne për ato që kanë ngjarë, por ne nuk shkelim në atë dhogë të kalbur. Në qoftë se qeveria jugosllave dhe Presidenca e republikës e kërkojnë një gjë të tillë, atëherë problemi vihet ndryshe. Ne e kemi thënë, dhe me këtë rast mendojmë se është me vend të përsëritet edhe një herë, se ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie diplomatike, marrëdhënie tregtare e marrëdhënie kulturore me Federatën, veçanërisht me Kosovën dhe këtë, veçanërisht me Kosovën, e themi hapur. Në këtë pjesë të artikullit mund të vëmë në dukje që marrëdhëniet tona kulturore si Federatës Jugosllave, ashtu edhe Krahinës Autonome të Kosovës, nuk ua ka imponuar Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ato janë vendosur me -marrëveshje të përbashkëta në mes palëve, prandaj është absurde të thuhet e kundërta. Si profesorët tanë, ashtu edhe çdo manifestim yni kombëtar, nuk e ka prekur në asnjë rast politikën e brendshme të Jugosllavisë, nuk ka ndërhyrje nga ana jonë në punët e brendshme të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Njerëzit tanë që kanë shkuar dhe shkojnë atje në asnjë rast nuk kanë shprehur qëndrimet ideologjike të hapëta të Partisë së Punës të Shqipërisë që ajo i ka dhe do të vazhdojë t’i ketë kurdoherë kundër ideologjisë antimarksiste që udhëheq Jugosllavinë.
Përkundrazi, programet e këtyre manifestimeve janë zhvilluar normalisht. Shfaqjet kulturore janë bërë me akord të përbashkët dhe askush nuk ka në dorë ndonjë dokument që të vërtetojë të kundërtën e këtyre realiteteve. Mund të ketë edhe ndonjë gjë tjetër që ne mund ta gjykojmë të nevojshme t’u përgjigjemi revizionistëve jugosllavë me këtë artikull. Tani të vijmë tek ajo se si qëndron çështja e republikës së Kosovës. Në fjalimin e tij, të themi në artikull, zoti Miniç thotë: “Politika e Shqipërisë ka dalë hapur në mbrojtje të kërkesës për një republikë të parashtruar gjatë trazirave në krahinën e Kosovës dhe se, duke vepruar kështu, ajo ka kryer një akt brutal të ndërhyrjes në punët e brendshme të Jugosllavisë”. Po edhe në këtë çështje zoti Miniç bën një shtrembërim flagrant dhe shumë të rrezikshëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Në artikujt e mëparshëm ne kemi thënë dhe përsëri po e themi që çështja e republikës së Kosovës është një çështje e popujve të Jugosllavisë dhe e vetë popullit të Kosovës dhe se ne asnjëherë nuk kemi dalë hapur në mbrojtje të kërkesave për një republikë të parashtruar gjatë trazirave që u vërtetuan në muajt mars-prill në Kosovë. Në artikullin tonë kemi theksuar se statusin e republikës së federuar të Kosovës nuk e kemi kërkuar ne, atë e ka kërkuar vetë populli i Kosovës. Ne vetëm kemi afirmuar se është një e drejtë e popullit shqiptar, që jeton në trojet e veta në Jugosllavi të kërkojë atë që ai mendon se është e drejta e tij brenda ligjeve të Federatës dhe kemi shtuar se për mendimin tonë kjo nuk përbën aspak një krim.
Për ta vërtetuar atë që është shkruar në gazetën “Zëri i popullit”, e zezë mbi të bardhë, këtë herë jemi të detyruar të përdorim dokumente zyrtare të udhëheqësve kryesorë të Jugosllavisë së Titos, si të Moshe Pijades e të tjerëve që në kohën e luftës e deri vonë. Këtu në parantezë të shënohen citatet dhe të bëhet komenti i tyre, duke filluar nga çështjet parimore të zgjidhjes së problemit të kombësive nga ana e Titos, citate të Titos nga mbledhjet e AVNOJ-t pastaj të përdoret citati i Moshe Pijades mbi republikën e Kosovës dhe të Metohisë. Si rezultat i këtyre citateve që ne do të rreshtojmë, do të nxjerrim konkluzionet e mëposhtme, sipas të cilave populli i Kosovës, që ka marrë pjesë në luftën kundër gjermanëve me 50 mijë nga bijtë e vet dhe sipas fjalëve të Titos, që cituam më lart, ai ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë të drejtën e tij. Pra nuk mund të mohohet e të mos zbatohet një e drejtë e tillë, që udhëheqësit dhe forumet e larta të partisë dhe ato shtetërore jugosllave e kanë njohur në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare. Pse të akuzohet atëherë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe Partia e Punës e Shqipërisë që ndërhyjnë në punët e brendshme të Jugosllavisë, kur ato në fakt nuk kanë ndërhyrë, kur vetë Moshe Pijade, shoku më i ngushtë, bashkëluftëtari i Josip Broz Titos dhe anëtar i shquar i byrosë politike të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë ka dhënë mendimin e tij me citatin që përmendëm më lart?
Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet në Kosovë, maj 1981
Mos vallë Moshe Pijade ka dashur t’i japë një grusht Federatës Jugosllave apo të minojë Jugosllavinë? Ca më pak nuk ka se si të jetë kështu, siç pretendon zoti Miniç, kur akuzohen pa të drejtë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe Partia e Punës e Shqipërisë që nuk e kanë bërë këtë kërkesë, nuk ia kanë dhënë këtë grusht serioz Federatës Jugosllave dhe nuk kanë kryer asnjë akt brutal të ndërhyrjes në punët e brendshme të Jugosllavisë. Këto dokumente që gjenden në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, janë të drejta dhe nuk mund të fshihen. Por a janë zbatuar? Jo, ato nuk janë zbatuar plotësisht. Pas kësaj, në parantezë, duhet të vëmë citatet se si që gjatë luftës populli i Kosovës dhe i Metohisë, i cili përfaqësohej nga Fronti Nacionalçlirimtar Shqiptar i Kosovës e Metohisë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Jugosllavisë të Krahinës së Kosovës e Metohisë, bëri mbledhjen e tij të parë në Bujan, ku mori një vendim (dhe këtu ky të citohet), i cili, duke u konsideruar si një vendim i përfaqësuesve të popullit të Kosovës në luftën kundër okupatorëve më 1944, u paraqit në Beograd, po pikërisht atje ai u hodh poshtë. Pastaj të vihet letra e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dërguar Komitetit Qarkor të Kosovë-Metohisë, ku i shpjegon se vendimi që kishte marrë mbledhja e Bujanit nuk ishte plotësisht i drejtë dhe të jepen arsyet që thuhen pse nuk është i drejtë (arsyet që shkruhen në letër).
Të vihen më tej citatet e Miladin Popoviçit dhe të thuhet se në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë ndodhen dorëshkrimet e tij dhe një nga këto dokumente ndodhet edhe në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Pas çlirimit ose në prag të çlirimit, Miladin Popoviçi u vra në Prishtinë nga një agjent i UDB-së ose i OZNA-s, sikurse quhej në atë kohë. Pas kësaj ngjarjeje shkoi në Kosovë ushtria, shqiptarëve atje i’u mblodhën armët dhe me ta u mbushën kampet e përqendrimit. Më poshtë të vihet citati i Dushan Mugoshës, i cili shkoi në Beograd dhe “në emër të popullit të Kosovës» kërkoi që krahina e Kosovës t’i aneksohej Serbisë. Ky është dokumenti i parë ku Dushani thotë, në fakt, se nuk e ka marrë pëlqimin e popullit të Kosovës për arsye të shtetrrethimit ushtarak, por do ta marrë më vonë. Pra ai nuk çoi atje zërin e popullit të Kosovës, por zërin e një shovinisti serb. Më vonë, pas tre muajve vjen dokumenti tjetër që paraqiti Dushani në mbledhje, ku pretendon se e kishte marrë pëlqimin e popullit të Kosovës, që ky të bashkohej me Serbinë, duke mbetur një provincë e saj. Këtu të vëmë në dukje organizimin e gënjeshtrës rreth të ashtuquajturit vullnet të popullit të Kosovës dhe të “vetëvendosjes”. Në bazë të të gjitha këtyre ngjarjeve duhen shpjeguar demonstratat paqësore të Kosovës, të cilat u kthyen më pas në demonstrata politike. Të gjitha këto ngjarje, që janë të dokumentuara, zotërinjtë e Beogradit i fshehin, prandaj të mos përpiqen aspak të thonë që shkaktarët ose organizatorët e tyre janë “reaksionarë”, “irredentistë”, “nacionalistë”, “shovinistë”. Por të gjithë këta që vumë në dukje më sipër çfarë janë?
Dhe përse nuk u bë kjo analizë në Komitetin Qendror të Lidhjes? Ç’hyjnë këtu akuzat kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë së Punës të Shqipërisë që s’ka ngritur kurrë çështje territoriale. Pasi të themi të gjitha këto, të dalim me konkluzionin: Ne mendojmë se udhëheqja jugosllave ka humbur gjakftohtësinë, gjë që s’është aspak as në interesin e vetë Jugosllavisë, as në interesin e marrëdhënieve të saj me Shqipërinë, as në të mirën e sigurimit ballkanik dhe të Evropës, për të cilin udhëheqja jugosllave, që është një nga protagonistet “më të shquara” të lëvizjes së Helsinkit, bën shumë zhurmë. Me këtë rast ne mund të shprehim edhe një herë idenë që Shqipëria socialiste ka deklaruar dhe është e vendosur që, në rast se sulmohet Jugosllavia nga një fuqi imperialiste agresive, ajo do të gjendet krah për krah me të. Të theksohet se udhëheqja jugosllave duhet të kuptojë se shqiptarët, qofshin këta të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, qofshin këta të Krahinës Autonome të Kosovës ose të Republikës së Kosovës, si edhe ata të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, do të jenë medoemos krah për krah me popujt e Jugosllavisë për të mbrojtur kufijtë e Federatës. Të themi se shqiptarët e Jugosllavisë nuk mund të jenë as kundër popujve të Jugosllavisë, ca më tepër kundër vëllezërve të tyre shqiptarë, me të cilët do të luftojnë në një llogore.
Këtë gjë nuk dëshiron ta kuptojë udhëheqja jugosllave, po logjika e kësaj politike të drejtë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë është kjo dhe s’mund të jetë tjetër. Udhëheqësit jugosllavë, të cilëve nuk u pëlqen kjo situatë dhe kanë qëllime të tjera nga ana e tyre, mund të mendojnë të kundërtën. Po ata bëjnë gabim, prandaj do t’i dënojnë popujt jugosllavë. I vështruar ky problem në këtë prizëm ne themi se shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë përbëjnë një faktor stabilizues në çfarëdo statusi shtetëror që mund të jenë në Jugosllavi. Udhëheqja jugosllave, duhet thënë në artikull, do të jetë mirë të bëjë çmos që popullin shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera në Jugosllavi, për të mirën e vendit, ta bëjë mik në rrugë të drejtë dhe jo armik. Edhe ne, vëllezërit e tyre në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, luftojmë që të jemi miq me popujt vëllezër të JugosIlavisë, prandaj u themi edhe atyre që të jenë miq me këta. Të përdoret pastaj edhe ajo që ka thënë Titoja, kur i ngrita çështjen e Kosovës dhe të viseve të tjera të banuara nga shqiptarë në Jugosllavi, se “tani nuk është koha për të ngritur kufijtë shtetërorë” dhe më pas vazhdoi të thoshte se “ato janë territore që i përkasin Shqipërisë”, ndërsa më vonë u ka thënë kosovarëve se, ke qëndruar në Jugosllavi, ata do të jenë njësoj sikur të ishin në Shqipëri. Me këtë Titoja nuk mohon çështjen që Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi të banuara nga shqiptarë nuk mund të jenë në Shqipëri, po atëherë ishte një situatë e tillë që këtë gjë “e pengonte shovinizmi serb, prandaj nuk mund të realizohej kjo e drejtë”. Bile Titoja u thotë edhe këtë shqiptarëve që “ju jeni një faktor me rëndësi për të forcuar Federatën Jugosllave”. Mua më duket se në këtë kontekst ne i japim një përgjigje tjetër plotësuese dhe dërrmuese udhëheqjes jugosllave. Me argumentet që kemi artikulli duhet të bëhet i fortë dhe akoma më i qetë nga dy të parët. Me Ramizin rashë dakord që artikullin ta botojmë nga fundi i javës tjetër.
E SHTUNE 9 MAJ 1981
Mendime (vazhdim)
E kemi ndier, e ndiejmë dhe do ta ndiejmë si detyrë të përhershme të mbrojmë marksizëm-leninizmin. Kemi luftuar dhe do të luftojmë kundër teorive e pikëpamjeve revizioniste, oportuniste, reformiste, të çfarëdo ngjyre qofshin këto. Kjo është një e drejtë jona, ashtu sikurse kanë të drejtë të na luftojnë, dhe në këtë drejtim nuk lënë gjë pa bërë, të gjithë antimarksistët dhe partitë e ndryshme të borgjezisë. Ne kemi plotësisht të drejtë të mbrojmë sistemin tonë të diktaturës së proletariatit. Të tjerët kanë të drejtë të mbrojnë sistemet e tyre. Këtej rrjedh lufta ideologjike e natyrshme dhe e pashmangshme. Ju pretendoni se këtë luftë nuk e bëni kundër nesh. Kjo as ka qenë, as është e vërtetë. Ne e bëjmë dhe e deklarojmë, kurse ju e bëni dhe e fshihni. Ju pretendoni se një luftë e tillë ideologjike dobëson marrëdhëniet shtetërore, tregtare, kulturore. Ne themi dhe konstatojmë se këto nuk janë dobësuar, por përkundrazi janë forcuar dhe jo vetëm për vullnetin tuaj, por edhe tonin. As ju, as ne nuk i kemi bërë koncesione ideologjike njëri-tjetrit, por jemi marrë vesh në ato gjë ra që e kërkon interesi i përbashkët dhe s’jemi marrë vesh në ato çështje për të cilat nuk mund të pajtohemi kurrë. Marrëdhëniet shtetërore në bazë të parimeve të njohura të fqinjësisë së mirë kanë ecur përpara. Ne dëshirojmë që edhe në të ardhmen të vazhdojë kështu. Në qoftë se ju nuk do të dëshironi, askush nuk do t’ju pengojë të veproni ndryshe. Ne do të përpiqemi të gjejmë me ju një modus vivendi pa shkelur parimet. Ju pretendoni se “keni ulur vigjilencën” kundër të ashtuquajturave veprime armiqësore të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë kundër Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Kjo nuk është e vërtetë, pse luftën ideologjike e keni bërë hapur. Ju pretendoni se keni qenë “zemërgjerë” për hir të vazhdimit të marrëdhënieve të mira në mes dy vendeve. Kjo, gjithashtu, nuk është e vërtetë: ju nuk vuani nga zemërgjerësia dhe as nga mungesa e luftës ideologjike kundër doktrinës sonë bazë, marksizëm-leninizmit, dhe regjimit tonë të diktaturës së proletariatit. Pse e fshihni këtë gjë? Por, me gjithë këtë realitet, realiteti tjetër i vazhdimit të fqinjësisë së mirë dhe të marrëdhënieve shtetërore vazhdon dhe ne dëshirojmë që të vazhdojë e të përparojë. Këto kohët e fundit ju jepni përshtypjen se këto marrëdhënie doni t’i kufizoni. Për këtë merreni ju përgjegjësinë. Fushatën antishqiptare pa baza dhe të gabuar që keni ngritur tash së fundi, por që nuk është as e re, as e dobët, ju doni ta forconi dhe do ta ngrini në një shkallë më të lartë. Bëjeni, ne nuk jemi kundër. Ju bëni tuajën, ne do të bëjmë tonën. Ju pretendoni në mënyrë hipokrite se nuk keni vënë në korent opinionin jugosllav dhe rininë tuaj për “mjerimin që mbretëron në Shqipëri, për mungesën e lirive dhe të drejtave të popullit shqiptar, për prishjen e kishave e të xhamive, për mbylljen e dyerve të Shqipërisë hordhive turistike prej hunësh, për mbylljen e portave tona flotës luftarake sovjetike dhe për kampet e shumta politike e për të burgosurit” etj.
Ne, nga ana jonë, do të flasim edhe më shumë nga sa kemi folur për “parajsën jugosllave”. Ne kemi folur për këtë “parajsë dhe begati ekonomike, shpirtërore dhe ideologjike” të Jugosllavisë, por do të freskojmë kujtesën e popullit dhe të rinisë sonë për të gjitha ato të këqija që ka parë në kurriz populli shqiptar nga ju, si para luftës, ashtu edhe pas Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo është në logjikën e gjërave të luftës që dëshironi të krijoni. Ju keni pretenduar pa të drejtë, dhe faktet historike vërtetojnë të kundërtën, se Jugosllavia ka pasë mbrojtur Shqipërinë. Aktualisht në plenumin e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, që u mbajt vetëm për të goditur Kosovën dhe për të sulmuar Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, në mes të tjerave u dëgjuan shumë zëra “të autorizuara” se “Jugosllavia Federative është mbrojtësja e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Kjo është një thënie “paternaliste” dhe e njëanshme, pse u harrua dhe jo pa qëllim e nga pozitat megalomane të një shteti më të madh, se edhe Shqipëria socialiste është një mbrojtëse e fortë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ne e kundërshtojmë politikën aktuale të jashtme dhe të brendshme të Jugosllavisë, pse e gjykojmë me plot rreziqe për vetë Jugosllavinë, për Shqipërinë, për Ballkanin dhe për Evropën, pavarësisht nga rrethanat dhe fjalët bombastike. por thellësisht të gabuara të vetadministrimit, politikës “së pavarur” dhe asaj të “të paangazhuarve”.
Çdo qeveri dhe çdo njeri që kupton nga politika dhe që i ndjek situatat që zhvillohen në botë, sheh se sa i gabuar dhe i mbarsur me rreziqe është ky kurs i politikës jugosllave. Kjo politikë është e ekspozuar në Jugosllavi në lakmitë dhe në agresionet e mundshme të imperializmit amerikan dhe të social imperializmit sovjetik. Ky kërcënim është pjella e rrezikshme e kësaj politike dritëshkurtër që shkakton instabilitetin brenda në Jugosllavi. Udhëheqësit jugosllavë jo vetëm që e predikojnë, por edhe e rekomandojnë te të tjerët sistemin e tyre vetadministrues si “formën dhe sistemin më të përsosur” socialist. Udhëheqësit jugosllavë e predikojnë politikën e tyre të jashtme sikur ajo do të shkatërrojë e do të çarmatosë fuqitë imperialiste agresive dhe do të sjellë paqen dhe begatinë në botë. Kjo politikë jo vetëm që është naive, por është një mashtrim, të cilin e demaskojnë ngjarjet botërore çdo ditë. Jugosllavia e vlerëson si një meritë të madhe të saj faktin që është e mbytur në borxhe. Këtë e quan “pavarësi ekonomike”. Ajo quan ruajtje e mbrojtje të pavarësisë së saj dhe të “mosangazhimit”, kur shoqërive shumëkombëshe imperialiste dhe sovjetike u është siguruar me ligj 50 për qind e fitimeve nga ndërmarrjet e përbashkëta ekonomike jugosllave. Ajo quan “të zgjuar, të hapur, të çiltër” hyrjen e turistëve të huaj dhe përhapjen e emigracionit ekonomik jugosllav në të gjitha vendet kapitaliste të botës; quan “gjest mirësjelljeje” që lejon luftanijet sovjetike të ankorohen, të riparohen e të furnizohen në portet jugosllave; quan të paevitueshme dhe gati “normale” krizën e madhe ekonomike që ka pllakosur Jugosllavinë, rritjen e madhe të inflacionit, shtrenjtësinë e jetesës së masave punonjëse.
Sipas udhëheqjes jugosllave, të gjitha këto nuk kanë të bëjnë as me vetadministrimin, as me “politikën e pavarur”, as me atë të “mosangazhimit”. Këto janë dy çështje që nuk influencojnë njëra mbi tjetrën, e para nuk është konsekuenca e së dytës, thonë “teoricienët” jugosllavë. Fajin e kanë shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi dhe Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, që “i nxit” ata me “politikën e saj etatiste-burokratike-staliniste, nacionaliste, irredentiste”. Jo, zotërinj udhëheqës jugosllavë, mos kini frikë nga e vërteta, jini pak realistë, se nuk është ashtu siç pretendoni ju. Juve jua ka ënda që ne të ndjekim rrugën tuaj. Kurrë s’do të bëhet kjo. Ne mund të rrojmë të varfër, por duam të rrojmë të lirë dhe të ndërtojmë mirëqenien. tonë që çdo ditë rritet. Këtë e bëjmë me forcat tona. Ne nuk i kemi borxh kurrkujt, ne nuk e shesim vendin te kapitalet e huaja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Sovjetik etj. Ne s’jemi të mbyllur në vetvete, po bëjmë tregti të ndershme e me leverdi reciproke. Fakt është që me ju po e shtojmë tregtinë çdo vit. Ne jemi një faktor i rëndësishëm stabiliteti në Ballkan. Le të merret pak me mend nga kushdo qoftë, se ç’do të ngjiste, në rast se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë u hapte dyert kapitaleve sovjetike, amerikane dhe të vendeve të tjera kapitaliste, ç’do të ngjiste në rast se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë u hapte anijeve sovjetike të luftës portet e Sarandës, Vlorës, Durrësit, Shëngjinit, siç bën Jugosllavia? Është e sigurt se po të bëhej kjo, do të rrezikohej jo vetëm Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, por Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, Republika e Greqisë, gjithë Ballkani dhe tërë Evropa.
Këtë s’e kemi bërë kurrë dhe as do ta lejojmë kurrë. Sovjetikët dhe kushdo tjetër as me dylbi s’do t’i shikojnë portet tona dhe kush do të orvatet të guxojë të bëjë një gjë të tillë, duhet të kalojë më parë mbi trupat tanë. Populli shqiptar e ka shpëtuar një herë Evropën, rilexoni për këtë luftërat e Skënderbeut. Ai është i përgatitur dhe i vendosur ta shpëtojë përsëri, po ta lypë nevoja. Bota kapitaliste dhe imperialiste i ka bërë shumë të këqija popullit shqiptar në çdo kohë. Edhe tani ajo përpiqet ta deformojë të vërtetën mbi Shqipërinë, ajo i ka grabitur pasuritë e saj dhe nuk dëshiron t’ia kthejë, ajo me hekur e me zjarr e ka vrarë popullin tonë dhe e ka djegur Shqipërinë dhe tani refuzon ose heziton t’i paguajë dëmet e luftës, kur të gjithë të tjerëve ua ka dhënë. Dhe kjo ngjet pse ne, një popull i vogël, duam të rrojmë të lirë, të pavarur, sovranë në vendin tonë dhe askujt s’i kemi bërë keq, veçse të mira kanë parë nga populli shqiptar. Askush dhe asnjë forcë nuk mund të na mposhtë në të drejtat tona të ligjshme. Zotërinj udhëheqës kryesorë jugosllavë, lini për një çast pasionet e sëmura dhe mendoni me gjakftohtësi: kjo politikë e shtetit shqiptar e rrezikon, apo e mbron Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë? Ne kemi deklaruar dhe deklarojmë zyrtarisht dhe botërisht se, po të sulmohet Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ne shqiptarët e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, do të luftojmë tok me popujt e Jugosllavisë. Kjo e mbron apo e minon Federatën Jugosllave?
A mendoni ju se në këtë moment suprem, kur populli shqiptar i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, i bashkuar me popujt e Jugosllavisë, do të luftojë krah për krah, sikurse ka vepruar edhe në Luftën e Dytë Botërore, kundër një armiku ose armiqve agresorë dhe invadorë të të dy vendeve tona, populli shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi do të na kthejë pushkën dhe do të bëhet kundër nesh duke marrë anën e sovjeto-bullgarëve ose të ndonjë agresori tjetër? Pse, zotërinj udhëheqës jugosllavë, shtrembëroni deklaratat tona dhe përpiqeni të na vini në gojën tonë gjëra që nuk i kemi thënë? Ne kemi deklaruar dhe deklarojmë se as kemi shfaqur dhe as shfaqim kërkesa territoriale. Pse na akuzoni për shovinistë, për nxitës të irredentizmit, për nacionalistë? Duke na i bërë neve këto akuza pa vend, pa baza dhe të paqena, ju, sigurisht, dëshironi të fshihni diçka të rëndë dhe të padrejtë tuajën. Ne nuk kemi asnjë interes të dobësohet Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, përkundrazi, dëshirojmë që ajo të forcohet, por jo në kurrizin e shqiptarëve të Kosovës dhe të kësaj ose asaj republike. Dobësimi i Federatës i pëlqen Bashkimit Sovjetik revizionist-agresor dhe udhëheqjes revizioniste bullgare. Këtë të vërtetë ne e themi hapur, ndërsa ju keni frikë ta thoni. Për më shumë ju keni ngritur boritë se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dëshiron minimin e Federatës Jugosllave, po u bini borive se janë populli dhe rinia heroike shqiptare e Kosovës, ata që kërkojnë statusin e republikës, na qenkan kundërrevolucionarë dhe kërkojnë shkatërrimin e Federatës. /Memorie.al/