Ribotim
Ky shkrim është publikuar më 25 korrik të vitit 2001 në Agjensinë e Lajmeve „Kosovapress“, pra, para më shumë se 20 vjetëve.
Kosovës i mungojnë ende më shumë se 1600 të zhdukur. Shteti serbë e zvarritë ndriçimin e fatit të tyre dhe bashkë me ta edhe të fatit të atyre serbë „të zhdukur“, të cilët sipas dëshmisë së publikuar në gazetën „Vreme“ nr. 546, të datës 21 qershor 2001, me titull „Mrtvi putuju…“ dhe dëshmive tjera, duhet të kërkohen në ato varreza bashkë me shqiptarët.
Millosheviqi e Xhingjiqi nuk janë më mes të gjallëve, por janë aktorët tjerë, mes të cilëve edhe Vuçiqi, i cili atë kohë e kishte të njëjtin rol si Gebelsi në Berlin. Ishte një Gebels i ri në qeverinë e Millosheviqit, sot president i Serbisë. Kërkesa për hapjen e arkivave të UÇK-së është një kërkesë fund e krye me hile. Ato janë hapura dhe mund të gjenden edhe nëpër librari.
Duhet që ata që shkojnë në bisedime të nisen nga faktet që i kanë afruar vetë aktorët si „Nikolla“ e të tjerë dhe Serbisë të ia kërkojnë njëkohësisht edhe ndriçimin e fatit të serbëve të zhdukur. Ata saktësisht e dijnë se ku gjenden.
SERBËT DËSHMOJNË PËR SERBËT E ZHDUKUR
Kanë kaluar më shumë se dy vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe çështja e të burgosurve dhe e të zhdukurve mbetet gjithnjë aktuale. Mbetet aktuale se të burgosur dhe të zhdukur gjithnjë ka. Mirëpo, të burgosur ka vetëm nga pala shqiptare, ndërkaq, të zhdukur, pos 2500-2600 shqiptareve, për të cilët është folur me qindra herë, herë pas here flitet edhe per 1300 serbë te zhdukur, për të cilët nga media të ndryshme dhe pushtelmbajtës serbë shpeshherë thuhet se mbahen nëper burgje të shqiptarëve(!) në Kosovë, territor prej 10,700 km2 të kontroltuar nga 45000 forca ushlarake të NATO-s dhe gjithë ata policë të UNMIK-ut dhe të SHPK-së.
Se kanë humbur serbe pa gjurmë edhe mund te paramendohet. Por se ku gjenden ata, pyetja është drejtuar ne vend të gabuar.
Tani kur kryekrimineli i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq është dërguar në Hagë, nën presionin e bashkësisë ndërkombetare, sa për t’u arsyetuar para opinionit serb, i cili asnjëherë nuk u distancua nga krimet, fati i shqiptarëve të zhdukur ka filluar të zbardhet. U zbuluan varreza masive shqiptarësh të zhdukur nëpër Serbi, të cilët për së vdekuri, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimeve ishin bartur atje. Dhe këto tani u bënë të ditura (thuase nuk ishin ditur më heret) prej qeverisë “demokratike” serbe, natyrisht tani, pas dorëzimit të kryekriminelit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq në Hagë, jo për krimet e kryera në Kosovë, për çka është akuzuar, por thjeshtë si mall tregu, prej të cilit synohej të merreshin para te majme. Por, të kthehemi te çështja e serbëve „të zhdukur“, për të cilët mund të shtrohet pyetja nëse ka apo jo, dhe nëse po, ku janë?
Politika antishqiptare serbe nuk është e kohës së re. Ajo është një politikë më vjetër se 1300 vjeçare pavarësisht nga regjimet dhe qeveritë. Ajo e tillë mbeti edhe në kohën e „vëllazërim bashkimit“ jugosllav e deri në ditët e sotme. Qëndrim të tillë armiqësor mbajtën edhe serbët në Kosovë, në të gjitha periudhat që nga ardhja e tyre nga përtej Karpateve. Ata u shndërruan ne leva të acarimeve dhe ngaterresave ndërnacionale, po ashtu ne të gjitha periudhat. Me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në pushtet dhe me shpalljën luftë shqiptarëve, së pari në Fushë Kosovë e pastaj edhe në Gazimestan, serbët që ishin të vendosur ne Kosovë, u rreshtuan me gjithë çka patën përkrah tij deri në fillimin e luftës e pastaj edhe në luftë u mobilizuan qoftë në njesitë rezervë të policisë dhe ushtrisë, qoftë në njësitë paramilitare dhe në mënyrë aktive morën pjesë në krime kundër shqiptarëve. Madje, në këtë çështje pos që nuk u kursyen vetë, nuk i kursyen as fëmijët e tyre, por i shtynë që edhe ata të marrin pjesë në krime kundër
shqiptarëve.
Ende janë të freskëta rrëfimet e para dy viteve të njerëzve të ndarë nga kolonat që ndiqeshin për në Shqipëri, në mes të Mitrovicës dhe Skenderajt, të cilët u dërguan në burgun e Smerkonicës, ku u rrahën e u maltretuan nga serbë të rritur e të mitur së bashku.
Në mesin e kufomave ishin edhe tre ushtarë jugosllav
Kur njeriu është nisur në luftë, ka thënë se po shkoj të vdes, shprehje kjo e zakonshme për hapësirat ballkanike, mbase keq e interpretuar, sepse kur njeriu niset për në luftë, ai nuk shkon për të vdekur, por për të luftuar dhe për të fituar, e në luftë, shumë e qartë, edhe mund të vritet njeriu, pastaj edhe mund ta humbë luftën , ashtu si i humbi Serbia katër luftëra në dhjetëvjeçarin e fundshekullit të kaluar.
Se ka pasur të vrarë në luftë nuk don mend, madje edhe shumë.
Janë vrarë shumë civilë shqiptarë nga ushtarë e paramilitar serbë, por sigurisht se në betejat e përditshme të zhvilluara mes agresorëve serbë dhe mbrojtësve shqiptarë, janë vrarë shumë edhe nga agresorët.
Fundja, vetëmbrojtja është njëra ndër të drejtat më elementare dhe ajo është e sanksionuar edhe me të gjitha dokumentet e OKB-së dhe se si e tillë vlen edhe për shqiptarët, qoftë si e drejt individuale, qoftë si e drejtë kolektive. Por, është disi e pashpjegueshme se ku mbeten trupat e serbëve që tani kërkohen.
Se ku mbetën ata trupa, nuk ka qenë e vështirë të kuptohet, mirëpo se ku mbeten ata trupa dhe kahet për gjetjen e atyre trupave kanë filluar të dalin në shesh përmes gazetarëve, publicistëve dhe aktorëve të ndryshëm të lojës makabre të regjimit serb, të cilët kanë marrë pjesë në zhdulkjen e trupave të tyre bashkë me trupat e shqiptarëve të vrarë dhe të masakruar.
Rrëfimet si ky kanë filluar të publikohen në gazetat serbe gjatë 10-15 ditëve të fundit: „Meqenëse në shërbimin ushtarak kam qenë shofer, me t’u paraqitur në njësi, ma kanë dhënë kamionin frigorifer, me urdhëresë që të nisëm për në Kosovë, në një kamp ushtarak, në lindje të Prishtinës.
Me të rritur, një gjeneral më ka tërhequr anash dhe ka filluar të më pyes…
Deri sa ne kemi biseduar, autofrigoriferi është mbushur dhe është mbyllur me vulë, diku – nuk e di se ku, kurrë nuk më kanë lënë të afrohem – dhe e kam kthyer prapa. E imja ka qenë të mos pyes, por ta ngas autofrigoriferin.
Këtë e kam bërë dhjetë herë Kosovë – Bor dhe për mua ka qenë e çuditshme pse kamioni i madh shetitet tutje, deri sa luftimet vazhdonin…
„Së shpejti e kam kuptuar se bartë kufoma“, – thotë në një interistë të botuar në të përjavshmën „Vreme“ nr. 546, të datës 21 qershor 2001, me titull „Mrtvi putuju…“, „Nikolla“ emër i trilluar për shkaqe sigurie i personit real nga redaksia e gazetës beogradase („Vreme“), një shofer i cili ka transportuar kufoma më së dhjetë herë nga Kosova deri te shkritorja e Borit.
Po në këtë intervistë, e cila është mjaft e gjatë, „Nikolla“ më tutje thotë: „E kam pasur të qartë nga janë ato kufoma. Nuk e kam pasur të qartë ku po përfundojnë ato, kur autofrigoriferi zbrazej në Bor. Ma ka marrë mendja
se janë djegur në furrat për shkrirjen e xehes së bakrit. Ndoshta edhe jo … Ndoshta janë varrosur diku në territorin e xehrores; Atje ka mjaft mihje sipërfaqësore, shumë deponi mbeturinash, mjaft vende, ku mund të hapeshin
varreza masive… Nuk e di se çka më tutje është bërë me kufomat. E di se nuk kam mundur të duroj më tepër…
Kur kam vendosur, kam kërkuar ndihmë nga dy shokë, të cilëve u kam besuar… Shokët më kanë pritur sipas marrëveshjes dhe deri sa i kam veshur rrobat civile, ata e kanë hapur autofrigoriferin. Ishte i mbushur përplotë kufoma…
Kanë qenë 78: kryesisht civil, në mes të të cilëve edhe një grua, por edhe tre ushtarë të ushtrisë „jugollave“. Një nga ata, një djalosh nga rrethi jonë…“
Për t’i kërkuar të zhdukurit është angazhuar edhe Zoran Xhingjiq, kryeministër serb. Ai përmes Hakerupit ka kërkuar që të takohet edhe me Thaçin dhe gjeneral Çekun, në mënyrë që „të bisedojë me ta për fatin e 1300 serbëve të zhdukur.“
Serbët në Graçanicë, ashtu si në duar të qeverive të mëparshme, vazhdojnë të jenë instrumente në duar edhe të kësaj qeverie, me greva urie e protesta të ndryshme, për t’i penguar proceset në Kosovë dhe për t’i gjetur të afërmit e
vet „të zhdukur“.
Tani ditët e fundit, sikur i ra dikujt ndërmend nga të afërmit e serbëve të zhdukur, që të kërkojnë nga qeveria serbe që pa u bërë identifikimi i kufomave, të mos i dorëzohen UNMIK-ut me arsyetim se në mesin e trupave nga varrezat masive mund të ketë edhe trupa serbësh.
Në Serbi janë zbuluar dhe çdo ditë po zbulohen varreza masive duke u nisur nga Petrovo Sella, Batajnica, Liqeni i Paliqit, varreza masive në kraterin e një bombe të NATO-s, nën autostradën Beograd – Athinë, afër Vranjës, etj.
Arqipelag i tërë varrezash për t’i mbuluar gjurmët e krimeve mbi popullatën shqiptare. Edhe ata 1300 serbë të „zhdukur“ do të ishte dashur që të afërmit e tyre, bashkë me Xhingjiqin t’i kërkonin në arqipelagun e varrezave masive nëpër Serbi, nëse jo në shkritore të ndryshme, por jo te Thaçi e Çeku, sepse, po aq sa i është dashur fshehja
e gjurmëve të krimeve Sllobodan Millosheviqit & co mbi shqiptarët, po aq i është dashur edhe fshehja e humbjeve të forcave të tij policore, ushtarake dhe paraushtarake në luftimet kundër shqiptarëve.
Këtë e di shumë mirë edhe Xhingjiqi, të cilit nuk i ka mbetur te „1300 serbët e zhdukur“, por te kriminalizimi i popullit shqiptar dhe Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Të zhdukurit serbë, nëse nuk janë „zhdukur“ nga frika se do t’i arrijë dora e drejtësisë, sigurisht se gjenden në varrezat serbe anë e kënd Serbisë. Mbase e ka lexuar edhe ai intervistën me „Nikollën“, me titull „Mrtvi putuju…“ në gazetën „Vreme“ të datës 21 qershor 2021. Të paktën ata mund të jenë në tokën e tyre!