Kulturë\Letërsi

Kuvendi (Kongresi) Kombëtar i Drejtshkrimit për një gjuhë të njësuar shqipe

Kuvendi Kombëtar për njësimin e gjuhës letrare shqipe ishte kryevepra e shtetit të Enver Hoxhës dhe themeli i njësimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë në gjithë hapësirën shqiptare…

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt më 20 nëntor – 25 nëntor të vitit 1972, me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe me qëllim që të përcaktonte parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar. Në një material, që ka publikuar Qendra e Botimeve për Diasporën, mes të tjerave thuhet se në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga e gjithë Shqipëria (Shqipëria e lirë (një e treta) dhe Shqipëria e pushtuar) si dhe arbëreshë nga Italia, emra të njohur të albanologjisë, të shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. “Ky Kongres, si forumi më i lartë shkencor, analizoi e diskutoi gjerësisht parimet themelore, çështjet e përgjithshme dhe shumë zgjidhje të veçanta të drejtshkrimit të shqipes, si edhe probleme të tjera teorike e praktike, që kanë të bëjnë me normën letrare në përgjithësi. Duke marrë parasysh edhe vendimet e Konsultës Shkencore të Prishtinës (1968), Kongresi i  Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe bëri një shqyrtim shkencor përgjithësues nivelit të zhvillimit të gjuhës së letrare shqipe në atë kohë, prirjeve të evolucionit të saj dhe në mënyrë të veçantë gjendjes së drejtshkrimit”, vijon materiali i QBD. Më tej sipas QBD, drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe u konsiderua shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore; një pasqyrim i prirjeve të përgjithshme të zhvillimit të gjuhës sonë letrare, e cila mbështetet gjerësisht në gjuhën e folur. “Ai kurorëzoi një etapë të gjatë përpjekjesh për formimin e një gjuhe letrare të vetme e të përbashkët për gjithë shqiptarët”, vijon materiali. Më herët, projekti i “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” që u botua më 1967 në Tiranë, u mirëprit nga bota shkencore, arsimore e kulturore shqiptare dhe gjeti një miratim të përgjithshëm teorik dhe praktik. Parimet themelore mbi të cilat mbështetet ky projekt, ndërtimi i tij, si edhe zgjidhjet kryesore u vlerësuan shkencërisht të drejta. Kjo tregon se ai është mbështetur në realitetin gjuhësor dhe është hartuar mbi baza të drejta teorike-metodologjike.

Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore. Ai pasqyron gjendjen e sotme dhe prirjet e përgjithshme të zhvillimit të gjuhës sonë letrare, e cila mbështetet gjerësisht në gjuhën e folur të popullit. Duke ngritur në një shkallë më të lartë traditën e shkrimit të shqipes, drejtshkrimi i sotëm synon njësimin e mëtejshëm të normës së gjuhës letrare kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta që janë përvetësuar e përvetësohen prej saj.