Histori

Ibish Neziri: Forcat serbo – malazeze – çetnike e partizane – 78 vite më parë po vrisnin, digjnin e maskronin popullin e Bihorit (Sanxhak) me qëllim të shfarosjes (gjenocidit)

Sot u bënë 78 vjet nga njëra ndër masakrat më të përgjakshme të çetnikëve serbë e malazezë dhe partizanëve të Titos, të ushtruar mbi shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, masakrës së Bihorit (Sanxhak), në të cilën brenda një kohe shumë të shkurtër humbën jetën 4626 veta, prej të cilëve 1956 fëmijë, 705 prej të cilëve u dogjën, 701 u maskruan, 103 vdiqën nga uria dhe 447 tjerë u ngrinë nga të ftohtit, si dhe 251 gra e vajza të zëna rob, pa i llogaritur të përndjekurit. Lexuesëve të Gazetës Lëvizja po ua ofrojmë një shkrim-raport të Bajram Gashit, njërit prej anëtarëve të Komisionit Qeveritar nga Tirana, që ishte ngritur për ta hetuar këtë masakër.

Për vetë masakrën, e cila filloi në natën e 7 shkurtit të vitit 1943, natën e „bozhiqeve“ – krishtëlindjeve ortodokse serbe, një herë tjetër  më gjërësisht.

Për ta bërë Origjinali gjendet në Arkivin e Shtetit në Tiranë.

NA SHPËTO, O ZOT!

Asht natë kallëndori. Qetsi e madhe. Bora bjen me fjoka shllungë. Disa të lehme qejsh thyejn qetsin e mortshme. Gjatë rrugës së Lumit potera shurdhuese e ndoj autokolone që i afrohet urës, zgjon interesin e shum kuej. Në këtë të ftoftë, kaq vonë, ku shkon kjo autokolonë? Prap heshtje. Autokolona asht ndalë. Të lehmet e qejve  bahen shurdhojse, tek tuk fillojnë me u cijatë sikurse t’u bij kush. Çdo kush dyshon mos të jet afrue ndoj hajn, e prà nga frengjitë e kullave zani i burrave kah i ndersejnë qejt. Terri i nates  s’len të shifet gjà jashtë, por nga lehja e qejve merret vesht se nuk asht puna e vetem nji hajdutit. Ka dishka ma teper. S’vonon e nji krizëm e madhe e dridhë tokën. Zgjohen edhe fëmijt që gjumi i mesit të natës i përkëdhelte me andrra të shijshme e të hidhta,  lojna e perplasje ditet. Një bombë! Ç’do të jetë? Askush s’e merr me mend. Lehja dhe gërthitje e qejvet bahet bahet gjithnji ma kërcnuese. Dy tri të shtime pushkësh dhe urdhëni i Komandës: Napred! Napred! (përpara, përpara) zblon misterin e natës së kobëshme për at zonë abnore, për Bihorin e famshëm në blegtori.

Çetnikët! Çetnikët  serb e malazez fillon me u shtue britma e grave e e fëmijëve. Pushka kërset në të katër anët. Topa e mitraloza iu përgjigjen të shtimeve të mbrojtësve . Qielli skuqet dhe ré tymi  ngrihen shllungë përpjetë.

Tmeri dhe paniku i ka kap banorët. Ata dy, tre fyshekë kush i pat i harxhoj, e tash s’mbetet tjetër veçse me iu çelë shteg grave e fëmijve që të pështojnë kryet! Por kot. Çetnikët kanë vendosë mos me lanë krye shqiptari të gjallë n’at krahinë; prandaj kur fillojnë me iu vue zjarmin shpive, zanë derën dhe presin e vrasin cilindo që don me i hikë  vëdekjes së zjarmit. Britma e nanave ka e shohin fëmijn tue u- përplasë  në mes flakësh të rqethë misht e shtatit. Lotët dhe mallkimi i burrave kah shofin tu shnderohen grà e varza nder sy, ban m’u dridhë toka Vikamet, afshet dhe perplasjet e nuseve që kërkojnë vdekjen por jo t’a lëshojnë nderin nder duar të çetnikëvet, kalojnë çdo kufi. Pushkë, bumbe e mitraloza dridhin tokën. Shpijat digjen njana mbas tjetres. Kufomat shtohen orë e ças. Bajonetat pa pikë mëshiret ngulen ndër trupna si në kasaphane e përlyhen me gjak fëmijsh, pleqsh e plakash, që s’iu punojnë kambët me i hikë kobit të zi. Tmeri dhe paniku i kësaj befasije  i ka humb fillin  çdo banori. Nana s’e di ku i kà fëmijt. Baba se njef djalin e vet e grueja burrin. Se ç’kob i zi! Pushka, mitralozi  s’prajnë.

Gjamët e të plagosunëve, kërkojnë, ndihmë, vaji i fëmijve të hudhun nëpër borë si kunguj, dihatja e pleqve dhe i plakave që të shtrime  mbi borë në mes të rrugës në këmishë e tlinta, ashtu siç kishin ndodhë në shtrat, përforcojnë vullnetin e çetnikve më veprat e tyne barbare.

Në çdo skaj shifen kufoma, të plagosun e të mërdhimë  që i kanë drejtue sytë kah qielli në shenj lutjeje: Na shpëto o zot nga barbarizma sllave!