Shqipëria/Aktualitet

Elbasan, nisin punimet në akset që lidhin unazën me zonën ku do ndërtohet Automotoparku

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Ndërsa po punohet për projektin e madh infrastrukturor të Automotoparkut në Elbasan, ka nisur puna me akset që lidhin unazën e qytetit me zonën ku do të ndërtohet Automotoparku.

Lajmin e ka bërë ditur kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar dhe foto nga kantieri i punimeve që po kryhen për këto dy investime mjaft të rëndësishme.

“Ndërsa punohet për projektin e madh infrastrukturor të zbatimit, ka nisur puna me akset që lidhin unazën e qytetit me zonën ku do të ndërtohet Automotoparku (AMP), në të cilën do të kemi kompleksin e ri rajonal DRSHTRR Elbasan dhe QKT e re (Kolaudimi), Muzeun e parë RETRO, pistën e parë të garave auto-moto të certifikuar nga FIA dhe struktura të tjera shumëfunksionale edukative e rekreative buzë shëtitores së re përgjatë lumit, për pedalim e sport mes gjelbërimit të Krastës”, shprehet Rama.

Cirkuiti i parë shqiptar do të ketë një pistë rreth 5 km dhe një sipërfaqe prej mbi 500 mijë m2 në qytetin e Elbasanit sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK. Do të përmbajë qendër eventesh, muze e atelier RETRO, drag strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom, akademi motosporti dhe akademi edukimi mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë jashtë rruge, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta.

Projekti do të financohet nga fondet e DPSHTRR-MIE në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare.