79 vjetori i krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH
Shtabi i Përgjithshëm, institucioni politiko-ushtarak që i dha hov Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare
Nga Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Me rritjen e formacioneve partizane dhe të përmasave të luftës, krijimi i Shtabit të Përgjithshëm shtrohej si detyrë urgjente. Shtabi i Përgjithshëm u zgjodh nga Këshilli i Frontit Nacionalçlirimtar. Rëndësi të veçantë merrte përzgjedhja e anëtarëve të këtij shtabi. U zgjodhën anëtarë me arsim ushtarak, të shkolluar dhe të karrierës ushtarake si Spiro Moisiu, Abaz Kupi, Dali Ndreu, Bedri Spahiu. Nga ky grup komandant i shtabit u zgjodh Spiro Moisiun, me gradën e majorit dhe funksionin e komandantit të batalionit në ushtrinë mbretërore. Ai kishte përvojë në detyrë ushtarake, një karrierë të gjatë, ku shquheshin aftësitë e profesionit ushtarak, si dhe dinjiteti e atdhedashuria. Intelektualët u përfaqësuan nga Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Sejfulla Malëshova, Mustafa Gjinishi dhe Ramadan Çitaku. Enver Hoxha ishte sekretar i parë i PKSH dhe zgjidhet komisar politik. Anëtarë u zgjodhën dhe prijësa popullorë si Myslim Peza, Haxhi Lleshi e Mustafa Xhani, ky i fundit klerik, që me kohë krahinat e tyre Pezën, Dibrën e Martaneshin i kishin kthyer në baza të fuqishme të luftës së armatosur. Kështu të gjithë anëtarët e shtabit formonin portrete ku secili me veçoritë e veta, me tipare të ndryshme, shquheshin për aktivitet të pasur patriotik e mbartnin një varg kualitetesh.
Krijimin e shtabit e kushtëzonte, por dhe e favorizonte, faktori i brendshëm dhe i jashtëm. Zgjerimi dhe zhvillimi i luftës së armatosur, rritja e formacioneve partizane për të kryer operacione të rëndësishme, kërkonte nga shtabi plotësimin e disa detyrave, si dhe të parashikonte zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Kështu LANÇ-i, si pjesë përbërse e luftës antifashiste botërore, mundi të bashkërendohej me luftën e popujve pjesëtarë të kualicionit botëror vetëm me një shtab drejtues në shkallë kombëtare. Detyrat e shtabit ishin të gjithëanëshme. Detyra e parë themelore ishte organizimi i ushtrisë, përcaktimi i parime themelore, si parimi i vullentarizmit. Zbatimi i këtij parimi kishte baza të shëndosha, që shprehej në rreshtimin vullnetar të qindra e mijra luftëtarëve në formacionet partizane.
Shtabi u kujdes për të gjitha problemet që lidheshin me krijimin e organizimin e brigadave. Anëtarët të tij kryen në praktikë veprimtari intesive për kapërcimin e vështirësive që lidheshin me krijimin e tyre. Për periudhën gusht 1943-mars 1944, u krijuan shtatë brigada sulmuese të komanduara nga Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Hulsi Spahiu, Nexhip Vinçani, Shefqet Peçi, Tahir Kadare e Gjin Marku, të gjithë me shkollë ushtarake, me përvojën të pasur luftarke. Procesi vijoi dhe gjatë muajve prill-nëntor 1944, ku kemi 17 brigada, gjithsejt 24 brigada sulmuese. Mbi bazën e brigadave në muajt maj-nëntor 1944 u krijuan divizione dhe komparmata. Ky ishte organizimi i plotë i UNÇSH.
Përpunimi i taktikës së luftimit ishte një detyrë e rëndësishme e shtabit, që ndikonte në ecurinë e veprimtarisë luftarake të formacioneve partizane. Kishte një bazë e mirë e taktikës së luftës partizane edhe para krijimit të shtabit. Taktika e luftës u përpunua dhe u zbatua në beteja me pjesëmarrjen aktive të luftëtarëve të thjeshtë dhe të kuadrove. Meritë të veçantë ka dhe shtabi, i cili motivoi nga përvoja elementet më pozitivë të taktikës së luftës, i përpunoi në një kod taktik efektiv dhe nëpërmjet udhëzimeve, i përgjithësoi dhe i përhapi në ushtri. Shtabi i Përgjithshëm me organizimin e ushtrisë, përsosi taktikën e luftës partizane në formacione të vogla, si dhe përpunoi metoda të përdorimit të grupeve partizane dhe të brigadave sulmuese. Këto mundësuan plotësimin e detyrave të rëndësishme, goditje të garnizoneve të mëdha të armikut, ndeshje të formacioneve të tij, luftimin për pushtimin e rajoneve të fortifikuara, për mësymjen në qytet etj. Duke ndjekur ecurinë e veprimtarisë luftarake me trupat gjermane, shtabi vuri re aftësitë e këtyre trupave për të përdorur taktikën e luftës kundërpartizane dhe epërsitë që siguruan ata në operacionet e para. Shtabi reagoi me shpejtësi ndaj këtyre epërsive të artit ushtarak gjerman, evidentoi mangësitë e shfaqura nga disa formacione partizane dhe përcaktoi rrugët për t’iu kundërvënë. Krahas kritikës, shtabi bëri përgjithësime me vlera të mëdha për të përsosur taktikën partizane, duke u mbështetur në përvojën e fituar. Këto tipare pozitive të taktikës partizane, shtabi i përcillte në udhëzime për t’u rrënjosur në praktikën e organizimit e të drejtimit dhe në veprimtarinë luftarake të çdo komande e reparti partizan. Urdhërat dhe udhëzimet e dhëna nga shtabi, drejtëpërdrejtë nga Enver Hoxha, për taktikën e luftës partizane dhe zbatimi i tyre me krijimtari në fushën e betejës, pati ndikim të fuqishëm në rritjen e efektivitetit të veprimtarisë luftarake. U rritën ndjeshëm përmasat e veprimeve luftarake në kohë e në hapësirë. Çlirimi i krahinave dhe lufta për çlirimin e qyteteve, shtroi çështjen e taktikës së luftës ballore, një formë lufte thuajse e panjohur për formacionet partizane. Në vartësi nga situata dhe objekti i sulmit, shtabi vlerësonte të përshtatshme ndërthurjen e dy taktikave. Tipare taktika e luftës ballore po merrte në veprimet luftarake për çlirimin e qyteteve. Mbështetur në detyrat e shtruara nga shtabi për çlirimin e qyteteve, komandat e njësive përpunuan, përgatitën e stërvitën trupat për luftime në qytete, me rëndësi taktikës së luftës ballore. Në luftën për çlirimin e Tiranës, taktika e luftës ballore arriti shkallën më të lartë të saj.
Detyrë e rëndësishme e shtabit ishte drejtimi i drejtpërdrejt i veprimtarisë luftarake të njësive të UNÇSH-së. Natyra e luftës partizane ishte e tillë që kërkonte nga komandantët e formacioneve partizane të kishin pavarësi njësitë që veprojnë në front të rregullt. Urdhërat luftarake shtabi nuk i jepte të prerë, por në formë direktive. Në urdhërat e veprimit komandave u përcaktohej rajoni ku do vendoseshin, objektivat e armikut në atë rajon, si dhe rrugët e komunikacionit që do mbanin në kontroll.
Shtabi i Përgjithshëm ishte institucion i rëndësishëm politiko-ushtarak. Anëtarë të shtabit gjendeshin bashkë me komandat e njësive, analizonin gjendjen e përcaktonin detyrat. Brenda këtyre kornizave shtrihej nisma e pavarësisë e komandave të formacioneve partizane, veprimtaria e të cilave nuk mund të dilte jashtë urdhrave e direktivave të shtabit. Duke parë e vlerësuar rolin e shtabit si institucion i rëndësishëm politiko-ushtarak për organizimin dhe drejtimin e formacioneve të UNÇSH. Me krijimin dhe veprimtarinë e tij, lufta e armatosur e popullit shqiptar, hyri në një etapë të re zhvillimi dhe mori karakter më të organizuar. Udhëheqja startegjike e operative e UNÇSH u ngrit në një shkallë më të specializuar. Në përballimin e operacioneve kryesore mësymëse të nazistëve, shtabi çështjen e hartimit të planeve, organizimin dhe kryerjen e zbulimit strategjik, krijimin dhe përdorimin e rezervave etj. Shtabi u krijua në një moment shumë të rëndësishëm për ecurinë e LANÇ-it. Në aspektin politik shtabi ishte në vartësi të drejtpërdrejt të KQ të PKSH. Tetë nga 12 anëtarët e SHP ishin anëtarë të PKSH, shumica në funksione drejtuese në organet qendrore apo lokale, ndërsa Enver Hoxha, komisari i shtabit ishte njëherazi edhe sekrterai i parë i PKSH. Prezenca në shtab e shumicës dërmuese nga përfaqësuesit e PKSH e lidhte tërësisht shtabin si në aspektin politik e ideologjik, ashtu edhe në aspektin organizativ me PKSH. Në fushën e betejave anëtarët e shtabit, si edhe masa e kuadrove drejtuese të formacioneve të UNÇSH, shpalosën aftësi e merita, përballuan vështirësi të panumërta.
add a comment