Arkiv / Ripublikim

Disa dokumente të arkivave shqiptare për pjesën e pushtuar të Shqipërisë (Kosova me vise) nga Jugosllavia (13)

    Redaksia e gazetës LËVIZJA do t’i botojë në vazhdime një pjesë të mijëra dokumenteve të gjetura, pas një pune hulumtuese shkencore, në arkivat e shtetit tonë AMË nga studiuesi i zellshëm Prof. Dr. Sabit Syla. Nga këto dokumenta lexuesit tanë mund të njihen më mirë me interesimin, përkushtimin dhe angazhimin e shtetit tonë, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, për përmirësimin e pozitës së popullit të pushtuar shqiptar nga Jugosllavia dhe për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Iliri (Ballkan). Shteti shqiptar dhe personalisht Enver Hoxha interesohej për të gjitha shqetësimet dhe kërkesat që kishte pjesa e pushtuar e Shqipërisë dhe e popullit të saj, që vuante persekutimin, terrorin, burgimet, torturat, vrasjet dhe shpërnguljet (dëbimet) e pushtuesit jugosllavo komunist të Tito – Rankoviçit…

   Në arkivat e shtetit tonë AMË është një mal me shkresa e dokumente që presin mendjen, vullnetin dhe dorën e studiuesve tanë për t’i hulumtuar, analizuar e publikuar. Studimi, analizimi, interpretimi dhe botimi i dokumenteve arkivore është shkencë më vete… Një pjesë të vogël të këtyre dokumenteve kemi patur rastin t’i shohim edhe ne në arkivin e Ministrisë së Jashtme (kryesisht të viteve 1981, 1982, 1983).

   Shteti ynë ishte shpresa dhe përkrahja e vetme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Shqipërinë e pushtuar në periudhën e viteve 1945 – 1990. Askush në botë nuk çante kokën në atë periudhë pse dy të tretat e një vendi e të një kombi ishin të pushtuara dhe grabitura nga fqinjët shovinistë, që kishin krijuar shtetet e tyre kryesisht në tokat e Shqipërisë! Falë shtetit të Enver Hoxhës dhe mbështetjes së tij të pa rezervë Lëvizja jonë Kombëtare e Çlirimtare ia doli të unifikohejë, të organizohejë dhe të konsolidohejë deri në atë shkallë sa të merrte përsipër organizimin e Luftës Antipushtuese Çlirimtare, duke krijuar UÇK – në. Përkrahja e shtetit tonë dhe e pjesës së lirë të popullit tonë ishte vendimtare edhe pas vitit 1990 dhe, sidomos, gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK – së, që pati për rezultat çlirimin e Kosovës (pa vise) dhe përmirësimin e pozitës së popullit shqiptar në Maqedoninë tonë dhe në trojet tjera shqiptare… Roli i shtetit tonë AMË, Republikës së Shqipërisë, mbetet edhe më tej vendimtar për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare dhe për (ri)bashkimin e Shqipërisë në një shtet dhe me një Flamur kuqezi… (GL)

Prof. dr. Sabit Syla 

DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Një interes të veçantë për opinionin publik shqiptar paraqet qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës. Hapja e arkivave shqiptare, ka sjellë një bollëk dokumentesh, një pjesë e mirë të panjohura më parë. Dokumentet e viteve ’50 dhe ’60 të shek. XX që po i ofrojmë lexuesit, pasqyrojnë në mënyrë të plotë dinamikën e qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, gjatë viteve në fjalë. Shteti shqiptar ka ndjekur në vazhdimësi politikën jugosllave në të gjitha drejtimet e saj karshi shqiptarëve e gjendjen e këtyre të fundit në të gjitha aspektet e zhvillimeve ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike. Këto dokumente janë përzgjedhur nga mijëra dokumente të hulumtuara në Arkivin e Ministrisë për Evropën dhe Punë të Jashtme dhe dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve 2008 – 2023. Për të ruajtur origjinalitetin e dokumenteve nuk kemi ndërhyrë.

 

Informacion nga Legata e Beogradit dërguar Ministrisë së Jashtme në Tiranë për statusin politik të Kosovës

Në takimin që ka pasur shoku Bujar Hoxha me disa anëtarë të Komisionit për ndryshimin e statutit të Kosovës ka mësuar: 1) Kosova nuk do të shpallet republikë, por autonomia e saj do të forcohet dhe për shumicën e problemeve ajo do të ketë lidhje me Federatën dhe jo me Republikën e Serbisë. Udhëheqja e Kosovës nuk ka propozuar vetë për krijimin e republikës së Kosovës, mbasi një propozim i tillë sipas mendimit të tyre nuk është oportune për situatën e tanishme.

                                                                                -36-

Legation De la Republique Populaire D’Albanie

Belgrade                                            Beograd, më 10.07.1968

Nr. 40 Sekret

Ministrisë së Punëve të Jashtme

(Drejtorisë Parë)              Tiranë

Relacion “mbi reagimin e masave kosovare dhe kundërreagimi i serbëve dhe kombësive tjera që banojnë në Kosovë, lidhur me kërkesat e bëra nga ana e Komisionit Krahinor për një autonomi Kosovës”

Menjëherë pas botimit në shtyp të kërkesave nga ana e Komisionit Krahinor për një “autonomi” më të plotë të Krahinës së Kosovës, pati reagime, kundërreagime të ndryshme, të cilat nxorën në shesh akoma më qartë si para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, kontradiktat e mëdha nacionale që ekzistojnë në Republikën Serbe.

Kërkesat e bëra përmblidhen në këto çështje:

1)         Në dhomën e kombeve të ketë përfaqësues direkt nga krahina, dhe jo si është tani që përfaqësimi i krahinës të bëhet nga ana e Republikës.

2)         Kombet dhe kombësitë në krahinë t’i rregullojnë marrëdhëniet ashtu si ju intereson më mirë atyre, domethënë pa ndërhyrje të jashtme. Vetëm në këtë mënyrë realizohet pavarësia ekonomike e Krahinës së Kosovës.

3)         Në të ardhmen Kosova të quhet nga Krahinë Autonome e Kosovë-Metohisë në “Krahinë Socialiste Autonome e Kosovës” .

4)         Për një autonomi të plotë të gjyqeve.

5)         Krahina të ketë si bazë të saj juridike “Kushtetutën” dhe jo “Statute” sikundër e ka tani.

6)         Se territori i Krahinës nuk duhet të ndryshoj pa pëlqimin e saj.

7)         Se tani e tutje me akte kushtetuese të njihet e drejta e kombësisë shqiptare që të përdorë edhe ajo simbolet kombëtare, siç janë: flamuri kombëtar shqiptar, si dhe stemat dhe festat e ndryshme.

Përveç kërkesave të mësipërme, të cilat u botuan në gazetën “Rilindja”, datë 24 prill 1968, kohët e fundit na del se në Komisionin Krahinor janë diskutuar edhe një sërë çështjesh të tjera, siç është për shembull ndryshimi i ligjit ekzistues që pengon kthimin e kosovarëve në vendin e tyre, që siç dihet janë shpërngulur me forcë nga ana e regjimit titist për në Turqi dhe gjetiu; problemi i përdorimit të dy gjuhëve në administratë dhe në jetën e vendit (të shqipes dhe serbo-kroatishtes).

Edhe këto diskutime të formuluara më vonë në kërkesa i janë paraqitur Komisionit Republikan të Serbisë për shqyrtim dhe aprovim. Këto dhe kërkesat tjera, të cilat po diskutohen nga masat kosovare dhe të shqiptarëve në përgjithësi që banojnë në Jugosllavi, nuk i ka botuar shtypi për shkaqe të ndryshme sepse botimi i të gjitha kërkesave dhe të diskreditonte më shumë regjimin në fuqi.

Nga të dhënat që kemi kohët e fundit, rezulton se për disa nga kërkesat e mësipërme, Komisioni Krahinor ka marrë aprovimin e Kryesisë së Komitetit Krahinor të “Lidhjes Komuniste”, siç është për shembull ajo që Krahina “Autonome” e Kosovë-Metohisë të quhet “Krahina Autonome Socialiste e Kosovës”.

  1. Reagimi i masave kosovare dhe nuancat e ndryshme lidhur me këto çështje

Kosovarët dhe në përgjithësi shqiptarët që banojnë në Jugosllavi, gjithashtu nga sa na del ditët e fundit, edhe kosovarët që janë jashtë Jugosllavisë si në Turqi dhe gjetkë, kërkesat e mësipërme i kanë pritur shumë mirë, por me nuanca të ndryshme. Sipas mendimit tonë, ato konsistojnë në mendime dhe qëndrime të ndryshme që kanë shfaqur dhe vazhdojnë të shfaqin shtresat e gjera të krahinës. Masat e thjeshta kosovare të qytetit dhe fshatit, si dhe rinia studentore, nuk kanë qenë dhe akoma s’janë të bindur që klika titiste mund t’i aprovojë kërkesat e bëra me anë lutjesh. Sipas tyre, ato mund të sigurohen me forcë. Kjo kategori njerëzish në kontakte me neve, na kanë folur për mosbesimin e madh që ata kanë ndaj klikës që është në fuqi dhe sidomos na kanë shfaqur urrejtjen e tyre shumë të madhe ndaj elementit serb. Funksionarët serbë, masa kosovare i konsideron si armiqtë më të rrezikshëm jo vetëm ndaj pakicave shqiptare në Jugosllavi, por edhe ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë. Ata sjellin në biseda me neve një seri faktesh të reja e të vjetra se, serbët janë shovinistë të mëdhenj gjë që u vërtetua edhe njëherë në Plenumin e 14 të KQ të LK të Serbisë, që u bë më 30 qershor të këtij viti.

Por, sa i përket inteligjencës jo vetëm që i mirëpriti kërkesat e mësipërme, por edhe i popullarizoi ato në masën e nevojshme me shtyp dhe verbalisht në masat e thjeshta kosovare. Në këtë drejtim, duhet thënë se një punë mjaft të mirë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë arsimtarët si në qytet e në mënyrë të veçantë në fshat. Por, në këtë rast, vlen të përmendet se në radhët e kësaj ka shtresa prej atyre që ushqejnë iluzione të mëdha ndaj demagogjisë titiste, si të tillë bëhen dhe zëdhënës të kësaj propagande.

Ndryshe pra nga shtresat e varfra dhe studentët që thamë më lart, të cilët shfaqin si mosbesimin ndaj demagogjisë titiste dhe në të njëjtën kohë shprehin urrejtjen e tyre ndaj elementit serb, ku një pjesë e intelektualëve e për më tepër ata që kanë funksione politike në krahinë dhe komunë mbështesin demagogjinë titiste dhe e konsiderojë Titon si “shpëtimtar” të kosovarëve nga planet rankoviqiane për shkombëtarizimin e Kosovës. Ka prej këtyre që e konsiderojnë Titon “viktimë” të Rankoviqit, por sigurisht ky është një numër i vogël, të cilët pa Titon nuk mund t’i mbajnë ato ofiqe dhe privilegje që kanë tani. Në këtë kategori hyjnë krerët titistë të Kosovës, duke filluar nga ata që janë sot në krye të vendit dhe ata që kanë qenë më përpara, por që aktualisht janë me shërbim në Beograd. Këta shërbëtorë besnikë të Titos, siç mund të përmendim: Xhavit Nimani, Ali Shukria, Fadil Hoxha, Veli Deva, Mahmut Bakalli, Xhevdet Hamza, Ilaz Kurteshi e të tjerë, gjatë mbledhjeve që bënë me studentët e Prishtinës, në rangun e demonstratave të Beogradit, ju thanë atyre se: “Ideologët për ngritjen e studentëve të Beogradit, në revoltë kundër regjimit në fuqi, qenë rankoviqianët dhe në rast se do të përkrahet kjo revoltë, atëherë ka për të ardhur në fuqi Rankoviqi. Ardhja në fuqi e Rankoviçit, shpjegonin ata, do të jetë fundi katastrofik i Kosovës dhe kosovarëve.

Me këtë shpjegim të çështjes masat kosovare mund të gënjehen kollaj, sepse puna e bërë deri tani nga propaganda titiste ka mundur të mashtrojë një pjesë të kosovarëve, se krimet e bëra në Kosovë deri në kohën që ishte në fuqi Rankoviçi, janë bërë pa dijeninë e Titos dhe kundër “dëshirës” së tij. Në këtë situatë, ashtu si deri tani, propaganda jonë të intensifikojë luftën e saj kundër Titos, këtij agjenti të regjur dhe të rafinuar të imperializmit amerikan, i cili ka për qëllim që të zhdukë çdo iluzion në kosovarë, se Titoja gjoja është shpëtimtari i tyre nga Rankoviqi dhe rankoviqianët. Për t’i bërë sa më të njoftuara kërkesat e mësipërme, persona të ndryshëm kanë filluar t’i shprehin mendimet e tyre të favorshme në shtyp, ndër mbledhje dhe në botime librash. Deri tani, janë shkruar artikuj interesant, si për shembull ai i Esat Stavilecit në “Rilindja” ku midis tjerave thotë se “kërkesat për një autonomi më të plotë të Kosovës, nuk duhet të mbeten pronë e disa teoricienëve, por ato duhet të bëhen të njohura masave të gjera kosovare dhe të japin mendimin e tyre”. Artikulli i Nebil Durakut, botuar në gazetën “Vjesnik i Srejedu” të Kroacisë, i cili pasi denoncon marrëveshjet e vjetra të borgjezisë serbe me Qeverinë e Turqisë, lidhur me shpërnguljen e kosovarëve dhe të shqiptarëve që banojnë në Jugosllavi për në Turqi, ngre me të madhe se si kjo marrëveshje është përtërirë nga dy qeveritë në fjalë dhe si rrjedhim i kësaj shpërnguljet e kosovarëve për në Turqi vazhdojnë edhe tani, herë me forcë e herë me demagogji. Ndërsa, Vehap Shita në artikullin e tij të botuar në revistën “Zëri i rinisë”, mes tjerave shkruan: “Lidhur me barazinë e gjuhëve, shtrohet nevoja e ndryshimit të disa normativave kushtetuese-juridike. Në qoftë se përdorimi i shqipes dhe hungarishtes, për shembull në Kuvendin Federativ dhe atë Republikan, mund të duket dhe si çështje pak a shumë formaliste, përdorimi i shqipes në administratën e krahinës, në jetën shoqërore dhe politike, sigurimi i kushteve për përdorimin e saj, sidomos në shkolla, duke filluar nga ato fillore e më gjerë tek shkollat e larta dhe fakultetet, është nevojë e domosdoshme, që duhet të sigurohet edhe me dispozitat kushtetuese, juridike t’u caktohen obligime të posaçme bashkësive shoqërore politike, organizatave punuese dhe institucioneve. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet inkuadrimi i tyre aktiv dhe më i plotë në jetën shoqërore e publike të vendit dhe të realizohen të drejtat e tyre të barabarta nacionale”. Më interesant është artikulli i Tihomir Leshiqit, botuar në revistën “NIN” dhe ribotuar në “Rilindje”, me titull: “Letra të hapura nëpër Kosovë”, ku në mes të tjerave thekson: “Pse të mësojmë shqip, s’është kjo gjuhë botërore mbrohen dhe sulmojnë disa, e kurrkush asnjë fjalë për atë se kjo është e udhës e njerëzishme, e domosdoshme me i thënë fqinjit “Mirëdita”, sikundër është rend dhe zakon që prej ekziston kjo botë. Gjuha serbokroate, po ashtu (e dimë) nuk është gjuhë botërore, por që të gjithë e mësojnë, dhe askush nuk e kundërshton, kjo punë fare e qartë dhe e nevojshme. Po qe se thirrni në telefon numrin 98 (informacionin) dhe pyetni për ndonjë gjë për t’u informuar, telefonistja e shkathët aty për aty, po sa e dikton se nuk po flisni shqip (e ku shumica dërmuese flasin kështu) do t’u përgjigjet në gjuhën serbokroate. Kjo gjë konsiderohet e logjikshme, edhe është e logjikshme. Por, po qe se i ndodh ndonjë shqiptari të vijë para gjyqit, atëherë ai duke u përgjigj sipas ligjeve të këtij vendi, mund të mbrohet në gjuhë të vet, por vendimin do ta marrë në gjuhën serbokroate. Mirëpo, në kohën e fundit, askush nuk po kundërshton që vendimi të merret në gjuhën shqipe. Kjo është çështje të cilën e ka sjellë jeta për të korrigjuar një histori të padrejtë.

Si mund të shpjegohet fakti kur Vllada Kovaçeviq, drejtor i industrisë se tekstilit “Kosovska”, përveç rrogës 250 mijë dinarë të vjetra dhe banesës që ka në Kosovë, i ofrojnë edhe tri dhoma në Beograd. A është kjo çështje nacionale, apo ndoshta diçka tjetër? A është kjo çështje nacionale apo ndoshta diçka tjetër kur fshatari i pashkolluar shqiptar merr sëpatën e sharrën e niset për Beograd për të fjetur nëpër bodrume dhe për t’u ngarkuar me qymyr, a e merr kush në gojë atë, a i kujtohet edhe ai ndokujt kur flet për migrimin nga rrafshi i Kosovës, ku i këndojnë zogjtë e Kosovës. Cilët zogj të mirë vallë i këndojnë atij, a çel, a rritet edhe për të lulëkuqja e Kosovës: atëherë kur niset, merr botën në sy, kur len gruan dhe fëmijët e vet, shtyhet me mish nder dhëmbë nëpër botë. Atij askush nuk i ofron banesë tridhomëshe dhe krejt rrallë mbahen fjalime dhe shkruhen vështrime. Ky konsiderohet si fat, ky është kobi i tij.

Statistikat jozyrtare përafërsisht tregojnë së në mbarë botën jetojnë nja tre milionë shqiptarë. Në Jugosllavi jetojnë gati një milion e ca (Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni). Në Kosovë shqiptarët përbëjnë shumicën absolute. Është fare e natyrshme që në kuadrin e sistemit të vetëqeverisjes, shqiptarët edhe në organet dhe forumet përfaqësuese të paraqesin shumicën. Mirëpo, kjo nuk po ju pëlqen disave! Me këtë rast, po ashtu mohojnë, harrojnë shënimin se nëpër fakultetet e Prishtinës studiojnë 5 000 studentë, prej të cilëve vetëm 2 000 janë shqiptarë. Janë habitë, tmerruar, kur kanë dëgjuar se po flitet për atë që të legalizohen disa simbole nacionale. Bie fjala, flamuri. Jo asisoj që të bëhet “Flamur shtetëror”, as që i shkon ndërmend ndokujt për këtë, por që për shkak të atij flamurit mos shkohet më në burg”.

Duhet theksuar se nga kërkesat e mësipërme ato që ngjallin më shumë interesim në masat kosovare dhe kundërreagim në elementin serb për të cilët do të flasim më poshtë, qenë kërkesat për flamurin dhe emblemat kombëtare. Nga masat kosovare, kjo kërkesë u prit me entuziazëm jashtëzakonisht të madh. Kështu që, pas botimit të këtyre kërkesave në gazetën “Rilindja”, datë 24 prill 1968, masat kosovare të qytetit dhe fshatit e sidomos rinia filluan të përgatiteshin të ngrinin flamurin shqiptar me rastin e 1 Majit si dhe më 9 maj, ditën që zhvillonte punimet simpoziumi i Prishtinës, me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut. Një manifestim i tillë u bë problem për organet titiste të Krahinës dhe të Republikës, të cilat nëpërmjet mbledhjeve të shumta dhe bisedave në rrethe të ngushta ju luteshin atyre që të mos marrin hapa të tillë para kohe, sepse do ta komplikonin situatën më shumë se sa është në fakt. Megjithatë gjatë këtyre dy evenimenteve, flamujt në mënyrë masive nuk u ngritën, por tek-tuk u ngritën aq sa u bë problem për UDB-në e Krahinës.

Gjithashtu, duhet përmendur se masa kosovare në mënyrë të veçantë rinia studentore e përkrahur nga intelektualë me ndjenja patriotike të mira, shfrytëzuan në maksimum punimet e simpoziumit të Prishtinës, i cili u bë në prag të këtyre kërkesave. Në mënyrë të veçantë, kjo masë i dha popullaritet të madh grupit shkencor të universitetit tonë, i cili merrte pjesë në këtë simpozium, i ftuar nga një grup shkencëtarësh të Kosovës. Ata e shfrytëzuan popullaritetin e këtij grupi më qëllim që të fitonin edhe më shumë dashurinë e masave kosovare për vendin dhe udhëheqjen tonë. Nga më karakteristike mund të shënohen këto: a) Gjatë manifestimeve të ndryshme një pjesë e të rinjve dhe të rejave kosovare si dhe fëmijëve të vegjël, u veshën me rroba kuq e zi, që sipas tyre simbolizonin flamurin kombëtar. b) Të gjitha buqetat me lule dhe këto ishin me shumicë që iu dhuroheshin anëtarëve të grupit shkencor të Universitetit, i kishin të lidhura me shirit kuq e zi. c) Karakteristikë dhe shumë kuptimplotë qe manifestimi folkloristik që dha grupi Rugovës me rastin e vizitës që bënë në këtë zonë grupet e huaja që morën pjesë në simpoziumin e Prishtinës, të cilët nëpërmjet veshjeve dhe banderolave kuq e zi që ata mbanin, ishte një kërkesë e hapur për përdorimin e flamurit kombëtar.

Duhet përmend se ditët e fundit çështja e flamurit dhe emblemave kombëtare po diskutohet edhe në forumet e larta të Krahinës. Kështu për shembull, në Plenumin XV, të Komitetit Krahinor të LK për Kosovën, midis të tjerave u theksua: “se së shpejti pritet edhe zgjidhja e çështjes së përdorimit të lirë të simboleve nacionale”. Është për t’u theksuar se në këtë forum në mënyrë të hapur për flamurin dhe stemat kombëtare, foli deputeti Ukë Gashi, i cili duke sjellë zërin e masave kosovare, tha: “Veç të tjerave, pyet masa kosovare se si po zgjidhet çështja e përdorimit të simboleve kombëtare dhe të flamurit. Nëse është çështja që duhet ta zgjidhin organet e Kuvendit Federativ, le ta zgjidhin. Nëse është fjala se duhet marrë vendim nga forumi më i lartë i LK të Jugosllavisë, le të merret sa më shpejtë – sepse për një gjë të tillë masat kosovare janë përgatitur”. Më poshtë ai vuri në dukje fjalët e titistit Tempo, i cili në mitingun e mbajtur në vitin 1943 në Dibër, me flamurin e Skënderbeut në dorë, në mes të tjerave paska thënë: “Shokë shqiptarë, ju që nën këtë flamur keni luftuar për të drejtat gjate historisë tuaj, ju që me flamurin e Skënderbeut gjithmonë keni qenë adhurues të lirisë, sot, në këtë periudhë të rëndësishme historike, ju fton Partia dhe shoku Tito, që të inkuadroheni në radhët e partizanëve. Dhe ashtu u bë”. Në fund të fjalës së tij, Uka theksoi edhe këto: “Për të gjitha diskutimet e zhvilluara rreth problemeve të Kushtetutës për Krahinën tonë, sot populli kosovar është shumë i interesuar, prandaj të gjitha kërkesat e parashtruara në Beograd nga komisioni krahinor duhet të aprovohen”.

  1. Qëndrimi i serbëve dhe malazezve që banojnë në Kosovë, lidhur me kërkesat për një autonomi më të plotë të Krahinës.

Serbët dhe malazezët që banojnë në Kosovë, kërkesat e mësipërme dhe sidomos ato që bënin fjalë për flamurin dhe emblemat, i pritën me reaksion të madh. Nga sa doli në Plenumin e XIV të KQ të Serbisë, serbët e Kosovës për këtë reaksion që shfaqin ndaj këtyre kërkesave mbështetjen e kishin edhe nga funksionarë politikë që shërbejnë në Beograd. Në këtë rast vlen të përmendet fakti se kërkesa e më sipërme si dhe përvjetori i 500-të i Skënderbeut, nxorën në shesh kalbëzimin e parullës “bashkim-vëllazërim” për të cilën titistët po bëjnë aq zhurmë sa kjo çështje është zgjidhur në mënyrë “ideale” në Krahinën e Kosovës dhe mbi bazën e kësaj zgjidhjeje do të korrin “fitore” të reja. Por, sikundër do të shikojmë edhe më poshtë, kontradiktat nacionale në mes të kombësive që banojnë në Kosovë, janë acaruar aq shumë si asnjëherë tjetër.

Për të vetëtuar këtë konkluzion veç fakteve të mësipërme po sjellim edhe këto: a) Pothuaj se në të gjitha konferencat përkujtimore që u bënë më rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut në të gjitha komunat e Krahinës së Kosovës, si dhe në disa komuna të Maqedonisë, ku shumica e popullsisë janë shqiptarë si për shembull: në Dibër, Tetovë, Gostivar dhe Strugë, me përjashtme të rralla për të mos thënë fare, nuk morën pjesë nga kombësitë e tjera qofshin ato serbe, malazeze dhe maqedonase. Bile edhe aty ku shkuan, siç ndodhi në Gjilan të Kosovës dhe Tetovë të Maqedonisë, pati përleshje midis shqiptarëve dhe atyre të shkaktuara nga vetë ata. Shfaqje të tilla përleshjesh pati gati në të gjitha vendet që u zhvilluan në këto konferenca dhe kjo vinte si rrjedhim i egoizmit të serbëve dhe malazezve për të qenë gjithnjë sundues ndaj kombësisë shqiptare. Mirëpo, edhe shqiptarët e sidomos rinia studentore, gjatë këtyre konferencave sidomos gjatë punimeve të simpoziumit në Prishtinë, gjerë në orët pas mesnate qëndronin të organizuar në grupe duke kënduar këngë lufte dhe pune, të heronjve dhe për udhëheqjen tonë. Ky manifestim i hapët i rinisë kosovare ishte një shprehje e qartë e dashurisë së tyre për vendin dhe udhëheqësin tonë të madh, shokun Enver Hoxha. Po në këtë kohë, rinia serbe dhe ajo malazeze, në shenjë hakmarrje ndaj veprimeve të rinisë kosovare, këndonin edhe këta këngë me përmbajtje shoviniste dhe ofenduese ndaj popullit kosovar, por edhe atij shqiptar në përgjithësi. Të gjitha këto bëheshin shkak për acarimin e tyre dhe puna përfundonte në përleshje. b) Grindje të tilla u vërtetuan më vonë në sferat e larta të këtyre kombësive, të këtij “bashkim-vëllazërimi” që propagandonte me të madhe klika titiste. Në fillim ato u panë forumet e ndryshme të krahinës dhe më vonë në mënyrë të hapët u shfaqen gjatë zhvillimit të Plenumit XIV të KQ të Serbisë. Në këtë Plenum Marianoviqi dhe Qosiqi si zëdhënës të shovinizmit serbomadh, u ngritën në një urrejtje shumë të madhe kundër kosovarëve të cilët sipas tyre u frymëzuakan nga Shqipëria për të copëtuar Serbinë. Ata dhe gjithë Plenumi, në fakt, duke qenë të pakënaqur nga dashuria e madhe që populli kosovar dhe gjithë shqiptarët që banojnë në Jugosllavi ushqejnë për Republikën Popullore të Shqipërisë dhe udhëheqjen tonë, u ngritën kundër rrezikut “nacionalist” si më i rrezikshmi që aktualisht paraqitet në Kosovë. Në këtë Plenum, Marijanoviqi me Qosiqin, shkuan aq larg sa që akuzuan krerët e Krahinës së Kosovës, e sidomos ata me prejardhje shqiptare, se gjoja gjithë kujdesin e tyre e paskan drejtuar në sigurimin e flamurit dhe të elementeve kombëtare se sa në forcimin e “bashkim-vëllazërimit”. Krerët e Kosovës, të dëshpëruar nga kjo akuzë, ankohen te padroni i tyre Tito dhe ky demagog me dhelpëritë e tija të njohura, i qetëson titistët e vegjël duke ju thënë se, “akuzat e ngritura nga Marjanoviqi dhe Qosiqi në radhë të parë dhe kryesisht janë ndaj vijës së përgjithshme të LKJ, Komitetit Qendror të saj dhe ndaj meje”.

Pas Plenumit XIV KQ të Serbisë, i cili u zhvillua në prag të demonstratave që përgatiteshin studentët e Beogradit, në Krahinën e Kosovës filluan të bëhen një serë mbledhjesh në rang krahine, komunë dhe qendra pune. Ashtu siç thamë edhe më lart, karakteristike qe se, në këto mbledhje, të deleguarit e Titos, theksin kryesor e vunë në qarqet “nacionaliste”, sidomos në fushën e kulturës, ku veç “rrezikshmërisë” që paraqiste kjo shfaqje për titizmin, ata murrën edhe një seri masash të tjera. Dhe një nga masat që u mor ato ditë qe vendosja e një kontrolli më të fortë në materialet që boton gazeta “Fjala”, për faktin se sipas tyre faqet e saja të mbushën me shkrime të autorëve shqiptarë të rilindjes dhe të pushtetit tonë popullor. Gjithashtu u vendos që kjo gazetë të dal nën kontrollin e redaksisë së “Rilindjes” dhe kryeredaktori i deritanishëm, Ali Sutaj, të shkarkohet nga ky funksion, sepse dyshohej për shkarje në nacionalizëm. Vlen të vihet në dukje se masat kundër “rrezikut nacionalist” merreshin në një kohë kur në Kosovë dihet se serbët në forma të hapura dhe të maskuara, armatoseshin dhe vazhdojnë të armatosen nga forcat rankoviqiane dhe kush zyrtarisht nga ana e UDB-së së Krahinës, më qëllim për të qenë të gatshëm ndaj rrezikut në fjalë, domethënë ndaj nacionalizmit.

III.       Preokupimi i rretheve diplomatike këtu për këto çështje

Ngjarjet e fundit në Kosovë, sidomos që nga koha kur masat kosovare dhe në përgjithësi shqiptare që janë në Jugosllavi, përkujtuan jubileun e Skënderbeut, si dhe njoftimi në shtyp i kërkesave për një autonomi të plotë të Kosovës, ka tërhequr vëmendjen e rretheve diplomatike të akredituara në Beograd e sidomos atyre të vendeve revizioniste. Në këtë drejtim më të interesuar kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë diplomatët bullgarë, të cilët në takimin me neve kanë pyetur dhe kërkuar mendimin nga ana jonë mbi gjendjen aktuale në këtë krahinë dhe qëndrimi i vendit tonë ndaj këtyre ngjarjeve. Jo kaq sa bullgarët, por deri në njëfarë mase qenë të interesuara të mësonin ndaj neve mbi ngjarjet aktuale në Kosovë dhe diplomatët e Ambasadës hungareze, të Kubës dhe të disa vendeve arabe. Duhet thënë se interesimi i diplomatëve arabë ka qenë me qëllim të mirë, ndërsa i të parëve e sidomos bullgarëve dhe hungarezëve, me qëllime të caktuara, sepse siç dihet, si njeri vend ashtu edhe tjetri, kanë kontradiktat e veta me regjimin titist në fushën nacionale. Ndërsa, diplomatët hrushovianë, nga të dhënat tona del se këto çështje i kanë studiuar në Kosovë nëpërmjet takimeve dhe vizitave të ndryshme që kanë bërë atje. Jo pa qëllim hrushovianët dërguan albanologen Irena Senkeviq në simpoziumin e Prishtinës, mbajtur me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut, e cila pasi bëri të qartë entuziazmin e masave kosovare në përkrahje të vendit tonë, shkoi në Kosovë menjëherë për një vizitë “protokollare”, ambasadori sovjetik, Bedenikov. Sipas shtypit të krahinës edhe nga të dhëna të tjera, autoritetet e vendit, si: Fadil Hoxha, Veli Deva dhe Ilia Vakiq, të dërguarit e klikës Brezhnjev-Kosigin, i rezervuan një pritje të ngrohtë dhe vizitës së tij i dhanë popullaritet.

Pyetjeve dhe interesimeve të diplomatëve të ndryshëm lidhur me çështjet e mësipërme, në të gjitha rastet u është bërë e qartë politika e qeverisë sonë si dhe qëndrimi i njohur marksist-leninist i partisë sonë në zgjedhjen e çështjes nacionale.

Përfundimisht, lidhur me kërkesat e mësipërme, ditët e fundit, ashtu siç është zakon në regjimin titist u bënë përsëri disa mbledhje në shkallë republike dhe krahine për të marrë edhe njëherë në diskutim këto kërkesa. Kështu për shembull, më datën 29 qershor 1968, u mblodh Komisioni Kushtetues për Republikën e Serbisë, dhe i propozon Dhomës së popujve që pritet të mblidhet nga mesi i korrikut, çështjet e mëposhtme:

1)         Kushtetuta Federative duhet të precizojë karakterin dhe rolin e Krahinës Autonome, në kushtetutën e republikane duhet përshkruhet më mirë roli i autonomisë.

2)         Që statutet e krahinave të quhen ligje kryesore, megjithëse theksohet në propozime se ka mendime që këto të quhen si dhe më parë, dhe se nuk është aprovuar propozimi që këto statute të quhen kushtetuta.

3)         Që krahinat autonome duhet të kenë burimet e tyre të të ardhurave dhe këto t’i përdorin si duan vetë.

4)         Se kufijtë e krahinave autonome mund të ndryshojnë vetëm me pëlqimin e organeve të Krahinës.

5)         Që krahinat autonome të kenë delegacione të veçanta në Dhomën e popujve.

6)         Propozohet që në nenin dy të kushtetutës federative ku thuhet se Jugosllavia përbëhet nga 6 republika të bëhet shtesa me këtë mbishkrim se në përbërjen e Republikës së Serbisë bëjnë pjesë edhe dy krahina Vojvodina dhe Kosova e Metohia.

Sikundër shikohet, Komisioni Republikan jo të gjitha çështjet e parashtruara nga Komisioni Krahinor ia paraqet Dhomës së popujve. Ndërsa, Plenumi XV i Komitetit Krahinor të Kosovës që mblidhet disa ditë më vonë, nga komisioni republikan njofton se “nuk ka kurrfarë mospajtimesh lidhur me diskutimet e kushtetuese. Në këtë drejtim, së shpejti pritet edhe zgjidhja e çështjes së përdorimit të lirë të simboleve nacionale”. Dy forume të së njëjtës Republikë, dalin përsëri me pikëpamje të kundërta. Kjo tregon edhe njëherë kontradiktat e mëdha midis tyre për çështjet nacionale në Republikën e Serbisë, e si rrjedhim e njëjta situatë është edhe në republikat tjera të Jugosllavisë titiste.

Lidhur me sa më sipër, organet e propagandës së vendit tonë, ashtu si deri më tani, të vazhdojnë demaskimin e Titos, sidomos në fushën nacionale dhe konkretisht mbi planet e tija shkombëtarizuese të Kosovës. Një demaskim i tillë nuk do të lejoj që të gënjehen masat kosovare nga demagogjia titiste, se krimet dhe padrejtësitë e bëra deri më tani në kurriz të kosovarëve janë vetëm të Rankoviqit dhe grupit të tij.

I ngarkuari më punë a. i.

(Lik Seiti)

                                                                                          -37-

Drejtoria IV

Informacion ditor i datës 30/09/1968

  1. Legata jonë në Beograd na njofton më 19/09/1968, se u paraqiten shpesh kosovarë, të cilët kërkojnë që, “duke përfituar nga situata aktuale e RPSH-së, t’u japë kosovarëve ndihmë të gjithanshme për të realizuar aspiratat për shkëputje nga Jugosllavia e bashkimin me Shqipërinë. Legata thotë se nuk dyshon tek këta njerëz dhe kërkon që “Ministria ta udhëzojë përfaqësinë mbi qëndrimin që duhet t’u japë kosovarëve sepse “nuk ka udhëzime precize”. Ne mendojmë se shokët e përfaqësisë nuk kanë të drejtë që t’u besojnë apriori kosovarëve që u paraqiten me kërkesa të kësaj natyre. Prandaj, mendojmë t’u japim këto porosi: 1) Të jenë vigjilentë ndaj atyre që u ngrenë të tilla kërkesa. 2) Të mbajnë parasysh se neve nuk ngremë pretendime territoriale zyrtare ndaj Jugosllavisë, sepse zgjedhjen e problemit të Kosovës nuk e ndajmë nga zgjedhja e problemit të përgjithshëm të Jugosllavisë d.m.th. nga rrëzimi i klikës së Titos dhe ardhja në fuqi e një udhëheqje marksiste-leniniste në vend të saj, e cila në kuadrin e zgjidhjes së çështjeve nacionale në Jugosllavi, do t’i jepte popullsisë shqiptare të drejtën për vetëvendosje me plebishit. Në këtë kuptim, popullsia shqiptare duhet të mbështesë forcat eventuale marksiste-leniniste jugosllave për realizimin e synimeve të tyre. 3) Qëndrimi ynë ndaj Jugosllavisë dhe çështjes së Kosovës në këtë situatë, nuk ka ndryshuar. Ne këshillojmë kosovarët që të luftojnë si edhe deri tani për të fituar sa më shumë të drejta në të gjitha drejtimet, duke synuar që të arrijnë të gëzojnë po ato të drejta që gëzojnë edhe kombësitë e tjera në Jugosllavi. 4) Për sa i përket çështjes nëse jemi për republikën apo për krahinën autonome, juve i kini udhëzimet. Përsërisim se ne nuk jemi për krijimin e republikës, sepse kjo nuk do ta zgjidhte problemin. Ajo do të zgjidhet vetëm ashtu sikurse thuhet në pikën 2. 5) Kur vizitorët, cilëtdo qofshin ata, kërkojnë mendimin tonë për çështjen e krijimit ose jo, të republikës së Kosovës, e nga ana e juaj të mos u jepet të kuptojnë qëndrimin tonë, por t’u thuhet se kjo çështje ju takon juve vetë ta vendosni. Në vazhdim të kësaj t’u thuhet: E rëndësishme për mendimin tonë është që të gëzoni po ato të drejta që gëzojnë edhe kombësitë e tjera në Jugosllavi. Për këtë ju kini pasur dhe do të kini përkrahjen e RPSH-së etj.
  2. Këshilli Ekzekutiv i lidhjes së futbollit të Krahinës së Kosovës i është drejtuar Legatës sonë në Beograd dhe fton vendin tonë për të marrë pjesë me një skuadër futbolli me rastin e 20-vjetorit të themelimit të lidhjes së futbollit të Kosovës. Mendojmë që të mos merret pjesë dhe të mos u jepet asnjë përgjigje.

III.       Mbështetur në Protokollin përfundimtar të Komisionit të Piramidave bërë, më 7 dhjetor 1967, më 9 tetor 1968, në Beograd do të mbahet mbledhja e Komisionit të Piramidave, e cila është vazhdim i mbledhjes së kaluar. Nga ana e palës sonë të këtij Komisioni janë bërë gjithë përgatitjet e nevojshme.

Bashkangjitur po ju përcjellim promemorien e kësaj mbledhjeje.

  1. Më datën 27/09/1968, u thirr në Ministri, sekretari i dytë i Legatës jugosllave, Jovan Kostiq, të cilit ju komunikua se pala jonë e Komisionit për ekonominë ujore nuk mund të shkojë në Beograd, më 1 tetor, sikurse ishte rënë dakord paraprakisht.

Bashkëngjitur informacionin.

                                                                                  -38-

 Informacion mbi demonstratat e 27 nëntorit në Kosovë

  Tiranë, më 04.12.1968

Në vigjilje të festës së 28 Nëntorit, më datë 27 nëntor 1968, në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Gjilanit dhe Podujevës, u zhvilluan demonstrata të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme. Në demonstratat e Prishtinës morën pjesë disa qindra studentë dhe nxënës të shkollave të mesme të kombësisë shqiptare. Demonstruesit u nisën nga fakulteti i filozofisë, duke mbajtur flamurin kombëtar shqiptar, për në qendër të qytetit. Sipas shtypit jugosllav dhe agjencive të huaja, demonstruesit kanë hedhur parulla të tilla si “Rroftë Enver Hoxha”, “Duam republikën”, “Duam bashkimin me Shqipërinë” dhe kanë vërshëllyer Veli Devën. Në bazë të këtyre burimeve, demonstruesit kanë thyer vitrinat e dyqaneve, kanë përmbysur makina dhe kanë tentuar të hynë në ndërtesën e Kuvendit Krahinor dhe të UDB-së. Policia ka ndërhyrë dhe ka përdorur edhe armët e zjarrit. Si rezultat i përleshjes midis policisë dhe demonstruesve, një student 16-vjeçar është vrarë dhe janë plagosur 41 vetë, nga të cilët 27 demonstrues dhe 14 policë. Demonstratat vazhduan pesë orë. Menjëherë është mbledhur Komiteti Krahinor i LK, për Kosovën dhe ka botuar një deklaratë, ku dënohen këto demonstrata dhe cilësohen si shkaktare nga elemente “shoviniste”, “antijugosllave”, dhe të “drejtuara kundër rendit në Jugosllavi, kundër Kushtetutës dhe vetë administrimit”. Në këtë deklaratë dhe deklaratat e tjera, thuhet se në organizimin e këtyre demonstratave kanë ndikuar edhe agjentët e zbulimeve të huaja.

Janë komunikuar edhe masat administrative që janë marrë. Sipas njoftimeve, janë arrestuar 15, dhe po zhvillohen hetime për nxjerrjen e tyre para gjyqit. Kundër studentëve që kanë marrë pjesë në të, do të merren masa për prerjen e bursës, kurse ndaj arsimtarëve që i kanë frymëzuar, do të merren masa deri në pushimin e tyre nga puna. Për gjendjen e krijuar në Kosovë kanë diskutuar edhe aktivi i LK për Serbinë dhe ka folur edhe vetë Titoja. Këto demonstrata janë vazhdim i manifestimeve të inteligjencës dhe rinisë patriotike shqiptare për të shprehur ndjenjat e tyre kombëtare dhe të luftës për të fituar sa më shumë të drejta sidomos të drejtën e vetëvendosjes dhe të shkëputjes nga federata. Ata treguan gjithashtu se inteligjenca dhe rinia patriotike kosovare është vënë në krye të luftës për fitimin e të drejtave të plota kombëtare, krijuar bindjen se vetëm nëpërmjet një lufte të vendosur mund t’ia arrihet këtij qëllimi dhe aktualisht po shfrytëzon momentin e tanishëm, kur ndryshimet për Kushtetutën po diskutohen dhe do të sprovohen nga organet federative, për të bërë presion mbi krerët kosovarë që të luftojnë për realizimin e kërkesave.

Meqenëse propaganda jugosllave po përpiqet të implikojë vendin tonë në këto demonstrata, me qëllim që të përgënjeshtrohen pretendimet e saj dhe të inkurajohet inteligjenca dhe rinia patriotike kosovare, propozojmë që shtypi dhe radio jonë të japin këtë njoftim: “Policia titiste shtypi me gjak manifestimet e rinisë kosovare që po kremtonte 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit kombëtar”.

Sipas agjencive të huaja, më 27 nëntor 1968, studentët dhe nxënësit e shkollave të Prishtinës dhe qyteteve tjera të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, duke mbajtur në duar flamurin kombëtar shqiptar, në mënyrë të organizuar dëshironin të kremtonin 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Policia titiste përdori shkopinjtë dhe armët e zjarrit për t’i shpërndarë ata dhe si rezultat i sulmit brutal të saj u vra një student dhe u plagosën 40 të tjerë. Para do kohësh Kryesia e Lidhjes Socialiste për Kosovën shpalli vendimin se kombësisë shqiptare në Jugosllavi, i lejohet përdorimi i flamurit kombëtar”.

Mbi demonstratat e shqiptarëve në Tetovë

Mbas demonstratave në Kosovë, më 22 dhjetor 1968, në qytetin e Tetovës shpërthyen demonstratat e reja të nxënësve dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët propaganda titiste i quajti si “shkelje të rendit publik e prishjes së qetësisë nga elementë reaksionarë e nacionalistë shqiptarë”.

Në mbrëmjen e 22 dhjetorit, një grup shqiptarësh të indinjuar nga akti i fotografit maqedonas, Greçko Fanevski, i cili kapi me forcë flamurin shqiptar nga dyqani i rrobaqepësit Ismail Ejupi, u grumbulluan në sheshin kryesor të qytetit ku shprehën indinjatën ndaj këtij akti. Sipas komunikatës së sekretariatit të P. të Brendshme të Maqedonisë, demonstruesit kërkuan prej këtyre organeve të ndërhyjnë kundër atyre që nuk lejojnë të ngritin flamujt shqiptar që ishin ngritur në xhamitë e katundeve Radivoc, Reçicë dhe 3 dyqane zanatçinjsh shqiptarë. Ndërkohë, organizuesit e demonstratave dërguan njerëz të posaçëm në katunde për t’i ftuar fshatarët që të nesërmen të dalin në demonstrata në qytet.

Në mëngjesin e datës 23 dhjetor, disa qindra nxënës dhe intelektualë shqiptarë në mënyrë të organizuar, u drejtuan për në ndërtesën e Komitetit Komunal të L. Komuniste dhe komitetit Komunal. Rreth 100 prej tyre hynë në ndërtesën e Komitetit, në zyrën e kryetarit dhe nga dritarja e kësaj zyre ngritën dy flamuj shqiptarë.

Gjatë rrugës demonstruesit hodhën parulla të tilla si Tito, Fadil “duam bashkimin me Shqipërinë” etj. Si rezultat i përleshjes me milicinë, u plagosën 5 veta nga të cilët 4 milicë, u përmbys një makinë e milicisë dhe u dëmtua rëndë ndërtesa e Komitetit të LK.

Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, lëshoi një urdhër që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në qytet dhe ndalimin e qarkullimit të popullatës.

Në demonstratat e Tetovës që vazhduan deri vonë natën, morën pjesë përveç nxënësve të shkollave të mesme dhe të larta, edhe arsimtarët, mjekët dhe intelektualët e kombësisë shqiptare. Sikurse del nga pohimet e vetë propagandës titiste, këto demonstrata nuk kanë qenë spontane, por të përgatitura me kujdes dhe kanë pasur lidhje me demonstratat e Kosovës. Është pikërisht kjo arsyeja që organet titiste lidhur me ngjarjet në Tetovë, mbajtën një qëndrim më të ashpër dhe armiqësor ndaj kombësisë shqiptare. Klika titiste në akuzat e saj, si reaksionarë i quajti të gjithë kombësinë shqiptare, dhe kërkesat e saj për shkollën shqipe, tekste shkollore, trajtim të barabartë të gjuhës shqipe dhe flamurin shqiptar etj.

Ky qëndrim i ashpër u duk edhe nga masat policore dhe administrative që u morën pas demonstratave, kështu menjëherë pas tyre u zhvilluan mbledhje në shkollat dhe qendrat e punës, u mblodh KE i QK të LK Maqedonisë, kurse kundër 77 pjesëmarrësve të demonstratave, u morën masa burgimi, u përjashtuan nga puna një numër arsimtarësh dhe mjekësh.

Mendojmë që qëndrimi ynë ndaj këtyre demonstratave të jetë ai që kemi mbajtur edhe për ngjarjet në Kosovë.

                                                                                 -39-

 

Buletin i Ministrisë së Punëve të Jashtme, nr. 23 dhe 24

Mbi demonstratat në Kosovë

Më 27 nëntor 1968, në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan dhe Podujevë u zhvilluan demonstrata të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme. Në Prishtinë, demonstrata ishte më e organizuar. Pjesëmarrja arrinte deri në 2 000 veta. Si rezultat i përleshjeve me policinë, u vra një i ri shqiptar dhe u plagosen 41 persona të tjerë, nga këta 14 milicë dhe 27 persona të tjerë. Këto demonstrata ishin vazhdim i atyre të tetorit, në Pejë, Prizren e Suharekë, të organizuara dhe të përgatitura me kujdes. Sipas të dhënave, Veli Deva, në tetor të këtij viti, i ka dërguar një letër Titos, ku gjendjen në Kosovë e paraqet shumë të acaruar si shkak i ekstremizmit e nacionalizmit të një pjese të popullsisë sidomos të inteligjencës shqiptare që e akuzonte si të lidhur me RPSH.

Nga shovinistët serbo-malazezë, janë bërë provokacione të organizuara ndaj popullsisë shqiptare, e midis tyre ishin: a) Në forma të organizuara kanë hequr nga ndërtesat flamurin e Shqipërisë. b) Muajt e fundit UDB-në e kanë vizituar shumë kuadro të saj nga Beogradi. Kjo shkaktoi panik te shqiptarët. c) Letrat që i kanë shkruar “Rilindjes”, kanë akuzuar RPSH-në, se po ndërhynë në punët e brendshme të Jugosllavisë. ç) Pas demonstratave në Pejë, Prizren e Suharekë, nga Serbia janë sjellë në Kosovë përforcime forcash të policisë, në Gjakovë UDB-ja arrestoi 30 veta dhe pengoi demonstratën këtu, më 27 nëntor.

Në këtë atmosferë të elektrizuar shpërthyen, demonstratat e 27 nëntorit të cilat ishin planifikuar të bëheshin më 28 nëntor, Komiteti Organizativ bashkë me demonstruesit do ta dorëzonte në Kuvendin Krahinor një rezolutë proteste, ku do të kërkohej e drejta e vetëvendosjes, trajtimi i barabartë i flamurit shqiptar me atë jugosllav dhe krijimi i Republikës të Kosovës që do të ishte edhe qëllimi i demonstratave. UDB-ja e vënë në dijeni, për këtë mori masa për të ndaluar, prandaj ata e filluan një ditë më përpara prej orës 16:00 deri 21:00.

Të parët në demonstrata ishin nxënësit e shkollave të mesme, ku sipas planit do të bëhej një parakalim me flamurin shqiptar dhe do të dorëzohej rezoluta e protestës. Në fillim kanë hedhur parulla “Rroftë Tito”, Kosova të shpallet Republikë, të jepet e drejta për vetëvendosje dhe krahina duhet të ketë kushtetutën e saj. Duke kaluar rrugës demonstratën e qëlluan me vazo lulesh, armë etj., ku ata të revoltuar pastaj hodhën parulla “Rroftë Enver Hoxha”, “Rroftë RPSH”, “Rroftë PPSH”, kanë thyer vitrinat e dyqaneve ku nuk ka pasur mbishkrime në gjuhen shqipe dhe ku nuk ishte flamuri shqiptar. Kur demonstruesit iu afruan ndërtesës së Kuvendit Krahinor, ka ndërhy milicia, e cila përdori shkopinjtë, gazlotsjellës dhe armë zjarri. Pas 5 orësh, demonstruesit u kthyen në Fakultetin e Filozofisë.

Në të gjitha mbledhjet që u bënë më vonë, si shkaqe të demonstratës cilësohen: 1) Veprimtaria e elementëve shovinistë, nacionalistë e irredentistë, nga radhët e kombësisë shqiptare. 2) Veprimtaria e elementëve shovinistë serbo-malazezë, që është drejtuar kundër sistemit të vet administrimit dhe dhënies së të drejtave të kombësisë shqiptare. 3) Veprimtaria e agjenturave të huaja në Kosovë. 4) Intensifikimi dhe influenca e propaganda nga RPSH.

Më 27 nëntor, janë arrestuar 60 veta dhe po marrin masa spastrimi nga elementët që i quajnë të rrezikshëm, prerje bursash, përjashtim nga LKJ etj. Gjatë kësaj kohe u dërguan forca të mëdha ushtarake e policore. Kanë rrethuar qytetin e Prishtinës e qytete tjera – Xhevdet Hamza shpall shtetrrethim deri më 11 dhjetor. Ndaj përfaqësuesit tonë në Beograd u shtuan masat e kontrollit. Organet e UDB-së janë urdhëruar të bëjnë të gjitha përpjekjet për të zbuluar “dorën e Shqipërisë” në organizimin e demonstratave. Nga analiza bazë e gjendjes, mund të arrihet në këto konkluzione. 1) Demonstratat janë rezultat i luftës që bënë inteligjenca për të fituar sa më shumë të drejta në kuadrin e Federatës, sidomos të drejtën e vetëvendosjes dhe krijimin e Republikës. 2) Demonstratat kishin karakter paqësor, por u bënë të përgjakshme nga ndërhyrja dhe provokacionet. 3) Organizatoret e demonstratave nuk janë të formuar ideologjikisht dhe nuk manovruan në mënyrën e parashtrimit të kërkesave, duke lejuar edhe hedhjen e parullave mbi vendin tonë, që do të ekzaltonin demonstruesit edhe do të shkaktonin reagimin e UDB-së. 4) Demonstratat shkaktuan në klikën e Titos shqetësim të madh për këto arsye: a) Nga frika e aktivizimit më të madh në këtë momente të korrentit serbo-malazez të Rankoviqit, i cili mbështetet me kujdes si nga revizionistë sovjetikë, bullgarë dhe agjenturat e tyre në Kosovë. b) Nga frika e humbjes së kontrollit ndaj zhvillimit të gjendjes në Kosovë. c) Nga frika e influencës gjithmonë në vërejtje e RPSH tek shqiptarët në Jugosllavi.

Detyra e jonë mbetet: 1) Ndjekim me kujdes zhvillimin e situatës në Kosovë. 2) Pa bujë, por aktivisht ta vëmë në roje elementin patriot kosovar, që të mos bjeri në provokacione të UDB-së e serbomëdhenjve të cilët synojnë të kufizojnë më tej të drejtat nacionale për shqiptarët në Jugosllavi. 3) Të bëjmë të qartë te kosovarët qëndrimin dhe politikën e Partisë e të Qeverisë ndaj Jugosllavisë në përgjithësi dhe ndaj Kosovës e shqiptarëve në Jugosllavi në veçanti. 4) Në të gjitha format e kanalet, qoftë edhe nëpërmjet bisedave me diplomatët jugosllavë, ta bëjmë të ditur se nuk ndërhyjmë me punët e brendshme të Jugosllavisë, por ky parim i drejtë nuk na ndalon të kujdesemi për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Jugosllavisë. Të influencojmë kështu që organet jugosllave të mos hidhen në reprezalje e masa të ndryshme kundër kosovarëve dhe të drejtave të tyre nacionale brenda dispozitave të kushtetutës për të cilat duhet të luftojnë me maturi që t’i shtojnë.

Buletini nr. 24 i Ministrisë së Punëve të Jashtme

Demonstratat në Kosove e Metohi

Të rralla kanë qenë ato gazeta e revista që nuk kanë komentuar ngjarjet e zhvilluara në qytetet e Kosovës e Metohisë, më 28 e 29 nëntor 1968. Ato vërtetuan edhe një herë se antititizmi i populli shqiptar po rritet, urrejtja po shtohet dhe e drejta për të kërkuar të drejta po zgjerohet. Titizmi do të mundohet të shfrytëzoi këto në interes të tij në forcimin e masave në drejtim të shkombëtarizimit. Për titistët, shkaqet e këtyre manifestimeve janë nacionalizmi dhe shovinizëm shqiptar. Për titistët jugosllavë (“Borba”, datë 05. XII. 1968), ngjarjet në Kosovë e Metohi janë dëshmi që kanë komunistët “për ngritjen e flamurit nacional”….flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare dhe yllin me pesë copa, simbol i regjimit të Enver Hoxhës, i cili ka qenë i predispozuar në mënyrë armiqësore ndaj Jugosllavisë… që akoma nuk janë marrë vendimet e këtyre akteve ligjore… nga organet ligjvënëse….”. Këto dëshmi të K. e frytëzuan në mënyrë shumë të shkathët ekstremistët… të nxitur e ndihmuar direkt nga agjenturat e huaja… 3 ditë më parë, nga ngjarjet gazetat e Tiranës “Zëri i popullit”, mbi këtë tezë, ndërtoi një kryeartikull të saj të fortë e famëkeqe…”.

Titoja u përpoq të zvogëlojë rëndësinë e ngjarjeve të Kosovës (30.XI.1968) se demonstratat e studentëve shqiptarë …u dramatizuan shumë… ka pasur njëfarë agjitacioni nga jashtë, por në përgjithësi, këto ngjarje nuk duhet të quhen si të rëndësishme”. Titistët për opinion e jashtëm kanë organizuar mbledhje aktive të ndryshme protestash dhe në të njëjtën kohë po shpejtohen proceset hetimore kundër shkaktareve kryesorë.

                                                                                  -40-

Informacion ditor. Vazhdojnë reprezaljet titiste kundër pjesëmarrësve të demonstratave në Kosovë

Sipas një dokumenti nga mbledhja e Konferencës komunale të LK të Prishtinës, i cili është njoftuar nga “Tanjug “, më 17 shkurt, del se kohët e fundit janë arrestuar 6 studentë, një gazetar i “Rilindjes”, i quajtur Adil Pireva si dhe një teknik i Kombinatit “Kosova” dhe një mësues. Të gjithë këta persona janë akuzuar si organizatorë të demonstratave në Prishtinë. Për kundërvajtje janë dënuar 22 vetë. Janë përjashtuar nga LK 2 anëtarë të kombësisë shqiptare, me motivacione se kanë qenë dakord me pikëpamjet e Lidhjes së Komunistëve në vlerësimin e demonstratave. Janë përjashtuar gjithashtu edhe 8 anëtarë të tjerë të LK për pjesëmarrje në demonstrata. Në dokument thuhet se janë pushuar nga puna 9 persona dhe do të përjashtohen nga fakultetet edhe 5 punëtorë e 8 studentë shqiptarë.

Sipas njoftimeve nga Legata jonë në Beograd, numri i të arrestuarve të akuzuar për pjesëmarrje në demonstrata në Kosovë ka arritur mbi 60 persona, të gjithë të kombësisë shqiptare. Organet titiste jugosllave vazhdojnë një propagandë të madhe në masat e popullit të Kosovës që të dënojnë demonstratat e muajit nëntor, duke i quajtur ato si “forca armiqësore të mbështetura në primitivizëm, në ndjenjën e nacionalizmit të ngushtë dhe në shovinizmin shqiptar…”. Ata kanë organizuar mbledhje të gjera në organizatat e ndryshme në të cilat janë fabrikuar deklarata në emër të punonjësve, ku hidhen poshtë këto demonstrata dhe kërkohet dënimi i pjesëmarrësve në to. Reprezalje të kësaj kategorie po ndërmerren edhe kundër popullsisë shqiptare dhe të pjesëmarrësve të demonstratave në Tetovë të Maqedonisë00.

Gjendja e keqe shëndetësore në Kosovë

Çështja e shëndetësisë në Kosovë është problem i madh. Mungesa e pranisë së shtesave financiare në shëndetësi në Kosovë dhe zvogëlimi i pjesëmarrjes së Federatës në financimin e mbrojtjes shëndetësore sipas projektligjit të ri të kohëve të fundit, vështirëson në një shkallë akoma më të madhe çështjen e shërbimeve shëndetësore në Krahinën e Kosovës që është e prapambetur. Siç njoftonte Radio Prishtina, më 24 janar, në komunën e Rahovecit, Deçanit dhe Vitisë, një mjeku i takojnë 10 000 banorë. Në Suharekë, Ferizaj dhe Kamenicë një mjek është deri 20 000 banorë.

Sipas njoftimeve nga Legata jonë në Beograd, më datën 9 shkurt, një dasmë që bëhej në Ulqin (Mal i Zi), krushqit mbanin me vete në këtë rast vetëm flamurin kombëtar shqiptar.

Njoftohet gjithashtu se duke filluar nga data 12 shkurt, gazeta “Rilindja”, do t, botohet në tërësi në gjuhën zyrtare të vendit tonë.

20.02.1969

                                                                                 -41-

Disa të dhëna mbi gjendjen e arsimit në Kosovë

Një nga aspektet e politikës shoviniste të shkombëtarizimit dhe serbizimit të popullsisë shqiptare të Jugosllavisë është edhe ai në fushën e arsimit. Ngritja e nivelit arsimor e kulturor të shqiptarëve të Jugosllavisë, shqipja padyshim në rritjen e ndjenjës kombëtare, forcon luftën për të drejta të plota në të gjitha fushat e jetës së tyre, si komb dhe si popull, njëkohësisht kjo përbën një rrezik të madh për politikën serbomadhe të regjimit titist. Popullsia shqiptare e Kosovës dhe e rajoneve të tjera të Jugosllavisë, ka bërë dhe vazhdon të bëjë një luftë këmbëngulëse dhe të vazhdueshme për barazinë e gjuhës shqipe, për të pasur shkollat e veta në gjuhën amtare dhe për të siguruar mundësitë reale për zbatimin e atyre të drejtave që ka fituar në këtë drejtim. Kjo u manifestua edhe gjatë përgatitjes dhe diskutimit të projektligjit të Kushtetutës së Kosovës, në vitin e kaluar dhe prillin e këtij viti.

Nga disa të dhëna zyrtare dhe nga shtypi i Krahinës, gjendja e arsimit në Kosovë paraqitet si më poshtë:

  1. Arsimi parashkollor. Në gjithë Krahinën e Kosovës, në maj të vitit të kaluar ka pasur gjithsejtë 27 institucione parashkollore me 1 807 fëmijë të moshës përkatëse, ose 1.6% të gjithë fëmijëve të kësaj moshe. Po të krahasojmë sasinë e institucioneve parashkollore të Kosovës me atë të Serbisë, duke pasur parasysh numrin e popullsisë, del se në Serbi ky numër është 5 herë më i madh se në Kosovë. Enti Krahinor i Kosovës për planifikimin shoqëror, pranon se: “Baza materiale e këtij numri të vogël të këtyre institucioneve në Krahinë, nuk është e kënaqshme. Këto institucione nuk kanë as kuadër përkatës edukativ të mjaftueshëm, lokal të nevojshëm dhe pajisje si dhe mjete të mjaftueshme për mirëmbajtjen e rregullt.
  2. Arsimi fillor. Në vitin shkollor 1967-1968, në Kosovë ka pasur gjithsejtë 782 shkolla fillore, nga të cilat vetëm 257 shkolla të plota 8-vjeçare, ose 32.8% e tyre, kurse 67.2% kanë qenë shkolla fillore jo të plota (katër klasëshe) me gjithë se titistët thonë se arsimi 8-vjeçar në Kosovë është i detyrueshëm. Më keq akoma është gjendja e ndjekjes së shkollave: në vitin 1966-1967, vetëm 35% e nxënësve të moshës përkatëse i kanë ndjekur shkollat fillore. Për lokalet shkollore thuhet se vetëm 50% e tyre janë të papërshtatshme për mësim, por dhe këto që konsiderohen si të tilla, kanë nevojë për riparime. Kryetari i Dhomës së shërbimeve shoqërore të Komunës së Prishtinës, më 9 shkurt të këtij viti, njoftonte se në këtë komunë ka vështirësi të mëdha për lokale shkollore, 12 shkolla të plota fillore punojnë me nga tre turne, kurse vitin e kaluar në Kosovë 3 milionë dinarë të rinj të caktuara për arsim, u përdorën për qëllime të tjera. Ka shumë fshatra që shkollat më të afërta 8-vjeçare i kanë mbi 12 km larg. Në një njoftim nga Komuna e Prizrenit, në muajin janar, ndërmjet të tjerave thuhej: “….Ka ngushticë të madhe në lokalet shkollore, një nxënësi i takojnë 0.39 m2 nga 2m2 që është normativa. Situata më e vështirë në pikëpamje të mungesës së lokalit shkollor është nëpër shkolla në fshat, në një numër të madh shkollash në një bankë ulen 3 nxënës, bile edhe 5…. Inventari është shumë i vjetër dhe nuk ka mjete për zëvendësimin e tyre”.

Agjencia “Tanjug”, më 25 shkurt, në një lajm nga Kosova njoftonte: “Për shkak të zhvillimit të pamjaftueshëm të rrjetit të shkollave fillore, mbesin jashtë shkollës çdo vit 43 000 fëmijë të shkollës fillore… llogaritet se në Krahinën e Kosovës ka mbi 100 000 analfabetë deri në moshën 35-vjeçare, kështu që numri i analfabetëve rritet. Kosova sot ka përqindjen më të madhe të analfabetëve në Jugosllavi dhe në gjithë Evropën.

  1. Arsimi i mesëm. Krahina e Kosovës ka 51 shkolla të mesme, të ndara si më poshtë: 11 gjimnaze, 10 shkolla për kualifikim punëtoresh, 6 shkolla teknike, 7 shkolla ekonomike, 3 shkolla të mjekësisë, 3 shkolla të muzikës, 7 shkolla normale dhe 5 shkolla bujqësore. Nxënësit e kombësisë shqiptare, në të gjitha këto shkolla përbëjnë 49.1% të numrit të përgjithshëm dhe kjo përbërje nacionale konsiderohet jo e kënaqshme plotësisht “nga Enti Krahinor për Arsimin”. Nga nxënësit preferohen më shumë gjimnazet, shkollat për kualifikim punëtorësh dhe ato normale, ndërsa shkollat ekonomike megjithëse numri i tyre është i madh nxënësit nuk dëshirojnë të vazhdojnë këto shkolla, sepse, sikurse pranohet nga vet “pasi një numër mjaft i madh i nxënësve që kanë kryer këto shkolla kanë mbetur pa punë”.

Gjendja e lokaleve të shkollave të mesme dhe baza materiale e tyre është e keqe dhe nuk ka perspektivë për t’u përmirësuar në të ardhmen. Sipas te dhënave të Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror të Kosovës, del se për ndërtimin e lokaleve shkollore fillore e të mesme sipas planit deri në vitin 1970, nevojiten 260 milionë dinarë të rinj, por deri në këtë vit mund të sigurohen mjete financiare afro 100 milionë dinarë. Nga Enti i mësipërm pranohet gjithashtu, “edhe sistemi i ri i financimit që nuk do ta ndryshojë shumë pozitën e institucioneve të arsimit”.

Niveli arsimor i kuadrove për kategorinë e shkollave të mesme është shumë i ulët. Pranohet fakti se në shumë shkolla dhe veçanërisht në ato profesionale, 77.1% e mësuesve nuk kanë arsimin përkatës. Arsimtarët punojnë në kondita jashtëzakonisht të vështira. Ata nuk janë siguruar me ndërtesa të përshtatshme për banim dhe paga e tyre është shumë e ulët në krahasim me punonjësit e administratës shtetërore dhe shpeshherë për mungesë fondesh nuk paguhen për muaj më radhë. Në një letër të Kuvendit të Komunës së Klinës, dërguar Dhomës Ekzekutive të Kosovës, në shkurt të këtij viti, për gjendjen e keqe të arsimit në komunë, ndërmjet të tjerave thuhet se ajo “Nuk është në gjendje të mbajë përgjegjësinë në qoftë se në institucionet shkollore të kësaj Krahine ndodhë çdo gjë e padëshiruar”. Ajo njoftonte gjithashtu se, bashkësia e arsimit u ka borxh shkollave për vitin e kaluar 660 000 dinarë, se për shkak të mungesës së të hollave, punonjësit e arsimit nuk marrin as shtesat për vështirësi në terren, nuk shfrytëzojnë as të drejtën për shpenzimit të udhëtimit me rastin e dhënies së provimeve për ngritjen profesionale të tyre, se punonjësit e Kuvendit Komunal dhe pse kanë vetëm shkollë fillore, marrin pothuajse të njëjtën rrogë si punonjësit e arsimit në shkolla të larta pedagogjike. Një problem tjetër që del nga të dhënat për gjendjen e arsimit në Kosovë, është edhe pjesëmarrja shumë e vogël e vajzave të kombësive shqiptare në të gjitha kategoritë e shkollave, kështu p.sh. në shkollat për punëtorë të kualifikuar përbërja në numrin e përgjithshëm të nxënësve dhe të ndara sipas kombësive është si më poshtë: vajzat përbëjnë vetëm 12.9% të të gjithë nxënësve, por nga kjo shifër 74.1% janë serbë, 2.7% janë turq dhe vetëm 23.2% janë vajza të kombësisë shqiptare, dhe kjo pjesëmarrje shumë e kufizuar e vajzave të kombësisë shqiptare në shkolla shpjegohet me fanatizmin që ekziston në Kosovë.

Arsimi i lartë. Në Kosovë tani ka 6 shkolla të larta dhe 3 fakultete, tri nga të cilat janë shkolla të larta pedagogjike (një shkollë e lartë teknike në Prishtinë u suprimua në 24 shkurt. Arsyet nuk jepen). Nga të dhënat del se gjatë vitit shkollor 1967-1968, në këto shkolla kanë vazhduar studimet 8 690 studentë të rregullt dhe me korrespodencë, por nga kjo shifër vetëm 5 373 janë të Krahinës së Kosovës, kurse 3 327 studentë janë nga radhët e kombësive jashtë Krahinës. Deri në vitin 1967, në shkollat e larta dhe në fakultete, ishin diplomuar gjithsejtë 2 047 studentë. Nga studentët e regjistruar në 7 shkollat e larta shqiptarët zënë 40.7%, kurse në fakultete akoma më pak, 35.5% të tyre. Gjer në vitin 1967, mësimet në këtë kategori shkollash janë zhvilluar në gjuhën serbokroate, përveç në grupet në gjuhën shqipe dhe letërsinë, por dhe pas këtij viti, edhe pse është e vendosur që mësimet të jepen edhe në gjuhën shqipe gjendja nuk ka ndryshuar shumë dhe kjo shpjegohet me mungesë kuadrosh të kombësisë shqiptare. Për shkollat e larta dhe fakultetet në Kosovë ka mungesë kuadrosh edhe nga kombësitë tjera. Për këtë arsye 495 pedagogë që japin mësim në këto shkolla, 207 prej tyre punojnë me honorar, ku vijnë për të dhënë mësim në Kosovë nga Beogradi, Nishi e Shkupi.

Në vitin e kaluar në shkollat e larta dhe në fakultete, 426 studentë kanë qenë bursistë, por bursa në Kosovë është më e vogël se sa bursat në këtë kategori të shkollave në Jugosllavi. Në Kosovë bursa për një student është 193 dinarë, ndërsa në Jugosllavi mesatarja është 222 dinarë. Një problem tjetër shumë i rëndësishëm për nxënësit dhe studentët e kombësisë shqiptare në Kosovë, është edhe mungesa e madhe për tekste mësimore në gjuhën shqipe. Nga një mbledhje në Prishtinë, e udhëheqësve të organizatave politike të shkollave të larta dhe fakulteteve, është kërkuar që Krahina, republikat dhe Federata, duhet të sigurojnë mjete më të mëdha për botimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe, “aq më tepër kur dihet se mjetet e caktuara deri më tash ishin mjaft modeste dhe të pamjaftueshme, gjë që nuk siguron aplikimin e dygjuhësisë”.

Në Krahinën e Kosovës nga i gjithë fondi i librave, 70% e tyre janë në gjuhën serbokroate dhe 30% janë në gjuhën shqipe. Gjatë vitit 1965, dega e botimeve të Prishtinës botoi gjithsejtë 73 tekste mësimore, nga këto vetëm 9 në gjuhën shqipe, kurse në vitin 1967 nga 68, vetëm 18 në gjuhën shqipe. Për shkollat e larta e fakultet, deri në fund të vitit shkollor që kaloi, nuk është botuar asnjë tekst në gjuhën shqipe. Realizimi i botimeve të teksteve mësimore për shkollat shqipe shpjegohet edhe me “shtrenjtimin e shërbimeve të shtypjes”. Për këtë vit mësimor është planëzuar që të botohen për shkollat e larta 10 tekste mësimore në gjuhën shqipe.

Duke parë nevojën e madhe për tekste mësimore, për nxënësit dhe studentët e kombësisë shqiptare të Kosovës, agjencia “Tanjug”, më 24 janar, në një lajm nga Prishtina thoshte: “Edhe importimi i teksteve vlerësohet si një mundësi e mirë për lehtësimin e këtij problemi. Ndërmarrja e botimit “Rilindja” e ka marrë pakon e parë për shkencat e sakta nga Tirana”, kurse në një mbledhje të Entit për botim të Prishtinës, u tha se ekziston mundësia që disa tekste shkollore për lëndët e shkencave ekzakte, të përdoren edhe tekstet e shkollave të larta të fakulteteve të Shqipërisë. Këto janë përparësitë dhe kontingjenti i parë ka arritur, ku disa prej tyre mund të përdorën drejtpërsëdrejti për mësim, kurse disa të tjera duhet t’i përshtaten programeve dhe planeve të shkollave tona. Për këtë do të krijohet një komision për rishikimin e këtyre teksteve.

Gjendja e arsimit dhe në mënyrë të veçantë, marrja e arsimit në gjuhën amtare është veçanërisht e rëndë për popullsinë shqiptare që jeton jashtë territorit të Krahinës së Kosovës si në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, të cilës me përjashtime të rralla i është mohuar e drejta për të pasur shkolla shqipe, kështu p.sh. rajone të tëra të banuara nga shqiptarë, si: Tivari, Plava, Gucia, Tutini, Rroshja, Ohri etj., nuk kanë shkolla shqipe, dhe disa shkolla aty këtu që kanë ekzistuar më parë nën pretekste të ndryshme ose janë mbyllur, ose janë zëvendësuar në shkolla turke ose serbe. Në gjithë komunën e Ulqinit, në Mal të Zi, ka vetëm dy shkolla shqipe. Në Kërçovën e Maqedonisë sikurse shkruan në një artikull “Flaka e vllaznimit” të 17 tetorit 1968, gjuha maqedonishte shërben si hakmarrje ndaj nxënësve të kombësisë shqiptare, atyre u vihen nota të dobëta dhe lihen nga një klasë për të vetmen arsye se kanë kërkuar që në shkollë të hapet edhe një paralele në gjuhën shqipe.

Nga të dhënat e mësipërme, mund të bëhen këto konkluzione të përgjithshme:

  1. Lufta e popullsisë shqiptare e Kosovës për të fituar një të drejtë të saj të ligjshme për të pasur dhe shkollat e saj në gjuhën amtare ka detyruar klikën e Titos që të bëjë disa lëshime në këtë drejtim, që ajo të hapë në Kosovë, kundra vullnetit të saj, një numër shkollash shqipe të kategorive të ndryshme, por ato janë të pamjaftueshme dhe gjysmake.
  2. Shkollat shqipe në Kosovë janë në një gjendje jashtëzakonisht të vështirë, si në pikëpamje të lokaleve dhe mjeteve mësimore, ashtu dhe për mungesë të kuadrove të nevojshme të kombësisë shqiptare. Këto vështirësi u krijohen shkollave shqipe në Kosovë nga regjimi titist me qëllime të caktuara, i cili në drejtim të të drejtave të popullsisë shqiptare të Jugosllavisë ka ndryshuar nga krajlët e mëparshëm, vetëm taktikën, por qëllimi mbetet po ai, të mbeten shqiptarët e Jugosllavisë në errësirë e prapambetje brez pas brezi.

Për organet e shtypit dhe të propagandës mendojmë:

  1. a) Duke pasur gjithmonë parasysh qëndrimin e drejtë marksist-leninist të Partisë dhe të Qeverisë sonë ndaj problemit të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, Radio Tirana dhe shtypi janë për qëndruar ashtu si në të kaluarën, per ti ndihmuar ata dhe qe te mos mashtrohen nga propaganda titiste dhe nga këto lëshime taktike, po të luftoi me me me vendosmëri për të fituar të drejta të plota dhe të siguruara nga çdo pikëpamje, për të marrë arsim e kulturë në gjuhën amtare dhe njëkohësisht ajo të bëhet pishtare në këtë drejtim dhe për ata shqiptarë në Jugosllavi qe jetojnë jashtë territorit të Kosovës si në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi e kudo që jetojnë grupe shqiptarësh në Jugosllavi. b) Mendojme se eshtë e nevojshme që të shqyrtohen me vëmendje të gjitha kërkesat që kanë bërë entet e ndryshme arsimore dhe institucionet shkollore të Kosovës, veçanërisht për tekste mësimore dhe duke pasur parasysh mundësitë e vendit tonë të plotësohen ato.

18.3.1969