Portreti/intervista

Albert Zholi: Flet ish-zëvëndëskryetari i Kooperativës  Ymer Hysa

Flet ish-zëvëndëskryetari i Kooperativës  YMER HYSA:

 Si u ngritën Instituti i Lartë Bujqësor, Instituti i Studimit të Tokave, i Perimeve dhe Patateve, Misrit, Orizit, Duhanit, Veterinarisë, Zooteknisë , Farërave, Ullirit, etj..

-Reforma agrare e vitit 1946, u konsiderua si revolucioni i parë në marrdhëniet ekonomiko-shoqërore në fshat.

– Pa mbaruar mirë reforma agrare, më 11 nëntor të vitit 1946 do të ngrihej e para kooperativë bujqësore në fshatin Krutje të Myzeqesë.

– Nga vitet 1956 deri më 1960 do të bëhej kolektivizimi i plotë i gjithë zonës fushore të vendit dhe i një pjese të zonës kodrinore.

– Në fund të vitit 1960 kolektivizimi përfshinte 80% të sipërfaqes që zotëronte fshatarësia.

-Në vitin 1961, kooperativat bujqësore zinin rreth 76% të sip, rreth 21% zinin ndërrmarrjet bujqësore dhe vetëm 3% zinin kopshtet individuale.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Partia Komuniste menjëherë pas Reformës Agrare nisi kolektivizimin, krijimin e kooperativave bujqësore. Si shembull u mor Lindja, dhe u zbatua vetëm forma artel e tyre. Nuk u aplikua asnjë formë e ndërmjetme siç u aplikua në Bashkimin Sovjetik, apo në vendet e tjera të lindjes. Më vonë u krijuan KTL dhe NB-të. Në lindje kishte kolkoze, sovkhoze, krahas pronës së vogël private. Partia Komuniste krijoi një klasë të re, krahas klasës punëtore, fshatarësinë kooperativiste, e cila u shfrytëzua në mënyrë nëpërmjet kuotave dhe llojeve të prodhimit, që detyrohej të realizonte, nëpërmjet çmimeve diskriminues e formave të tjera. Fshatarësia kooperativiste ishte klasa e fshatarëve të sistemit socialist shqiptar. Në Shqipëri, me kalimin e viteve, u kolektivizua gjithçka, ju la fare pak tokë si kopsht fshatarit, një numër i kufizuar pulash që do mbaheshin të mbyllura në kotec, ndërsa për bagëti të imta dhe gjedhë nuk bëhej fjalë. U krijuan tufat dhe arëzat. Fshatari u zhvesh plotësisht jo vetëm nga prona private, por edhe nga prona individuale. Ai u bë argat në tokën e tij. Burimi i vetëm i të ardhurave i mbetën krahët e punës, prandaj forcat e afta në fshat kërkonin të sistemoheshin në punë në ndërmarrjet shtetërore.

-Përpara se të krijoheshin kooperativat bujqësore, u krye Reforma agrare, fill pas çlirimit të Shqipërisë mbas Luftës së Dytë Botërore. Pas kësaj reforme çfarë ndodhi në fshatin shqiptar? Çfarë lloj organizimi u bë me pronën kolektive? Kush mori prioritet në këtë organizim?

Reforma agrare që përfundoi në nëntor të vitit 1946, e konsideruar si revolucioni i parë në marrdhëniet ekonomiko-shoqërore në fshat nga qeveria komuniste e asaj kohe, hapi rrugën për masa të tjera në përgatitjen e kushteve për revolucionin e dytë, kolektivizimin e bujqësisë, duke e quajtur si rrugën e vetme për ndërtimin e socializmit në fshat. Kjo reformë agrare radikale shpronësoi pronarë të mëdhenj e të mesëm të tokave, përfshiu toka në pronësi shtetërore, në pronësi të institucioneve fetare etj. Pothuajse pa mbaruar mirë reforma agrare, me 11 nëntor të vitit 1946 do të ngrihej e para kooperativë bujqësore në fshatin Krutje të Myzeqesë. Pastaj për dhjetë vite me radhë nga 1946 deri më 1955 që do të ishte faza e parë e kolektivizimit të bujqësisë për të krijuar bindjet te masat fshatare mbi epërsinë e ekonomisë kolektive, thënë ndryshe përgatitja për t’ia marrë përsëri tokën fshatarit dhe nga vitet 1956 deri më 1960 do të bëhej kolektivizimi i plotë i gjithë zonës fushore të vendit dhe i një pjese të zonës kodrinore, duke bërë të mundur që në fund të vitit 1960 kolektivizimi të përfshinte 80% të sipërfaqes që zotëronte fshatarësia. Nuk do të kalonin shumë vite dhe në nëntor të vitit 1966 do të hidhej parrulla: ‘’ T’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i zbukurojmë dhe t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat’’, objektiv që do të arrihej duke përfunduar kolektivizimin e bujqësisë dhe në zonat malore më të thella.

-Pra tashmë kolektivizimi përfshiu gjithë fshatarësinë shqiptare?

Kështu e gjithë popullsia fshatare ju nënshtrua kolektivizimit duke u futur në kooperativa bujqësore, apo ndërmarrje bujqësore, ku kooperativat bujqësore zinin rreth 76%, rreth 21% zinin ndërrmarrjet bujqësore dhe vetëm 3% zinin kopshtet individuale. Juridikisht ky proçes përfundoi në vitin 1976 me aprovimin e kushtetutës së re, e cila saksiononte eleminimin e pronës private mbi tokën dhe transformimin e saj në pronë shtetërore. E gjithë toka bujqësore, organizimi i prodhimit, tregëtimi dhe mjetet e prodhimit ishin të gjitha të strukturuara e administruara në kooperativa bujqësore e ferma shtetërore. Kështu në vitin 1979 në Shqipëri nuk kishte më asnjë fermë individuale private.

-Tashmë jeta e fshatarësisë varej vetëm nga kooperativat? Por çfarë bëri shteti për të rritur rendimentin në prodhimet bujqësore?

Me të ardhurat që do të krijoheshin nga puna në këto kooperativa do të varej dhe jetesa e fshatarësisë kooperativiste. Fillimisht kolektivizimi dhe përfshirja në këto organizma prodhues u duk se po shkonte mirë. U sistemuan tokat arë që ishin ekzistuese në sipërfaqe të mëdha, u futën nën kulturë toka të reja, u bonifikuan shumë këneta, u krye një sistem kanalesh kullues dhe vaditës me studime të veçanta, u fut mekanizimi duke lehtësuar mjaft punën e krahut, u futën raca të reja kafshësh, fidanë drufrutorë, hardhi e agrume duke u krijuar deri në plantacione të mëdha, etj. Në dispozicion të këtyre kooperativave dhe ndërrmarrjeve bujqësore shteti ngriti dhe institute shkencore, si Instituti i Lartë Bujqësor që do të nxirrte specialistë dhe drejtues të aftë deri në shkencëtarë, Instituti i Studimit të Tokave, Instituti i Perimeve dhe Patateve, Instituti i Misrit, i Orizit, i Duhanit, Instituti i Veterinarisë I K V, Instituti i Zooteknise , Instituti i Studimeve Foragjere, Instituti i Farërave, Instituti i Ullirit etj. që do të kujdeseshin drejt përdrejtë në rritjën e rendimentit të kulturave bujqësore e blegtorale etj. U ngritën uzina që do të prodhonin plehëra kimike për shtimin e rendimentit të kulturave bujqësore siç ishte Uzina e Superfosfatit në Laç dhe ajo e uresë së Azotikut në Fier. Në mbështetje të kooperativave bujqësore u vunë dhe SMT- (Stacionet e makinave dhe të traktorëve), u akorduan fonde në financim të prodhimit nëpërmjet Bankës Bujqësore. Gjithashtu u ngrit dhe industria agropërpunuese dhe të gjithë këto organizma prodhues do të zinin me punë pothuajse të gjithë masën fshatare,  ku në sajë të punës së tyre bujqësia dhe prodhimi agroushqimor do të arrinin tregues të vlerësueshëm në fushën e rendimenteve dhe nivelit të prodhimit, si niveli i mekanizimit, kimizimit, vaditja u rrit në shkallë të lartë, u rrit niveli i transportit dhe përpunimit të produkteve agroushqimore, u përmirësuan format e drejtimit dhe të organizimit etj.

A ishin të përgatitur për këto nisma drejtuesit e kooperativave?

Fillimisht kooperativat bujqësore janë drejtuar në përgjithësi nga njerëz të pashkolluar, por të zgjedhur si njerëz të zot dhe të ndershëm. Më vonë, me përfundimin e shkollave të mesme profesionale bujqësore si Agronomi, Veterinari Zootekni etj, si dhe të studimeve të larta në I.L.B, filloi zëvëndësimi i tyre me specialistë të kualifikuar.

Por ç’po ndodhte me kooperativat bujqësore? Ndonëse e gjithë prona dhe pasuria ishte shtetërore, kooperativa i detyrohej shtetit në të gjithë drejtimet. Politikat ekonomike centralizuese ndiqeshin hollësisht. Për mjetet mekanike bujqësore, bëhët fjalë për traktorë, makina shirëse, makina mbjellëse, të transportit etj., që i viheshin në dispozicion kooperativave bujqësore nga SMT (Stacionet e makinave e traktorëve) Ishin të përcaktuara qartë tarifat e pagesave për punën e kryer që do t’u bënte kooperativave nga të ardhurat që do të siguronte pas shitjes së mallit të saj. Po kështu ndodhte dhe me farërat, plehërat, ujin e vaditjes etj. Në dukje të parë prodhimi dukej se shtohej, por ç’farë ndodhte në fakt? Pothuajse i gjithë prodhimi bujqësor dhe blegtoral, që prodhohej dorëzohej në ndërmarrje shtetërore, siç ishin ato të grumbullimit, me përjashtim të një sasie që llogaritej për nevojat e konsumit të kooperativistëve. Malli në magazinat shtetërore apo ndërmarrjet e përpunimit dorëzohej bruto, duke i lënë në dorë shtetit të përcaktonte cilësinë dhe vlerën, thënë shqip ta “thante në kandar”. Jo vetëm kaq, por shteti i përcaktonte dhe çmimin sa duhej të shiste kooperativa mallin e saj. Kjo thënë troç le të prodhojë sa të donte kooperativa, të ardhurat i kishin në dorë organizma të tjerë të shtetit, duke bërë të mundur që niveli i jetesës të ngelte pothuajse në vend, ose me pak rritje.

Nga këto të ardhura që siguronte kooperativisti do të varej dhe niveli i jetesës në fshat. Të gjithë që e kemi jetuar atë kohë e mbajmë mënd se si ushqeheshim, si visheshim etj. Ushqimi ishte tepër i varfër si nga sasia dhe cilësia, thënë ndryshe sa për të mbajtur frymën gjallë. Shumicën e muajve të vitit konsumohej vetëm bukë misri dhe si ushqime pak zarzavate e perime, pak qumësht, që shumicën e rasteve bëhej dhallë duke e holluar disa herë me ujë. Sa i përket konsumimit të mishit ai ishte me racion 0.5 kg/frymë në raste festash d.m.th. 2-3 herë në vit dhe në 30 kg për familje në raste fejesash apo dasmash. Veç ushqimeve, skandaloze ishte dhe veshja. Kooperativa bujqësore me të ardhurat që u mundësonte anëtarëve të saj nuk i siguronte asnjë mundësi që të visheshin si duhej, rrobat me arna nuk do t’i bënin përshtypje asnjeriu, pasi pothuajse të gjithë ashtu visheshin. Duket paradoksale, por në raste festash, apo dasmash njerëzit merrnin rrobat e ndonjë personi, që kishte trup të njëjtë për t’i përdorur si të reja. Më pak problem veshjen e kishin djemtë e rinj që kur kryenin shërbimin ushtarak të detyruar, rrobat që merrnin me vete nga reparti i përdornin disa vite. Po kështu ndodhte dhe me femrat që i nënshtroheshin zboreve ushtarake, rrobat i mbanin në përdorim të përditshëm. E mjerueshme ishte dhe gjëndja e orendive shtëpiake, pothuajse në të gjithë familjet mungonte komoditeti, Thjeshtë një raft buke, një minder artizanal me dërrasë dhe komerdare llastiku, hedhur mbi të një qilim lecke, një tavolinë dërrase dhe katër karrike portative të prodhuara nga zdrukthtarët e kooperativës. Shumica e familjeve kishte një radio dhe tek tuk dikush që punonte në punë shtetërore, apo kishte më shumë forca pune në kooperativë kishte një TV, që merrte si kanal vetëm TVSH dhe ky me orar të reduktuar transmetimi. Me gjithë vështirësitë ekonomike, që kalonte kooperativisti, mjetet e propagandës nuk mungonin, Të gjithë fshatrat kishin një vatër kulture, me një bibliotekë me vepra të sistemit socialist, ku propagandohej epërsia e këtij sistemi në botë, shfaqeshin filma propagandistikë njëherë në muaj për edukimin e njeriut të ri etj.

–         A ishte e detyruar puna në kooperativë? Kush ishte i detyruar të punonte?

Në kooperativë ishin të detyruar të punonin të gjithë anëtarët madhorë që kur përfundonin klasën e tetë e deri sa të dilnin në pension, asnjëri nuk lejohej të rrinte i papunë, përndryshe dënoheshe. Sistemit kooperativist do t’i nënshtroheshin në formë stazhi dhe nxënësit, që mbaronin shkollën e mesme dhe pretendonin të vazhdonin studimet e larta universitare, do t’i nënshtroheshin dhe të rinj e të reja qytetarë para se të sistemoheshin në punë shtetërore, do t’i nënshtroheshin dhe qytetarët, që punonin në ndërmarrje shtetërore nëpërmjet aksioneve në bujqësi, nxënësit e shkollave, po ashtu ushtarët, do t’i nënshtroheshin dhe kandidatët për anëtarë të PPSH. Absurditeti më i madh do të ishte se shpesh herë kooperativa bujqësore ka shërbyer si masë ndëshkimore për të gjithë të pabindurit e sistemit, të cilët para se të dërgoheshin në burg, i sillnin për riedukim nëpërmjet punës në kooperativë. Kooperativistët, ndryshe nga punonjësit e tjerë të ndërmarrjeve shtetërore nuk kishin orar pune, e fillonin punën kur të lindte dielli dhe e përfundonin kur të përfundonte ai. Të drejtën e lejes së zakonshme një mujore, që e kishin të gjithë punonjësit nuk e gëzonin jo vetëm kooperativistët e thjeshtë, por as specialistët e lartë. Kështu kooperativa bujqësore ishte shndërruar në një ferr të vërtetë për masën e saj.

Vetë nomeklatura e lartë dhe pse e shihte se si ishte gjëndja, kërkonte në  emër të mbrojtjes së doktrinës ‘’rrugë të reja e origjinale’’ siç ishin krijimi i ‘’kooperativave bujqësore të tipit të lartë’’, krijimi i ‘’tufëzave dhe arëzave’’ etj., që nuk dhanë asgjë, veç një kolaps ekonomik agroushqimor dhe duke çuar vendin në një situatë të vështirë ushqimore deri në vendosjen e sistemit të tollonëve ushqimorë dhe shtimin e radhëve në dyqanet ushqimore për pjesën më të konsiderueshme të popullsisë.

 -Çfarë ndodhi në fillim të viteve 1990? Si u prishën kooperativat?

Veç kësaj në fillim të viteve 1990 sistemi pluralist e futi Shqipërinë në një periudhë tranzicioni nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi tregu. Kalimi në kushte të tilla do të sillte përkeqësimin e kushteve të jetesës nga rritja e shpejtë e çmimeve të produkteve ushqimore, liberalizimi i të cilave nisi që në fillim të gushtit 1992, që krahasuar me ato të vitit 1990 u rritën disa herë. Gjithashtu kolaps të madh, pothuajse total pati dhe prodhimi agro-ushqimor në të gjithë produktet. Gjithashtu rreth 46% e familjeve shqiptare ose 75% e popullsisë rurale të konvertuara në 380000 familje, morën tokën duke patur tendencën e prodhimit për konsum vetjak. Të gjithë këto ndryshime tronditën mentalitetin e fshatarit, për të qenë i lidhur me tokën dhe me fshatin. Kështu përfondoi dhe sistemi kooperativist.

Som

Në mbështetje të kooperativave bujqësore u vunë dhe SMT- (Stacionet e makinave dhe të traktorëve), u akorduan fonde në financim të prodhimit nëpërmjet Bankës Bujqësore. Gjithashtu u ngrit dhe industria agropërpunuese dhe të gjithë këto organizma prodhues do të zinin me punë pothuajse të gjithë masën fshatare,  ku në saj të punës së tyre bujqësia dhe prodhimi agroushqimor do të arrinin tregues të vlerësueshëm në fushën e rendimenteve dhe nivelit të prodhimit, si niveli i mekanizimit, kimizimit, vaditja u rrit në shkallë të lartë, u rrit niveli i transportit dhe përpunimit të produkteve agroushqimore, u përmirsuan format e drejtimit dhe të organizimit etj.

Som

Kalimi në kushte të tilla do të sillte përkeqësimin e kushteve të jetesës nga rritja e shpejtë e çmimeve të produkteve ushqimore, liberalizimi i të cilave nisi që në fillim të gushtit 1992, që krahasuar me ato të vitit 1990 u rritën disa herë. Gjithashtu kolaps të madh, pothuajse total pati dhe prodhimi agro-ushqimor në të gjithë produktet. Gjithashtu rreth 46% e familjeve shqiptare ose 75% e popullsisë rurale të konvertuara në 380000 familje, morën tokën duke patur tendencën e prodhimit për konsum vetjak.

Postimet e fundit !