Vështrim/Analizë

Blerim Muriqi: FUSHATË E MBYTUR NË LLUMIN OPINIONIST

Rënia e Qeverisë Hoti, Gjykata kushtetuese, KQZ-ja, partitë politike, mediat vizive me opinionistët sharlatanë, të cilët për meditjet e tyre aktrojnë përtej moralit, deri në marrëzi dhe gjithçka tjetër, që e plotëson skenën tonë në këtë teatër ala Kënetë, të cilën po e mbllaqitin partitë dhe politikanët, nuk janë më shumë se sa mjerimi ku na kanë katandisur dhe prej ku na duhet të dalim me hir a me pahir. 

Që me të shprehurën e Gjykatës kushtetuese, skena jonë politike po gëlon nga angazhimi i partive, kush për ta betonuar votën e kush për ta rritur atë. Gara e hapur ka ngritur dilema për mbijetesën e partive të vogla, po aq sa ka hapur dilemën për pushtetin e paszgjedhjeve dhe qëndrueshmërinë e tij. Goditjet që mori skena jonë politike me pyetjen drejtuar Gjykatës kushtetuese nga LVV-ja po e rrezikojnë vendin të shkoj detyrueshëm në dy palë zgjedhje të njëpasnjëshme. Në të kundërt do na duhet ta durojmë obstruksionizmin e Vetëvendosjes për të kapur afatin e shtatorit, kur Lideri i tyre z.Kurti do të lirohet nga dënimi trevjeçar i të drejtës së zgjedhjes dhe mandatimit nga legjislativi.  

Zgjedhjet e shpeshta për pushtetin qendror, kanë bërë që hera – herës buxhetin e planifikuar nga parti të pushteteve në rënie ta realizojnë parti krejt tjera në pushtetardhje, prioritetet dhe projektet e premtimeve të realizohen nga tjerë eksponentë nga ata që i kanë synuar, kundërshtarët e projektuesve. Shkurtimet dhe prerja e investimeve për ta goditur oponencën politike si dhe bartja e politikave dhe investimeve nga prioritetet programore të zhvillimit në prioritete zgjedhore, e kanë  molisur gjithë jetën tonë publike, shtresat e reja qytetare dhe perspektivën e vendit.  

Të gjitha këto kanë bërë të kemi veçse ngulfatje dhe tallje opinionbërjesh mediale! 

Debatet televizive kanë mbetur një shterpësi opinionistësh për të realizuar mëditje me provokime absurde, përtej gjithçkaje që edhe ata do ta besonin dhe që në kushte normale as do pranonin ta thonin! Në mungesë të një normaliteti na serviren politikanë karaxhoz dhe institucione të deformuara! 

Heshtja e LVV-së në këtë fillim fushate, pajtimi i tre të mëdhenjve me renditjen tabelore të rezultatit zgjedhor dhe triumfin që po tregojnë mbi mposhtjen e të vegjëlve ku po mëtojnë e dëshirojnë ta dërgojnë edhe AAK-në, atakimi i mediave nga PDK dhe LVV në njërën anë dhe mbajtja e duarve të tyre mbi fjalët e opinionistëve me çmimore të majme (sikur po përflitet kudo), tërheqja e LDK-së në strofkën me heshtjen e saj dhe përpëlitja tepër angazhuese e NISMËS për të kapur pragun, të cilin të gjithë po ia mohojnë me fjalë, deri edhe anketat e parashikimet, është tërësia donkishoteske që na ka pllakosur.  

Pompoziteti që po ia trumbetojnë programit qeverisës PDK-ja, të cilin do ta shpalosin sot, nuk është më pak kumbues sa na kanë mësuar tashmë z.Thaqi e z.Veseli në fushtatat e tyre kur 200 000 vendet e punës dhe miliardat e trustit nuk u bënë asnjëherë realitet. Të tilla tollumbace si në të kaluarën do të dinë të na sjellin edhe nga LDK. Pritshmëria për retorikën e mbushur e jetësimin bosh ka bërë që LVV-së t’i mjaftoj heshtja për fitore. Them heshtja, sepse LVV-në hë për hë e dëmton vetëm vetja e saj. Sot për të është mençuri të dijë të mos bëjë asgjë dhe të ndërtoj ura mirëkuptimi për qeverisjen e saj në krye të së cilës po vie pashmangshëm! Mbi këtë postulat ajo edhe po e ndërton trampolinën e të dy palë zgjedhjeve, sikur po shihen në sfond, nëse do ketë nevojë ta përdorë për të ardhur në pushtet.  

Prodhim i mjaftueshëm për të paktën një javë opinionbërjeje edhe në të dielat e pashije!  

Aq shumë është katandisur skena jonë politike sa tashmë as kemi drejtim e as kemi busull për ta gjetur atë. Partitë politike që përbëjnë taborret kundërshtare LVV dhe PDK, që të dyja u kanë shpallur partive armiqësi të hapur dhe po i shantazhojnë me mosshkuarje në studiot e tyre. Boshllëkun e mbetur ato po mundohen ta mbushin me tepri emisionesh politike si reaksion mbijetese, meqë janë të paafta t’ia ofrojnë publikut jetën tonë shoqërore me portrete prodhimi apo asetesh të vendit. Kjo vobektësi e kapaciteteve mediale na ka ngërthyer të gjithëve një thark të thartuar kënetës që nuk po i shihet dot tharja e saj.  

Pra, edhe këto zgjedhje po futen në garën politike me atunë e vetme të armiqësisë ndërpartiake në vend se kjo të bëhej konkurrencë ofertash. Për të qenë zgjedhjet konkurrencë ofertash duhet të ketë parakushte për këtë dhe ato sot mungojnë, sepse partive tona po u mjafton fjalori armiqësor për t’i mbarsur rezultatet zgjedhore.  

Derisa elektorati ynë ta konsideroj ngopje dhe të ndjehet i realizuar nëpër ndërsymjet partikake do kemi politikë të koncentruar në gojët e shthurrura të opinionistëve dhe zgjedhje e rënie qeverish pa paguar për prëgjegjësitë që i marrin.