Portreti/intervista

Bislim e Shemsie Elshani: BATANIJA

(Kujtimit të nënës Fatime)

U bë një javë qyshse nëna e jonë u shkëput nga bota e të gjallëve për të hyrë në botën e shpirtrave. Nëna jonë sigurisht që nuk reduktohet kollaj në një ide të thjeshtë, në një simbol apo në një arketip. Nëse jeta e njeriut përcaktohet nga puna që ka bërë, profesioni që ka ushtruar apo roli që ka luajtur në jetën sociale, atëherë babai im do të kujtohet si një punëtor i një ndërmarrjeje rrugore, drejtues i një ruli që sheshonte asfaltin e nxehtë të rrugëve të Kosovës. Sa herë që ngjitem serpentinave që të shpien në Prevallë e në Brezovicë, kujtoj punën e babait tim. Dhe nëse udhëtoj në këmbë, dhe nuk ka baltë që të më ngjitet në këpucë, për këtë gjë falënderoj sërish babain tim. Ndërsa puna që bënte nëna ime për t’i rritur 6 djemtë dhe 2 bijat e saj ishte e një natyre tjetër. Përpos punëve shtëpiake dhe atyre të fushës, ajo kishte një makinë qepëse të markës gjermane Pfaff, me të cilën qepte fustanet e nusërisë të nuseve të reja në Suharekë. Kjo makinë i mbijetoi gjithë periudhës pas Luftës së II-të Botërore, që nga koha kur babai im e kishte sjellë nga jesirllëku i tij në Gjermani, e deri më 1999. Për fat të keq, nuk i mbijetoi edhe barbarizmit serb në luftën e fundit. Shtëpia ku u gjend ajo, bashkë me gjithë bibliotekën time private, u bënë shkrumb e hi. Nëse babai im zbukuroi Kosovën duke hequr baltën nga rrugët tona, nëna bëri gjithçka për zbukurimin e nuseve dhe të dasmave në fshatrat rreth Suharekës.

Një jetë në shërbim të bukurisë. Kjo më bën të mendoj që shpirti i prindërve të mi vazhdon të jetë i pranishëm akoma midis nesh në atë formë që Adem Demaçi në disa libra të tij e cilësonte si formë kuantike. Që të dy patën fatin e hidhur që për 4 vjet, nga viti 1981, të bënin rrugë të gjata nëpër Serbi për të më vizituar nëpër dy burgjet e saj, në Leskovc e në Shabac. Do të kujtoj me këtë rast një episod nga dimri i vitit 1991. Kishim ardhur bashkë me Ukshin Hotin në dhjetor nga Lubjana për të kaluar Vitin e Ri në Kosovë. Pasi përfunduam pushimet, pas Vitit të Ri, Ukshini, ose baca Ukë, siç e thërrisja atëbotë, u shfaq me WW-Pasatin e tij të gjatë në derën time. Pasi hëngrëm darkë e pimë kafe, u bëmë gati të niseshim për Lubjanë. Nëna ime nisi të protestonte: “Ku do të niseni në këtë të ftohtë? Rrini së paku deri në mëngjes!” Mirëpo Ukshinit s’ishte kollaj t’ia ndryshoje mendjen. Me t’i futur çantat në makinë, pashë nënën time me dy batanije që po më vinte pas. “Merrini edhe këto me vete se keni rrugë të gjatë!”. Dhe i rrasi në gepek.Kur u nisëm për rrugë, pashë termometrin në bord-kompjuterin e makinës: shënonte minus 20 gradë. Deri në Prishtinë Pasati nuk na nxori ndonjë shqetësim serioz, mirëpo sapo lamë Prishtinën, kur morëm rrugën për Podujevë për të vazhduar më tutje drejt Nishit, makina nisi të ngulte këmbë si mushka e të refuzonte lëvizjen. Si duket të ftohtit ekstrem kishte ndikuar edhe mbi naftën. Mirëpo Ukshini dyshonte në mosfunksionimin e një pjese të motorit, kështu që ndaluam te servisi i parë që na zunë sytë në njërin nga fshatrat midis Prishtinës dhe Podujevës, dhe thirrëm automekanikun ke porta e shtëpisë pasi që e kishte mbyllur që moti punishten. Meqë Ukshin Hoti qe figurë e njohur dhe e dashur kudo në Kosovë, automekaniku nuk përtoi shumë për të na ardhur në ndihmë. Ai u përpoq sa mundi, bëri edhe ndonjë intervenim, dhe i bëri provën e ndezjes e cila funksionoi. Mirëpo nuk na garantoi se mund të vazhdonim shumë gjatë në atë të ftohtë. Pas ndonjë vështirësie që nuk i dhamë shumë rëndësi, makina na çoi deri në Merdare, aty ku sot gjendet kufiri i Kosovës me Serbinë. Aty ndaloi dhe s’donte të bënte asnjë hap më tutje. Ishte rreth 2 pas mesnate, dhe askund s’shihej ndonjë derë ku mund të trokisnim. Rreth e rrotull vetëm pyje e bjeshkë të larta, ndërsa po të dilje jashtë makinës, mund të dëgjoje nga larg edhe lehje qensh e ulërima. Shikova edhe një herë termometrin në bord: minus 29 gradë celzius. Një të ftohtë që s’mbahej mend prej shumë vitesh. Skajuam pasatin dhe po prisnim se mos po shfaqej ndonjë makinë në rrugë. Motori nuk i bënte punë fare, as për të na ngrohur brenda, dhe nisëm të mërdhinim. Kur pas më pak se një ore u shfaq një automobil nga larg, dolëm jashtë dhe i ngritëm dorën. Makina ndaloi. Ishin dy qytetarë serbë, dukeshin si zyrtarë që po lëviznim për ndonjë urgjencë. Ukshini më tha që të futesha brenda ndërsa ai do të qëndronte. Më tha që ta merrja Hakiun, dhëndrin e tij në Prishtinë, dhe të vinin bashkë me të për ta tërhequr. E kundërshtova këtë ide, duke i thënë të iknim që të dy, mirëpo ai nguli këmbë: “Mos u shqetëso, kam batanije!” Gjatë gjithë rrugës më hante meraku se mos i ndodhte gjë edhe kësaj makine, dhe në vend se një orë a dy, mund të vonoheshim shumë më tepër. Apo mos po më ndodhte edhe mua vetë ndonjë gjë nga këta dy serbë të dyshimtë. Për fat arritëm shumë shpejtë dhe pa ndonjë telash në Prishtinë. Pagova shoferin dhe mora një taksi që më çoi deri te shtëpia e Myrvetes, motrës së Ukshinit. I zgjova nga gjumi dhe Hakiu, burri i saj, u bë gati menjëherë. U nisëm menjëherë dhe arritëm me të shpejtë ke vendi ku e kisha lënë Ukshinin. I hapëm derën nga jashtë dhe e pamë të mbështjellë me batanijet që na i kishte futur në bagazh nëna ime. Ato ia kishin shpëtuar jetën.

Shemsije Elshani: Nënë, nënë, nënë!

(Nënës time, me rastin e 90 Vjetorit të lindjes)

Kur kaloi muaji i dytë në burg, e mora me mend qe nuk do të më dënojnë për kundërvajtje. Këtë e vërtetoi edhe gardianja, e cila më solli të nënshkruaj aktvendimin për zgjatjen e paraburgimit. Inspektorët vinin nga Prizreni, ndaj për të kursyer kohën, në pyetje më mbanin tërë ditën. Burgu nuk ishte diçka e re për mua. Nuk kisha qenë aty brenda veç fizikisht. Kisha qenë aty sa e sa herë nëpërmes shembujve të historisë sonë, nëpërmes personazheve të librave e të filmave artistik, apo nëpërmes herojve të këngëve. E kisha përjetuar pastaj sa e sa herë herë edhe burgosjen e njerëzve të mi të dashur. Por kur je vetë aty brenda, është ndryshe. Atë ditë, kur ra buria e zgjimit, isha në ankth. Në fakt, aty çdo ditë ishe në ankth. Veç ankthi ishte ndryshe. Një ditë dëgjoje të shara e grushta në dhomat lartë. Një ditë dëgjoje të tërheqin dikë zvarrë pranë derës tënde, një ditë, të sillnin dikë të munduar në dhomë. Dhe sikur e parandjeva, u hap dera ime. Hetuesia ishte në ndërtesën tjetër. Sa hyra në njërën prej dhomave, ende pa zënë vend në karrike, më pyeti një inspektore:-Sa vjetë i ke? -20, i thash. -Sa gjynah, të vdesësh, tha ajo duke u bërë se i vinte keq. U rrënqetha. Nuk doja të vdisja. -Nuk të vrasim jo, vazhdoi ajo me një ironi prej idioteje. -Të hedhim nga dritarja dhe themi që ke bërë vetëvrasje. Hodha vështrimin nga dritarja dhe po mendoja a thua shpëtoj gjallë, nëse vërtetë më hedhin. Kur u ktheva në dhomë, në burg, isha shumë e shqetësuar. Natën, mezi më zuri gjumi. Kjo gjendje m’u shfaq edhe në ëndërr. Po ëndërroja sikur hetuesit më kishin marrë me vete dhe më kishin shpënë te dyertë e shtëpisë së Muratit. Murati është shoku im i fëmijërisë, i klasës dhe i aktiviteteve. Shtëpitë tona i ndante veç sokaku i përbashkët. Arësyeja pse më kishin dërguar aty ishte sepse dyshonin, që kam fshehur në oborrin e tij material të ndaluara. Por, në ëndërr ata nuk e dinin kush është Murati, dhe nuk e dinin që mu aty është dhe shtëpia ime. Nuk e dinin që ajo derë e madhe e drurit, me rezë të drurit, të cilën, unë kurrë nuk mësova ta hapja, shihej nga dritaret e shtëpisë sonë si në pëllëmbë të dorës. -Hape derën, dëgjoj të më thotë polici. Dhe oh more zot, njësoj edhe në ëndërr, nuk mund ta hapja derën. S’ arrija ta fusja dorën në mes dy dyerve, për ta ngritur rezen, ndërsa gishtat, nuk e përballonin peshën. Po kërkoja mos gjeja ndonjë shkop a copë druri, kur më shkuan sytë te dritarja, aty ku nëna ime kishte makinën për qepje. Shoh nënën time të endë ca pëlhura të bardha. Duket të kenë qenë tesha për nuse që dikush i ka sjellur te nëna ime për t’i qepur. Policët nuk dinin gjë jo, as hetuesit që më shoqëronin. Ata nuk e dinin që më kishin sjellur te shtëpia ime. Nëna ime, nuk e priste që do të më shihte aty, ndaj nuk e hidhte as edhe një shikim kah unë. -Hape moj derën ç’pret, më thotë hetuesi, në ëndërr. Më duhej ta hapja derën, por nëna nuk më pa. Donte dhe një hap, që të futem brenda derës dhe nëna nuk do të më shihte. Edhe në ëndërr e ndjeva atë dëshirën e zjarrtë për ta takuar shikimin e saj. Nuk arrija të pranoja faktin të më ikë ky moment pa u parë, ky moment kaq i rëndësishëm si për kohën poashtu edhe për vendin e për ngjarjen. Ndaj, bërtita me sa zë kisha:- Nënë, nënë, nënë!… Ora duhet të ketë qenë rreth tre e mëngjesit. Gjumin ma nxori gardianja, e cila kishte dëgjuar thirrjen time në zyrën e vet. Të nesërmen, kur po hanim mëngjesin, më thirrën për vizitë. Vizitat i kishim njëherë në dyjavë, dhe për këto dy javë e kisha mbaruar. Po mendoja është ndonjë keqkuptim, apo mund të kenë ardhur ata nga hetuesia. Por, ç’të shoh, në vizitë nëna dhe babai. Ata andej telave, unë këndej. Në mes gardianja, e cila ende nuk e kishte dorëzuar ndërrimin e natës. -Pse kjo vizitë jasht orarit, i pyeta.-Nëna jote ka parë mbrëmë ëndërr, që ti e ke thirrë tri herë: nënë, nënë, nënë! U zgjua dhe doli jashtë. Po më thirr Shema më tha…