Uncategorised

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (XC)

BURRELI – KRYEQENDRA E KRAHINËS ARKEOLOGJIKE TË MATIT

Shtegtime nëpër Atdhe (XC)BURRELI – KRYEQENDRA E KRAHINËS ARKEOLOGJIKE TË MATIT Burreli është kryeqendër e krahinës së Matit, qendër administrative e Bashkisë së Matit dhe e Rrethit të Matit. Ndodhet në një pllajë pranë bregut të majtë të lumit Mat, i rrethuar me male në lartësi mbidetare 320 metra, rreth 90 km nga Tirana. Në të kaluarën haset edhe me emrat Bujril e Burril. Nga një fshat i thjeshtë i deriatëhershëm, në vitin 1922 u bë qendër administrative e krahinës së Matit, kurse në vitin 1955 mori statusin e qytetit. Në vitet 60-ta deri 80-ta të shekullit të kaluar Burreli e ndryshoi pamjen me ndërtimin e institucioneve, ndërtesave të banimit, shkollave, kopshteve e qerdheve parashkollore, kinemasë, pallatit të kulturës, pallatit të sporteve, muzeut, stadiumit, dyqaneve etj. Kur flasim për qytetin e Burrelit flasim për krahinën e Matit dhe anasjelltas. Krahina e Matit ka vlera të veçanta arkeologjike, ndaj është cilësuar si një muze i hapur arkeologjik dhe si djep i kulturës së lashtë ilire. Kjo zonë arkeologjike është njëra nga qendrat më të rëndësishme të kulturës ilire të epokës së hekurit. Kjo kulturë e veçantë e studimeve arkeologjike është quajtur si “kultura ilire e Matit”. Të dhënat arkeologjike kanë treguar se krahina e Matit ka qenë e banuar para 9000 vjetëve, kurse në antikë dhe në mesjetën e hershme është banuar nga fisi ilir i Pirustëve. Pirustët, deri në vitin 168 p.e.r., bënin pjesë në mbretëritë ilire, që përfshinin edhe fiset ardiane, parthine, taulante, desarete, të shtrira nga lumi Naretna (Neretva) deri në Vlorë. Ata i rezistuan pushtimit romak deri në vitin 54 e.r., kur Cesari i detyroi të paguanin dëmshpërblim. Pirustët i përmend Ptolemeu si minatorë dhe përpunues të bakrit dhe prodhues të barotit. Në vitet 6 – 9 e.r. pirustët morën pjesë në kryengritjen kundër pushtimit romak, të prirë nga Batoja. Për herë të parë emrin e Matit e ndeshim në vitet 1257- 1258 në formën Mates (Matia), më vonë, në shek. XV haset në trajtën Emanthus, Emanthja. Mati për një kohë ka qenë qendër e Principatës së Kastriotëve. Thuhet se Kastriotët kanë origjinë matjane dhe kështjellat kryesore i kishte në Mat. Edhe pas vdekjes së Skënderbeut Mati dhe Mirdita nuk u dorëzuan, duke mbetur gjatë gjithë pushtimit otoman si krahinë gati autonome. “Matjanët janë të njohur për trimërinë, guximin dhe besnikërinë e tyre”, – ka shkruar Sami Frashëri. Thuhet se nuk ka ngjarje të rëndësishme të karakterit kombëtar që të mos ketë marrë pjesë populli i Matit apo përfaqësuesit e tij. Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit kanë marrë pjesë 13 delegatë nga Mati. Edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare populli i Matit dha kontribut të madh, duke formuar Çetën Partizane të Matit në qershor të vitit 1942. Përmendet në histori veçanërisht kryengritja popullore kundër forcave ushtarake italiane e 31 korrikut 1943.Rrethi i Matit ka pasuri të konsiderueshme natyrore, veçanërisht burime të mineralit të kromit dhe mermerit, pasuri të shumta pyjore, ujore etj. Dikur ka pas Uzinën e Ferrokromit (1979) për shkrirjen e xhehes së bakrit në Burrel, pastaj uzinat për prodhimin e materialit ndërtimor, ato të përpunimit të drurit etj. Zona ka rreth 55 për qind të sipërfaqes të mbuluar me pyje, pastaj janë tokat e punuara dhe kullotat. Pjesa më e madhe e tokës së punueshme ishte e ujitur. Një segment tjetër ekonomik është energjetika, përkatësisht ndërtimi i dy hidrocentraleve në lumin Mat; Ulza e Shkopeti. Krahina e Matit është e njohur për vlerat historike, arkeologjike, etnike, kulturore… Këtu është ruajtur më mirë se kudo tjetër muzika tradicionale, folklori dhe, përgjithësisht, trashëgimia kulturore. Shtëpia e Kulturës e Burrelit u bë qendër e kultivimit të folklorit burimor matjan. Aty çdo vit mbahet festivali folklorik kombëtar “Kënga Epike e Lirike”. Kullat e Matit, me vlera të larta etnografike, pos për banim, kishin edhe mision mbrojtës, kurse sot shumë prej tyre janë shpallur monument i trashëgimisë kulturore. Në Mat ka pas 16 ura të gurit, të ndërtuara në shekujt XVII – XIX, 9 prej të cilave janë të përdorshme edhe sot. Në Burrel ndodhet një institucion jo i zakonshëm, Institucioni për Ekzekutimin e Vendimeve Penale ose shkurt, Burgu i Burrelit. Ky burg, sot kategorizuar si burg i sigurisë së lartë, ka filluar të ndërtohet në vitin 1937 dhe “banorët” e parë i ka pranuar në vitin 1939. Në Mat është shkruar libri i parë shqip nga Pjetër Budi (1566 – 1622). Budi, i lindur në Gurin e Bardhë të Matit, si luftëtar, krijues, përkthyes, është njëra nga figurat më të shquara kombëtare të kohës. Është autor i librave të para shqipe: “Doktrina e Krishtenë” (1618), “Rituali Roman” (1621), “Pasqyra e të rrëfimit” (1621). Në Mat, në kishën e fshatit Shëlli në vitin 1462, Pal Engjëlli, kryepeshkop i Durrësit dhe këshilltar i Skënderbeut, e ka shkruar dëshminë e parë të njohur të shqipes, Formulën e Pagëzimit. Nga Mati ka qenë edhe Vrana Konti, Pjetër Perlati, Dervish Hima, Ibrahim Temo, Ahmet Zogu etj. Rrethi i Matit dallohet për natalitetin e lartë, por edhe për emigrimin e pandalur të popullsisë. Derisa në vitin 1938 kishte rreth 29 mijë banorë, në vitin 1983 ky numër ishte më shumë se i dyfishuar, me rreth 70 mijë, kurse sot, për shkak të emigrimit të lartë, ky numër ka rënë në rreth 60 mijë. Duhet theksuar se popullsia e Matit ballafaqohet me papunësi dhe varfëri të lartë, ajo mbijeton kryesisht nga dërgesat financiare të emigrantëve jashtë vendit. Arterje kryesore lumore e krahinës është lumi Mat, lum me emrin e krahinës. Buron afër Martaneshit, rrjedh përmes Matit, hyn në dy liqene dhe në Grykën e Shkopetit dhe derdhet në Detin Adriatik. Në lumin Mat, i gjatë 115 km, janë ndërtuar dy diga të dy hidrocentraleve që kanë krijuar dy liqene shumë të bukura, Ulzën (1958) e Shkopetin (1963). Këto liqene pos dritës e peshkimit japin një peisazh mahnitës dhe krijojnë mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit, duke përfshirë edhe turizmin e aventurës. Bukuritë natyrore, traditat e pasura, mikpritja, veshja karakteristike, ushqimi organik janë parakushtet për një zhvillim të turizmit në të ardhmen. Paralelisht me lumin, nëpër Mat gjarpëron edhe rruga nacionale Milot – Peshkopi, si një arterje automobilistike e rëndësisë së veçantë, kurse shpejt Burreli do të lidhet edhe me Rrugën e Arbërit dhe do t’i afrohet edhe më shumë Tiranës. Edhe vet Burreli, i vendosur në një rrafshlartë, është një qytet tërheqës, i rregulluar bukur e me arkitekturë të mirë. Krahina e Matit, me tri qytete, Burrelin, Klosin e Ulzën turistike, me dy liqene, me male e pyje të larta, me fusha të gjera paraqet mundësi reale për zhvillimin e turizmit, të bujqësisë, blegtorisë, xehetarisë, pylltarisë, peshkimit e degëve tjera ekonomike për një perspektivë të qartë drejt ardhmërisë më të mirë.