Uncategorised

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXCIV) – MAQELLARA – QYTEZA QË DON TË BËHET BASHKI

Shtegtime nëpër Atdhe (CXCIV)
MAQELLARA – QYTEZA QË DON TË BËHET BASHKI
Mes dy qyteteve dibrane, Dibrës së Madhe (R. e Maqedonisë V.) dhe Dibrës së Vogël (Peshkopisë, R. e Shqipërisë), në anën e djathtë të luginës së Drini të Zi ndodhet Maqellara, njësi administrative dhe qendër e 22 fshatrave kufitare të jugut të Bashkisë së Dibrës (Peshkopisë). Ndodhet afër kufirit ndërshtetëror Shqipëri – Maqedoni V. (3.5 km.), rreth 16 km nga Peshkopia dhe 10 km nga Dibra e Madhe. Maqellara është nyje lidhëse mes dy qyteteve dibrane; Peshkopisë e Dibrës së Madhe dhe Tiranës. Nga Maqellara nis Rruga e Arbërit, që lidhë krahinën e Dibrës me Tiranën, siç ishte një rrugë me të njëjtin emër e në të njëjtin drejtim edhe në antikë e në mesjetë.
Në zonën e Maqellarës në hershmëri ka banuar fisi ilir i Penestëve, ku janë gjetur rrënoja të vendbanimeve të hershme, që nga neoliti e këndej. Në Grazhdan ndodhen edhe sot rrënojat e kalasë së hershme, si dhe lokalitetet arkeologjike në Herbel, Pesak etj. Emri i Maqellarës përmendet për herë të parë në shek. XIV, si një fshat dhe një qendër e rëndësishme politike e historike e kohës. Si e tillë, është sulmuar shumë herë nga pushtues të ndryshëm. Nëpër Maqellarë kanë kaluar, si pushtues, osmanët, serbët, italianët, gjermanët… Veçanërisht kjo zonë njihet për luftërat e pandërprera me osmanët dhe me serbët. Në vitin 1913 pushtuesit serbë kishin vrarë e terrorizuar popullsinë e kësaj ane, por dibranë i kishin kthyer prapa me turp. Kjo zonë ka nxjerrë edhe personalitete të rëndësishme kombëtare, si Ilaz Pashë Dibrën, kryesues i Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, Ramiz Dacin, deputet i Kuvendit të parë shqiptar, Fiqiri Dinen, kryeministër etj.
Krahina e Dibrës ka 18 kështjella, nga të cilat më e madhja është ajo e Grazhdanit, që është njëra nga kështjellat më të mëdha në Shqipëri. Kështjella Grazhdanit, në sipërfaqe prej 34 hektarëve dhe me perimetër 3000 m., ndodhet në një kodër mes Peshkopisë dhe Maqellarës, si pikë strategjike për rrugët tregtare e ushtarake në kohët e hershme. Është shpallur monument i trashëgimisë kulturore në vitin 1974. Një kështjellë tjetër, me rëndësi të veçantë historike, është ajo e Gradecit. Kjo kështjellë me perimetër 3000 metërshe, me mure të gjera 3.5 metërshe, kishte brenda saj 42 kulla.
Pos monumenteve kulturore, në zonën e Maqellarës ndodhen edhe monumente natyrore, siç është Ujëvara e Pocestit në shpatijet e malit Deshat në lartësinë 1500 m. Uji në këtë ujëvarë bie nga shkëmbi në lartësi 13 metra, duke formuar një burim të madh uji e duke krijuar zhurmë që dëgjohet nga largësia. Në lartësinë prej mbi 2200 metra ndodhet Liqeni i Zi akullnajor, i rrethuar nga një pyll i dendur.
Njësia Administrative e Maqellarës ka rreth 14 mijë banorë, me tendencë të vogël të rënies së këtij numri. Si edhe në fshatrat e qytetet tjera të Shqipërisë, edhe në Maqellarë e rrethinë ka lëvizje të popullsisë, sidomos të të rinjve drejt qyteteve të mëdha, Tiranës e Durrësit, si dhe jashtë shtetit, në Itali, Greqi etj.
Maqellara ka pozitë të favorshme gjeografike. Ndodhet në lartësi mbidetare 700 m. mes Drinit të Zi dhe vargmaleve Deshat, me reliev fushor, kodrinor e malor, ku shtrihen fusha të gjera, kodra të buta, male të larta, fshatra të bukur në një natyrë të mrekullueshme. Kuota më e ultë e relievit të zonës së Maqellarës është 410 m. në Gradec dhe më e larta në majat e Kerçinit (2343 m.) dhe të Velivarit (2374 m.).
Gjatë historisë Maqellara ka qenë e lidhur fort me Dibrën e Madhe ose Shehrin, siç e ka quajtur populli qytetin e Dibrës. Për ta argumentuar më mirë këtë lidhje flet fakti se Maqellarës, në gjuhën e folur, i kanë thënë Fusha e Shehrit. Ndarja e Dibrës apo e Shehrit nga trungu kombëtar i ka kushtuar shumë Maqellarës, tërë Dibrës dhe tërë Atdheut.
Zona e Maqellarës është e pasur me pamje të bukura, me burime natyrore, me pyje e kullota të gjera, me ujëra të shumta, me livadhe të buta, me masive shkëmbore. Popullsia e kësaj zone merret me bujqësi e blegtori, por dekadave të fundit mbahet edhe nga mërgata. Fusha e Maqellarës, e rrethuar me ujëra nga çdo anë, duke përfshirë edhe lumin Drini i Zi, para viteve ’90-ta ishte prodhuese e madhe e prodhimeve bujqësore, ishte hambari i Dibrës, sepse të gjitha tokat bujqësore i kishte nën ujë. Fshati kishte rreth 3000 hektarë tokë pjellore, ku mbillej çdo pëllëmbë me grurë, misër, perime, vreshta. Mirëpo, ndryshimi i sistemit solli edhe dëme të mëdha në bujqësi. Sot nuk mbillet as një e treta e kësaj sipërfaqeje. Ishin shkatërruar kanalet ujitëse dhe kulluese, pompat elektrike dhe të katër ujëmbledhësit, rezervuarët apo liqenet e vogla artificiale, që shtriheshin në katër fshatra të zonës, si dhe infrastruktura tjetër bujqësore. Viteve të fundit ka filluar të pastrohen e rregullohen kanalet ujitëse dhe rezervuarët, për t’i futur përsëri në përdorim.
Megjithë problemet, më të cilat po ballafaqohet Maqellara, ajo po zhvillohet si një qendër e rëndësishme e Dibrës së Vogël. Gjithnjë e më tepër në Maqellarë po hapen biznese të reja, po ndërtohen rrugë dhe infrastrukturë tjetër e nevojshme, po rritet niveli i jetesës së popullsisë. Sepse, Maqellara është një vend i bukur për të jetuar, është e pasur me burime natyrore dhe me njerëz të dijshëm e punëtorë. Si e tillë, ajo mëton ta përparoj statusin e saj administrativ nga njësi administrative në kuadër të Bashkisë së Peshkopisë në bashki të barabartë me bashkinë e Peshkopisë.
Maqellara dikur kishte shkollë të mesme bujqësore, shtëpi të kulturës, muze, qendër shëndetësore etj. Sot ka shkollë të mesme – gjimnaz, 5 shkolla 9-vjeçare, qendër shëndetësore, postë, pikë kufitare – doganore.
Zona e Maqellarës ka kushte e mundësi edhe për zhvillimin e turizmit. Peisazhet e fushave e maleve rrethuese janë mahnitëse. Fshati turistik Kërçisht i Epërm është përzgjedhur në projektin kombëtar “100 fshatrat e Shqipërisë”. Pastaj kemi malin e Deshatit në lartësi mbi 2000 metra, Ujëvaren e Pocestit, Liqenin e Zi, monumentet e trashëgimisë kulturore, kryesisht kështjellat antike.
Për ta vizituar këtë zonë është shumë lehtë. Nga Tirana mund të shkohet Rrugës së Arbërit, por mund të shkohet edhe nga Dibra e Madhe, dhe nga Kukësi e Peshkopia. Ngado që të shkohet, mirë shkohet.