Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: PREZA – “QYTETI FENIKS” QË U MBIJETOI SHEKUJVE ( Shtegtime nëpër Atdhe (XCIII))

Preza është nga fshatrat më të vjetra e më të bukura në tërë rrethinën e Tiranës e më gjerë. Ajo është qendër e njësisë administrative në kuadër të bashkisë së Vorës dhe të qarkut të Tiranës, rreth 20 km nga Tirana, 7 km nga Vora dhe 13 km nga Fushë-Kruja. Për të shkuar nga Tirana në Prezë, lëshohet autostrada në Vorë, hyn në rrugën drejt Aeroportit dhe pas pak tabela tregon drejtimin nga ana e majtë, që shpie përpjetë e del në Prezë. Ekzistojnë tri Preza; Preza Qendër, Fushë-Preza dhe Preza e Poshtme. Fshati i Prezës është i njohur për kalanë historike. Mendohet se kalaja e Prezës ka filluar të ndërtohet në shek. III p.e.r. në vargkodrat e Prezës në lartësi 277 metra. Që nga ajo kohë kalaja është rrënuar e rindërtuar shumë herë, për çka ka marrë emrin “Qyteti Feniks”. Gjatë luftërave civile romake mes Cezarit e Pompeit (49 – 48 p.e.r.) Preza, e quajtur si “qyteza e fortifikuar e Parthinëve”, u pushtua dhe u shkatërrua në tërësi nga perandori romak, Cezari. Kalaja e Prezës në shek. XIV – XV ishte në pronësi të familjes princërore të Topiajve. Topiajt e kanë rindërtuar kalanë, por osmanët, gjatë rrethimit të Krujës në vitin 1466, e kanë shndërruar në gërmadhë. Për herë të fundit kalaja është rindërtuar nga osmanët në shek. XVI. Në shek. XV deri në shek. XX Preza ishte paraqitur nga autorë vendorë dhe të huaj si një qytet apo qytezë. Në fillim të shek. XX Shtjefën Gjeçovi, në novelën e tij “Mnera e Prezës”, Prezën e quan qytet i nivelit të lartë të kulturës dhe emancipimit. Se Preza ishte qytet e dëshmon edhe ndërtimi i sahatkullës në shek. XIX. Në vitin 1853 albanologu gjerman, Johann Hahn, e ka vizituar Prezën, me ç’rast ka shkruar edhe për sahatkullën e saj. Nga viti 1771 deri në vitin 1912 Preza ishte seli e nahisë. Edhe fshatarët e fshatrave përreth Prezën e kanë quajtur shehër dhe banorët e Prezës i kanë quajtur shehërli. Sipas regjistrimit osman, në vitet 1431 – 1432, Preza, e quajtur si Prizde kishte 27 shtëpi, kurse Barleti, në vitet 1508 – 1510, e quan Presa ose Tirana e Vogël. Në vitet 20-ta të shek. XX Preza ishte qendër administrative e 15 fshatrave, kurse sot është njësi administrative e shtatë fshatrave me rreth 7000 banorë. Nga shumë objekte historike që janë shkatërruar gjatë shekujve në Prezë, ka mbetur, deri në ditët tona, vetëm kalaja, si një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore. Me formë të çrregullt pesëkëndshe, me kullat në katër qoshet dhe me një kullë në mesin e murit, me gjatësi 80 m. e gjerësi 50 m., si dhe me gjerësi të mureve deri 1.40 m. e lartësi 6.40 m, kalaja ishte një objekt strategjik luftarak, që dominonte mbi një territor të gjerë. Ka qenë e pabanuar, por ka shërbyer si pikë ushtarake e kontrollit për rrugën, që lidhte Durrësin me Krujën e Shkodrën dhe për përcjelljen e sinjaleve të dritës ndërmjet kalave të Krujës, Durrësit, Petrelës dhe Ishmit. Kur ndizej zjarri i madh në kullën rrethore të kalasë së Prezës, Kruja, nën komandën e Vrana Kontit, lajmërohej se ushtria osmane po i afrohej Krujës. Në luftërat e Skënderbeut kalatë kanë komunikuar mes vete përmes pishtarëve të mëdhenj të zjarreve. Sot kalaja është një monument kulturor dhe pikë “strategjike” turistike. Në brendësi të saj ndodhet një shesh i madh, i përshtatshëm për piknik ditor. Brenda kalasë ndodhet sterrë e madhe, një kullë e sahatit dhe një restorant me ushqime tradicionale. Ndodhet edhe një xhami, e cila në antikë ishte kishë e vogël, të cilën osmanët e kthyen në xhami. Nga viti 1968 deri në vitin 1990 xhamia u shndërrua në shtëpi kulture dhe sallë kinemaje. Pas vitit 1990 xhamia i kthehet destinimit, kurse para dy-tri viteve një shoqatë turke e ka rikonstruktuar, duke ia shtuar një minare. Në afërsi të kalasë ndodhet edhe një pus mijëvjeçar. Kalaja e Prezës njihet edhe për dasmën e madhe, ku kishin marrë pjesë pothuaj të gjithë princat arbërorë. Dasma, ku është martuar Muzak Topia me Mamicën, motrën e vogël të Skënderbeut, është zhvilluar më 26 janar 1445. Nusja vinte nga kalaja e Krujës, dhëndrri vinte nga kalaja e Petrelës, dasma bëhej në kalanë e Prezës. Qifti i ri, pas dasmës, ishte vendosur në kalanë e Topiajve, në Petrelë. Një legjendë thotë se dasma ishte përgjakur pas zënkës e ngatërresës mes Lekë Zaharisë dhe Lekë Dukagjinit, me ç’rast janë therrë e prerë rreth 150 vetë. Nga kjo ngjarje thuhet se e ka marrë emrin Preza – Presa (prerja). Por, kjo legjendë nuk është vërtetuar deri tash me dokumente e fakte historike. Preza është zonë bujqësore, me ara, plantazhe e ullishte, me ullinj shekullorë, madje të mbjellura që nga koha e Skënderbeut. Preza njihet për vajin origjinal e cilësor të ullirit dhe për mullinjtë e gurit, nga të cilët prodhohet vaji. Ullinjtë, bashkë me kalanë, janë simbol i Prezës, sepse edhe ullinjtë janë mijëravjeçarë, madje, ndonjë prej tyre edhe më i vjetër se vet kalaja. Tradita e mbjelljes së ullirit lindi veçanërisht kur Skënderbeu i detyronte çiftet e reja të mbillnin nga një fidane ulliri. Preza ka shumë vreshta dhe shumë kantina vere, bujtina e lokale tjera hoteliere e turistike. Tashmë, fshati është edhe një pikë turistike, kryesisht i turizmit ditor kulturor, historik e fshatar. E keqja e fshatit është se një numër i madh i banorëve veç janë larguar në emigracion apo janë zhvendosur nëpër qytete të mëdha, në Tiranë e Durrës. Preza, dikur qytet princëror e feudalë e fshat i bejlerëve e agallarëve, sot është njëra nga zonat më të qeta, më të bukura e më tërheqëse në Shqipëri. Është pozita gjeografike, natyra e mrekullueshme dhe traditat e mira të fshatit që të përvetësojnë, madje edhe kur fshati kundrohet nga larg, nga rruga Fushë-Krujë – Vorë apo nga aeroporti i Rinasit. Nga Preza të rrethon një horizont i gjerë, një pamje panoramike prej nga duket Tirana, Kruja e Fushë-Kruja, Aeroporti i Rinasit, kalatë e Petrelës e Rodonit, Mali i Dajtit dhe Deti Adriatik. Kalaja shumëshekullore, vargu i kodrave të bukura, ullishtat me gjelbrim tërëvitor, si dhe banorët e Prezës, që shquhen si punëtorë, tolerantë e të urtë, janë vlerat që ofron ky fshat, fshati që dikur ishte qytet, fshati që i mbijetoi shekujve të egër.