Arkiv / Ripublikim

Berat Lusha: Shoqata e të Burgosurve Politikë Shqiptarë shënoi sot 25 – vjetorin e themelimit

POS DATAVE TË SHËNUARA TË FUNDNËNTORIT, EDHE SHOQATA E TË BURGOSURVE POLITIKË SHËNOI SOT, MË 27 NËNTOR, DITËN E SAJ, 25-VJETORIN E THEMELIMIT
NË KËTË PËRVJETOR ME RËNDËSI, PO JAPIM RAPORTIN E KËSHILLIT NISMËTAR NË KUVENDIN E PARË, MBAJTUR MË 4 MAJ 1997 NË PRISHTINË
RAPORTI I KËSHILLIT NISMËTAR I FONDIT HUMANITAR PËR TË BURGOSURIT POLITIKË
Në kushtet e rrethanat e një lëvizjeje kombëtare për çlirim, nga njëra anë dhe të represionit e të terrorit shtetëror serb, nga ana tjetër, lindi Fondi Humanitar për të Burgosurit Politikë. Fondi ka për qëllim parësor përkujdesjen ekonomike, morale e politike për anëtarët e vet dhe për tërë popullsinë. Idea për formimin e këtij subjekti ishte shtruar menjëherë pas vitit të kthesave të mëdha politike te ne e më gjerë, vitit 1990. Mirëpo, për shkaqe të ndryshme, para së gjithash për shkaqe parimore, ky subjekt nuk ishte formuar deri tash. Mbizotëronte bindja se partitë e shumta politike, të formuara në atë kohë, si dhe shoqata e subjekte të ndryshme politike, humanitare, profesionale etj., do ta kishin parasysh edhe pozitën e vështirë të pjesës së martirizuar dhe të flijuar për Atdhe, të të burgosurve politikë. Kjo përkujdesje e tyre nuk mjaftonte, kurse, në të kundërtën, individë, grupe e klane politike zhvilluan fushatë të pandershme shpifjesh, ofendimesh e denigrimesh mbi baza politike e ideologjike.
Më 27 nëntor 1996, në prag të Ditës së Flamurit, në Prishtinë u mblodh një grup i të burgosurve politikë dhe formuan Këshillin Nismëtar për themelimin e Fondit Humanitar. Te pjesëmarrësit e atij takimi u shtrua dilema se si duhej të emërtohej subjekti që po formohej dhe çfarë do të ishin qëllimet e tij. Në mesin e propozimeve të shumta mbizotëruan dy; ajo për formimin e një shoqate, e cila do të merrej me tërë gamën e problemeve që kanë të burgosurit politikë dhe familjet e tyre, si dhe me familjet e të rënëve për liri. Propozimi i dytë ishte për formimin e një fondi humanitar, i cili, në radhë të parë do të përkujdesej nga aspekti material, por edhe me çështje tjera. Mbizotëroi propozimi i dytë dhe kështu u formua Fondi Humanitar për të Burgosurit Politikë, Kuvendin e parë – themelues të të cilit po e mbajmë sot. Këshilli Nismëtar ka vendosur që Kuvendi të përcaktojë formën e prerë të emërtimit dhe të veprimtarisë pas një shqyrtimi eventual dhe të miratimit me deklarim të lirë.
Këshilli Nismëtar, që veproi qe pesë muaj, që nga nëntori i vitit të kaluar, filloi punën me seriozitet dhe përkushtim. Kështu, menjëherë i hyri punës për hartimin e dokumenteve themelore normative; Programit, Statutit dhe Rregullores për punën e Kryesisë. Dy dokumentet e para, si projekte, ia paraqet sot Kuvendit për miratim. Pastaj, janë bërë librezat e anëtarësisë, vula, deklarata për donatorët, një zyre e Fondit, u angazhua për punë një person, si dhe u kryen shumë punë tjera. Këshilli Nismëtar mbajti mbledhje të rregullta me pjesëmarrje të kënaqshme. Filloi edhe formimi i degëve nëpër komuna. Tash gati në secilën komunë janë formuar degët e Fondit. Një degë u formua edhe në Zvicër.
Formimi i Fondit është pritur mjaft mirë në opinion, veçanërisht për veprimtarinë e tij. Nga shumë individë, por edhe nga kompani private, Fondi është ndihmuar me mjete materiale, shpesh edhe si donatorë të rregullt. Shumë persona kanë shprehur interesimin për t’u anëtarësuar, disa prej të cilëve edhe janë anëtarësuar.
Fondi herë pas here ishte i pranishëm edhe në shtyp dhe në televizion, duke shfaqur publikisht opinionin e vet rreth ngjarjeve aktuale politike ndër ne dhe në Shqipëri
Fondi Humanitar për të Burgosurit Politikë, edhe pse në kushte të vështira, do të vazhdojë të zhvillojë veprimtari të rregullt, të dendur dhe cilësore për t’i përmbushur, sa është e mundur, kërkesat e qëllimet e tij. Pas këtij Kuvendi, me zgjedhjen e Kryesisë dhe organeve tjera të Fondit, me siguri do të shtohet edhe më shumë veprimtaria, si në qendër, ashtu edhe nëpër degë. Rëndësi e posaçme do t’i kushtohet shtrirjes organizative, sidomos formimit të degëve nëpër komuna e lokalitete, gjithnjë ku ka kushte e interesim.
Fondi veprimin e vet do ta zhvillojë nëpër seksione të veçanta. Njëri ndër seksionet më të rëndësishme do të jetë ai i grumbullimit dhe i shpërndarjes së ndihmave humanitare për persona që janë në gjendje shumë të vështirë ekonomike e shëndetësore, për familjet e personave që ndodhen në burg, për persona të sëmurë etj. Për këtë qëllim Këshilli Nismëtar ka filluar ta hartojë një rregullore për ndarjen e ndihmave. Fondi do të kontaktojë, për bashkëpunim, me organizata ndërkombëtare dhe me ato të vendit, veçanërisht me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, me Amnesty International, me komitetet e Helsinkit, me Caritas-in, me “Nënë Terezën”, me KMDLNJ-në, me parti politike e shoqata të ndryshme në vend e në botën e jashtme, me organizata rinore dhe të gruas, me bashkësitë fetare, me qeverinë etj. Në bashkëpunim me to dhe me mirëkuptim solidarësie, Fondi do të sigurojë ndihma për anëtarët e vet dhe do të gjejë forma të ndryshme të financimit, duke përfshirë edhe ekonomizimin vetjak. Financimin themelor do ta sigurojë nga anëtarësia e rregullt, e cila do të rritet bashkë me shtimin e numrit të anëtarëve të regjistruar në Fond, si dhe me anëtarësimin e lirë të personave e të firmave. Fondi planifikon të shtyp edhe libreza shëndetësie, libreza sociale dhe aso të udhëtimit për anëtarët e vet, që do t’i paraqiteshin firmave private në shëndetësi, në tregti, në transport… Do të insistojë edhe për punësimin e anëtarëve të vet nëpër ndërmarrje e institucione të ndryshme dhe për përfaqësim sa më të denjë në çdo strukturë të organizuar. Rrjetin e vet do ta shtrijë edhe te shqiptarët në emigracion.
Njëra nga detyrat me rëndësi të veçantë është evidencimi sa më i plotë i të gjithë të të rënëve për liri, i viktimave të terrorit shtetëror, i të burgosurve e i të përndjekurve politikë, duke shënuar gjendjen familjare, ekonomike, shëndetësore, sociale etj. Për këtë qëllim do të formohet një seksion i posaçëm i Fondit. Një seksion tjetër Fondi do ta formojë edhe për organizimin e manifestimeve të ndryshme jubilare në kuadër të përvjetorëve të rëndësishëm e për ngjarje e personalitete të dalluara të historisë sonë më të re. Për publikime të ndryshme, që kanë për temë ngjarje e personalitete historike, do të kujdesej një seksion tjetër, i cili do të organizonte tribuna, tryeza dhe manifestime me karakter historik, politik etj.
Për ditë të veten Fondi do të merr 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve, në prag të të cilës datë, sikurse sivjet, Fondi do ta mbajë Kuvendin e rregullt vjetor, ku do t’i paraqes sukseset e rezultatet njëvjeçare të punës.
Duke e pasur parasysh misionin që i ka dhënë vetes Fondi përmes Programit dhe Statutit, si dhe me përfundimet e këtij Kuvendi, shpresoj se do ta arsyetojë formimin dhe do t’i përmbush detyrat elementare, pra do ta arsyetojë ekzistimin e vet. Ata, të cilët do të kenë rastin të zgjidhen në organet e Fondit në këtë Kuvend, si dhe ata që do të udhëheqin nëpër degë, do t’i vejnë vetes një barrë shumë të rëndë, por shumë fisnike. Ata do të kenë përplot pengesa e peripeci, do të ballafaqohen me situata të rënda e të rrezikshme, por që do t’i kalojnë me përpjekje të mëdha, ashtu sië kanë ditur të qëndrojnë edhe më herët në gjendje shumë të rënda, nëpër burgjet jugosllave.
Në emër të Këshillit Nismëtar edhe njëherë shprehim dëshirën dhe urimin për zhvillim të suksesshëm të këtij kuvendi themeltar. Ju uroj punë të mbarë!
Më 4 maj 1997, Prishtinë Këshilli Nismëtar
i Fondit Humanitar për të Burgosurit Politikë
Berat Luzha, kryetar