Komenti

Arban Bislimi: Kush destabilizon Tiranën është armik i SHBA -ve tha Uashingtoni

Është për t’u çuditur me humbësit e zgjedhjeve në Tiranë. Më se një muaj pasi përfunduan zgjedhjet me një fitore spektakolare dhe të pakontestueshme të së majtës, u mblodhën dhe erdhën te përfundimi se “humbja e PD-së dhe aleatëve të saj erdhi -jo si rezultat i mospërgatitjes dhe mosprezantimit të asnjë alternative qeverisëse për katër vite- por se fajtor ishin ata që i fituan zgjedhjet”!? Një përfundim mosrespektues ndaj ndjekësve të tyre që konstatojnë edhe ata se edhe partia “e vogël” PSD, që i hyri vet zgjedhjeve mori thuajse po aq deputetë sa LSI, që dikur kishte 16 deputetë. Madje, ata deputetë PSD i fitoi të gjithë në bastione të PD-së!Tendenca për të paraqitur zgjedhjet e lira si të vjedhura, duke u thirrur në ca dyshime e në ca fshatra të thella të Gjirokastrës me qëllim destabilizimin e vendit i neveriti edhe SHBA-të. Uashingtoni, sot shpalli non-grata, ata që tentuan edhe kësaj radhe të destabilizojnë Shqipërinë dhe mirë bënë. Shqipëria nuk mundet dhe nuk duhet të destabilizohet sa herë të ketë zgjedhje. Nga këto retorika bajate të humbësve doli një e mirë. Përfshirja e SHBA-ve në politikën ditore Shqiptare me një deklaratë dhe vendim të fuqishëm i jep sinjal gjithë rajonit se SHBA – të janë vërtet me gjithë mendje me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se stabiliteti dhe fuqizimi i Shqipërisë është çështje strategjike për SHBA-të. Amerika bëri një ndërhyrje të fuqishme pikërisht në kundërshtim të tendencave destabilizuese nga reaksioni i brendshëm i lidhur me disa “faktorë të huaj”. Amerika na tha sot: “Kush destabilizon Tiranën është armik i SHBA – ve”!

Nga ky veprim e kuptojnë edhe fqinjët se përkrahja për Tiranën nuk është angazhim mendjelehtë ose i politikës ditore amerikane, por angazhim dhe partneritet strategjikë i rëndësisë së veçantë. Ky përcaktim i fuqishëm dhe kjo përkrahje publike në këto rrethana sigurisht se do ketë nxitur analiza diplomatike dhe strategjike në mbarë rajonin mbi fuqizimin e Tiranës dhe të Qeverisë së Kryeministrit shqiptar Edi Rama, por edhe ndikimet për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Postimet e fundit !