Shqipëria/Aktualitet

Sali Berishës dhe familjes së tij u ndalohet hyrja në Amerikë

Pas tridhjetë vitesh SHBA – ja, Departamenti i Shtetit, i jep goditjen e parë serioze njeriut që u bë flamurtari i vandalizmit, shkatërrimit dhe djegies së shtetit tonë Amë, Republikës së Shqipërisë. Sali Berisha u ngjitë në skenën politike e shtetërore dhe qëndroi në majat e partisë, të shtetit dhe pushtetit edhe me “miratimin” dhe mbështetjen e vendeve dhe qeverive që “prioritet” kishin luftën kundër “komunizmit” dhe, sidomos, rrënimin e sovranitetit dhe të krenarisë kombëtare e shtetërore të Republikës së Shqipërisë! Kjo edhe ishte arsyeja pse ky njeri dhe grupi i tij u toleruan dhe u duruan kaq gjatë. Një arsye tjetër e madhe e mbështetjes dhe tolerimit të këtij monstrumi ishte edhe çështja shqiptare e Kosovës dhe viseve të saj. Kundërshtarët e lirisë së Kosovës (tokat e pushtuara të Shqipërisë nga Jugoserbia) e dinin më mirë se kushdo tjetër se shteti shqiptar ishte shtylla kurrizore e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Iliri. Prandaj, duhej thyer kjo shtyllë kurrizore që të shtyhejë e pengohejë zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare, – çlirimi i tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe që çështja shqiptare të mbetej në karrocë! Ky projekt krejtësisht antishqiptar në një masë të madhe edhe u vu në jetë. Tokat e pushtuara të Shqipërisë nga Jugoserbia u ricopëtuan dhe “ripushtuan”, duke mbetur në shtetet e krijuara pas shkërmoqjes së Jugoserbisë! Mbi 10 000 km katrore mbetën në Maqedoninë e sunduar nga sllavët, mbi 6 000 km katrore tokë Shqipërie i mbetën Malit të Zi, Sanxhaku (mbi 8 000 km katrore) mbeti i ndarë midis Serbisë e Malit të Zi dhe toka tjera të Shqipërisë mbetën nën Serbi! Shqiptarët, për shkak edhe të rrëzimit të shtetit Amë dhe katrahurës që ndodhi atje, shpërbërja e Jugoserbisë i gjeti të paorganizuar dhe të pa zotët për t’i çliruar tokat e tyre nga serbo – maqedono – malazezët!! Me Luftën Çlirimtare të LPK – UÇK -së e të kombit shqiptar u shkëput nga Serbia një pjesë e pushtuar e tokave të Shqipërisë (10 887 km katrore), që gabimisht dhe padrejtësisht po quhet Kosovë(!)… Njeriu që pati ndikim të madh negativ në ato situata e zhvillime, kur po krijoheshin shtete të reja në tokat e pushtuara të Shqipërisë, ishte Sali Berisha me partinë dhe bandat e tij…

Sidoqoftë, lajmi për “dënimin” e Berishës dhe familjes së tij shpresojmë të jetë fillimi i fundit të tranzicionit shkatërrimtar në Republikën e Shqipërisë. Urojmë që kjo “masë disiplinore” ndaj familjes Berisha të shoqërohet edhe me masa tjera ndëshkuese për Sali Berishën dhe për të gjithë politikanët dhe qeveritarët që janë përgjegjës për dëmet dhe shkatërrimet kolosale të pasurive dhe të ekonomisë së vendit, por edhe për mijëra të vrarë e të zhdukur dhe për gati 2 milionë shqiptarë të shpërngulur vetëm nga shteti Amë! (Xh. Gj.)

Departamenti i Shtetit i SHBA-së u ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan ish-kreyetarit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë.

Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anton Blinkenit, thuhet se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Sipas, DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitimet dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Rrjedhimisht, u është ndaluar hyrja në SHBA, Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës, Argita Berisha Malltezi.

“Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e Bashkuara e arsyetojnë vendimin me faktin se, i njëjti është në vazhdën e riafirmimit të përkrahjes së SHBA-së, për reformat kryesore politike dhe institucionet demokratike të Shqipërisë.

“Me shpalljen e këtij vendimi, unë po rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë të institucioneve dhe zyrtarëve publikë të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Blinkenit.

Shtetet e Bashkuara theksojnë gjithashtu se në kurriz të hetimeve të pavarura, Berisha përmes retorikës së tij, ka treguar se është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes dhe aleatët e tij.

(Sekretari i Shtetit Anton Blinkeni: Former President of Albania Sali Berisha’s corrupt acts undermined democracy in Albania. I am publicly designating Berisha and his immediate family members as ineligible for entry into the United States. We remain #UnitedAgainstCorruption with our partners in Albania. 2:04 PM · May 19, 2021)

Postimet e fundit !