Uncategorised

Arban Bislimi: Koha që demokracitë perëndimore të ndryshojnë qasjen ndaj Siujdhesës Ilirike

KOHA PËR NDRYSHIM TË QASJES SË DEMOKRACIVE NDAJ GADISHULLIT ILIRIK
Me ndryshimin e rrethanave dhe ekuilibrave gjeopolitikë botëror dhe rajonal kërkohet edhe ndryshimi i qasjes së superfuqive dhe institucioneve ndërkombëtare (përfshi këtu dhe BE) ndaj rajonit…
SHBA-të riarmatosën Japoninë kundër Kinës (ndryshimi i Nenit 9 të Kushtetutës) dhe i bëjnë një luftë ekonomike dhe një presion gjeopolitik të paprecedent rreth Taijanit dhe çështjeve tjera.
SHBA – të e nxitën edhe Gjermaninë t’i ndërpresë marrëdhëniet energjetike të privilegjuara me Rusinë, duke e shtyr njëherazi që të riarmatoset dhe të shpenzojë 100 miliardë euro për ushtri që t’i bëjë ballë dhe ta baraspeshojë ushtarakisht rrezikun rus. Finlanda po i jep fund statusit të neutralitetit 70 vjeçar për t’u bërë pjesë e NATO-s. Gjersa Rusia po humb dita – ditës çdo atributë të superfuqisë botërore, duke u shndëruar në një fuqi rajonale dekadente e lën anash komunitetit ndërkombëtar…

Po në Gadishullin Ilirik?

Kombi shqiptar shtetformues në katër shtete dhe minoritet nën zhgjedhën e Serbisë në Luginë e Sandxhak është kombi më perëndimor i gjithë Evropës Juglindore. Është një komb, që përkundër thirrjeve e deklarimeve qyqare të politikës ditore ka njohur një hovë të madh zhvillimi ekonomik, një fuqi diplomatike në rritje, një stabilitet politik e shtetëror, një ngritje të kapaciteteve ushtarake dhe shtetërore në rritje të vazhdueshme në 20 vitet e fundit.
SHBA-ve dhe aleatëve Perëndimor u takon të sigurohen për një Shqipëri të bashkuar, të fortë, të unifikuar, një shtet që mund t’i bëjë ballë dhe baraspeshoj presionet nga fuqitë agresive jodemokratike lindore dhe aleatëve të tyre si dhe të sigurojë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. A duhet të marrë formën kjo fuqi e re të një shteti unitar, një federate apo një konfederate është temë tjetër, por përballë vendeve që nuk njohin tjetër koncept veçse barazpeshës së fuqisë dhe terrorit nuk ka shumë opsione tjera.
Është koha që aleatët tanë të përcaktohen qartë për sovranitetin e Kosovës, për rolin udhëheqës të shtetit shqiptar në Ballkan dhe ngritjen e peshës së tij deri në masë kritike për t’i bërë ballë forcës brutale me forcë brutale.
Ky synim i domosdoshëm nuk mund të arrihet duke zvarritur sovranitetin e Kosovës e as duke toleruar dhe legjitimuar ndërhyrjet e aleatëve të fuqive agresive në punët e brendshme të saj.
Ky synim i domosdoshëm nuk mund të arrihet duke mos bërë gjithçka të jetë e mundur për të forcuar ushtrinë dhe shtetin Shqiptar.
Jo vetëm se na nevojitet neve, por u nevojitet edhe atyre.
Këtë ndryshim të raportit të forcave dikush duhet ta pasqyroj edhe në dialogun me Serbinë edhe në dialogjet tjera rajonale duke vën në zbatim një qasje të re. Ata që mund ta pasqyrojnë këtë ndryshim janë aleatët tanë: SHBA, Anglia, Franca, Gjermania, etj. Këtë qasje të re është mirë t’ia cicërojnë në vesh edhe Presidencës Çeke të BE-së dhe gjitha palëve të interesuara. Është mirë aleati ynë t’i shtrengojë evropianët edhe t’u hiqen shqiptarëve të Kosovës vizat se u vyen shqiptarëve të qendrojnë në shtëpitë dhe tokat e tyre.
Në këtë kohë duhet reflektim nga aleatët tanë dhe vendosmëri për t’i mbyllur çështjet dhe pengesat e papranueshme në rajon për zbatimin e ligjshmërisë dhe rendit shtetëror, të stabilitetit dhe mirëqenies së aleatëve të demokracive. Duhet penguar dhe asgjësuar ndikimet destruktive të fuqive jodemokratike përmes konflikteve të ngrira jo vetëm në Veriun e Kosovës, por edhe në Moldavi, në Gjeorgji, e kudo tjetër në Evropë.
U takon edhe shqiptarëve dhe vendeve tjera viktima të konflikteve të tilla të bëjnë punën e tyre, të mbajnë barrën e sakrificës, të tregojnë vendosmëri e qendrueshmëri drejt këtij projekti të madh.
Koha të veprohet është tani. Të marrë e të vonuar janë vetëm ata që ëndërrojn se mund të veprohet njëjtë, pafundësisht, edhe atëherë kur realiteti i raportit të forcave dhe raporteve simbolike ka ndryshuar aq shumë.
Sa më e madhe vonesa aq më të mëdha e shpërthyese pasojat…