Araban Bislimi: Deklarata reaksionare e një hoxhe dhe oportunizmi i antipatriarkalistëve frikacakë
Mjaftoi një deklaratë e hoxhë Shefqet Krasniqit dhe u shfaq befasisht gjithë karakteri oportunist, frikacak, injoranca e thellë dhe mungesa e vetëdijes politike të sfiduesëve “profesionistë” të rendit shoqëror. “Sfidues profesionistë” që nuk dënojnë deklaratën e hoxhës reaksionar, çdo deklaratë e të cilit duhet dënuar, por përkundrazi e minimizojnë atë dhe na shpjegojnë se si patriarkalizmi qenka fenomen i kulturës shqiptare, i shoqërisë sonë dhe budallallëçe tjera të ulta që nuk përkojnë as me realitetin historik e shoqëror të 50 viteve të fundit. U bie patriarkalizmi shpullë e nga mungesa e vetëdijes dhe guximit intelektual e politik se njohin e s’e kundërshtojnë! Ja që fillojnë përsëri me kulpabilizime (fajsime) të gjithë atyre familjarëve të ndershëm e shembullor dhe përparimtarë shqiptarë vetëm për t’i ikur ballafaqimit real me reaksionin dhe reaksionarët!
Shoqëria shqiptare, zhvillimi i saj shoqëror dhe politik tregon përkundrazi se emancipimi i gruas shqiptare është në thelb të emancipimit kombëtar shqiptar dhe parakusht i saj. Emancipimi bashkëkohor i gruas Shqiptare ka zanafillën që në librin e Sami Frashërit: “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo bëhet”, i cili përtej vizionit Kombëtar paraqet edhe një vizion shoqëror përparimtar përballë një regjimi të errët (obskurantist) dhe dekadent të Abdulhamidit. Rilindasi ynë me famë për gruan parashikonte shkollim, barazi dhe emancipim shoqëror, sepse vendi nuk mund të çlirohej e as të zhvillohej nëse nuk arsimohet e kontribuon gjysma e kombit, – gruaja. Kjo dialektikë reflektohet edhe në Lidhjen e Prizrenit, ku ekzistonin dy rryma: ajo e Abdyl Frashërit dhe hoxhë Ymer Prizrenit, përparimtare e kombëtare, dhe rryma e Abdylhamidit (otomane), reaksionare dhe antikombëtare, e bejlerëve dhe klerikëve të Sulltanit, që kërkonte luftë për flamurin dhe tokat e babës (Sulltanit). Kjo betejë ideologjike do të materializohej në Turqi nga një shqiptar tjetër, Mustafa Qemali – Ataturku, i cili mbi bazën e këtyre ideve do të formonte shtetin komb turk. Ai do të alfabetizojë gruan dhe do t’i jepte asaj të drejtën e votës për të parën herë në Evropë (në vitin 1934).
Janë pikërisht rrymat osmanomdha e dekadente të Abdulhamidit, që i shfaqen këtij populli përmes deklaratave të ca hoxhallarëve dhe që nuk ua thotë goja këtyre guximtarëve sfiduesë të “rendit patriarkal” dhe të çdo gjëje shqiptare t’i denojnë, por qëndrojnë memec përballë propagandës dhe dhunës së reaksionit. Lufta për emancipimin e gruas shqiptare ngatërrohet me luftën për emancipimin Kombëtar Shqiptar edhe gjatë periudhës së pushtimit Jugosllav. Përballë trysnisë së pushtetit serb për t’i turqizuar shqiptarët dhe dëbuar tutje në Turqi si “turq”, pati një lëvizje përparimtare shqiptare, të cilës i kontribuan edhe hoxhallarët përparimtarë shqiptarë si pjesë e arsimuar e shoqërisë në rezistencë ndaj regjimit të Tito – Rankoviçit, që luftoi për t’ua hequr shamitë dhe ferexhen grave e vajzave dhe për t’i arsimuar… Ky revolucion shoqëror që kishte ndodhur para 60 vitesh i dha shtysën vendimtare shoqërore lëvizjeve të mëdha, që quan në luftën e UÇK – së dhe kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës së Shqipërisë. Nëse vetëdija e njeriut përcaktohet nga bota materiale e tij, shqiptarët e varfër dhe nën okupim të dhunshëm shkuan përtej, duke shkolluar vajzat e tyre edhe në ato kushte të rënda robërie dhe kryen revolucion shoqëror emancipues. Ata u mundësuan vajzave të tyre një rini po aq të lirë si të vajzave sot, madje edhe në pērcjellje të modës botërore qysh në vitet 70-ta me përmirësimin e kushteve materiale në viset shqiptare të okupuara nga Jugoserbia.
Vajza dhe gruaja shqiptare qe pjesëmarrëse dhe organizatore e barabartë edhe e lëvizjes ilegale atdhetare në vitet 80-ta, madje edhe luftëtare e barabartë e luftërave nacionalçlirimtare të UÇK-së pa pritur leksionet e mësuara në seminare të OJQ-ve (me fonde të huaja) të këtyre sfiduesve trima të rendit shoqëror. Regresi i kushteve të gruas shqiptare në vitet 90-ta të kohës së okupimit dhe shpërndarja e kulturës turke qe një parantez regresi, që u tejkalua pas lufte, por që u rikthy në pjesë margjinale të shoqërisë me fitoren e reaksionit në Turqi, si vendi më me ndikim në islamin e viseve të pushtuara nën Jugosllavi. “Sfiduesit profesionalë” të rendit shoqëror, që vijnë nga OJQ të fondeve të Perëndimit dhe Lindjes, po propagandojnë se problem kryesor për emancipimin e shoqërisë na qenka shteti (sektori publik) dhe familja, që janë dy institucionet bërthamë dhe mbrojtëse të qytetarit. Sektori privat, prona private apo institucionet fetare janë thjeshtë të paprekshme, të pakritikueshme dhe të shenjta, sipas tyre. Ja logjika servile dhe reaksionare që i udhëheq ata! Një logjikë reaksionare që i jep kuptim pozicionimit të tyre oportunist për t’u rebeluar kundër institucioneve laike e demokratike, kundër familjes dhe strukturave dashamirëse të individit, nga njëra anë, dhe tendencës së tyre për ta qepur gojën përballë pronës private, institucioneve autoritare dhe jo demokratike, nga ana tjetër! Sidoqoftë, ky vend dhe ky popull nga ku u shpërnda rrezja e dritës në mbarë Mesdheun lindor nuk ua ka për borxh t’i dëgjoj pordhët e tyre. Ky vend, ku Presidentja është grua, deputetet janë gra në Kuvend me përqindje rëkorde në Evropë, ku pjesëmarrja e grave në këshilla (borde) dhe pozita udhëheqëse, në sektorin publik dhe privat, është shembullore nuk ka për të marrë leksione nga kjo kategori e shkëputur nga realiteti historik, shoqëror, ekonomik dhe historik i jetës së këtij vendi dhe botës. Ne nuk mund të qortohemi nga ata që sa herë frikohen të hasin në mospëlqim apo të humbasin një grusht vota a një grusht para e palojnë dhe akuzojnë shoqërinë në tërësi nga mosguximi për t’u ballafaquar me problemin dhe aktorët e tij. Lufta ndërmjet të mirës e dritës së vëllëzërve Frashëri dhe errësirës e dekadencës së Abdulhamidëve vazhdon… Kush qëndron indiferent në çaste të tilla dihet që ka zgjedhur anën…