Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Kur njerëzit pajtohen në bisedë për kuajt dhe grinden kur flasin për perëndinë

KUR NJERËZIT PAJTOHEN NË BISEDË PËR KUAJT DHE GRINDEN KUR FLASIN PËR PERËNDINË[
   “ODIUM THEOLOGICUM” (“URREJTJE TEOLOGJIKE”) është poezi e poetit amerikan Sam Walter Foss (1858-1911). Kjo poezi është një alegori që i flet edhe të sotmes: njerëzit pajtohen me njëri-tjetrin në bisedat për kuajt, por grinden kur flasin për Perëndinë! Në pjesën e parë të poezisë, paraqiten katër njerëz që takohen në një udhëkryq. Ndalen dhe bisedojnë me shumë pasion për kalin. Është biseda që i bashkon, si tregues i harmonisë dhe bashkëpunimit: secili ka dallime për cilësinë e një kali, por këto dallime përdorohen për të arritur një kuptim të përbashkët. Takimi i katër burrave në kryqëzimin e rrugëve shpërfaq një njohje të vlerave dhe pasionit të përbashkët për temën e kuajve. Pavarësisht dallimeve që kanë në preferencat e tyre mbi cilësitë e kuajve (forcën, shpejtësinë, nurin a hijeshinë e kalit), ata gjejnë një pikë që i bashkon. Ndahen paqësisht dhe me nderim për këto dallime: secili shkon rrugës së vet, ashtu si rrugët shkojnë në drejtime të ndryshme.
Në pjesën e dytë të kësaj poezie, lexojmë se si pas nj viti, takohen përsëri ata katër veta po te ai udhëkryq, por kësaj radhe bisedojnë për Perëndinë. Biseda për Perëndinë shkakton konflikt teologjik; s’ka më tolerancë dhe autoriteti i secilit sulmohet. Dallimet, kësaj radhe, nuk respektohen as i bashkojnë ata, por këto dallime mes tyre shpërthejnë në një grindje të ashpër, madje duke përdorur një gjuhë sulmuese që djeg. Përpos gjuhës së ashpër, aty shpërthen edhe një urrejtje e thellë ndaj njëri-tjetrit për shkak të besimeve të tyre të kundërta. Njëri e imagjinonte Perëndinë në formë njeriu, tjetri thoshte se Perëndia është një shpirt, i treti se vetë natyra ishte Perëndia dhe i fundit se Perëndia nuk ekzistonte. Secili e shikonte tjetrin me zemërim e urrejtje dhe ndahen të përçarë, në rrugët që shkonin në drejtime të ndryshme.
Kjo alegori poetike i drejtohet edhe kohës sonë: janë shumë gjëra që na bashkojnë dhe flasim me miradije e harmoni, -shumë të tjera na ndajnë dhe përçahemi, duke e urryer tjetrin pafundësisht. Urrejtja e mostoleranca triumfojnë.
Do të thotë se edhe ata që kanë interesa të përbashkëta, mund të ndahen dhe grinden nëse tema e diskutuar është shumë e ndjeshme dhe lidhet me bindjet e besimet thelbësore të secilit.
Pra, poezia përdor figura alegorike për të përshkruar sjelljet, bindjet, besimet dhe ndjenjat e njerëzve. Alegorikisht, poezia na e përcjell mesazhin, se si njerëzit mund të kthehen nga bashkëpunimi dhe harmonia në grindje dhe urrejtje kur bisedojnë për tema të ndjeshme si besimet fetare; por njerëzit le t’i gjejnë pikat që i bashkojnë.
Në fund, diversiteti është vlerë civilizimesh e besimesh, nderimi ndaj tjetrit është vlerë e civilizimit evropian… Miliona njerëz të dhjetëra e dhjetëra kombeve që shpërngulen nga të katër kontinentet drejt Evropës Perëndimore, me besime e bindje të ndryshme, është tregues i fortë se mikpritësi i nderon ata, ani se shpesh nga mysafirët ndodh e kundërta.
———————————————–
URREJTJE TEOLOGJIKE
nga Sam Walter Foss (1858-1911)
1.
Takohen dhe flasin ku kryqëzojnë rrugët,
Katër burra nga katër anët vijnë,
Dhe flasin për kalin, sepse e adhurojnë këtë temë,
Dhe askush prej tyre nuk qëndroi memec.
Burri nga Veriu adhuronte forcën e kalit,
Dhe burri nga Lindja hapin e tij,
Dhe burri nga Jugu adhuronte shpejtësinë e kalit,
Dhe burri nga Perëndimi nurin e tij.
Kështu, vijnë katër burra nga katër anët vijnë,
Secili ndaloi një hap në rrugën e tij
Dhe buzëqeshën përballë njëri-tjetrit
Dhe me dashuri folën për kalin.
Pastaj secili burrë ndalet dhe shkon rrugës së tij
Siç shkon rruga e tyre e ndryshme;
Dhe secili ndahet dhe udhëtoi me paqe në rrugën e tij
Dhe duke e dashur njëri-tjetrin.
2.
U takuan vitin tjetër ku kryqëzohen rrugët,
Katër burra nga të katër anët vijnë;
Dhe ndodhi që kur u takuan, të flitnin për Perëndinë,
Dhe askush prej tyre nuk qëndroi i heshtur.
Njëri e imagjinonte Perëndinë në formën e një njeriu.
Një tjetër ngulte këmbë insistonte se ai ishte një shpirt.
Një tjetër thoshte se vetë natyra ishte Perëndia.
Një tjetër thoshte se ai nuk ekzistonte.
Ata sulmuan njëri-tjetrin me fjalë që digjnin,
Që goditnin si me një shkop;
Secili shikoi me zemërim në fytyrën e tjetrit,
Dhe me zemërim fliste për Perëndinë.
Pastaj secili burrë u nda dhe shkoi rrugës së tij,
Siç shkon secila rrugë në drejtime të ndryshme;
Dhe secili u nis me zemërim në zemër,
Dhe duke urryer njëri-tjetrin.
(Përktheu: P. Buzhala)

Postimet e fundit !