Shqipëria/Aktualitet

“A do të gjykohet ndonjëherë kjo klasë politike? Krimi i rrugës nuk do të mposhtet kurrë nëse nuk goditet kreu i banditizmit: pushteti korruptiv”

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Në fakt kjo është pyetja që bëjnë shumica e qytetarëve shqiptarë. Kur një mendje e shquar, nga më të shquarat,  profesor Përparim Kabo, solli pamjet e një resorti turistik, të njohur si Vilat e Lalzit dhe shkroi “Ditën që do rrethohet me shirit dhe SPAK shpall sekuestron, vetëm atëherë njerëzit do të thonë: Kjo është dita 1 e kalendarit të ndryshimit në drejtimin e duhur”, reagimi i njerëzve ishte i menjëhershëm, si një barometër i njohur.

Si për të dashur të ishte pjesë e mendimit të njerëzve të zakonshëm, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, zonja Kim, shënoi se, “Qeveria e SHBA qëndron në krah të popullit shqiptar në luftën tuaj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Krimi i organizuar nuk do të kishte jetë nëse nuk do të kishte korrupsion, nëse nuk do të kishim një klasë politike që njërin sy e mban nga njerëzit e bandave dhe tjetrin nga përfitimi, ama, ndaj njerëzve i kanë të mbyllur të dy sytë.

Vilat që solli në pamjen e tij zoti Kabo i përkasin njerëzve të politikës, të drejtësisë, të shërbimeve të veçanta, si të Gardës, pak biznesmenëve dhe ndonjërit të paktë që është aty rastësisht ose ka blerë nga të parët kur nuk dihej nëse do të ishte fshat turistik apo një humnerë parash.

Aty janë festuar ditëlindje zyrtarësh të lartë, si të presidentit, me qindra vetë të ftuar, aty bredh lirisht ish presidenti, aty gjen ish qeveritarë dhe drejtues të sotëm, deputetë që mëngjesëve i bien “hasha” njëri-tjetrit dhe mbrëmjeve bëjnë me njëri-tjetrin nga një dorë tavëll, aty ndërthuren projekte për ndarje fitimesh, aty kam parë në mëngjesin e vrasjes së një bankieri se si vraponin drejt Tiranës të trazuar fëmijët kryeministrorë, ndërsa punëtorët që ngrinin kullën e tyre të re trekatëshe, pasi i sillnin në një kamionçinë, hanin bukë e domate.

Të gjithë liderët politikë jetojnë në vila të pazakonshme, që nuk do të bëheshin kurrë me pagat e tyre,edhe nëse ato do ishin disa fish më të larta. Berisha në vilën e familjes së tij në lalzë, që është më e madhe se vila e dikurshme e Enver Hoxhës në bllok, me disa hektarë tokë para saj dhe as dy minuta larg nga deti, për më tepër, ndryshe nga ajo e Hoxhës, kjo është private; pak më tej Meta, në vilën e tij ku vetëm tualetet bëjnë sa një apartament i zakonshëm, Rama në vilën e tij në Surrel dhe megjithëse duhej të ishte i pari zyrtar i lartë i shtetit që të paraqiste të gjitha faturat, që nga blerja e gozhdëve dhe deri te pagat e shpenzuara, ende është në mister; Topalli me vilën e saj të pazakontë në fshatin turistik të Razmës, dhe Basha , bashkë me vjehrritë e tij në katër vila dhe dy apartamente të mëdha, secila prej tyre nga një kat i tërë në zonën më të shtrenjtë të kryeqytetit.

Këto njerëz nuk janë nën syrin e SPAK-ut, pasi ende janë mbi ligjin, të plotfuqishëm, të venosur në një granit pushteti, i cili është më i qëndrueshëm nga ai që kishin bllokmenët, të cilët janë fukarenj para bosëve të sotëm të politikës.

Ka ardhur koha që trinomi pushtet- pasuri – pandëshkueshmëri të shpërbëhet dhe shpresa se këtë do e bëjë një strukturë që quhet SPAK, si duket, do venitet.

Nuk mund të luftohet krimi i rrugës nëse nuk goditet kreu i banditizmit: pushteti korruptiv!

***

30 vitet e pluralizmit në Shqipëri janë një kohë e dështuar. Janë bjerrje të shpresës së madhe që kishin studentët e dhjetorit për një Shqipëri ndryshe dhe humbja e besimit të qytetarëve shqiptarë se ky vend do të bëhet. Në këto tri dekada u rrit me një shpejtësi të habitshme, marramendëse një klasë politike çoroditëse, thellësisht zhvatëse, që ka krijuar oazet e saj politikë, financiarë dhe të krimit, janë ngritur resorte të habitshme, ku shumica janë përmes parasë së pistë, bashkëpunimit me krimin dhe zhvatjen e njerëzve. Nëse në marsin e vitit 1992 kishte një fillesë shprese se do të ndryshonte ky vend i bekuar dhe, nëse në qershorin e vitit 2013 kjo shpresë u përsërit, e të gjitha humbën, kjo ka të bëjë pikërisht me këtë klasë politike, e cila, mjerisht, asnjëherë, edhe kur krimi ishte flagrant, nuk u ndëshkua, nuk u skuq dhe vazhdon të jetë përsëri e njëjta, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë.

A do të gjykohet ndonjëherë kjo klasë politike? Të gjithë shefat e qeverive që kanë shkuar në këto 30 vite sot janë ndër njerëzit më të pasur në këtë vend; thuaj të gjithë ministrat kanë qenë pjesë e barbarisë së zhvatjes së pasurisë së përbashkët; liderë politikë që janë të lidhur me banditë të rrugëve gjenden kudo; gremina financiare janë krijuar në të njëjtën kohë kur janë ngritur edhe resortet madhështorë; kultivimi i drogës, përhapja e shitje e saj, sidomos përtej kufijve ka qenë e mbetet praktikë e zakonshme…vjedhje masive të zbuluara e të padënuara…, vrasje, vetëm në Tropojë janë mbi 200 djem të rinj të vrarë, për të cilët nuk është dënuar askush, sepse klasa politike është organizatore e tyre; vrasje gjykatësish, si i ndjeri Konomi, me urdhër të qarqeve të larta të lidhura me politikën, median dhe pronat në bregdetin e lakmuar të Lalzit, vrasje në mesin e bulevardit, ku gjithçka është bërë në dritën e diellit, barbarisht, ndaj njerëzve me duar në xhepa; vrasje në Gërdec, ku, megjithëse dihet fare mirë se kush ishte “sy peshkaqeni”, asnjë institucion drejtësie nuk kishte guximin minimal të thërriste një pinjoll kryeministror…tenderë të dhënë firmave fantazmë, ku miliona euro do të ndaheshin nga njerëzit e politikës…banditë që blejnë vota, shesin emra deputetësh, deputetë që kujdesen për pronat e banditëve kur këto janë në burgje dhe, në fund, si një përtallje për gjithë çka ndodhur, vjen një KÇK, që ndalon tek banditët e rrugëve, por bën kujdes të mos trazojë banditët e politikës.

Pas  vrullit të parë ndaj banditëve të rrugës, ku struktura e njohur si “Forca e ligjit” dukej se do të përmbyste të keqen, edhe pse kishte nisur nga fundi i piramidës dhe do e shkëpuste krimin e rrugës nga politika e krimit, qeveria e tashmë bëri “ amnistimin” e tyre, duke lënë në gjysmë të rrugës aksionin e saj dhe pa e ditur njeri se çfarë është bërë. SPAK-u i ngratë, i ngritur më shumë për të shembur piramidën e politikës së kriminalizuar, humbi muajt e parë të tij duke verifikuar konfiskimet dhe, sapo po afron gongu i zgjedhjeve të reja, askush nuk është më i interesuar për të goditur më tej.

Afera të mëdha janë lënë përtokë: unaza e madhe, PPP-të mizore, koncesionet e shkuara dhe të tashme, për të mos shkuar më tej në ingranazhe të mëdha.

Koha për të pasur një gjykim për një klasë politike thellësisht të korruptuar e skajshmërisht antikombëtare ka qenë prej shumë kohe. Në tri dekada, jo rastësisht, mbi këtë vend, kanë rënë aq shumë gjëma të mëdha, sa që secilit komb tjetër do i kishin mjaftuar, dhe do u ishte dukur e tepërt edhe për një shekull.

Si nuk ndodh askund tjetër, me gjithë ndodhitë e rënda, vjedhjet e jashtëmendjes, krijimin e një oligarkie e korporate të paligjshme, por vendosëse deri në vrasje, shpërthimin e një katastrofe si ajo e vitit 1997, grushte shteti dhe mbështetje të makinerisë vrastare të Milosheviçit e regjimeve të tjera despotike, humbjen e shpresës dhe të besimit ndaj shtetit, në Shqipëri ndëshkueshmëria ka qenë e paqenë, e pashpresë dhe inekzistente. Shpesh herë ajo është shpërblyer. Megjithë premtimet e bujshme të shefit të qeverisë Rama për ndëshkimin e krimit, sidomos nga politika, askush nuk u gjykua.

Me një ulërimë vrastare, në pak kohë, klasa politike u bashkua përgjithësisht në një lukuni ujqërore për të mbështetur fuqishëm njëri-tjetrin në një përballje që do të mund të vinte, dhe që për fat të keq, nuk erdhi kurrë. Shpresa në SPAK venitet kur, ende pa nisur mirë puna e saj, krijohet një strukturë paralele, e afatizuar, aspak kushtetuese, që nuk mund të gjykohet, sepse mungon Gjykata Kushtetuese, e cila, si duket, nuk do të ngrihet deri në fundin e këtij viti, kur mbaron edhe afati i ligjit “KÇK”!!

Çfarë është kjo klasë politike, e cila ka zaptuar shtetin?

Mjerisht, ndryshe nga sa ishte menduar nga një grup njerëzish idealistë, Shqipëria prodhoi në seri njerëz meskinë të politikës, të cilët, të frymëzuar prej idesë së pasurimit të paligjshëm, shesin çfarë të munden, deri nderin, të vërtetën, ndërgjegjen, e më pas edhe kombin.

Kjo klasë politike, megjithëse e rrëzuar nga pushteti sipas alternativës tetëvjeçare, e riardhur, e po ashtu e rrëzuar edhe më parë, pas gjëmave të mëdha, që morën jetën e mijëra vetëve, jo vetëm që vegjeton qetësisht, stërritet e ushtron presionin e saj të kudoqofshëm, deri në absurditet, por tashmë, krejtësisht jashtë rrezikut për të ardhmen e tyre, kërkojnë ngultas rikthimin në pushtet, qoftë edhe përmes përbaltjes dhe kriminalizimit të shtetit të tyre, ashtu si pala tjetër, edhe pas kriminalizimit të skajshëm të politikës, ku më shumë ndjehet forca e një bande të fortë se sa e një politikani të mençur, mbahet pas pushtetit.

Në këtë mjedis politik liderë të këtij mendimi dhe precedenti politik të pashembullt, vazhdojnë të jenë të njëjtët njerëz, që fatkeqësisht hynë në politikë me bluza të bardha, për ta gjakosur atë pas pak viteve, si askush tjetër në një shtet demokratik; që hynë si studentë idealistë, për t’u kthyer në manjatë financiarë; që u bënë pjesë si piktorë modernistë, për të krijuar sistemin zhvatës të PPP-ve; ministra që ishin mekanikë dhe u gdhinë ministra të shëndetësisë; të panjohur që drejtuan dikasteret. Në vitin 1992 mbi 75 për qind e popullsisë priste ndryshimin përmes figurës enigmatike të Berishës. Edhe sot, megjithëse në dukje jashtë pushtetit, ai ka ende në vete mjaft nga fijet që e vërdallosin këtë pushtet, sidomos në disa nga strukturat kyçe të tij. E përsëri, si ndodh rrallë, ai do të kishte pranuar çdo lloj disfate e katastrofe, financiare apo politike të “armiqve” të tij politikë, vetëm e vetëm për të arritur fitoren “e brendshme” të tij. Por banditë rrugësh nuk futi në parlament, atë e bëri njeriu që sillte shpresë në qershorin e vitit 2013…

Mbi klanin politik berishist rëndojnë, le ta themi haptas, mjaft krime të pa ndëshkuara. Janë aq të shumta, sa që tani është e panevojshme ripërsëritja e tyre. Ky klan, familjar e politik, krijesë e një oligarkie politike e financiare të rrezikshme deri në skaj, është përgjegjës  në një rëndesë të madhe, por jo i vetmi, në gjithë këtë katrahurë ku vërvitet një vend me resurse, me njerëz të aftë, por të pashpresë, dhe në të cilin, pasuritë e tij, si mos ma keq, janë shitur në koncesione të babëzitura. Atë që ka lënë pa bërë qeveria Berisha, po e bën qeveria Rama. Nëse kjo e fundit nuk vret në bulevard dhe nuk të hedh në erë si në Gërdec, të detyron të mallkosh vendin ku ke lindur…duke e braktisur atë.

Përse nuk do të gjykohen ata?

Së pari, sepse qeveria e sotme, megjithë premtimet elektorale, nuk ka këllqe ta bëjë këtë. E gjithë retorika e fushatës së para qershorit 2013, që solli ndezjen e një vale shprese tek njerëzit, ishte pikërisht ndëshkimi i krimit, ndëshkimi i së keqes dhe i njerëzve që e kishin sjellë atë, duke u shndërruar në sheikët shqiptarë, megjithëse nuk kishin asnjë “pikë naftë” në trojet e patrashëguara që kishin zaptuar politikisht.

Tani, çdo ditë e nga pak, shpresa po shuhet, qeveria bën sikur do të ndëshkojë, në të vërtetë çdo gjë e kalon në kalendat greke, domethënë, në askund. Opozita bën sikur i hakërrohet qeverisë, por në të vërtetë e di se asgjë nuk do të ndodhë, dhe duke e ditur këtë, trashin zërin, mallkojnë, sajojnë dhe shpifin.

Përse nuk ndëshkon qeveria e sotme krimet që kanë ndodhur nën qeverinë e djeshme? Përse, të paktën për ato që ka dëshmuar vite më parë, nuk përgatit dosjet, të cilat të bëhen publike, të hapura për të gjithë, që një e vërtetë e ditur skutash ose e pëshpëritur, të bëhet pjesë e verdiktit të mendimit njerëzor?

Qeveritarët e djeshëm, të para vitit 2013, e dinë këtë më mirë se ne të tjerët. Edhe ata, pas vitit 2005, kur ri erdhën në pushtet nga ndarja e së majtës në disa pjesë e shumë pjesëza, pas bubullimave, lëshuan pak shi të butë dhe ata që “u lagën në mëngjes, u thanë gjatë drekës”. Të jetë kjo kthimi i një borxhi të vjetër? Qeveria duhet tua thotë njerëzve këtë të vërtetë.

Së dyti, pak para largimit nga pushteti qeveria Berisha, lëshoi me dhjetëra koncesione vrasëse për Shqipërinë, që nga Lotaria Kombëtare e deri tek ato për kromin, bakrin, naftën, si kishte lëshuar më parë për Aeroportin e Rinasit, etj. Duke qenë oligarki dhe nën drojën e pushtetit dispotik, vendimet kaluan nëpër frymën “kolegjiale” dhe si të tilla tani, ata janë të pagjykueshme. Por, edhe kur ata janë bërë nga një ministër i vetëm, si Ruli, për shembull, jashtë çdo atributi juridik, përsëri kanë gjetur “selamllëkun” e qeverisë. Si është krejt e mundur, segmente të qeverisë së sotme, medet, janë bërë pjesë e vjeljes së këtyre koncesioneve, për të cilat ishin betuar se do u a kthenin qytetarëve si një përfitim për to. Duke qenë tashmë pjesë e përbashkët, askush të mos presë ndëshkimin për krimin. Por shkuan edhe më tej. Rreth dyqind koncesione të quajtura PPP janë në lëvizje nga qeveria e tashme. Disa prej tyre janë gllabëruese të mëdha, disa të tjera do e kenë ushtimën në vitet e mëpasme.

Së treti, askund tjetër nuk ka e nuk do të ketë një sistem drejtësie kaq të implikuar me krimin, sa ky që kemi sot në Shqipëri. Shumë prej tyre, sidomos në postet kryesore, kanë kaluar nga zyrat e pushtetit për të mbrojtur pushtetin dhe për të qenë, së bashku me të, pjesë e rrjepjes së shtetit.  Mafia e drejtësisë së sotme është e lidhur fuqishëm me politikën, është pjellë e saj, ndaj askush të mos mendojë se është një pjellë që mund të “hajë” rritësit e saj. Por, mbi të gjitha. Mafia e sistemit të drejtësisë është e lidhur me bandat që kanë tagrin e tyre në politikë. Lirimet nga burgjet e të dënuarve përjetësisht janë haraçi i përbashkët i drejtësisë dhe i politikës. Por, edhe në se struktura të drejtësisë do të donin të bënin ndryshimin e madh, çka pritet me padurim, janë aq shumë dosje të fshehta për to, aq shumë përgjime për çfarë kanë bërë e çfarë kanë arritur të bëjnë, janë të dhënat për transfertat e parave në parajsat fiskale, jo vetëm në bankat qipriote; aty gjenden transaksionet që kanë bërë, fitimet që kanë përfituar, vilat e ngritura si me magji, me gjithë rrogën e zakonshme; ashtu si, në rast të kundërt, mund të vijë edhe ndëshkimi. Rasti i gjyqtarit Konomi nuk është i largët, e po ashtu nuk është i largët as rasti Trebicka. Qeveritarët e djeshëm janë aq të aftë sa që, pasi të zhdukin, të premtojnë të të bëjnë fjalimin më të bukur që është mbajtur ndonjëherë në një varrim publik.

Ideja e hedhur se, pas miratimi të reformës së re të drejtësisë, gjërat do të çuditin gjithë dynjanë, po  ngjallin shpresën e pritur, pasi, duam apo nuk duam, klasa politike, për fat të keq, edhe kur është në pushtet, edhe kur është larguar nga pushteti, sundon mbi drejtësinë. Sistemi “kap çka të kapim” duhej vendosur që në fillim; Vetingu duhej nisur nga figura të njohura të drejtësisë për lidhjet e tyre me krimin, jo duke lënë kohën e mjaftueshme për të kapur çfarë të mundin, por edhe të bëjnë “ kontratat” e reja me drejtësinë.

Ndryshe nga sa është pritur, dukja e tashme e qeverisë së sotme, të ngjan me atë që shkoi, megjithë thirrjet delirante të shefit të qeverisë për të bërë shtetin.

Shteti, që kur është krijuar më i pari i tyre, fillon e ngrihet kur ndëshkohet krimi. Ndëshkueshmëria është shtyllë mbajtëse e shtetit, ndryshe, e gjitha kjo, për fat të keq do të jetë si ata kalatë e rërës në buzë të detit, që shuhen pas dallgës së parë.

Ndaj, edhe besimi i njerëzve se një ditë do të gjykohet, ta zëmë, Berisha, Meta, Nano, Rama jo vetëm si persona publikë, por si precedent të rrezikshëm politik e financiar, ka filluar të humbasë. E bashkë me to, edhe besimi i një njeriu që ka pritur gjithë shpresë kthimin nga e mbara të vendit të tij. Ky, jam unë, si mund të jetë secili nga ne.