Shqipëria/Aktualitet

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me Komision të Posaçëm Hetimor për raportin e Dik Martit

Ermal Bislimi
Tiranë, 3 dhjetor 2020 – Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në seancën e sotme plenare ka
miratuar katër projektligje, një projektvendim dhe u rrëzua një dekret presidencial. Gjatë
kësaj seance me 85 vota pro, u miratua projektvendimi për miratimin e përbërjes së
komisionit të posaçëm të Kuvendit, i cili do të verifikojë raportin e Dik Martit.  
Ky Komision do të ketë përgjegjësi për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një
raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e
kryera nga institucionet përkatëse në Republikën e Shqipërisë mbi çështjet e raportit të
anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty, mbi bashkëpunimin
dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur, përfaqësues politikë shqiptarë ose
institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së
ashtuquajturës “veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” në
territorin e Republikës së Shqipërisë.
I kryesuar nga deputeti Ulsi Manja, komisioni në përbërje do të ketë Enver Roshin
(nënkryetar) dhe anëtarët Klotilda Bushka, Ermonela Felaj, Alket Hyseni, Adnor Shameti,
Edmond Stojku, Myslim Murrizi dhe Elena Xhina. 
Propozimi për ngritjen e këtij komisioni erdhi nga një grup deputetësh nga Partia Socialiste
pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale për ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës.

Postimet e fundit !