Portreti/intervista

Arban Bislimi: Elegji për Mësuesin

Me pikëllim dhe hidhërim morëm lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare dhe mësuesit nga Berati, Xha Sherif Basha, mësues dhe veprimtar i çështjes, gjuhës dhe kulturës shqiptare në Lion të Francës.
Xha Sherifin e kisha mësues në Shkollën Shqipe “Fan Noli” në Lion, ku edukonte brezin e fëmijëve shqiptarë në kontekstin e përpjekjeve të kombit në vitet 90-ta për çlirimin e viseve shqiptare nën Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me trungun amë. Shkollimi në këtë shkollë përtej shkëlqyeshmërisë së mësimdhënies mundësoi formimin e qytetarëve të mirëfilltë shqiptarë, me kulturë dhe edukatë qytetare të mirëfilltë.
Xha Sherifi ishte një model i urtësisë, fisnikërisë, kulturës dhe vlerave burrërore shqiptare. Do mbetej deri në ditët e fundit të tij një figurë e ndritur, e urtë, një motiv inspirimi dhe krenarie për bashkësinë shqiptare të Lionit dhe më gjerë.
Gëzimi im qe i pafund kur xha Sherifi erdhi enkas nga Franca në dasmën time para ca vitesh, edhe pse, isha në dilemë mos po e merrte si obligim të vinte në kushte dhe në moshën që kishte. Ishte 80 vjeçar dhe me gruan, tetë Lirien e sëmurë.
Gëzimi dhe lumturia e tij ishte e plotë kur vizitoi Kosovën dhe takoi, natyrisht, nxënësin e tij dhe pjesëtar tjerë të komunitetit në Kosovën e lirë, për të cilën kishte ëndërruar dhe vepruar si çdo shqiptar i vetdijësuar i kohës.
Humbja e Xha Sherifit le një zbrazëti të madhe në jetën e komunitetit të Lionit, por pas tij mbetet një vepër e paharrueshme për edukimin e brezave, vetdijësimin kombëtar dhe qytetar të bashkatdhetarëve tanë dhe fëmijëve të tyre.
Xha Sherifi dhe vullnetarët e tjerë të Shoqërisë “Fan Noli” si eprorë të gjuhës, kulturës shqiptare dhe shembuj të urtësisë, mirësisë, qytetarisë dhe Atdhedashurisë kanë dhënë një kontribut të paharruar për emancipimin kombëtar dhe shoqëror në çdo vend ku ata kanë vepruar.
Nderime dhe falenderime të pafundme Xha Sherifit!
Lavdi dhe nderime jetës dhe veprës së tij!
U preht në paqe në dheun e Atdheut tonë të shenjtë!