Komenti

Blerim Muriqi: Republika e Shqipërisë aktore rajonale në marrëdhëniet ndërkombëtare

Guxo ta bësh atë që di ta bësh, realpolitikën e së sotmes, për të tashmën dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe kombit mbarë!

 

Open Ballkan-i zgjon Europën nga letargjia e injorimit të rajonit, nga harresa me dashje. E bashkon atë në aksion të shpejtë përkundër ndasive që prodhuan gjeopolitikat vetanake të shteteve, sikur gjithmonë në të kaluarën e këtyre dy shekujve të fundit, kur politikëbërja përfundoi në jo pak raste në qorrsokaqe nga ku e nxorën luftërat përmes të cilave u futën nëpër akullnaja marrëdhëniesh.

Kryeministri Rama ka fajësuar nacionalizmat europian me kalkulimet e fateve të zgjedhjeve të tyre të brendshme si prolongimin pa fund të integrimit të rajonit në BE. Ai ka hapur horizontin e të jetuarës së tashme dhe të zhvillimit të brendshëm pa çarë kokën më nëpër besimin e kotë të ëndrrës europiane. Ajo le të vijë kur të vijë dhe do varet nga interesat e momentit integrimi në të. Pra KM Rama nuk ka kohë të Shqipërisë për të humbur në varshmëri tekash e fatesh zgjedhore të askujt në Europën e aq marrëdhënieve të ndërlikuara, e aq premtimeve boshe, e aq mosmbajtjes së premtimeve.

Kjo ka bërë që “Procesi i Berlinit” të merr karakter lokal të aplikimit të katër lirive. Edhe pse mardhënjit mes shteteve të Ballkanit përëndimor janë shumë komplekse për shkak të historisë, edhe pse ato afektohen shumë rëndë nga pozicioni që po mban Serbia ndaj pavarësisë së Kosovës, edhe përkundër amësisë që Shqipëria përfaqëson për shumë treva në rajon, Maqedoni, Mal të Zi, dhe Serbi dhe për shtetin e Kosovës, edhe përkundër ambicieve serbe për ta ndarë Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën, Edi Rama i është përveshur hapërimit mbi historinë për të prodhuar reflektim europian dhe provokuar gjeopolitikë aktive rajonale me rirreshtime që do i shërbenin rajonit më shumë nga koha reale se sa nga gjirizet e premtimeve boshe të pafytyrësisë së BE-së.

Shtyrja e politikave të ndryshimit, qoftë edhe për të vëmendësuar nuk mbesin pa efekte ndërtimi të urave të reja.

Kjo na shtynë të hipotezojmë se dikush po troket në dyert e Ballkanit përëndimor.

Lajçak zgjidhi gjuhën dhe e lëshoi sikur nuk e kishte lëshuar ndonjëherë më parë në plotësimin e shpejt të vizitës Merkel, e cila e bëri rajonin bashkë në Tiranë, por nuk e vizitoi Prishtinën edhe pse pikërisht Kosova është udhëkryqi i marrëdhënieve rajonale për shkak të mosnjohjes nga Serbia.

Kush po troket në dyert e Balkanit përëndimor? Kujt po i druhet Europa, meqë po rend ndryshe nga herat tjera?

Leximi i sakt dhe i tërësishëm i Kancelares Merkel është detyrë e përfaqësimit tonë shtetëror. Ani pse KM Kurti doli shumë i tensionuar pas takimit me znj.Merkel, me ç’rast bëri disa gabime përmes të cilave ne ia lexuam nervozën dhe faktin se takimi dukej të kishte qenë i vështirë, ku ai na la të kuptonim se kishte patur trysni dhe “vënie të gurit te thana” (Do të bënte mirë t’ua thoshte hapur “militantëve” të tij “porositë” që mori nga Kancelarja Merkeli…).

Kryeministri Kurti u ngut të deklaronte se do vënte reciprocitetin me Serbinë, të cilin rendi të na e shiste për tribunizëm rezistues ndaj presioneve, derisa në fakt ai në ethet e rezultatit të zgjedhjeve lokale përdori këtë folklorizëm për grushtin e votave që aspiron t’i mbaj pa rrjedhur, meqë fryma që ishte krijuar për zgjedhjet e përgjithshme tashmë ka ndarë fatin e fluskës së sapunit dhe nuk duket gjëkundi. Edhe reciprociteti që mund të pasoj në prag të zgjedhjeve lokale nuk do jetë përmbajtjësor dhe i tërësishëm, por selektiv e krejt minor sa të mos e prish as rahatinë e Serbisë me tregun Kosovë, e as ariun në strofullin e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Tani kur znj. Merkel nuk ia bëri fjalën dy KM Rama për “Ballkanin e hapur”, kur ai e quajti produkt të “Procesit të Berlinit” i vënë në konditat e realpolitikës, gjërat do të marrin hov dhe ngjyrim tjetër, për çka në të vëretë ka ardhur koha që KM Rama të ec me kujdes të shtuar dhe të punoj më shumë nën trysninë e përgjegjësisë për Kosovën si kreu i kombit.

Fundi i shtatorit do ta sjell në rajon kreun e BE-së zonjën Von Den Loyen dhe kjo tregon se gjithçka deri në këtë masë e ka lëvizur Ballakni i hapur. Politikat shtytëse janë vlerë politikëbërjeje. Të tjerë do të thonin politikat shantazhuese, por unë nuk i shoh të tilla, përtej të të qenit “të cytjes”. Me tendencën Ballakni i hapur ne jemi më afër integrimit të rajonit si tërësi në BE dhe shumë më afër pranimit të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Integrimet europiane nuk mund të ndodhin as në bllok as veç e veç pa pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe kjo po prodhon presionin e ri, uroj të jetë i mjaftueshëm, për ta shtyrë Serbinë në të kuptuarit e realiteteve të pakthyeshme.

Ka ardhur koha të mos jetohet në botën e mashtruar të premtimeve boshe europiane. Sikur rajoni edhe shqiptarët duhet të mendojnë për të sotmen, sepse pa të sotme nuk ka të ardhme, dhe, sikur duket, këtë e ka kuptuar më së miri KM Rama.