(Copëza mendimesh të një vajze në prag të 18-ave, – larg Atdheut…)
Sa frikësuese është të mësosh nganjëherë. Teksa lexon diçka, për shembull, kur lexon një libër mbi politikën, mbi drejtësinë, mbi historinë etj., të duket se në ato momente ke çdo armë të nevojshme për të ndryshuar botën… Kur mëson se jo gjithçka po shkon për së mbari. Kur kupton se problemet kanë rrënjë më të thella se sa duket. Kur kupton se historia e jetës përmbi Tokë nuk përmblidhet në një libër. Kur mëson se një gjeolog, një biolog, një shkencëtar çfarëdo nuk e shpjegon dot jetën përmbi botë… Por, as një sociolog, historian apo gjuhëtar i zoti nuk ia dalin dot ta zbërthejnë të gjithën. Dhe ti (më pëlqen të flas për veten në veten e dytë), dhe ti je përballë librit të radhës me çdo qelizë të trupit tënd, duke u njohur me një copëz të botës. Teksa ti lexon një teori të fillimit të jetës në tokë. Teksa ti zbulon se teoria më e saktë deri më sot është se zanafilla e së gjallës fle mbi ca ribozome. Teska ti zbulon çfarë na nevojitet për të ekzistuar ne të gjallët në Tokë : aktivitete vullkanike, atmosfere, etj… Kujtohesh se kjo është e saktë, por nga ky argument shkencor, me ekuacione, shifra, koncepte elementesh kimike, hidhesh në një tjetër teori. Këtë herë për të ekzistuar ne, si njerëz, thuhet se na duhet lumturi. Pastaj pyet veten: ç’është lumturia? Dhe ka aq shumë përgjigje. Pastaj dikush t’i hedh gjitha këto poshtë duke bërë atë pyetjen e famshme: «Po ne, a egzistojmë vërtetë?!». Për një moment thua se gjithçka që ndërtonte murin e të vërtetës time thërrmohet, se është veç prodhim i mendjes tënde, i imagjinatës tënde. Por, pastaj pasi ke shfletuar libra, e pasi ke lundruar në këtë det që nuk e di a ekzistion apo jo, dikush a diçka ta kujton se edhe nëse ky det nuk ekziston, mendimi jot për këtë det i jep kuptim, i jep jetë dhe si rrjedhojë ai ekziston, sepse ti ekziston, sepse mendimet e tua ekzistiojnë, dhe ti merr një kafe tjetër pa sheqer.
Pastaj, pasi ke kaluar kohë duke parë hënën dhe yjet në ballkon, nga ora 3 e mëngjesit të zë gjumi. Zgjohesh dhe të nesërmen dikush të flet për një ëndërr dhe për domethënien që ajo ëndërr ka për të. Dhe ja një tjetër arsye për t’u përhumbur në mendime përgjatë orës së mërzitshme të spanjishtes, ose në autobuz, kur kthehesh në shtëpi. Ç’ndodh kur ëndërrojmë vallë ? Si ka mundësi që ajo vajza kishte ëndërruar që do sëmurej dhe pas një jave ajo përfundoi në spital. Pak kohë pasi ti ke vënë në dyshim mosekzistencën e një fuqie të mbinatyrshme për shkak të pyetjeve të tilla, pasi je përpjekur të analizosh ëndrrat tua që shpesh i harroje dhe kjo të acaronte, sepse të sillte një pyetje tjetër : Pse i harorjmë ëndrrat? », pas gjithë këtyre hasesh me shkrimet e dikujt që i ka çuar edhe më tutje këto pyetje mbi ëndrrat. Ky i fundit të zbërthen ëndrrat në formë neuronesh. Dëshiron të kthehesh tek ajo vajza që të kish folur për atë ëndrrën sikur ishte e sëmurë, dhe që mendonte që ëndrrat ishin mesazhe nga dikush e diçka e mbinatyrshme, e ti thuash se ato nganjëherë mund të jenë mesazhe nga neuronet tona që e ndjenjë dhimbjen më lehtë e më parë kur ne jemi të qetë dhe flemë se sa kur jemi në aktivitete gjatë ditës, dhe këtë sinjal na e përcjellin përmes ëndrrave, dhe kur kjo dhimbje do bëhet më e fortë do e ndjejmë dhe gjatë ditës. Të vjen ti thuash, por nuk je e sigurtë a ja vlen. A ja vlen të shkosh t’i thyesh murin e së vërtetës së saj vetëm pse ti mendon se muri yt është më i fortë. Them « mur» sepse mendoj se e vërteta jonë, mënyra se si e përceptojmë botën është si një mur që ndërtojmë përgjatë jetës për t’u mbrojtur, për t’u përfaqësuar, por edhe sepse të gjithë që të rrethojnë që nga lindja kanë një mur dhe ti me kohën kërkon të ndërtosh murin tënd sa do të sigurta të jenë muret e atyre që të duan dhe i do. Dëshiron të ndërtosh një mur, sepse kupton e sheh se gjithë në të vërtetë lënë pas vetëm atë të vërtetë tyren, është e vetmja gjë që sado frymzohen prej dikujt, mbetet e tyre. Dhe sepse ne njerëzit s’kemi me çmerremi, hedhim ca pyetje shtesë mbi të ashtuquajturën vdekje. Këtu si në thuajse çdo tjetër çeshtje, do jetë dikush që do e sjellë Zotin në mesin tuaj! Dhe shpesh ai që e sjell, je ti. Ty të kujtohet mirë që më parë ti besoje në të, por nuk e mendoje as nuk e sillje nëpër biseda si sot. Sot nuk e beson, ose për ta thënë më sinqerisht e dyshon shumë eksistencën e tij. Sa her mëson diçka mbi interpretimin e gjithçkaje, sikur të hapë telashe të reja, gjithnjë dëshiron të dish më shumë. Atëherë, ti apo ajo që gërmon pandalur për të gjetur një të vërtetë të detajuar, ti që nuk mjaftohesh kurrë me njohuri, ti lutesh nganjëherë sikur feja të të mjaftonte. Do ishe më e qetë se çdo përgjigje do kthehej tek e njëjta pikë : Zoti. Por, një libër nuk më mjafton, as dy apo me radhë. Së pari, pasi vet këto libra nuk bien dakort me njëri – tjetrin. Sepse, qysh atëherë e deri ku sot njohim historinë, thuhet se zotët janë grindur me njëri – tjetrin. Siç duket krijuesi na e paska lënë trashëgimi këtë veti të mos qenurit dakort me të tjerët. E lë Zotin pak mënjanë dhe fillon të gatuash diçka, duke dëgjuar një muzikë ruse që rastësisht e gjen në Youtube. Shpesh në të tilla raste harron të hedhësh një përbërës apo harron tiganin në zjarr, se kjo muzika ruse të kujton një muzikë shqiptare, dhe kjo të bezdis disi. E gjithë çështja shqiptare të shfletohet për të dhjetën herë atë ditë para syve. Kjo e tejkalon atë murin tënd që fola më lart. Këtu bëhet fjalë për një mur më të gjerë, që rrethon bashkatdhetarët e tu. Rrethon histoinë e një populli që ti i përket. Dëshiron që ky mur të ndërtojë kalanë e shqiptarëve me gurë e me forca të veta, dhe nuk dëshiron që të tjera kala të përfaqësohen me gurët tu, duke thënë se janë të tyret, por as anasjelltas. Dëshiron t’i bësh sa më të forta këto mure, sa më të bukura se ti e di që kështu ju ka hije, por e kupton se kjo është më e komplikuar se ngritja e një muri të thjeshtë me llaç e gurë. Kërkon punë, puna do strategji, për të pasur një strategji duhen njohuri e për t’i fituar këto njohuri të duhet durim e pasion. Por, vet fjala pasion në vetvete do të thotë vuajtje. Ti je kaq kokfortë sa që e di se gjithë këto të lodhin, të bëjnë të vuash nganjëherë, por për ty vuajtja më e madhe është të kesh universin e pafund para teje dhe të mos e hulumtosh atë. Për ty limitet janë vuajtje. Të shikosh pafundësinë e njohurive para teje dhe të mos guxosh t’i prekësh është vuajtje. Gjithsesi në fund kujtohesh se je thjesht një vajzë në prag të 18-ave, që nuk dëshiron të lejojë besim, paragjykim, lodhje, mërzi apo çfarë do lloj pengese tjetër ta ndalë. Ajo dëshiron ta njoh më mirë botën. Ajo dëshiron ta njohë më mirë veten. Ajo dëshiron të lërë pas një mur madhështor. Ajo dëshiron ta ndjejë ekzistencën e saj dhe, pse jo, ta përcjellë atë brezave të tjerë. Ajo i përkiste të shkuarës, ajo jeton sot më shumë se kurrë dhe do i përkas një të ardhme plot jetë. E vërteta e saj nuk do jetë e gjitha e sakta dhe e duhura, por të paktën, ajo do të ballafaqohet me diellin për t’i njohur më mirë rrezet e tij, sepse asaj nuk i mjaftojnë historitë që dëgjon teksa fshihet diku nëpër hije.