Prishtinë, 7 prill 2014
Sa shumë zhurmë “shurdhuese”! Sa shumë debate e shkrime absurde për “prejardhjen” partiake e politike të luftëtarëve të UÇK-së! O, burra shqiptarë! O, vllezër të një gjaku! Ç’rëndësi ka kush vinte nga LKÇK-ja, kush nga LPK-ja, kush nga LDK-ja, nga PSHDK-ja, nga…?!! Të gjithë ishin dhe janë shqiptarë. Të gjithë ata, që në çfarëdo formedhe mënyre u angazhuan kundër Serbisë, ishin dhe mbeten atdhetarë që u përpoqën për lirinë dhe çlirimin e një pjese të robëruar të Shqipërisë… Pas themelimit të UÇK-së dhe hyrjes në luftë të armatosur kundër Serbisë secili shqiptar, pavarësisht nga cili formacion politik, shoqëror, “institucional” (“ministria” e Bukoshit…), që ka ardhur dhe është rreshtuar në UÇK, ka qenë ushtar ose oficer i UÇK-së dhe ka marrë e ka zbatuar vetëm urdhërat e UÇK-së (Shtabit të Përgjithshëm). Vet themeluesja, AMA, e UÇK-së, Lëvizja Popullore e Kosovës, nuk po pretendon dhe nuk po kërkon të përfshihet në ligj dhe t’i njihet e “drejta” si themeluese e saj, ndërsa na dalin ca “formacione” tjera dhe kërkojnë “merita” pse i janë bashkuar UÇK-së dhe kanë luftuar për vendin e tyre!! Nuk ka gjë më absurde se kjo!
Me sa duket lufta për pushtet ua ka errësuar mendjen dhe ua ka prishur shpirtin prej shqiptari… Harruat, vellezer shqiptarë, që UÇK-së dhe Luftës sonë iu bashkuan edhe oficerë dhe ushtarë nga Ushtria Shqiptare (madje vet Qeveria dhe shteti shqiptar iu bashkua kësaj Lufte)?! Mund të thoni me të drejtë se shteti shqiptar bëri detyrën e tij karshi një krahine të pushtuar shqiptare… Harruat se UÇK-së dhe Luftës sonë iu bashkuan edhe gjermanë, francezë, italianë (ka edhe Dëshmorë…), arabë, holandezë, zviceranë, anglezë, amerikanë…?! Po ata qindra milionat që harxhoi Amerika, NATO-ja dhe vendet tjera? Nuk kam dëgjuar që këto vende të kërkojnë të përfshihen në ligj… Mosni burra, mosni, se po tallet bota me ne! I hodhëm dy pushkë për vendin tonë dhe, o burra!… Po çfarë do të mendonin JASHARËT për këta “Heronj” që po shkruajnë e po debatojnë sikur të ishin vetë shpëtimtarët e Kosovës dhe sikur Kosova dhe kombi shqiptar u paska borgj atyre e jo ata (dhe çdo shqiptar) kombit dhe Atdheut – Shqipërisë…