Komenti

Xhevat Gjini: Fushata e krahasimeve të figurave dhe programeve që s’kanë të krahasuar

Disa media, të financuara nga qarqe e fonde të dyshimta (kryekëput antishqiptare), disa opinionistë të paguar për gamitjet e tyre dhe disa “intelektualë” e “politikanë”, që përfaqësojnë edhe në kohë pavarësie konceptin autonomist e vazalist për Kosovën shqiptare, po eksperimentojnë, po fyejnë dhe po testojnë inteligjencën dhe durimin e shqiptarëve me propagandën e tyre të gatuar dhe orkestruar në kuzhinat e kundërshtarëve dhe armiqve të lirisë, pavarësisë e bashkimit të shqiptarëve. E tillë është edhe fushata kundër Lëvizjes Popullore të Kosovës, kundër Simbolit të Qëndresës shqiptare, Adem Demaçi, dhe kundër Luftës Çlirimtare, UÇK-së, nga ata që ishin në anën e gabuar të historisë dhe pengesë e madhe (dje dhe sot) për lirinë, pavarësinë – shkëputjen e plotë nga Serbia dhe bashkimin e kombit shqiptar.

Angazhimi dhe përpjekjet e tyre për ta krahasuar LDK – në me LPK – në dhe Kryetarin e LDK-së, Ibrahim Rugovën, me Simbolin e Qëndresës Shqiptare, Adem Demaçin, janë të paqëndrueshme, të gabuara dhe të dështuara. Sepse, LDK – ja mund të vlerësohet, duke u krahasuar me AMËN e saj, LKJ – në, por kurrë me LPK – në. Studjuesit, opinionistët kanë ç’të thonë e ç’të krahasojnë ndërmjet këtyre partive. Mund të shkruhet e të thuhet shumë edhe për diferencën e LDK – së nga LKJ – ja (për aq sa dallonte), për shkëputjen e themeluesve të saj nga ideologjia dhe koncepti i LKJ – së (për aq sa u shkëputën), për shkëputjen e themeluesve të saj nga shteti pushtues (për aq sa u shkëputën), etj., etj.. Pra, të krahasohesh e të matesh me atë që mund të krahasohesh e mund të matesh… Sepse, s’ke si krahasohesh dhe as si matesh me LPK – në… Në asgjë dhe me asgjë. Fakti që njëra, LPK – ja, de jure dhe de fakto, angazhoheje, përpiqej e luftonte për çlirimin e Kosovës me vise nga Jugoserbia, kurse LDK – ja lutej, përgjërohej e pajtohej që Kosova (pa vise) të kishte një autonomi edhe më të kufizuar se ajo e vitit 1974, madje edhe me një marrëveshje si ajo e “Shën Egjidios”, i bën të pakrahasueshme këto dy subjekte. Si mund të matet e të krahasohet një parti politike kolaboracioniste (në thelb) me një Organizatë politike çlirimtare?!! Punë që s’bëhet…

E njëjta gjë mund të thuhet për fushatën dhe përpjekjet qyqare e mjerane për ta matur e krahasuar Ibrahim Rugovën me Adem Demaçin !!?? Me çka mund të matet a të krahasohet Ibrahimi Rugova me Adem Demaçin? Në fushën e letrave e të krijimtarisë? Jo… Me ide politike? Jo. Sepse, Ibrahim Rugova s’kishte as ide dhe as koncept politik të vetin. Ishte zgjatim i ideve dhe konceptit të LKJ së! Me oratori ? Hiç se hiç, sepse I. Rugova s’ishte i zoti të bënte dy fjalë kryq dhe as të shprehte dhe artikulonte një mendim politik. Me angazhim? Jo se jo. Ku Adem Demaçi e ku I. Rugova ?! Si të matet a të krahasohet miu me Elefandin?!… Me guxim, qëndrueshmëri e trimëri? Edhe më hiq. A mund të matet apo krahasohet pula me shqiponjēn?! Punë që s’bëhet kurrë, sado që pula ka dëshirë të ngjitet në lartësitë e shqiponjës… Me qartësi e “profeci”? Në asnjë mënyrë e rrethanë. Sepse, Adem Demaçi që në vitin 1959 deklaronte në gjykatën jugoserbe në Prishtinë: “Prej këtu ku jam po ju them edhe një herë se nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë  ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bërë shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe në fund, do të mbetet edhe pa Kosovën. Kaq.” Kurse I.Rugova nuk e kuptonte dhe nuk besonte që mund të çlirohet Kosova e të prishet Jugoserbia as në vitin 1999!! Prandaj, nënshkruante marrëveshje me Serbinë (8 prill 1999) dhe kërkonte ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s!!! Adem Demaçi dhe bashkëmendimtarët e bashkëveprimtarët e tij, që ndiqnin vullnetin, dëshirën dhe interesat e popullit të tyre, sakrifikonin rininë dhe jetën e tyre (Fazli Graiçevci, Shaban Shala, etj,) për Flamurin e tyre kuq e zi dhe për bashkim me shtetin Amë (vetëvendosje), kurse Ibrahim Rugova hiqte dorë vullnetarisht nga Flamuri i tij kuq e zi dhe përpiqej t’ia impononte popullit shqiptar në Dardani një “flamur” të tij familjar e partiak!!

LPK – UÇK – ja dhe Komandanti Legjendar Adem Jashari, të mbështetur nga mbarë kombi shqiptar dhe nga shqiptarët kudo në botë (në fund edhe nga bota e qytetëruar e demokratike), e bënë Luftën Çlirimtare me emblemën e UÇK – së (me shqiponjë) dhe me Flamurin tonë kuq e zi, kurse LDK – ja dhe “Kryetari i saj historik”, Ibrahim Rugova, edhe pas Luftës donin t’i impononin popullit shqiptar “flamurin” partiak e familjar!! Në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare, që kërkonte ripajtimin e Kosovës shqiptare me vrasësen e saj, Serbinë, dhe në bashkëpunim me ca patriotë të rinj (të rrëmbyer nga lavdia, pushteti e pasuria!!??), LDK – ja dhe Ibrahim Rugova ia dolën t’ia impononin Kosovës dhe popullit të saj një “flamur” dhe “himn” ala Bosnje, duke ia mohuar Flamurin kuq e zi dhe Himnin kombëtar!!! Dy ADEMAT e Shqipërisë e të kombit shqiptar, Dëshmorët, Heronjtë, Atdhetarët dhe shqiptarët edhe dasmën e vdekjen i bënin (që nga lashtësia…) dhe i bëjnë me Flamurin e tyre kuq e zi, kurse I, Rugova ( sikur edhe etërit e tij politikë dhe ideologjikë, sikur edhe partizanët e tij fanatikë) edhe nga varri e mohon Flamurin shqiptar (shihni “flamujt” te varri i tij që, kush s’e di as sot e kësaj dite pse ruhet 24 orë me polici!!??). E kuptoni tash pse nuk ka të krahasuar dhe as të matur I. Rugova me Adem Demaçin?

Si përfundim, do të duhej ta kuptonit që Ibrahim Rugova mund të krahasohet e të matet me, ta zëmë, Azem Vllasin dhe sojin e tij dhe të shihet ku dallonte dhe ku e sa ia kalonte Azemi Vllasit e brumit të tij për të mirë… Do të thoja, me mendjen time, që Ibrahim Rugova nuk mund të matet e të krahasohet as me Fadil Hoxhën. Me Ali Shukriun, Xhevdet Hamzën, Mehmet Maliqin, e sojin e tyre po, mundet…

I. Rugova mund të matet e të krahasohet edhe me Jusuf Buxhovin e të tjerët si ai, që edhe sot vazhdojnë të prodhojnë e përhapin propagandë e teza antishqiptare… Kjo është rruga e kjo është metodologjia që mund ta përdorni ju partizanët e I. Rugovës, nëse doni të nxirrni diçka pozitive te figura dhe veprimtaria letrare, shoqërore e partiake e tij. Kurse, ju të tjerët, nëse vërtet e doni të mirën e Kosovës e të kombit shqiptar, duhet të përqafoni idetë dhe konceptin e Adem Demaçit, vlerat dhe programin politik e kombëtar të LPK – UÇK – së dhe të Komandantit Legjendar, Adem Jashari. Kjo është rruga, ky është programi, këto janë vlerat e RILINDJES e të Lëvizjes Kombëtare që nga Gjergj Kastrioti, që nga Besëlidhja Shqiptare e Prizrenit… Ky është programi, kjo është AUTOSTRADA e këto janë vlerat dhe interesat e Atdheut e të kombit shqiptar edhe sot… Gjatë gjithë historisë (edhe në ditët tona!) ka patur e ka edhe rrugë e rrugica tjera, që kanë çuar në vazalitet, kolaboracionizëm e tradhti ndaj interesva të larta të kombit, por që kanë përfunduar me humbje e me faqen e zezë. Me humbje e faqe të zezë do ta mbyllin jetën dhe karrierën e tyre prej kolaboracionistësh e vazalistësh (hyzmeqarësh) edhe këta jugokosovarët e “kosovacentristët” e sotëm… Granci për këtë është shteti Amë, është populli shqiptar i Kosovës dhe janë shqiptarët në Maqedoninë e tyre, ata nën Malin e zi, ata nën Serbi e nën Greqi dhe, si gjithmonë, Mërgata dhe diaspora jonë në Turqi, Evropë, Amerikë, Australi…