Mërgatë

Hasan Ukëhaxha: PROTAGONISTËT DHE MASAT

Lëvizja Popullore e Kosovës e bindur se Serbia nuk do ta dorëzojë Kosovën pa luftë, Dega e saj Jashtë Vendit organizonte demonstrata sidomos në Gjermani e Zvicër, shtete këto ku mërgimtarët ishin më të përqendruar, po edhe në shtetet tjera ku ishin më të pakët, për t’i përgatitur ata që kur të vijë dita ta japin kontributin e tyre për çlirimin e vendit. Dhe dita erdhi: Me Epopenë e Prekazit përfundoi gjendja as luftë as paqe midis Kosovës e Serbisë. Ato tri ditët e marsit të ’98-es ishin kushtrim për mbarë shqiptarinë në trojet e veta po edhe për mërgaten në të dy anët e Atlantikut. Të dyjat iu përgjigjën flakë për flakë kauzës.

(Version i përpunuar i Kumtesës së lexuar në Konferencën online e organizuar nga Konsulata e Republikës së Kosovës më 28 nëntor 2020 me temën: “Kontributi kolektiv dhe individual i mërgatës për çlirimin e trojeve shqiptare”)

                                     HYRJE

Epilogu i shekullit më të lavdishëm në historinë e shqiptarëve dihet. Mes robërisë barbare e dheut të huaj, pra, midis dy të këqijave, një pjesë e arbërve e zgjodhën të dytën. Por, ata nuk e harruan atdheun e të parëve, as bëmat e tyre heroike. Përkundrazi, e përkujtonin me mall, siç dëshmon kënga e njohur popullore “O e bukura More”. I ruajtën doke e zakone e bashkë me to edhe gjuhën. E dëshmon këtë “ Katekizmi” i Lekës dhe “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” e Varibobës.

         Nga gjysma e parë e shek. XIX mërgata arbëreshe në Itali u bë pjesë e kauzës, e cila në historinë tonë njihet si Epoka e Rilindjës Kombëtare. Printe poeti i Makit, veprimtarinë e të cilit De Martinoja e pat përthekuar në distikun e tij lapidar: “Atë që bëri Skënderbeu me shpatë / Ti e bëre me pendë o i madhi De Radë” Pse? Sepse, përveç të tjerave, ai e dha edhe kushtrimin: “Erdhi dita e Arbërit/ Doemos do vdesim në shtrat/ në mos rënçim në prag të shtëpive tona”. E pas tij Dara i vjetër e sidomos i Riu bashkë me Seremben, katër vargjet e të cilit nuk mund të mos citohen, sepse poeti i Strigarit komunikon edhe me shqiptarët e këtij gjysmëshekulli “ Shpresa sheh, jemi e qem/ T’Arbërisë ku oh s’u lemë… Arbëria prapa detit më kujton/ se ne të huaj jemi te ky dhe…”. Me emra e vepra të arbëreshëve të tjerë nuk po zgjatem, por po theksoj se kushtrimi i cituar më sipër qe dhe mbeti busulla e kombit që nga koha kur u dha e deri të lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Arbëreshët nuk u shuan; ata i kontribuan vazhdimisht shkencës dhe letërsisë kombëtare.

         Ndërkaq, këndej Adriatikut pionieri i Lëvizjës Kombëtare – Naum Veçilharxhi e pagoi me jetë veprimtarinë në shërbim të atdheut, por fara që e mbolli i dha frytet e veta: Rrotull trojeve shqiptare u formuan çerdhe, të cilat në literaturë njihen si shoqëri kulturore, veprimtarinë e të cilave një nga rilindasit e përcaktoi: “ Ahere fytyr’ e deshirës së shqiptarëve ishte perlindja e letraturës shqipe; po qëllimi që mshifnin deshirat ish liria kombiare”. ( HPSH II, Tiranë, 2002. F. 241). Prandaj nuk mund të mos përmenden edhe në këtë rast Shoqëria e Bukureshtit, Sofies, e Kajros e sidomos e Stambollit, e cila ishte strumbullari i veprimtarisë, jo vetëm kulturore e shkencore, por edhe politike e rilindasve më të shquar. Po  i kthehem sërish Naumit për të theksuar se edhe shumë atdhetarë të tjerë e paten fatin e tij, jo vetëm nga armiqtë por edhe nga tradhëtarët e atdheut.

         Nga sa u tha, mund të konstatojmë pa kurrfarë ngurrimi se në aktin e Shpalljes së Pavarësisë me 28 Nëntor të vitit 1912, mërgata shqiptare e kishte hisen e vet të padiskutueshme.

                                      I

Ndonëse shqiptarët derdhën lumenj gjaku, për t’i këputur prangat e robërisë po edhe për t’i mbrojtur trojet e veta nga fqinjët shovenistë, Konferenca e Londrës në korrikun e ’13-es me vendimet e saj kriminale, gjysmën e atdheut tonë ua dha peshqesh Serbisë,  Malit të Zi dhe Greqisë. Të njëjtat vendime u morën edhe në Konferencën e Paqes në Paris në fund të Luftës së Parë Botërore me 1920, sikurse edhe në atë të ’46-es. Pra, gjysma e kombit në trojet e veta do të përballej edhe në gjysmën e shekullit 20 me robërinë dhe gjenocidin e pashembullt greko-sllav, të cilin këtu po e kapërcej.

         Por disa rreshta për të mësipërmet janë të pashmangshem. Në të parën, sikur të mos ishte Perandoria dualiste, Shqipëria e 28 Nëntorit do ta pësonte edhe më keq seç e pësoi, sepse Rusia cariste kërkonte pjesëtimin e të gjitha trojeve shqiptare në mes shteteve sllave të Ballkanit. Ndonëse ajo luftonte edhe për interesat e saj gjeostrategjike, Austro-Hungaria ishte mbrojtësja kryesore e çështjes shqiptare ( HPSH III, Tiranë 2007, f.19).

         Në të dytën, pikërisht para një shekulli sikur të mos ishte presidenti amerikan Uillson, i cili, duke ua bërë të ditur europianëve se SHBA-të nuk do të pranojnë asnjë marrëveshje të fshehtë, ua hodhi në shportën e mbeturinave Traktatin famëkeq të Londrës, me të cilin ishte përgatitur ricopëtimi i mëtejshëm i Shqipërisë së trembëdhjetës. Po i kapërcej përpjekjet e Shqiptarëve për ta mbrojtur vendin në kuvende e istikame, bashkë me huqet dhe tradhëtitë e ndonjërit nga protagonistët që iu dha haku në metropolin ku fituesit e Luftës së Parë Botërore e bënin bilancin e saj ( Poa aty f. 79/ 149).

         Në të tretën përveç padrejtësisë kundërmonte edhe tradhëtia. Pse? Sepse, sipas Kartes së Atlantikut popujt që do të luftonin kundër nazifashizmit, do ta kishin të drejtën e vetvendosjes. Populli shqiptar, trojet e të cilit me 28 Nëntor të vitit 1912 qenë shpallur shtet i pavarur, atij dokumenti iu përmbajt me pikë e me presje, por krerët e koalicionit antifashist i shkelën premtimet. Në takimin e Moskës në  tetorin e ’44-es Çurçilli e Stalini vendosën që “ Jugosllavia të restaurohej në kufijtë e vjetër të Mretërisë së Karagjeorgjeviçëve” duke ia mohuar gjysmës së kombit që ta shprehë vullnetin e tij politik ( Për Kartën: XH. Gjeçovi: (shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës, Tiranë 1998 f. 30; Konferenca e Jaltës, Tiranë, 1996, f.9). Madje SHBA-të dhe Mretëria e bashkuar shkuan edhe më tej; ato i mbështetën apetitet e Greqisë për t’u ngjitur edhe më lart në trojet shqiptare. Ajo e kërkonte Vorio- Epirin, por sharra u ndeshi ë gozhdë: Shqipëria pjesëmarrëse në Konferencën e Paqes i kundërshtoi venodosmërisht ato pretendime ( HPSH IV, Tiranë, 2008 f. 233).

Pyetjes së ndonjë lexuesi, natyrisht në vetvete, pse këta rreshta këtu? Përgjigjja natyrisht është kjo: Nga ato vendime kriminale populli shqiptar, nga koha kur u morën e deri në ditët tona, po paguan një tagër përmasash tragjike dhe krejtësisht të pamerituar. Ai do të ishte edhe më tragjik sikur të mos i dilte zot vendit, së paku që nga Lidhja shqiptare e Prizrenit. Ato nuk duhet t’i harrojmë, përkundrazi, duhet tua përkujtojmë fqinjëve shovenistë duke ua bërë me dije se nuk do të heqim dorë nga trojet tona. Thuhet se ata që e harrojnë historinë, u përsëritet. Mos po na përsëritet edhe në ditët tona ndonjë traktat i fshehtë për tokën, për liqenin, për detin, pra edhe për hapësirën tonë ajrore?! Nuk duhet ta pranojmë asnjë padrejtësi.

Populli shqiptar do ta nderojë gjithmonë presidentin Uillson, i cili me qendrimet e veta parimore e përtrollisi Projektin antishqiptar. E nderojmë edhe udhëheqjen politike të NATO-s e cila e mbështeti luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj me ndihmën e saj e dëbuam pushtuesin gjakatar; për inkurajimin që ne ta shpallim Pavarësinë dhe për njohjet e njëpasnjëshme nga shtetet  kryesore të kësaj Organizate. Prandaj Kosova e pret një Uillson të dytë, i cili, bashkë me aleatët ta porositë Serbinë që të mos e kthejë kokën prej saj; që ta porosit edhe Kosovën që t’u jep fund sjelljeve më tepër se të neveritshme…

                                      II

Në fund të dekadës së gjashtë të shekullit 20 Jugosllavia nënshkroi marrëveshje me disa shtete europiane, të cilat kishin nevojë për punëtorë. Sikur të tjerët edhe shqiptarët ia mësyen Gjermanisë, Zvicëres, Austrisë, dhe shteteve Skandinave për ta përmirësuar jetën e familjeve të tyre. Interesi i saj, rreth të cilit nuk po zgjatem, ishte i shumanshëm prandaj ajo kishte dërguar edhe nëpunës për t’u ndihmuar mërgimtarëve që t’i zgjidhin problemet e tyre me zyrtarët e vendeve ku punonin. Një nga ata që i kishte rënë hise ai mision ka qenë edhe Bardhosh Gërvalla. Jugosllavia përmes “barinjve” të saj legalë – Ambasadë e Konsullata – përpiqej ta ruaj grigjën nga ndonjë “infektim” i mundshëm. Në anën tjetër, as Shqipëria nuk ishte indiferente ndaj asaj mase të thjeshtë. Ishte fillimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe shqipërisë në fushën e arsimit dhe kulturës, të arriturat e të cilit dihen. Prandaj, në frymën e asaj veprimtarie Shqipëria edhe në Perëndim, sidomos në Gjermani e Zvicër përmes zyrave të saj diplomatike u shpërndante revista e gazeta, madje edhe vepra zhanresh të ndryeshme për ta ngritur vetëdijen kombëtare të mërgimtarëve…

                                      III

Demonstratat e pranverës së vitit ’81 hapën një kapitull të ri të kauzës sonë kombëtare. Ato e befasuan Kosovën, Jugosllavinë, Shqipërinë madje edhe Lëvizjen Ilegale. Se kjo e fundit u bë pjesë e tyre që nga ditët e para, ka dëshmi të mjaftueshme, por këtu po e përmend njërën nga më të veçantat. Siç dihet me një prill sheshi kryesor i Prishtinës ishte mbushur cep më cep me qytetarë, atyre dikush u fliste nga bliri me megafon, ishte i veshur me kominoshe punëtorësh. Tërë atë skenë e shikoja pak metra më larg. Me ilegalin Hydajet Hysenin u takuam në burgun e Nishit me 1985, por edhe me të tjerë, ndër të cilët edhe Berat Luzhën, Gani Kocin, Bajram Kosumin, Sylë Mujajn, Ali Lajçin, Hysen Gegën, Muhamet Rogoven e ndonjë tjetër.

Ngjarjet në Kosovë nuk mund të mos ndikonin në mërgaten e saj në perëndim. Veprimtarët e Lëvizjes ilegale –  Kadri Zeka  në Zvicër e Jusufi me Bardhoshin dhe Ibrahim Kelmendin në Gjermani vendosën që demonstratat t’i organizonin bashkë, ndonëse ishin udhëheqës të tri organizatave të veçanta. Dakordimi ishte vazhdimësi e bashkëpunimit të tyre nga dhjetori i ’79-es, kur Jusufi u vendos në Gjermani. Ajo veprimtari ishte një kthesë shumë e rëndësishme për mërgatën në ato rrethana politike. Ishte një shembull që dëshmonte se kur populli i sheh udhëheqësit bashkë, u shkon pas pa kurrfarë hezitimi. Prandaj në pranverën e atij viti edhe sheshet e metropoleve europiane mbusheshin me mërgimtarë. 

         Demonstratat e vitit ’81 përbënin preludin e kontributit të mërgatës sonë për çështjen kombëtare. Ndërkaq, veprimtarinë e tyre Jusufi, Kadriu e Bardhoshi e paguan më jetë në janarin e vitit 1982. I vrau shërbimi sekret Jugosllav, i cili atentatin kishte fillluar ta përgatiste para një viti dhe ishte publikuar nëntë muaj para se të kryhej – pikërisht më 17 prill 1981 – Në përgjigjen që Enver Hoxha ia pat dhënë Stane Dolancit, i cili, përveç akuzave të tjera, kishte deklaruar se “ … I njohim cilët janë organizatorët. Ata janë në Shtutgart…” ( Kosova është Shqipëri, Tiranë, 1999 f. 182). Ndonëse nga ajo natë e kobshme, këta heronjë u shndërruan në gurrë të pashterrshme frymëzimi. Rënia e tyre ishte humbje e pa kompensueshme për Lëvizjen ilegale brenda e jashtë vendit. Kjo ishte një vrasje biblike. Atentati u krye vetëm disa orë pas vendimit të tyre historik për t’i  bashkuar Organizatat në një të vetme…

                                      IV

Baticat dhe zbaticat që i përjetoi Kosova dhe viset tjera shqiptare në Jougosllavi gjatë dekadës 1981 – 1991 përbëjnë një kapitull të veçantë të historisë së saj. Lëvizja ilegale e vazhdonte veprimtarinë, ndonëse, si gjithmonë e paguante tagrin. Burgjet ishin të mbushura me veprimtarët e arrestuar anë e kënd Kosovës dhe viseve shqiptare. Por ajo nuk ndalej: Dy vjet pas atentatit në Gjermani, duke qëndruar heroikisht, në bazën e tyre në Prishtinë, ranë dy ilegalët Rexhep Mala e Nuhi Berisha e pesë vjet më vonë edhe Afrim Zhitia e  Fahri Fazliu. Rëniet e tyre ishin kushtrim për Kosovën, prandaj Lëvizja ilegale e vazhdonte  veprimtarinë në rrethana shumë të vështira, përveç të tjerave në marsin e atij viti pushtuesi i kishte shtrirë për tokë institucionet legale të Kosovës. Por jo popullin, i cili u ngrit në demonstrata që rezultuan me dhjetra të vrarë e të plagosur…

                                      V

Dekadës vendimtare i priu rënia e Murit të Berlinnit, respektivisht bashkimi i Gjermanisë. Akti shkaktoi tronditje politike në Europën lindore dhe në Gadishullin e Ballkanit… Republikat e Jugosllavisë monizmin e përcollën në faqet e historisë, prandaj edhe në Kosovë formohet Lidhja Demokratike, e cila në fillim e kishte karakterin e një lëvizjeje gjithëpopullore. Por pushtuesi serb e vazhdonte dhunën në Kosovë në përmasa edhe më të ashpëra, prandaj në dimrin e ’90-es iu përgigj sikur në pranverën e vitit të mëparshëm, duke ia bërë me dije se nuk do të nështrohej me asnjë çmim. Edhe në demonstratat e atij dimri u vranë e u plagosën me dhjetra të rinjë e të moshuar.

         Si gjithmonë, pushtuesi i mbante në shënjestër edhe veprimtarët e çështjes kombëtare në mërgim. Ndër ata që sipas saj, e kishte mbushur kupën ishte edhe atdhetari Enver Hadri, i cili me vite të tëra u përpoq që çështjen e Kosovës ta dërgojë në tavolinën e institucioneve të BE-së… Nuk dihet sa kohë i kishte marrë policisë sekrete serbe përgatitja e atentatit që e realizuan me 25 shkurt në Bruksel…

         Shëmbjes së Jugosllavisë i priu Sllovenia e cila e shpalli pavarësinë në dhjetorin e vitit 1990. I shkuan pas Kroacia, Maqedonia dhe Bosnja – Hercegovina. Në rrethanat e krijuara edhe Kosova e shpalli Pavarësinë në shtatorin e vitit 1991. Megjithatë, me Qeverinë në ekzil e Presidencë në Prishtinë ajo rënkonte nën kthetrat e pushtuesit, madje në shkallë aparteidi. Në ato rrethana Qeveria e pat formuar Fondin e 3 përqindëshit për t’ia bërë të mundur mbijetesën arsimit të mesëm dhe atij universitar që u organizua nëpër shtëpitë private, bashkë me shëndetësinë dhe të ndonjë institucioni tjetër. Dukej sikur në Kosovë kishte pushtet paralel. Edhe në Perëndim LDK i formoi degët e veta. Ndërkaq, edhe Lëvizja popullore e Kosovës Dega jashtë vendit e formoi Fondin “Vendlindja Thërret” për t’iu gjetur atdheut në ditët më të vështira, meqë dihej se ato nuk do të vonoheshin. Arkat ishin shkëndija e  parë plasaritjes së mërgatës, ndonëse të dyjat i dedikoheshin çështjes kombëtare. E dyta ishte nderimi i përvitshëm që u bëhej dëshmorëve në varrezat e  Shtutgartit. Një episod të së cilës do ta përkujtoj, për shkak të domethënies së tij.

         Në janarin e ’97-es LDK-ja i kishte caktuar homazhet në të njëjtën ditë me atë të LPK-së, ndonës kjo e fundit i kishte lajmëruar më përpara institucionet gjermane. Kryesia e të dytës kishte ardhur në përfundim se situatës duhej t’i gjendej një zgjidhje, sa më e arsyeshme që të jetë e mundur. Prandaj Fazli Veliu, më autorizoi, përmes telefonit, që të bisedoj me ndonjërin nga udhëheqësit e LDK-së… Në telefon m’u lajmërua Salih Çeku. Këtu nuk mund të mos e theksoj se dëshmorin e kam pasur nxënës në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pasi e njoftova se për ç’arsye e kisha thirrur në telefon i thashë se për kohën dhe vendin mund të vendosin ata…

Pas tri – katër orëve më lajmëroi se takimin do ta mbajmë në Shtutgart. Në mbrëmjen e datës së caktuar, nga Zvicëra erdhën Xhavit Haliti dhe Gafurr Elshani. Para se t’i çaseshim çështjes i ndërruam disa fjalë në cilësinë e “hyrjes” për Papoviçin – Rektorin e Universitetit të Prishtinës i emëruar nga Serbia, i cili mbeti gjithmonë në karrocë nga plumbat e ilegalit të madh Zahir Pajazitit.

         Me dy bashkëbiseduesit – Hafiz Gagicën e Salih Çekun u pajtuam që mërgimtarët t’i presim së bashku. Sa i përket fjalës që LPK-ja e mbante vazhdimisht, na premtuan se dikush prej tyre do të qëndrojë deri në fund… Duke kërkuar se në cilin xhep i kisha ato katër – 5 faqe, Hysen Gërvalla, përfaqësuesi i LDK-së ndërhyri shoqërisht: Hasan mos i ke harruar në banesë? I xheta – ia ktheva vëllait të dy heronjëve që bashkë me Kadriun preheshin para nesh. Janari i ’97-es ua përkujtonte atyre mërgimtarëve që e kishin përjetuar pranverën e vitit ’81 kur heronjët i organizonin bashkë demonstratat,  prandaj atë ditë u nderuan edhe qysh e meritonin. Dëmëthënia – Kur masa i shihte protagonistët bashkë, ajo ishte gjithmonë e tillë.

         Lëvizja Popullore e Kosovës e bindur se Serbia nuk do ta dorëzojë Kosovën pa luftë, Dega e saj Jashtë Vendit organizonte demonstrata sidomos në Gjermani e Zvicër, shtete këto ku mërgimtarët ishin më të përqendruar, po edhe në shtetet tjera ku ishin më të pakët, për t’i përgatitur ata që kur të vijë dita ta japin kontributin e tyre për çlirimin e vendit. Dhe dita erdhi: Me Epopenë e Prekazit përfundoi gjendja as luftë as paqe midis Kosovës e Serbisë. Ato tri ditët e marsit të ’98-es ishin kushtrim për mbarë shqiptarinë në trojet e veta po edhe për mërgaten në të dy anët e Atlantikut. Të dyjat iu përgjigjën flakë për flakë kauzës. Mërgimtarët nuk e kursyen lekun për t’ia siguruar çdo pjesëtari të UÇK-së armën dhe monicionin, ushqimin dhe veshëmbathjen. Do të ishte një absurd sui generis sikur ta shkruaja këtu ndonjë numër për monedhat gjermane e angleze,  amerikane, franceze e zvicerana, për t’u mos u zgjatur me ato të shteteve tjera ku jetonin mërgimtarët. Jo vetëm lekun, por ata që ua kishin anën istikameve i lanë familjet dhe ia mësyen Kosovës për t’i dalë zot me grykën e pushkës. Ata nuk ishin pak, prandaj po e shkruaj një shifer: vetëm nga qendra e grumbullimit në Munih janë përcjellë më shumë se 600 vullnetarë ( kjo e dhënë nga veprimtarët e Fondit “Vendlindja Thërret”). Dihet se qendra e sapocekur nuk ishte e vetmja në Gjermani e as në Europë. E sa për Batalionin “Atlantiku” e dimë të gjithë.

         Nga masa e mërgimtarëve që u kthye në Kosovë për t’i rrokur armët jo pak prej tyre ranë në altarin e  atdheut. Prandaj në pamundësi për t’i përmendur emrat e të gjithëve nuk mund t’i kapërcej disa prej tyre: Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Agim Ramadanin, Agim Çelen, Salih Çekun, Iliaz Kodrën, Xhemajl Fetahun po edhe Rrustem Bruçin… Protagonistët ishin pjesë e mërgatës; ata nuk pikën nga qielli prandaj kemi të bëjmë me dy anët  e një medaljeje. Prandaj si në nëntorin e 1912-es, po ashtu edhe në 17 Shkurtin e 2008-es mërgata jonë e ka hisen e vet të pakontestueshme.