Shqipëria/Aktualitet

PËRMBYTJET: Vetëm kur vijnë rreshjet kujtohemi çfarë i kemi bërë me duart tona këtij vendi

“Mua personalisht”, thotë Dojaka, “më ka shokuar shifra, kur ma thanë detajin e mëposhtëm disa specialistë izraelitë të vaditjes. Sipas tyre, volumi i punës që do të duhej për të bërë atë sistem vaditjeje-drenazhimi-menaxhimi të ujërave që kishte Shqipëria në vitin 1990, kushton sot jo më pak se 2 miliardë dollarë amerikanë”.

Vetëm kur vijnë rreshjet dhe përmbytjet kujtojmë çfarë është bërë me këtë territor, çfarë i kemi punuar këtij vendi me duart tona.

Vuajmë gjëmën e radhës dhe pastaj harrojmë. Se stinët ndërrohen, hallet zënë njëri-tjetrin dhe prioritetet ndryshojnë.

Por zararin e kemi sërish aty: Pyjet të prerë, argjinatura të shkatërruara, lumenj të zhvatur nga inertet deri në masakër, kanale të bllokuar nga mungesa e kujdesit apo të taposur nga ndërtime njerëzish që duan ta kenë shtëpinë “buzë ujit”.

Dëmi pra, që i kemi natyrës, por mbi të gjitha punës sonë të përbashkët, është i pallogaritshëm. Më saktë, njëfarë llogarie është bërë.

Artur Dojaka, njeri i dashuruar me tokën dhe natyrën jep disa të dhëna në një artikull për Dita, që kushdo që i lexon, mund të vërë duart në kokë. Padyshim që shumë prej agronomëve e specialistëve të kohës së shkuar, i dinë më mirë.

Kështu, deri në vitin 1990, thotë Dojaka, gati 95 përqind e tokës bujqësore ishte nën ujë, ose ndryshe në sistem vaditje, dhe po kaq sasi ishte nën regjim drenazhimi e kullimi.

Që do të thotë se toka ujitej, por nuk përmbytej kur kishte tepricë shirash dhe natyra bënte kapriçiot e saj të radhës.

“Mua personalisht”, thotë Dojaka, “më ka shokuar shifra, kur ma thanë detajin e mëposhtëm disa specialistë izraelitë të vaditjes. Sipas tyre, volumi i punës që do të duhej për të bërë atë sistem vaditjeje-drenazhimi-menaxhimi të ujërave që kishte Shqipëria në vitin 1990, kushton sot jo më pak se 2 miliardë dollarë amerikanë”.

Kjo është shifra.

Natyra ta kthen kusurin. Atë që i ke bërë, nuk ta harron; të vjen mbrapsht e të përplasetet në fytyrë, bash atëherë kur mendon se ja ke hequr paq dhe i ke rregulluar punët e tua mirë e bukur.

Këtë i kemi bërë Shqipërisë këto 25 vjet, dhe hakmarrja po na vjen rregullisht, me racion të dhimbshëm, çdo dimër.