Kulturë\Letërsi

Bedri Islami: POEZI

Luftëtarët ikën

Shuaje këtë natë
Askush nuk do të vdesë më
në fushëbetejë,
këmbanat e fundit kanë rënë,
luftëtarët ikën,
pluhuri i rrugës ka zbardhur
varret e të rënëve.

Harresa
mbi një kalë të zi,
me flamur të grisur
po çon drejt vdekjes
lavdinë e tyre…

Butësisht

Luftrat nuk i bëjnë Homerët,
prandaj janë të verbër,
nuk e shohin tmerrin e trojanëve
në të gjithë motet…
dhe shekujt e egër…

Luftërat i bënë gjeneralët,
ndërsa nënat qanin,
qajnë përsëri!
dhe
nuk e dinë për të bijtë,
cilat vargje do të ketë thurur Homeri!

Le të flasin Zotat
butësisht me nënat!

Liria

Ajo që nuk është gjithçka,
nuk është
kurrë e mjaftueshme.

ruaje gjakun tënd
larg zbrastësisë së makthit të harresës,
nuk është koha
të çlodhesh nga jeta,
për largësi dashurie.

Brenda katedrales së shpirtit
dremit asgjëja.
Në vetminë e hidhur,
dritat po shuhen,
nojmat iluzore nuk shfaqen më,
Zotat po kthehen përmes qiellit të erërave.

Atje ku nuk je ti,
nuk është asgjë,
është përherë pamjaftueshmëria…

veç hapat tonë që afrohen drejt teje,
përherë të pasigurtë,
të vonuar…

ÇAST

Sa prej nesh e kujtojnë atë çast
kur bota
dukej për së mbari?!!

Çdo ditë,
shpirti i trazuar kërkon prehjen e vet,
mjegullat ranë
mbi rrafshirën pa fund të kujtesës,

në një tjetër det,


Ç’mesazh më sjellin shirat
të ngrirë në duar dhe shndërrohen në zogj?

Cila pranverë u end mbi shpirtra,

vjeshta e cilit vit u dogj?

Oh, ka ardhur koha
të kthehem në vendlindje..
të hap kanatat e drunjta,
të ndjell zogun e pritjes,
mbi pëllëmbë trëndafili,

të shikoj kur çelin lulet e mollës

dhe kundërmon bliri..


t’i falem shtëpisë së vjetër,

rrugëve që më rritën,
atyre që më deshën marrëzisht
deri në vdekje më pritën…

askund tjetër nuk mund të jesh i lumtur…

Parajsa e Dantes,
nuk është tjetër,
veç shtëpia në vendlindje….

Çështje historie

Për të bërë luftën tënde

duhet të gjesh një armik,

nëse nuk e gjen – luftën lëre fare,

për të gjetur armikun tënd

duhet të kesh një kauzë

që të mbush natën me ide ngadhënjimtare…

Mos e fillo kurrë luftën,

pa e gjetur armikun tënd,

dhe kauzën tënde

me sytë e magjepsur nga pamja e fitores..

pavarësisht se mund të mos jetë

ashtu si kujtonim,

dhe ata që mbetën gjallë nga lufta yte

do të vajtonin,

Historia,

ashtu si hakmarrja-që e deshe aq fort,

është më e qëndrueshme

kur serviret në një pjatë të ftohtë…

Në histori nuk ka gjykatës

e as përmendore lavdie,

vetëm hetues dhe pranga.

Vajtojcat e gjithë botës janë aty,

të mundurit rebelohen dhe spostojnë kohën,

funerali i lavdisë mbetet prapa…

Ata, që ikën nga lufta,

u bënë hetues, kujtesa humbet

e zhduket..

Ringjallja memece ushqehet me imazhe,

Heronjtë s’janë më,

mbeten vetëm rrasat e gurta të rrugës…

nesër të rënët mund t’i heqin nga piedestalet

për deri sa hetues u bënë dezertorët,

Zhbërjet e mëdha po afrohen….

12 prill 1999

Ata po i dëbojnë prej vatrave të tyre, o Zot,

Ç’po ndodh kështu?

Cili mëkat rëndon mbi supet e tyre,

a nuk është mjaft Golgotha e kaq shumë viteve,

gjithçkaje që u kthye në asgjë?

të vrarët, të zhdukurit, të djegurit,

Çfarë mëkati ka rënë mbi të?

Kjo botë paska rrëshqitur mendsh

u fikën dritat e saj

e po ndriçon gjaku,

jetë të ndërprera në mes…

Besimi po shterret – si u thatuan lumejtë,

as bora nuk është më e bardhë,

as nata nuk ka mëngjes…

Ç’po ndodh, o Zot, në këtë fund shekulli

hejtë e akullt po zbresin në zemër,

gjithçka po ngrin,

e na,

fort të deshëm,

Zoti ynë,

Shiko, fillim pranvere është

nga rrasat e gurta po dalin lule të kuqe,

si gjurmë thike, shtize,

pas drizave dalin gjarpërinjtë e zezë,

mbushur me ciriliqe…

jepi fund, o Zot,

lejona të të besojmë prore,

Ndryshe

do të shkojmë t’i lutemi përsëri,

altarit të diellit, të gurit, të bjeshkës,

orëve dhe zanave,

perëndive mitike…

Mos na e kthe shpindën , Zot,

që të mos kemi ndarje tragjike…

4 shtator 2020…

Takimi mbaroi

firmat u hodhën..

pas pak

delegacionet

do të marrin

rrugën e kthimit…

të lodhur, të pasur,

frymëmekur

ulërin era

në dritaret e kohës,

si një zog i vdekur…

Ku ktheheni, o të marrë,

si kuaj të verbuar

nga shkëlqimi,

marrëveshja

nuk është gjë tjetër

veç iluzion agimi….

me 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, u nënshkrua „ marrëveshja e vdekur“ për bisedimet e mëtejshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Dielli ka zënë vend

mbi gjokset e luftëtarëve të vrarë…

Nëse dielli ikën

nga gjokset e tyre

fillon shkretëtira,

zhduket mirazhi i lirisë,

urithi i natës vjen…

retë e nxira…

në përmendoret e tyre zë vend ndryshku..

Mos e lini diellin të ikë,

ndryshe shtriga Harresë,

në fshehtësinë e natës,

mpreh thikën

për të prerë atdheun

pjesë – pjesë…..

Postimet e fundit !