Arkiv / Ripublikim

Disa dokumente të arkivave shqiptare për pjesën e pushtuar të Shqipërisë (Kosova me vise) nga Jugosllavia (1)

   Redaksia e gazetës LËVIZJA do t’i botojë në vazhdime një pjesë të mijëra dokumenteve të gjetura, pas një pune hulumtuese shkencore, në arkivat e shtetit tonë AMË nga studiuesi i zellshëm Prof. Dr. Sabit Syla. Nga këto dokumenta lexuesit tanë mund të njihen më mirë me interesimin, përkushtimin dhe angazhimin e shtetit tonë, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, për përmirësimin e pozitës së popullit të pushtuar shqiptar nga Jugosllavia dhe për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Iliri (Ballkan). Shteti shqiptar dhe personalisht Enver Hoxha interesohej për të gjitha shqetësimet dhe kërkesat që kishte pjesa e pushtuar e Shqipërisë dhe e popullit të saj, që vuante persekutimin, terrorin, burgimet, torturat, vrasjet dhe shpërnguljet (dëbimet) e pushtuesit jugosllavo komunist të Tito – Rankoviçit…
   Shteti ynë ishte shpresa dhe përkrahja e vetme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Shqipërinë e pushtuar në periudhën e viteve 1945 – 1990. Askush në botë nuk çante kokën në atë periudhë pse dy të tretat e një vendi e të një kombi ishin të pushtuara dhe grabitura nga fqinjët shovinistë, që kishin krijuar shtetet e tyre kryesisht në tokat e Shqipërisë! Falë shtetit të Enver Hoxhës dhe mbështetjes së tij të pa rezervë Lëvizja jonë Kombëtare e Çlirimtare ia doli të unifikohejë, të organizohejë dhe të konsolidohejë deri në atë shkallë sa të merrte përsipër organizimin e Luftës Antipushtuese Çlirimtare, duke krijuar UÇK – në. Përkrahja e shtetit tonë dhe e pjesës së lirë të popullit tonë ishte vendimtare edhe pas vitit 1990 dhe, sidomos, gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK – së, që pati për rezultat çlirimin e Kosovës (pa vise) dhe përmirësimin e pozitës së popullit shqiptar në Maqedoninë tonë dhe në trojet tjera shqiptare… Roli i shtetit tonë AMË, Republikës së Shqipërisë, mbetet edhe më tej vendimtar për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare dhe për (ri)bashkimin e Shqipërisë në një shtet dhe me një Flamur kuqezi… (GL)

Prof. dr. Sabit Syla 

DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Një interes të veçantë për opinionin publik shqiptar paraqet qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës. Hapja e arkivave shqiptare, ka sjellë një bollëk dokumentesh, një pjesë e mirë të panjohura më parë. Dokumentet e viteve ’50 dhe ’60 të shek. XX që po i ofrojmë lexuesit, pasqyrojnë në mënyrë të plotë dinamikën e qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, gjatë viteve në fjalë. Shteti shqiptar ka ndjekur në vazhdimësi politikën jugosllave në të gjitha drejtimet e saj karshi shqiptarëve e gjendjen e këtyre të fundit në të gjitha aspektet e zhvillimeve ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike. Këto dokumente janë përzgjedhur nga mijëra dokumente të hulumtuara në Arkivin e Ministrisë për Evropën dhe Punë të Jashtme dhe dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve 2008 – 2023. Për të ruajtur origjinalitetin e dokumenteve nuk kemi ndërhyrë.

                                                                         -1-

Presion mbi shqiptarët në Jugosllavi për të ndërruar nënshtetësinë

Tiranë, më 13.06.1950

Banda e spiunëve dhe e vrasësve të Beogradit e tërbuar nga dështimi i planeve të saj për të transformuar Republikën Popullore të Shqipërisë, ashtu sikundër bëri për Jugosllavinë, në një kryeurë dhe në bazë të agresioni të imperializmit amerikan për luftë kundër Bashkimit Sovjetik dhe demokracive popullore, nuk lënë gjë pa përdorur kundër popullit shqiptar dhe pushtetit të tij popullor për ta penguar atë në rrugën e shenjtë të ndërtimit paqësor të socializmit në vendin e tij. Programi politik i kësaj bande i diktuar nga qëllimet luftëdashëse të Departamentit të Shtetit, është të nxisë e të provokojë një luftë të re kundër Bashkimit Sovjetik e demokracive popullore duke shkelur për këtë qëllim të gjitha rregullat e marrëveshjet ndërkombëtare ose bilaterale. Në bashkëpunim me monarko-fashistët e Athinës dhe neofashistët e Romës, kjo klikë e degjeneruar dhe e urryer, me anë provokacionesh të armatosura në kufijtë e atdheut tonë, me anë shpifjesh, presionesh, spiunazhi dhe aktesh diversioni të ngjashme me metodat e tipit hitlerian, përpiqet të vërë në jetë urdhërat e padroneve të saj amerikanë. Por, kur shohin se edhe këto metoda fashiste provokuese dështojnë përpara vigjilencës së popullit tonë dhe forcës së pushtetit popullor, kriminelët titistë, ashtu si i mbyturi që kapet pas gjarprit për të shpëtuar, përpiqen të sigurojnë njëfarë “suksesi” të çfarëdo lloji qoftë, edhe nga më të ulëtit, në favor të bankierëve të Well-Strelit për të justifikuar përpara këtyre milionat e dollarëve për armatime që këta u japin.

I tillë është suksesi që përpiqen të arrijnë terroristët e Beogradit me anën e presioneve që ata u bëjnë shtetasve shqiptarë në Jugosllavi për ta ndërruar nënshtetësinë. Që pas tradhtisë së klikës fashiste të Titos, atëherë kur politika e tyre armiqësore kundrejt popullit shqiptar u bë më e egër, një numër shtetasish shqiptarë, shumica e të cilëve ishin instaluar në Jugosllavi përpara Luftës së Dytë Botërore, kërkuan të riatdhesohen në vendin e tyre të lindjes, në mëmën Shqipëri, e cila, e udhëhequr nga Partia dhe marksisti i shquar i saj, shoku Enver, i qëndroi besnik fitoreve të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, duke goditur ashpër ndërhyrjen trockiste jugosllave në punët e shtetit e të Partisë sonë me anën e agjentëve e titistëve të kryesuar nga kryebanditi, Koci Xoxe.

Kërkesave të shtetasve shqiptarë për t’u riatdhesuar banditët e Beogradit, agjentët e UDB-së, u janë përgjigjur me presione, shantazhe e masa diskriminuese nga më çnjerëzoret. Metodat e tyre për të mos i lejuar të riatdhesohen dhe për t’i bërë të merrnin nënshtetësinë jugosllave, janë të shumëllojshme. Ndërsa, pjesën më të madhe të kërkesave për lejekalimi, kriminelët titistë nuk u përgjigjen, ndërkohë ata thërrisnin shtetasit shqiptarë në seksionet e UDB-së, ku në qelitë e vdekjes i shtrëngojnë të pranojnë nënshtetësinë jugosllave. Dhe kur me gjithë presionet e kërcënimet e mercenarëve të Rankoviqit, shtetasit shqiptarë nuk pranojnë të marrin nënshtetësinë jugosllave, atëherë me pretekstin më qesharak aq sa edhe të turpshëm, të akuzuar “për spekulim”, këtyre shtetasve u konfiskohen edhe mjetet më të thjeshta të punës që u nevojiten për jetesë, i ndalojnë të drejtën e ushtrimit të profesionit, i akuzojnë për “të papunë e parazitë”, dhe iu tërheqin triskat e ushqimit, veshmbathjes e të bukës, duke i lënë me gjithë fëmijë në mes të katër udhëve. Por, ka edhe metoda më të perfeksionuara, në praktikë dhe të lehta për t’u aplikuar nga këta banditë në saje të të cilave ata shpërblehen si novatorë. Ja p.sh. agjentët e UDB-së duke njohur mirë se cilët janë shtetas shqiptarë, iu kërkojnë kartën e identitetit dhe në vërejtje iu shënojnë “mori nënshtetësinë jugosllave”. Por, në zbatimin e kësaj praktike të poshtër e të pashembullt, përveç se në shtetet krejt fashiste, këta hajdutë me lëkurë njeriu që kërkojnë të vjedhin edhe njerëzit, kanë gjetur përgjigjen e merituar të shtetasve shqiptarë të cilët duke mos harruar për asnjë çast mëmën e tyre që i lindi dhe i rriti, kanë deklaruar: “Ne jemi shqiptarë dhe duam të vdesim shqiptarë”. Më kot klika fashiste e Beogradit përpiqet të shndërrojë nënshtetësinë e shqiptarëve në Jugosllavi. Presionet dhe shantazhet e kësaj klike nuk mund të trembin shtetasit shqiptarë të cilët te Tito shohin armikun më të egër e më të betuar të popullit shqiptar dhe të popujve vëllezër të Jugosllavisë.

Qëndrimi i shtetasve shqiptarë përpara metodave më të egra të bandës së Titos për të ndërruar nënshtetësinë e tyre, tregon se sa e zjarrtë është ndjenja e atdhedashurisë e këtyre shtetasve dhe dëshira e tyre për t’u riatdhesuar sa më shpejt, tregon shtypjen dhe kërcënimet e padurueshme që u bëhen atyre nga spiunët e katilit Rankoviç. Por, dëshira e tyre e zjarrtë për t’u riatdhesuar në vendin e tyre të lirë e të lumtur tregon edhe gjendjen e mjerueshme ekonomike në të cilën e ka katandisur sot Jugosllavinë klika trockiste e Beogradit, duke i vënë gjithë pasurit e nëntokës në duart e trusteve dhe monopoleve kapitaliste amerikane dhe duke e kthyer Jugosllavinë në një koloni të Shteteve të Bashkuara. Kjo gjendje terrori dhe shfrytëzimi të pa fre që ushtrohet sot nga gjakpirësit më të egër të popujve të Jugosllavisë po e shton çdo ditë urrejtjen e masave të gjera punonjëse të popujve jugosllavë, kundër kësaj klike dhe me luftën e tyre të organizuar që po vjen çdo ditë duke marrë proporcione të gjëra dhe ato do të mundin ta bëjnë copë e thërrime këtë qen të imperializmit në Ballkan e në Evropë dhe ta kthejnë përsëri Jugosllavinë në kampin e paqes e të socializmit, në kampin e vëllazërimit midis popujve. Shtetasit shqiptarë në Jugosllavi që shohin dhe vuajnë metodat më të egra të këtij terrori dhe shfrytëzimi të pa fre, nuk do të përulen kurrë përpara kërcënimeve dhe nënshtrimeve të satrapëve të Rankoviçit për të ndërruar nënshtetësinë e tyre. Nuk do të jetë e largët dita kur xhelatët titistë do të japin llogari para popujve të Jugosllavisë dhe të drejtat e shtetasve të huaj të marra nëpër këmbë do të rivendosen.

14/06/1950                                                                                                                                         Meleq Babani

                                                                                   -2-

 Projekt note verbale, sekretariatit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Nju Jork[1]

    Me urdhër të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, kam nderin të vë në dijeninë tuaj për sa më poshtë vijon: Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë është vënë në dijeni se në kohët e fundit, klika fashiste e Beogradit, po i shton gjithnjë e më shumë masat e saja terroriste kundrejt popullit shqiptar të Kosovës, Metohisë dhe Maqedonisë. Qeveria Jugosllave e frymëzuar nga ndjenjat nacionaliste dhe shoviniste të pushtuesit, ka vazhduar të përdor kundër popullit shqiptar të Kosovës e Metohisë, e Maqedonisë, një politikë terrori dhe shfarosjeje që ia ka kaluar edhe asaj të dinastisë së krajlëve serbë. Me shekuj organet e UDB-së jugosllave ushtrojnë një terror dhe masakrime të pashembullta mbi popullatën liridashëse shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, që i a kalojnë edhe barbarizmave më të mëdha që kryheshin nga Gestapoja gjatë okupatorit fashist. Me mijëra shqiptarë të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, burgosen për as më të voglën arsye.

Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë e indinjuar thellësisht, konstaton se kjo politikë terrori, masakrash, burgosjes dhe vrasjesh që ushtrohet nga ana e Qeverisë jugosllave dhe organeve të saj kundër popullsisë shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe të Maqedonisë, kryhet në bazë të një plani të parapërgatitur që ka për qëllim shkombëtarizimin dhe zhdukjen e kësaj popullsie shqiptare. Plani për shkombëtarizimin dhe zhdukjen e popullsisë shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, i është besuar një grupi xhelatësh që sot janë në krye të Qeverisë jugosllave, si p.sh. Vukmanoviç Tempo, Llazar Kolishevski, gjenerallejtënant Svetko Uzmanovski, Sava Jaksimoviqit, etj. Kjo politikë terrori, masakrash, persekutimesh dhe vrasjesh, përbën shkeljen më brutale të të drejtave themelore të minoritetit kombëtar shqiptar që banon në Kosovë e Metohi dhe Maqedoni, dhe është në kundërshtim flagrant me politikën nacionale, me të drejta ndërkombëtare, si edhe me frymën dhe qëllimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Të gjithë popujt e qytetëruar të botës, kanë dënuar këto akte dhe metoda të paprecedentë, kur Gjermania naziste gjatë Luftës II Botërore i aplikonte të njëjtat akte dhe metoda kundrejt minoriteteve nacionale në vendin e saj.

Qeveria jugosllave me qëllim që të shkombëtarizojë dhe të zhduki popullsinë shqiptare të Kosovës, Metohisë dhe Maqedonisë ka përdorur të gjitha format dhe metodat më të poshtra dhe antinjerëzore të cilat konsistojnë, me sa më poshtë vijon:

  1. Qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, udhëheqja jugosllave me qëllim që të realizonte planet e saja kriminale në shkombëtarizimin dhe zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, e largoi popullin shqiptar të këtyre krahinave që të merrte pjesë totalisht në luftën e përbashkët kundër okupatorëve nazifashistë. Politika e udhëheqjes jugosllave kundrejt shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, predominohej nga ndjenja nacionaliste karshi shqiptarëve. Udhëheqja jugosllave i shikonte masat shqiptare me armiqësinë e shovinistëve serbomedhenj. Politika e udhëheqjes jugosllave nuk bëri asgjë për të zhdukur divergjencat dhe armiqësitë e vjetra të nxitura nga regjimet e vjetra, kurse në të kundërtën me qëllim i shtoi dhe i thelloi akoma më tepër këto armiqësi, duke propaganduar në popullatën malazeze që jetojnë në Kosovë, se shqiptarët e Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, janë reaksionarë. Në kundërshtim sa më sipër, pjesa e serbo-malazezve që jetojnë në Kosovë, konsiderohej nga udhëheqja jugosllave e gjitha e lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, pa bërë dallime ndërmjet pjesës së këtyre që ishin agjent dhe çetnikëve të okupatorëve fashist italianë dhe gjermanë si edhe të Drazha Mihajloviçit që luftojnë kundër Lëvizjes Nacional Çlirimtare Jugosllave si rrjedhim i kësaj politike kriminale, elementi serbo-malazez vazhdoi edhe në këtë kohë hakmarrjet, masakrat dhe krimet karshi popullatës shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe të Maqedonisë. E njëjta politikë, terrori dhe shfarosjeje, u zbatua nga udhëheqja jugosllave edhe kundrejt elementit shqiptar të Kosovës e Metohisë dhe Jugosllavisë që bënte pjesë në njësitet Nacionalçlirimtare Jugosllave, dhe që luftuan me armë në dorë kundrejt okupatorëve fashistë italianë dhe gjermanë, bënë pretekste të ndryshme false, si p.sh. se “deshën të vritnin komandantin e njësisë ushtarake” etj., etj., vrasjet e masakrat vazhdojnë edhe në ushtrinë kundrejt shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe të Maqedonisë. Udhëheqja jugosllave për t’ia arritur sa më mirë qëllimeve të saja antinjerëzore në zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe të Maqedonisë, përdori më në fund taktikën e largimit të njësive ushtarake të përbëra prej shqiptarëve për në frontet e tjera, si në Banat, Srem e Baçka, në mënyrë që të mos ishin në Kosovë e Metohi dhe Maqedoni, me qëllim që do të mbeten njësit serbo-malazez në Kosovë e Metohi dhe Maqedoni, çdo eliminim i shqiptarëve do të ishte më i lehtë, dhe nga ana tjetër, vrasjet e masakrat ndaj elementit shqiptar që bënte pjesë në njësitet e Ushtrisë Nacionalçlirimtar Jugosllave do të kryheshin më lehtë me largimin e tyre nga Kosova e Metohia dhe Maqedonia.

Politika nacionaliste-shoviniste e klikës së Titos, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ndaj elementit shqiptar të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë nuk ishte gjë tjetër veçse vazhdimi i politikës së regjimeve të kaluar të krajlëve Karagjorgjeviç, e mbuluar me maskën e Lëvizjes Nacionalçlirimtare.

  1. Politika nacionaliste-borgjeze ­­­­­­­­­­­­­e grupit Tito për zhdukjen në masë të më se 800 000 shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, vazhdoi me një ritëm akoma më të madh në periudhën e pas çlirimit. Plani i tyre nga një anë përfshinte, zhdukjen e popullsisë shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, dhe nga ana tjetër kthimin e RP të Shqipërisë në një koloni jugosllave. Klika nacionaliste-shoviniste e grupit për arritjen e qëllimeve të saja ka përdorur dhe po vazhdon të përdor format e metodave dhe mjetet më të poshtra të luajtura nga nazistët gjermanë në zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës e Metohisë e Maqedonisë. Me mijëra shqiptarë të Kosovës e Metohisë, e Maqedonisë, të pafajshëm janë pushkatuar në masë ilegalisht pa gjyq nga organet e UDB-së të Qeverisë jugosllave. Qysh në fillim të tetorit 1944, dhe në muajt e ardhshëm, reparte të veçanta të UDB-së jugosllave, hynin nëpër fshatrat me popullsi shqiptare dhe vritnin me qindra shqiptarë të këtyre krahinave. Kështu p.sh. në rrethinën e Gostivarit vranë përmbi 150 veta, 80 veta në rrethin e Tetovës, 100 veta në krahinën e Kërçovës, 800 veta në Derven të Shkupit, 200 veta u pushkatuan afër Prishtinës në vendin e quajtur Tomboce, 2 000 veta u pushkatuan nga qyteti i Mitrovicës dhe katundet përreth, në qytetin e Vuçitërnës u vranë 400 vetë etj., etj. Në këto masakra të pashembullta të popullsisë shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë ka marrë pjesë edhe agjenti i Qeverisë së Jugosllavisë në gjirin e Qeverisë shqiptare, tradhtari Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945. Kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së jugosllave që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq në token shqiptare, më tepër se 1 000 shqiptarë të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, të pafajshëm. Metodat e përdorura në vrasjen e elementit shqiptar, janë nga më të poshtrat dhe më kriminalet. Shumë njerëz që i merrnin për të pushkatuar, i kanë futur të gjallë nëpër gropa, i kanë therur me bajoneta dhe i kanë fshehur nëpër gropa të ndryshme dhe plehra, u kanë prerë njerëzve pjesë të trupit derisa u ka dalë shpirti, i kanë djegur për së gjalli, i kanë përvëluar me ujë të nxehtë kokat e të vrarëve, i kanë përshkruar, nëpër hunj dhe i kanë vënë në gardhe për të terrorizuar popullin etj., e krime të këtij lloji.
  2. Banda fashiste Tito-Rankoviç, si agjenturë e vjetër e imperializmit dhe e fashizmit, për zhdukjen ne masë të shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, ka përdor edhe sëmundjet bakteriologjike, të ndaluara kryekëput nga Konventa dhe marrëveshje ndërkombëtare. Nëpër kampet e përqendrimit, dhe nëpër burgjet, ku organet e UDB-së jugosllave kishin mbyllur shqiptarët e Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, me qëllim që të shfarosnin sa më parë, kanë përhapur sëmundje bakteriologjike, si: tifoja e morrit, (tifo ekzantematik) etj. Kapiteni i OZNAS (UDB) jugosllave, Pepe Jovanovski, kishte krijuar në zonat e banuar nga shqiptarët një burg special me sëmundje të tifos së morrit. Vetëm nga ky burg kanë gjetur vdekjen përmbi 300 shqiptarë, dhe me qindra të tjerë të infektuar nga këto baktere të hedhura dhe të përhapura me qëllim, kanë gjetur vdekjen nëpër kampet e përqendrimit dhe nëpër burgjet e tjera.

Jeniçerët e Rankoviqit, për të përmbushur si më parë fillimet e tyre çnjerëzore në zhdukjen e elementit shqiptar të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, nuk u mjaftuan me përhapjen e këtyre sëmundjeve bakteriologjike vetëm nëpër kampe dhe nëpër burgje, por ata, me qëllim që nga kjo sëmundje të përfshihen sa më shumë nga popullsia shqiptare e Kosovës e Metohisë e Maqedonisë, lironin nga burgu me qëllim njerëz të prekur nga kjo sëmundje dhe i dërgonin nëpër fshatrat e tyre të banuar krejtësisht nga elementi shqiptar. Si rezultat, me qindra shqiptarë të pafajshëm, gjetën vdekjen të infektuar nga sëmundja e tifos së morrit.

[1] Dokumenti nuk ka datë dhe as firmë.

(Vazhdon)