Shqipëria/Aktualitet

Talat Xhaferi Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë tonë

Parlamenti në Shkup miratoi qeverinë teknike, të cilën do ta drejtojë zoti Talat Xhaferi, ish-kryetar i Parlamentit. Kjo është hera e parë që një shqiptar e merr postin e kryeministrit në Maqedoninë e Veriut dhe kjo ka nxitur mjaft pakënaqësi në rrethet nacionaliste në vendin e vogël ballkanik. Qeveria teknike ka si detyrë kryesore përgatitjen e zgjedhjeve që do të mbahen më 8 maj. Dy pjesëtarë të opozitës maqedonase do të jenë ministra të rinj në kabinetin e zotit Xhaferi.

Talat Xhaferi, kryeministër i ri i Maqedonisë së Veriut
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi Qeverinë teknike për më pak se dy orë debat. 65 ligjvënës votuan pro, ndërsa 3 ishin kundër. Deputetët e opozitës shqiptare, që përbëjnë Lëvizjen Evropiane për Ndryshim e bojkotuan seancën, teksa VMRO-DPMNE-ja e opozitës maqedonase abstenoi gjatë votimit, ndonëse dy ministra të saj janë pjesë e kabinetit qeveritar dhe tre zëvendministra do të jenë nga radhët e saj.

Zoti Talat Xhaferi është kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut edhe pse qeveria e tij teknike do të zgjasë vetëm 100 ditë. Partia e tij, Bashkimi Demokrartik për Integrim e ka quajtur ditën e sotme “ditë historike”.

Zoti Xhaferi tha se do ta mbajë institucionin më të lartë ligjvënës të besueshëm për qytetarët dhe me detyrat qartësisht të përkufizuara me kushtetutë në raport me shtyllat e tjera të pushtetit në vend. Ai tha se do t’i përkushtohet rrugës së integrimit evropian me synim anëtarësimin e vendit në BE deri në vitin 2030.

“Për mua nuk ka dallim nëse është fjala për 1 apo 100 ditë; për qeveri teknike apo kalimtare. Unë këtë detyrë, besim, nder dhe mbi të gjitha përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme e kuptoj dhe do t’i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë dhe sfidë që është shfaqur para meje, në jetën profesionale dhe personale”, theksoi zoti Xhaferi.

Ligjvënës nacionalistë maqedonas u shprehën kundër zotit Xhaferi që ta drejtojë qeverinë teknike, qoftë për shkakun se ka qenë pjestar i ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, apo pse nuk ka qenë i përshtatshëm për ta gjatë kryesimit gati katër vjeçar të parlanentit.

“Një dezertor dha dorëheqjen, ndërsa një tjetër dezertor do të ulet në karrigen e kryeministrit. As ai që u ngrit nga kolltuku dhe as ky që po ulet në të nuk kanë ndjenja të çiltra për Maqedoninë; prandaj sikurse edhe Kovaçevski, – kryeministri më i keq deri më tani – mos prisni as nga Talat Xhaferi që të jetë më i mirë dhe të punojë për një shtet përparimtar dhe të suksesshëm”, tha Antonio Milloshoski i VMRO-DPMNE-së.

Deputeti vazhdoi duke thënë se BDI nuk ka numër deputetësh as votues që të zgjedhë kryeministrin. Me një fjalor ofendues ai e quajti LSDM-në një shërbëtore të BDI-së, ndërsa u shpreh se ajo e bëri popullin maqedonas “qiraxhi në vendin e vetë”.

Ndaj këtyre sulmeve reagoi kryetari i BDI-së dhe ligjvënës Ali Ahmeti:

“Zoti Milloshoski, kur ju keni lindur më 1976 unë kam qenë gjimnazist, por qiraxhi, i mohuar, i përqeshur, i përplasur nga ata që qeverisnin asokohe. Mua më mohohej gjuha e nënës. Kur ishte Kërçova ime dhe e juaja më e mirë, atëherë kur unë isha qiraxhi apo sot kur të dy jemi zot shtëpie? Shteti ynë, imi dhe i yti, a ishte më mirë atëherë kur më ndiqte mua bashkë me gjeneratat e mia si ‘armik’, ‘terrorist’, ‘separatist, apo sot që bashkëfunksionojmë dhe bashkëdrejtojmë shtëpinë tonë të përbashkët?”, vazhdoi zoti Ahmeti duke iu drejtuar ligjvënësit tjetër, Pavle Trajanov.

Ndërsa opozita maqedonase sulmoi partitë më të mëdha qeveritare me akuzat për korrupsion të lartë, deputetët e shumicës parlamentare dolën në mbështetje të zotit Xhaferi duke e cilësuar si profesionist dhe parimor në angazhimet e tij gjatë këtyre viteve si drejtues i parlamentit.

Elmi Haziri i Aleancës për Shqiptarët tha se është i palogjikshëm qëndrimi për të mos votuar një shqiptar për kryeministër nga ata të cilët pretendojnë të udhëheqin me një shtet multietnik.

“Sado i kamlufluar dhe sado teknik që të jetë arsyetimi, mosvotimi do të jetë për arsye të përkatësisë etnike të kryeministrit. Kjo aspak nuk është shenjë e mirë”, u shpreh ligjvënësi Haziri.

Kabineti i zotit Xhaferi do të ketë vetëm dy ministra të rinjë, që janë përfaqësues të VMRO-së dhe do të drejtojnë Punët e Brendshme, përkatësisht Ministrinë e Çështjeve Sociale si dhe tre zëvendësministra ‘plotësues’, siç njihen me kushtetutë.

Dy ministrat nga radhët e VMRO-së refuzuan të dalin në fotografinë e përbashkët tradicionale, menjëherë pas miratimit të kabinetit, duke nxitur dilema në opinionin publik për mënyrën e funksionimit të kabinetit të ri qeveritar.

Qeveria e përkoshme teknike do ta çojë vendin në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 8 majit.

Postimet e fundit !